A të kujtohet?
A të ka pëlqyer leximi i numrave të fundit të Kullës së Rojës? Mirë, pra, le të shohim nëse mund t’u përgjigjesh pyetjeve vijuese:
◻ A do të thonë fjalët e Jezuit, «kujt do t’ia falni mëkatet, do t’i jenë falur», se të krishterët mund të falin mëkatet? (Gjoni 20:23)
Nuk ka ndonjë bazë biblike për të nxjerrë përfundimin se të krishterët në përgjithësi, apo madje edhe pleqtë e emëruar në kongregacione, kanë autoritetin hyjnor për të falur mëkatet. Konteksti i fjalëve të Jezuit duket se tregon që apostujt u kishin siguruar atyre përmes veprimit të frymës, një autoritet unik për të falur apo për të mos falur mëkatet. (Shiko Veprat 5:1-11; 2. Korintasve 12:12.)—15/4, faqe 28.
◻ Çfarë dallon në përkthimin e librit të Psalmeve nga J. J. Stjuart Përon, i botuar së pari në 1864-n?
Në përkthimin e tij, Përon u përpoq t’i mbahej «ngushtësisht formës hebraike, si në shprehjet e saj frazeologjike, ashtu edhe në strukturën e fjalive». Duke bërë kështu, ai favorizoi rivendosjen e emrit hyjnor në formën «Jehova».—15/4, faqe 31.
◻ Çfarë drejtimi u dha Jezui ithtarëve të tij, në lidhje me marrëdhëniet e tyre me botën?
Jezui tha: «Jepini, pra, Cezarit atë që i përket Cezarit, por Perëndisë atë që i përket Perëndisë.» (Mateu 22:21) Ai tha, gjithashtu: «Në qoftë se dikush të detyron të ecësh një milje, ti bëji dy me të.» (Mateu 5:41) Jezui po ilustronte këtu parimin e nënshtrimit të gatshëm ndaj kërkesave të ligjshme, qoftë në marrëdhëniet njerëzore apo në kërkesat qeveritare që janë në përputhje me ligjin e Perëndisë. (Luka 6:27-31; Gjoni 17:14, 15)—1/5, faqe 12.
◻ Ç’do të thotë ‘të ecësh në të vërtetën’? (Psalmi 86:11)
Kjo përfshin t’u bindesh kërkesave të Perëndisë dhe t’i shërbesh atij me besueshmëri dhe me sinqeritet. (Psalmi 25:4, 5; Gjoni 4:23, 24)—15/5, faqe 18.
◻ Çfarë u arrit me dërgimin e Jonait nga Jehovai në Ninevi?
Siç vajtën punët, aktiviteti i predikimit të Jonait në Ninevi tregoi kontrastin ndërmjet ninevitëve të penduar dhe izraelitëve qafëfortë, të cilët kishin një mungesë të theksuar besimi dhe përulësie. (Krahaso Ligjin e përtërirë 9:6, 13; Jonain 3:4-10.)—15/5, faqe 28.
◻ Kush është gjarpri dhe cila është «gruaja», për të cilët flet Zanafilla 3:15?
Gjarpri nuk është rreptili i ulët, por ai që e përdori atë, Satana Djalli. (Zbulesa 12:9) «Gruaja» nuk është Eva, por organizata qiellore e Jehovait, nëna e shërbëtorëve të tij tokësorë, të mirosur me frymë. (Galatasve 4:26)—1/6, faqe 9.
◻ Si mund të dalë një person nga Babilonia e Madhe e të gjejë shpëtimin? (Zbulesa 18:4)
Ai duhet të ndahet plotësisht nga organizatat e rreme fetare, si dhe prej zakoneve të tyre dhe prej frymës që ato prodhojnë e më pas ai duhet të gjejë shpëtim brenda organizatës teokratike të Jehovait. (Efesianëve 5:7-11)—1/6, faqe 18.
◻ Përse shqiponja është përmendur shpesh në Shkrimet?
Shkrimtarët e Biblës kishin ndër mend karakteristika të shqiponjës, për të simbolizuar gjëra të tilla, si mençuria, mbrojtja hyjnore dhe shpejtësia.—15/6, faqe 8.
◻ A kanë shërbëtorët e sotëm të Perëndisë me shpresë tokësore, aq frymë të Perëndisë sa edhe të krishterët e mirosur me frymë?
Në thelb, përgjigjja është po. Fryma e Perëndisë është në dispozicion në sasi të barabartë për të dyja klasat dhe njohuria e kuptueshmëria janë ofruar njësoj për të dyja.—15/6, faqe 31.
◻ Përse është e dobishme për ne sot të shqyrtojmë shërbimin e shenjtë të kryer nga priftërinjtë e Izraelit në tempullin në Jerusalem?
Duke bërë kështu mund të arrijmë të çmojmë në mënyrë më të plotë përgatitjen e mëshirshme, përmes së cilës njerëzit mëkatarë sot mund të pajtohen me Perëndinë. (Hebrenjve 10:1-7)—1/7, faqe 8.
◻ Në ç’mënyrë, tempulli i dytë i ndërtuar në Jerusalem arriti një lavdi më të madhe se ai që u ndërtua nga Solomoni?
Tempulli i dytë zgjati 164 vjet më shumë se tempulli i Solomonit. Më shumë adhurues nga më shumë vende u mblodhën në oborret e tij. Dhe më e rëndësishmja, ky tempull i dytë gëzoi dallimin e madh, pasi Biri i Perëndisë, Jezu Krishti, mësoi brenda oborreve të tij.—1/7, faqe 12, 13.
◻ Kur e formoi Perëndia tempullin e tij frymor?
Në vitin 29 të e.s., kur Perëndia shfaqi miratimin e tij për lutjen e pagëzimit të Jezuit. (Mateu 3:16, 17) Miratimi i Perëndisë për paraqitjen e trupit të Jezuit, në kuptimin frymor do të thoshte se një altar më i madh se ai i tempullit në Jerusalem erdhi në veprim.—1/7, faqe 14, 15.
◻ Përse duhet të falim?
Falja e dikujt që na ka ofenduar është thelbësore, nëse duam të mbajmë unitetin e krishterë. Armiqësia dhe ushqimi i smirës do ta heqin paqen mendore. Nëse nuk falim, ka rrezik që një ditë Jehovai të mos na i falë më mëkatet tona. (Mateu 6:14, 15)—15/7, faqe 18.
◻ Si mund të bëheshin izraelitët të shenjtë?
Shenjtëria për ta ishte e mundur vetëm falë marrëdhënies së ngushtë me Jehovain, Perëndinë e shenjtë dhe falë adhurimit të tyre të pastër ndaj tij. Kishin nevojë për njohurinë e saktë të «Më të Shenjtit», në mënyrë që ta adhuronin në shenjtëri, në pastërti fizike dhe frymore. (Proverbat 2:1-6; 9:10)—1/8, faqe 11.