Fati: A e kontrollon jetën tuaj?
«ALA NÒ DON.» Në gjuhën bambara të Malit, që ndodhet në Afrikën Perëndimore, kjo shprehje do të thotë: «Është vepër e Perëndisë.» Slogane të tilla, janë pothuajse të zakonshme në atë pjesë të botës. Në gjuhën uolof, e njëjta gjë shprehet me fjalët: «Yallah mo ko def» (E bëri Perëndia), ndërsa në një dialekt vendas, dogon, ata thonë: «Ama biray» (E shkaktoi Perëndia).
Në vende të tjera, ekzistojnë shprehje të ngjashme me këto. Për shembull: «Ishte e pracaktuar që duhej të vdiste» dhe «Ishte vullneti i Perëndisë», janë shprehje që dëgjohen shpesh, sa herë që goditen nga vdekja apo nga ngjarje tragjike. Në Afrikën Perëndimore, slogane të tilla si «Njeriu propozon, Perëndia rregullon», zakonisht janë të shkruara me bojëra në mjetet e transportit publik dhe vendosen si shenja nëpër dyqane. Për disa persona, ato janë thjesht shprehje të figurshme, për të tërhequr vëmendjen. Por, shpeshherë ato pasqyrojnë një besim të rrënjosur thellë në fatalizëm.
Por, çfarë është fatalizmi? The World Book Encyclopedia, e përcakton atë si «besimin se ngjarjet janë të përcaktuara nga forca, të cilat qeniet njerëzore nuk mund t’i kontrollojnë». Çfarë janë këto «forca»? Mijëra vjet më parë, babilonasit mendonin se fati i një individi, ndikohej fuqimisht nga konfiguracioni i yjeve ditën e lindjes së tij. (Krahaso Isainë 47:13.) Grekët besonin se fati ishte në duart e tri perëndeshave, të cilat tjerrin, matin dhe presin fillin e jetës. Megjithatë, ishin teologët e të ashtuquajturit krishterim, ata që dolën me idenë se vetë Perëndia përcakton fatin e një personi.
«Shën» Agostini, për shembull, hodhi tej «opinionet e rreme dhe të dëmshme» të astrologëve. Nga ana tjetër, ai argumentoi se «të pranosh me bindje që Perëndia ekziston dhe në të njëjtën kohë, të mohosh se Ai paranjeh gjërat e ardhshme, është shfaqja më e dukshme e budallallëkut». Ai deklaroi se që Perëndia të jetë me të vërtetë i plotfuqishëm, duhet «të njohë të gjitha gjërat, përpara se ato të ndodhin», duke mos lënë «asgjë të paparacaktuar». Megjithatë, Agostini argumentoi me pasion se pavarësisht nga fakti që Perëndia di paraprakisht çdo gjë që do të ndodhë, mbetet e vërtetë se njerëzit janë të pajisur me vullnet të lirë.—The City of God, libri V, kapitujt 7-9.
Shekuj më vonë, teologu protestant Xhon Kalvin, e zhvilloi më tej idenë, duke argumentuar se përderisa disa janë «të paracaktuar [nga Perëndia] për të qenë fëmijë dhe trashëgimtarë të mbretërisë qiellore», të tjerët janë të paracaktuar për të qenë «mbajtës të zemërimit të tij»!
Sot, besimi tek fati është pranuar në shumë pjesë të botës. Le të shqyrtojmë përvojën e Osmanit, një i ri në Afrikën Perëndimore. Ai kishte qenë një nga studentët më të mirë në shkollën e tij, por kur dha provimet përfundimtare, mbeti në klasë! Kjo nuk donte të thoshte vetëm përsëritje e një viti shkollor, por edhe vuajtje për shkak të pozitës së vështirë përpara familjes dhe miqve të tij. Një mik u përpoq ta ngushëllonte, duke i thënë se ky ishte vullneti i Perëndisë. Ngjashëm, edhe mamaja e Osmanit fajësoi fatin për mbetjen e tij në klasë.
Në fillim, Osmani ishte i lumtur që t’i pranonte me kënaqësi përpjekjet e tyre. Në fund të fundit, nëse kjo mbetje e tij ishte me të vërtetë vullneti i Perëndisë, ai s’do të mund të kishte bërë asgjë për ta parandaluar atë. Por babai i tij i shihte ndryshe gjërat. Ai i tha Osmanit se mbetja në provime ishte faji i vetë atij, jo i Perëndisë. Osmani kishte mbetur, thjesht sepse kishte lënë pas dore studimet.
Duke qenë se besimi i tij tek fati u lëkund, Osmani vendosi të hetonte vetë lidhur me këtë çështje. Tani, ne të ftojmë edhe ty që të bësh të njëjtën gjë, nëpërmjet shqyrtimit të artikullit vijues.