Duke i shërbyer Perëndisë së denjë për besim
Treguar nga Kimon Progakis
Atë mbrëmje të 1955-s, bënte një i ftohtë i hidhur. Gruaja, Janulla, dhe unë filluam të shqetësoheshim, pasi djali ynë 18-vjeçar, Xhorxhi, akoma nuk ishte kthyer nga kioska, në të cilën punonte. Befas, një polic trokiti në derë. «Djali juaj ka bërë aksident me një makinë, ndërsa ecte me biçikletë dhe gjendet i vdekur»,—tha ai. Më pas, u avit pak përpara dhe pëshpëriti: «Ata do t’ju thonë se ishte një aksident, por besomëni, atë e kanë vrarë.» Prifti lokal dhe disa krerë të forcave paraushtarake kishin thurur plane për ta vrarë.
ATO vite, kur Greqia po merrte veten nga konfliktet dhe vështirësitë, ishte e rrezikshme të ishe Dëshmitar i Jehovait. E kisha parë me sytë e mi fuqinë e Kishës Ortodokse Greke dhe të organizatave paraushtarake, pasi kisha qenë anëtar aktiv i tyre për më shumë se 15 vjet. Le të tregoj për ngjarjet që e shpunë familjen tonë në këtë tragjedi, mbi 40 vjet më parë.
U rrita në Greqi
Linda në vitin 1902, në një familje të pasur, në një fshat të vogël afër qytetit Kalkis, në Greqi. Im atë aktivizohej në politikën lokale dhe familja jonë ishte një anëtare e devotshme e Kishës Ortodokse Greke. U bëra një lexues i etur i librave politikë dhe fetarë në një kohë, kur shumica e bashkatdhetarëve të mi ishin analfabetë.
Varfëria dhe padrejtësia që mbizotëronin në fillim të shekullit të 20-të, ngjallën tek unë dëshirën për një botë me kushte më të mira. Sipas mendimit tim, feja duhej të ishte e aftë për të përmirësuar gjendjen e mjerë të bashkatdhetarëve të mi. Duke parë prirjet e mia fetare, krerët e fshatit propozuan që të bëhesha prift ortodoks për komunitetin ku jetoja. Megjithatë, edhe pse kisha vizituar shumë manastire dhe kisha bërë biseda të gjata me peshkopët dhe kryemurgjit, nuk e ndieja veten të gatshëm dhe nuk kisha vullnet për të pranuar një përgjegjësi të tillë.
Në mes të luftës civile
Vite më vonë, në prill të 1941-shit, Greqia u pushtua nga nazistët. Gjatë kësaj kohe, filloi një periudhë e mjerueshme vrasjesh, urije, humbjesh dhe vuajtjesh të patreguara njerëzore. U formua një lëvizje e fuqishme rezistence dhe unë u bashkova me një nga grupet guerrile që luftonin kundër pushtuesve nazistë. Si pasojë, shtëpisë sime iu vu flaka disa herë me radhë, unë u plagosa me armë dhe të korrat e mia u hodhën përtokë. Në fillim të vitit 1943, unë bashkë me familjen s’kishim zgjidhje tjetër, veçse t’ia mbathnim për në malet e thepisura. Qëndruam atje deri në tetor të vitit 1944, kur mori fund pushtimi gjerman.
Pasi gjermanët ia mbathën, shpërthyen konflikte të brendshme politike dhe civile. Grupi i rezistencës guerrile, në të cilin bëja pjesë edhe unë, u bë forca më e madhe ndërluftuese në luftën civile. Edhe pse idealet komuniste të drejtësisë, barazisë dhe marrëdhënieve shoqërore më tërhiqnin, realiteti i ideologjisë komuniste në fund më zhgënjeu plotësisht. Përderisa kisha një pozitë të lartë në grup, pashë drejtpërsëdrejti se fuqia u shkon njerëzve të korruptuar. Pavarësisht nga teoritë dhe idealet në dukje fisnike, egoizmi dhe papërsosmëria njollosin edhe qëllimet më të mira politike.
Ajo që më tronditi në mënyrë të veçantë, ishte se në anë të ndryshme të konfliktit civil, klerikët ortodoksë kishin ngjeshur armët për të vrarë bashkëbesimtarët e tyre. Mendoja me vete: «Si kanë gojë e thonë këta klerikë se përfaqësojnë Jezu Krishtin, i cili paralajmëroi: ‘Të gjithë ata që rrokin shpatën, prej shpate do të vdesin.’»—Mateu 26:52.
Gjatë luftës civile në 1946-n, isha fshehur afër qytetit Lamia, në qendër të Greqisë. Rrobat i kisha krejt të shqyera, prandaj vendosa të maskohesha e të gjeja ndonjë rrobaqepës në qytet për të bërë një palë rroba të reja. Kur arrita, u gjenda mes një debati të zjarrtë dhe shpejt e gjeta veten duke folur, jo për politikën, por për dashurinë time të vjetër, fenë. Duke vërejtur pikëpamjet e mia të mirinformuara, ata që më dëgjuan më sugjeruan që të flisja me njëfarë «profesori të teologjisë». Pa e bërë dy, shkuan për ta gjetur.
Gjeta një shpresë të besueshme
Gjatë bisedës që pasoi, «profesori» më pyeti se cila ishte baza e bindjeve të mia. «Etërit e shenjtë dhe sinodet ekumenike»,—iu përgjigja. Në vend që të më kundërshtonte, ai hapi Biblën e tij të vogël në Mateun 23:9, 10 dhe më kërkoi që të lexoja fjalët e Jezuit: «Përmbi tokë mos thirrni askënd atë tuaj, sepse vetëm një është Ati juaj, ai që është në qiej. As mos lejoni që t’ju quajnë udhëheqës, sepse vetëm një është udhëheqësi juaj: Krishti.»
Ky qe ai varg që më hapi sytë. E ndjeva se ky njeri po më tregonte të vërtetën. Kur e prezantoi veten si Dëshmitar i Jehovait, i kërkova më shumë literaturë për të lexuar. Ai më solli librin Drita, i cili komenton librin biblik të Zbulesës dhe e mora me vete në vendin ku isha fshehur. Për shumë kohë, bishat që përmendeshin në Zbulesë kishin qenë për mua një mister, por tani mësova se ato paraqisnin organizatat politike në këtë shekull të 20-të. Fillova të kuptoja se Bibla kishte domethënie praktike për kohët tona dhe se duhej ta studioja e ta përshtatja jetën time me të vërtetat e saj.
Më kapin dhe më burgosin
S’kaloi shumë, kur ushtarët ia behën në vendin ku unë fshihesha dhe më arrestuan. Më flakën në një birucë dhe duke qenë se për disa kohë kisha qenë një i jashtëligjshëm i kërkuar, unë prisja të më ekzekutonin. Atje në birucë erdhi e më vizitoi ai Dëshmitari me të cilin kisha folur në fillim. Ai më inkurajoi të besoja pa asnjë fije dyshimi në Jehovain, gjë të cilën unë e bëra. U dënova gjashtë muaj me dëbim jashtë atdheut, në ishullin Aegan të Ikaries.
Sapo arrita nuk e prezantova veten si komunist, por si Dëshmitar i Jehovait. Atje ishin dëbuar edhe të tjerë që kishin mësuar të vërtetat biblike, kështu që i gjeta një për një dhe studionim rregullisht Biblën së bashku. Ata më ndihmuan të fitoja më shumë njohuri nga Shkrimet dhe një kuptueshmëri më të mirë për Jehovain, Perëndinë që është i denjë të besohet.
Në vitin 1947, kur mbarova dënimin, më thirrën në zyrën e prokurorit të përgjithshëm. Ai më tha se i kishte bërë ërshtypje sjellja ime dhe se mund të flisja në emër të tij, nëse më dëbonin përsëri. Me të arritur në Athinë, ku ishte vendosur familja ime gjatë kohës që isha i dëbuar, fillova të shoqërohesha me një kongregacion të Dëshmitarëve të Jehovait dhe s’kaloi shumë e u pagëzova në simbol të dedikimit tim ndaj Jehovait.
I akuzuar për prozelitizëm
Për dekada të tëra, Greqia i përsekutoi Dëshmitarët e Jehovait sipas ligjeve të kaluara në 1938-n dhe 1939-n, të cilat ndalonin prozelitizmin. Kështu, që nga 1938-a deri në 1992-shin, pati 19.147 arrestime të Dëshmitarëve në Greqi dhe trupat gjykues dhanë dënime me një shumë të përgjithshme prej 753 vjetësh, 593 nga të cilët në të vërtetë u kryen. Mua personalisht më arrestuan më shumë se 40 herë, si pasojë e predikimit të lajmit të mirë të Mbretërisë së Perëndisë dhe kreva gjithsej 27 muaj dënim nëpër burgje të ndryshme.
Një arrestim e pata për shkak të një letre që i kisha shkruar një kleriku të Kishës Ortodokse Greke, në Kalkis. Në vitin 1955, kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait ishin nxitur t’u çonin të gjithë klerikëve broshurën I ashtuquajturi krishterim apo krishterimi: Cili është «drita e botës»? Një nga klerikët e rangut të lartë, të cilit i kisha shkruar, më paditi për prozelitizëm. Gjatë gjyqit, si avokati Dëshmitar, ashtu edhe avokati lokal u treguan të zotët në mbrojtje, duke shpjeguar detyrimin që kanë të krishterët e vërtetë për të predikuar lajmin e mirë mbi Mbretërinë e Perëndisë.—Mateu 24:14.
Gjykatësi që drejtonte gjyqin e pyeti arkimandritin (një funksionar i kishës që vjen pas peshkopit): «A e lexuat letrën dhe broshurën?»
—Jo,—u përgjigj ai me vrull,—i grisa dhe i flaka, sapo hapa zarfin.
—Si mund të thuash atëherë se ky njeri ka bërë prozelitizëm me ty,—e pyeti gjykatësi drejtues.
Më pas, avokati ynë citoi shembuj të profesorëve dhe të personave të tjerë, të cilët u kishin dhuruar librarive publike grumbuj të tërë me libra. «A do të thoje se këta njerëz janë orvatur t’u bëjnë prozelitizëm të tjerëve?»—pyeti ai.
Është më se e qartë se ky aktivitet nuk përbënte prozelitizëm. Falënderova Jehovain, kur dëgjova vendimin gjyqësor: «I pafajshëm.»
Vdekja e tim biri
Edhe djalin tim, Xhorxhin, e ngacmonin vazhdimisht, zakonisht nën nxitjen e klerikëve ortodoksë. Edhe atë e arrestuan shumë herë, për shkak të zellit të tij rinor në shpalljen e lajmit të mirë të Mbretërisë së Perëndisë. Përfundimisht, kundërshtarët vendosën ta hiqnin qafe dhe në të njëjtën kohë, na dërguan një mesazh kërcënues ne të tjerëve për të ndalur predikimin.
Polici që na erdhi në shtëpi për të lajmëruar vdekjen e Xhorxhit tha se prifti lokal ortodoks dhe disa krerë të forcave paraushtarake kishin kurdisur vrasjen e birit tonë. «Aksidente» të tilla ishin të zakonshme gjatë atyre kohëve të rrezikshme. Pavarësisht nga pikëllimi që na shkaktoi vdekja e tij, vendosmëria jonë për të qenë aktivë në veprën e predikimit dhe për t’u mbështetur plotësisht në Jehovain vetëm u forcua.
Duke ndihmuar të tjerët për të besuar në Jehovain
Gjatë mesit të viteve ’60, gruaja dhe fëmijët do t’i kalonin muajt e verës në fshatin bregdetar Skala Oropos, rreth 50 km larg nga Athina. Në atë kohë, atje nuk jetonte asnjë Dëshmitar, kështu që u dhamë dëshmi joformale fqinjëve. Disa fshatarë vendas u përgjigjën pozitivisht. Duke qenë se burrat punonin me orë të zgjatura në fushë gjatë ditës, ne drejtonim studime biblike me ta natën vonë dhe shumë prej tyre u bënë Dëshmitarë.
Duke parë se si Jehovai po i bekonte përpjekjet tona, për rreth 15 vjet, ne shkonim atje çdo javë për të drejtuar studime biblike me të interesuarit. Gati 30 persona me të cilët ne studiuam, kanë ecur përpara deri në pagëzim. Fillimisht, u formua një grup studimi dhe mua më caktuan për të drejtuar mbledhjet. Më vonë, grupi u bë kongregacion dhe sot më shumë se 100 Dëshmitarë nga ajo zonë formojnë Kongregacionin Malakasa. Jemi të gëzuar se katër prej atyre që ne ndihmuam, tani shërbejnë në kohë të plotë.
Një trashëgimi e pasur
Menjëherë pasi ia dedikova jetën time Jehovait, ime shoqe filloi të përparojë frymësisht dhe u pagëzua. Gjatë periudhës së vështirë të persekutimit, besimi i saj qëndroi i fortë dhe ajo mbeti e vendosur dhe e palëkundër në integritetin e saj. Kurrë nuk u ankua për vështirësitë e shumta që përballoi, për shkak të burgosjeve të mia të vazhdueshme.
Me kalimin e viteve, ne drejtuam shumë studime biblike së bashku dhe me prezantimin e saj të thjeshtë dhe entuziast ajo ndihmoi në mënyrë të efektshme shumë persona. Tani, ajo ka një itinerar revistash që përfshin shumë persona, të cilëve ajo u çon rregullisht revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni!
Në një masë të madhe për shkak të mbështetjes së bashkëshortes sime të dashur, tre fëmijët tanë që janë gjallë dhe familjet e tyre, të cilat përfshijnë gjashtë nipër dhe katër stërnipër, janë të gjithë aktivë në shërbim të Jehovait. Megjithëse, atyre nuk u është dashur të ndeshen me persekutimin dhe kundërshtimin e hidhur që unë dhe gruaja ime përballuam, ata e kanë vënë mbështetjen e tyre pa asnjë pikë dyshimi në Jehovain dhe vazhdojnë të ecin në rrugët e tij. Ç’gëzim që do të jetë për të gjithë ne, të jemi përsëri me Xhorxhin tonë të dashur, kur ai të kthehet përsëri në jetë me anë të ringjalljes!
Të vendosur për t’u mbështetur në Jehovain
Gjatë gjithë këtyre viteve, kam parë veprimin e frymës së Jehovait mbi popullin e tij. Organizata e tij e drejtuar nga fryma më ka ndihmuar të shoh se nuk mund të besojmë në përçapjet e njerëzve. Premtimet e tyre për një botë më të mirë nuk kanë asnjë pikë vlere dhe në të vërtetë s’janë gjë tjetër veçse një gënjeshtër e madhe.—Psalmi 146:3, 4.
Pavarësisht nga vitet e mia të shkuara dhe problemet e rënda shëndetësore, sytë e mi janë përqendruar në realitetin e shpresës së Mbretërisë. Më vjen vërtet keq për vitet e shkuara kot, duke iu përkushtuar fesë së rreme dhe duke u përpjekur për të sjellë kushte më të mira përmes mjeteve politike. Sikur të mund t’i ktheja mbrapsht ato vite, pa dyshim që do të vendosja përsëri t’i shërbeja Jehovait, Perëndisë që është i denjë për besim.
(Tani së fundi, Kimon Progakis ra në gjumin e vdekjes. Ai kishte shpresë tokësore.)
[Figura në faqen 26]
Fotografi e kohëve të fundit e Kimonit me gruan e tij, Janullën