Lajmëtarët e Mbretërisë raportojnë
Në Irlandë vazhdojnë të predikohen të vërtetat biblike
VITET e fundit, Irlanda piktoreske ka qenë skena e një veprimtarie që ka shkaktuar trazira të konsiderueshme. Në të njëjtën kohë, irlandezët kanë reaguar në mënyrë të favorshme ndaj mesazhit nga Bibla për shpresë, që u kanë çuar Dëshmitarët e Jehovait. Këtë gjë e konfirmojnë përvojat e mëposhtme nga Irlanda.
■ Një Dëshmitar i Jehovait në Dublin dhe vajza e tij e vogël, po predikonin nga shtëpia në shtëpi. Ata takuan një grua me emrin Keti, e cila ishte shumë e zënë me fëmijët. Dëshmitari i kërkoi nëse e bija, e cila po mësonte se si të predikonte, mund t’i jepte vetëm një mesazh të shkurtër. Keti pranoi dhe vajza e vogël bëri një prezantim të qartë dhe të menduar mirë. Ketit i bëri përshtypje sinqeriteti dhe respekti që dukeshin qartë tek vogëlushja dhe pranoi një fletushkë biblike.
Më vonë, Keti reflektoi mbi sjelljen dhe përgatitjen e mirë të vizitores së saj të vogël. «Më bëri përshtypje fakti që një vogëlushe mund të jepte një mesazh kaq interesant pa tërhequr vëmendjen tek vetja,—tha ajo.—Vendosa që herën tjetër kur të më vizitonin Dëshmitarët e Jehovait, do t’ua kisha vënë veshin.»
Ndërkohë, Keti u transferua në një qytet të vogël në Irlandën jugperëndimore, në afërsi të kufirit mes vendeve Kork dhe Keri. S’kaloi shumë, kur Dëshmitarët e Jehovait ia behën te dera dhe ajo i ftoi brenda. Pranoi një studim të rregullt biblik dhe tani merr pjesë në mbledhjet e kongregacionit me disa nga fëmijët e saj. Keti i është mirënjohëse dëshirës së sinqertë të vajzës së vogël për t’i dhënë asaj lajmin e mirë.
■ Në Tullamore, Dëshmitarët kishin zhvilluar biseda biblike për shtatë vjet të tërë me një grua, që quhej Xhin. Nganjëherë, ajo tregonte interes dhe pranonte literaturën, nganjëherë interesi i saj venitej. Një ditë, kur një Dëshmitare me emrin Fransis dhe një shoqe i bënë Xhinit një vizitë, e gjetën atë në një gjendje shpirtërore shumë të pakëndshme. «Pavarësisht nga çfarë i thamë ne,—thotë Dëshmitarja,—asaj i hipën më keq. Përfundimisht na tha të zhdukeshim dhe përplasi derën.»
Fransis pyeste veten nëse edhe në vizitat e tjera do ta priste po njësoj. «Ndoshta nuk ia vlen më ta vizitoj, nëse ajo nuk është vërtet e interesuar për mesazhin»,—mendoi Fransis. Megjithatë, ajo foli për këtë gjë me të shoqin, Tomasin, por ai kishte akoma shpresë. Herën tjetër që ata shkuan në atë zonë, i bënë Xhinit edhe një vizitë tjetër. Ajo u tregua miqësore dhe pranoi kopjet e revistave Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! Vizitat e tjera ishin po aq të këndshme dhe Tomasi me Fransin filluan me të një studim të rregullt biblik në shtëpi.
Ç’ishte ky ndryshim? Xhin shpjegon se atëherë kur ishte treguar shumë e pasjellshme me Dëshmitarët, sapo kishte lindur dhe kishte dalë nga spitali. Duke qenë se i jepte gji të sapolindurit dhe ushqente me lugë fëmijën e saj më të madh, ajo bënte vetëm një orë e gjysmë gjumë në natë. «As që më binte ndër mend të flisja për fenë»,—thotë Xhini.
Brenda dy muajsh Xhini filloi të merrte pjesë në të gjitha mbjedhjet e kongregacionit dhe brenda katër muajsh filloi shërbimin në fushë. Dhjetë muaj që nga koha kur filloi të studionte Biblën, ajo u pagëzua. Tani, vetë përvoja e saj e ndihmon Xhinin në shërbim. Ajo tregon: «Kur takoj ndonjë që është shumë i ashpër, përpiqem të tregohem më e kuptueshme. Gjithmonë e mbaj shënim. Ndoshta gjendja do të ndryshojë kur të kthehem herën tjetër; ndoshta personi do të ndihet më mirë dhe do të tregohet më i pranueshëm.»