Baba dhe plak: Përmbushni të dy rolet
«Nëse në të vërtetë një burrë nuk di si ta drejtojë shtëpinë e tij, si do të kujdeset për kongregacionin e Perëndisë?»—1. TIMOTEUT 3:5, BR.
1, 2. (a) Si kishin mundësi t’u shërbenin vëllezërve të tyre mbikëqyrësit beqarë dhe ata të martuar, pa fëmijë, në shekullin e parë? (b) Si janë një shembull për shumë çifte të martuara sot, Akuila dhe Prishila?
NË KONGREGACIONIN e hershëm të krishterë, mbikëqyrësit mund të ishin burra beqarë, si dhe burra të martuar me ose pa fëmijë. Pa dyshim që disa prej atyre të krishterëve, mundën të ndiqnin këshillën që apostulli Pavël dha në letrën e tij të parë drejtuar korintasve, kapitulli 7, duke qëndruar beqarë. Jezui kishte pohuar: «Ka eunukë që janë bërë vet eunukë për mbretërinë e qiejve.» (Mateu 19:12) Burra të tillë beqarë si Pavli dhe ndoshta disa nga shokët e tij udhëtues, do të ishin të lirë që të udhëtonin për të ndihmuar vëllezërit e tyre.
2 Bibla nuk thotë nëse Barnaba, Marku, Sila, Luka, Timoteu dhe Titi ishin burra beqarë apo jo. Nëse ishin të martuar, me sa duket ishin mjaft të lirë nga përgjegjësitë familjare, sa që kishin mundësi të bënin shumë udhëtime, në caktime të ndryshme. (Veprat 13:2; 15:39-41; 2. Korintasve 8:16, 17; 2. Timoteut 4:9-11; Titit 1:5) Ata mund të kenë qenë të shoqëruar nga gratë e tyre, si Pjetri dhe «apostujt e tjerë», të cilët, me sa duket, merrnin me vete gratë e tyre kur shkonin nga njëri vend në tjetrin. (1. Korintasve 9:5) Akuila dhe Prishila janë shembulli i një çifti që ishin të gatshëm të zhvendoseshin, duke e ndjekur Pavlin nga Korinti në Efes, pastaj në Romë e më pas, përsëri në Efes. Bibla nuk thotë nëse ata kishin ndonjë fëmijë. Shërbimi i devotshëm ndaj vëllezërve të tyre, bëri që ata të fitonin mirënjohjen e «të gjitha kongregacioneve të kombeve». (Romakëve 16:3-5; Veprat 18:2, 18; 2. Timoteut 4:19) Pa dyshim, sot ka shumë çifte të martuara të cilat, ashtu si Akuila dhe Prishila, mund t’u shërbejnë kongregacioneve të tjera, ndoshta duke shkuar atje ku ka më shumë nevojë.
Baba dhe plak
3. Ç’gjë na krijon idenë se shumë nga pleqtë e shekullit të parë ishin burra të martuar, me familje?
3 Me sa duket, në shekullin e parë e.s., pjesa më e madhe e pleqve të krishterë ishin burra të martuar, me fëmijë. Kur Pavli vendosi cilësitë e kërkuara nga një burrë, i cili «synonte të kryente detyrën e mbikëqyrësit», tha se një i krishterë i tillë duhet të jetë «një njeri që drejton në mënyrë të shkëlqyer shtëpinë e vet, duke i pasur fëmijët të bindur, me çdo lloj serioziteti».—1. Timoteut 3:1, 4. BR.
4. Çfarë kërkohej nga pleqtë e martuar që kishin fëmijë?
4 Siç kemi parë, nga një mbikëqyrës nuk kërkohej të kishte fëmijë, apo qoftë edhe të ishte i martuar. Por, në qoftë se do të ishte i martuar, për t’u kualifikuar si plak apo shërbëtor ndihmës, një i krishterë duhej të ushtronte siç duhej kryesi të dashur mbi gruan e tij dhe ta tregonte veten të aftë për t’i mbajtur fëmijët e tij në nënshtrimin e duhur. (1. Korintasve 11:3; 1. Timoteut 3:12, 13, BR) Ndonjë dobësi serioze në drejtimin e shtëpisë së tij, do ta skualifikonte një vëlla për të pasur privilegje të veçanta në kongregacion. Përse? Pavli shpjegon: «Në qoftë se dikush nuk di të qeverisë familjen e vet, si do të kujdeset për kishën [kongregacionin, BR] e Perëndisë?» (1. Timoteut 3:5) Nëse anëtarët e familjes së tij nuk do të ishin të gatshëm për t’iu nënshtruar mbikëqyrjes së tij, si do të reagonin të tjerët?
«Të kenë fëmijë besimtarë»
5, 6. (a) Cilën kërkesë lidhur me fëmijët i përmendi Pavli Titit? (b) Çfarë pritet nga pleqtë që kanë fëmijë?
5 Ndërsa udhëzonte Titin se si të caktonte mbikëqyrës në kongregacionet e Kretës, Pavli vuri kushtin: «Nëse ka ndonjë që s’është nën akuzë, burrë i një gruaje të vetme, që ka fëmijë besimtarë, që nuk akuzohen për jetë të shthurur dhe si të pabindur. Sepse mbikëqyrësi duhet të mos jetë nën akuzë, si ekonom i Perëndisë.» Çfarë kuptohet me kërkesën «të ketë fëmijë besimtarë»?—Titit 1:6, 7, BR.
6 Termi «fëmijë besimtarë» u referohet të rinjve që ia kanë dedikuar tashmë jetën e tyre Jehovait dhe janë pagëzuar, ose të rinjve që po përparojnë drejt dedikimit dhe pagëzimit. Anëtarët e kongregacionit presin që në përgjithësi fëmijët e pleqve të jenë me sjellje të mirë e të bindur. Duhet të jetë e dukshme që një plak po bën gjithçka mundet për të ndërtuar besimin tek fëmija i tij. Mbreti Solomon shkroi: «Mësoji fëmijës rrugën që duhet të ndjekë, dhe ai nuk do të largohet prej saj edhe kur të plaket.» (Proverbat 22:6) Por ç’mund të thuhet për një të ri, i cili e ka marrë një stërvitje të tillë, por refuzon t’i shërbejë Jehovait ose kryen një gabim të rëndë?
7. (a) Përse është e dukshme se në Proverbat 22:6 nuk shprehet një rregull joelastik? (b) Nëse fëmija i një plaku nuk zgjedh që t’i shërbejë Jehovait, përse plaku nuk humbet automatikisht privilegjet e tij?
7 Është e qartë se proverbi i cituar më sipër, nuk përbën një rregull të prerë. Ai nuk shfuqizon parimin e vullnetit të lirë. (Ligji i përtërirë 30:15, 16, 19) Kur biri apo bija arrijnë moshën e përgjegjshmërisë, ai apo ajo duhet të marrin një vendim personal në lidhje me dedikimin dhe pagëzimin. Nëse është e qartë që plaku, babai i fëmijës, i ka dhënë atij ndihmën e nevojshme frymore, udhëheqjen dhe disiplinën, por megjithatë i riu nuk zgjedh që t’i shërbejë Jehovait, babai nuk skualifikohet automatikisht nga shërbimi si mbikëqyrës. Nga ana tjetër, nëse një plak ka disa fëmijë jo në moshë që jetojnë në shtëpi me të, të cilët sëmuren frymësisht njëri pas tjetrit dhe gjenden në telashe, ai mund të mos vazhdojë të konsiderohet si një «burrë që qeveris mirë familjen e tij». (1. Timoteut 3:4) Thelbi është që duhet të bëhet e dukshme se një mbikëqyrës po bën të pamundurën për të pasur ‘fëmijë besimtarë që nuk akuzohen për jetë të shthurur, as të pabindur’.a
I martuar me një «grua jobesimtare»
8. Si duhet të sillet një plak ndaj gruas së tij jobesimtare?
8 Për burrat e krishterë të martuar me jobesimtare, Pavli shkroi: «Në qoftë se një vëlla ka një grua jobesimtare dhe ajo pranon të jetojë bashkë me të, të mos e lërë atë . . . Sepse . . . gruaja jobesimtare është shenjtëruar me anë të burrit, sepse përndryshe fëmijët do të ishin të papastër, kurse kështu janë të shenjtë. Sepse, . . . ç’di ti, o burrë, nëse ke për ta shpëtuar gruan?» (1. Korintasve 7:12-14, 16) Fjala «jobesimtare» këtu nuk i referohet një gruaje e cila nuk ka asnjë besim fetar, por një gruaje që nuk i është dedikuar Jehovait. Ajo mund të ketë qenë një çifute apo një besimtare e perëndive pagane. Sot, një plak mund të jetë i martuar me një grua që praktikon një fe të ndryshme, një agnosticiste apo edhe një ateiste. Nëse ajo është e gatshme për të qëndruar me të, ai nuk duhet ta lërë, thjesht për shkak të besimeve të ndryshme. Ai duhet të vazhdojë ‘të jetojë me të sipas njohurisë, duke i dhënë nderin si një ene më të dobët, asaj femërore’, me shpresën se ajo mund të shpëtojë.—1. Pjetrit 3:7, BR; Kolosianëve 3:19.
9. Në vendet ku ligji i jep si burrit, ashtu edhe gruas të drejtën për t’i njohur fëmijët me besimet përkatëse fetare, si duhet të veprojë një plak dhe si do të ndikojë kjo në privilegjet e tij?
9 Nëse një mbikëqyrës ka fëmijë, ai do të ushtrojë kryesinë e duhur prej burri dhe babai në rritjen e tyre «në disiplinën dhe rregullin mendor të Jehovait». (Efesianëve 6:4, BR) Në shumë vende, ligji u jep të dy bashkëshortëve të drejtën për marrjen e masave lidhur me mësimin fetar të fëmijëve të tyre. Në këtë rast, gruaja mund të kërkojë që të ushtrojë të drejtën për t’u bërë të njohur fëmijëve besimet dhe praktikat e fesë së saj, që mund të përfshijë çuarjen e fëmijëve në kishë.b Sigurisht, fëmijët duhet të ndjekin ndërgjegjen e tyre të stërvitur sipas Biblës lidhur me mospjesëmarrjen në ceremonitë e rreme fetare. Si kreu i familjes, babai do të ushtrojë të drejtën e vet për të studiuar me fëmijët e tij dhe për t’i çuar në mbledhje në Sallën e Mbretërisë, kur është e mundur. Kur të arrijnë moshën në të cilën mund t’i marrin vetë vendimet e tyre, do të vendosin ata se në cilën rrugë do të shkojnë. (Josiu 24:15) Nëse pleqtë e tjerë dhe anëtarët e kongregacionit mund të shohin se ai po bën gjithçka që i lejon ligji për t’i mësuar fëmijët siç duhet në rrugën e së vërtetës, ai nuk do të skualifikohet si mbikëqyrës.
‘Të drejtojë shtëpinë e tij në mënyrë të shkëlqyer’
10. Nëse një burrë familjar është plak, ku shtrihet detyra e tij parësore?
10 Edhe për një plak, i cili është baba dhe gruaja e të cilit është një bashkëbesimtare e krishterë, nuk është një detyrë e lehtë për ta përpjesëtuar në mënyrë të përshtatshme kohën dhe kujdesin e tij për gruan, fëmijët dhe përgjegjësitë në kongregacion. Shkrimet biblike e thonë fare qartë se një baba i krishterë, ka një detyrim për t’u kujdesur për gruan dhe fëmijët e tij. Pavli shkroi: «Por në qoftë se dikush nuk kujdeset për të vetët, dhe më tepër për ata të shtëpisë, ai e ka mohuar besimin dhe është më i keq se një jobesimtar.» (1. Timoteut 5:8) Në po këtë letër, Pavli bëri të ditur faktin se vetëm ata burra të martuar, të cilët e kanë treguar veten se janë burra dhe baballarë të mirë, duhet të rekomandohen për të shërbyer si mbikëqyrës.—1. Timoteut 3:1-5.
11. (a) Në ç’mënyrë një plak duhet të «sigurojë për të vetët»? (b) Si mund ta ndihmojë kjo gjë një plak për të përballuar përgjegjësitë e tij në kongregacion?
11 Një plak duhet të «sigurojë» familjen e tij jo vetëm materialisht, por edhe frymësisht dhe emocionalisht. Mbreti i mençur, Solomoni, shkroi: «Vër në vijë punët e tua të jashtme, vër në rregull arat e tua dhe pastaj ndërto shtëpinë tënde.» (Proverbat 24:27) Pra, ndërsa merr masa për sigurimin e nevojave materiale, emocionale dhe çlodhëse të gruas dhe fëmijëve të tij, një mbikëqyrës duhet t’i ndërtojë ata edhe frymësisht. Kjo do t’i marrë kohë, kohë të cilën nuk do të mund t’ua kushtojë çështjeve të kongregacionit. Por kjo kohë sjell një fitim të pasur lidhur me lumturinë dhe gjendjen frymore të familjes. Në fund të fundit, nëse familja e tij është e fortë frymësisht, një plaku mund t’i duhet të shpenzojë më pak kohë me trajtimin e problemeve familjare. Kjo do t’i japë më shumë mundësi atij për t’u kujdesur për çështjet e kongregacionit. Shembulli i tij si një burrë dhe baba i mirë, do të jetë në dobinë frymore të kongregacionit.—1. Pjetrit 5:1-3.
12. Në cilën çështje familjare duhet të japin një shembull të shkëlqyer baballarët që janë pleq?
12 Drejtimi i shtëpisë në mënyrë të shkëlqyer përfshin edhe programimin e kohës për drejtimin e studimit familjar. Lidhur me këtë aspekt, është e një rëndësie të veçantë që pleqtë të japin një shembull të mirë, pasi nga familjet e forta në besim krijohen kongregacione të forta. Koha e një mbikëqyrësi nuk duhet të jetë vazhdimisht kaq e zënë me privilegje të tjera të shërbimit, sa ai të mos ketë kohë për të studiuar me gruan dhe fëmijët e tij. Në qoftë se ka ndodhur një gjë e tillë, ai duhet të rishqyrtojë dhe të riprogramojë kohën që u kushton çështjeve të tjera, madje në ndonjë rast edhe duke mos pranuar disa privilegje.
Mbikëqyrje e drejtpeshuar
13, 14. Çfarë këshille u ka dhënë «skllavi i besueshëm dhe i matur» pleqve që janë burra familjarë?
13 Këshilla për drejtpeshim të përgjegjësive në familje dhe atyre në kongregacion, nuk është e re. Për vite, «skllavi i besueshëm dhe i matur» u ka dhënë këshilla pleqve në lidhje me këto çështje. (Mateu 24:45) Më shumë se 37 vjet më parë, Kulla e Rojës e 15 shtatorit 1959, në faqet 553 dhe 554, këshillonte: «A nuk është kjo, në të vërtetë, çështja e një drejtpeshimi të këtyre kërkesave lidhur me kohën tonë? Në këtë drejtpeshim ju duhet t’u jepni peshën e duhur interesave të familjes suaj. Sigurisht, Perëndia Jehova nuk pret nga një burrë që ta përdorë të gjithë kohën e tij për aktivitetin e kongregacionit, për të ndihmuar vëllezërit dhe fqinjët që të fitojnë shpëtimin dhe të mos kujdeset për shpëtimin e vetë familjes së tij. Gruaja dhe fëmijët e një burri janë një përgjegjësi parësore për të.»
14 Kulla e Rojës e 1 nëntorit 1986, në faqen 22 jepte këshillën: «Pjesëmarrja si familje në shërbimin në fushë, do t’ju afrojë edhe më shumë, por megjithatë, nevojat e veçanta të fëmijëve kërkojnë një angazhim të kohës suaj personale dhe të energjive emocionale. Prandaj, drejtpeshimi është i nevojshëm për të përcaktuar se sa kohë mund të përdorni për detyrat e . . . kongregacionit, ndërsa kujdeseni, gjithashtu, për anën frymore, emocionale dhe materiale të ‘atyre të familjes tuaj’. [Një i krishterë] duhet ‘të mësojë më parë të tregojë perëndishmëri ndaj atyre të familjes së vet’. (1. Timoteut 5:4, 8)»
15. Përse një plaku që ka një grua dhe fëmijë i duhet mençuria dhe mendjemprehtësia?
15 Një proverb biblik pohon: «Shtëpia ndërtohet me mençuri dhe bëhet e qëndrueshme me mendjemprehtësi.» (Proverbat 24:3, BR) Po, që një mbikëqyrës të përmbushë detyrat e tij teokratike dhe në të njëjtën kohë të ndërtojë familjen e tij, sigurisht që ka nevojë për mençuri dhe mendjemprehtësi. Nga pikëpamja biblike, ai ka më shumë se një fushë mbikëqyrjeje. Në to përfshihen përgjegjësitë e tij në familje dhe në kongregacion. Ai ka nevojë për mendjemprehtësi që të vendosë një drejtpeshim ndërmjet tyre. (Filipianëve 1:9, 10) Ai ka nevojë për mençuri që të vendosë se cilat janë gjërat parësore për të. (Proverbat 2:10, 11) Sado shumë që të ndihet përgjegjës për kujdesin ndaj kongregacionit të tij, duhet të kuptojë se për një burrë dhe baba përgjegjësia parësore e dhënë nga Perëndia është kujdesi dhe shpëtimi i familjes së tij.
Baballarë të mirë, si dhe pleq të mirë
16. Çfarë dobie ka nëse një plak është, gjithashtu, baba?
16 Një plak që ka fëmijë me sjellje të mirë, mund të jetë një pasuri e vërtetë. Nëse ai ka mësuar të kujdeset siç duhet për familjen e tij, është në një pozitë që mund të ndihmojë edhe familje të tjera në kongregacion. Ai i kupton problemet e tyre më mirë dhe mund t’u japë këshilla që pasqyrojnë përvojën e tij personale. Lumturisht, në mbarë botën me mijëra pleq po bëjnë një punë të shkëlqyer si burra, baballarë dhe mbikëqyrës.
17. (a) Çfarë nuk duhet të harrojë kurrë një burrë që është baba dhe plak? (b) Si duhet të tregojnë empati anëtarët e tjerë të kongregacionit?
17 Që një burrë familjar të jetë plak, ai duhet të jetë, gjithashtu, një i krishterë i pjekur, i cili ndërsa kujdeset për gruan dhe fëmijët e tij, mund t’i organizojë punët në mënyrë të tillë që të ketë mundësi t’u kushtojë kohë dhe kujdes të tjerëve në kongregacion. Ai nuk duhet të harrojë kurrë se puna e tij si bari fillon në shtëpi. Duke e ditur se pleqtë që kanë një grua dhe fëmijë, kanë përgjegjësi si për familjen e tyre, ashtu edhe për kongregacionin, anëtarët e kongregacionit nuk do të përpiqen të bëjnë kërkesa pa vend lidhur me kohën e tyre. Për shembull, një plak, i cili ka fëmijë që të nesërmen në mëngjes do të shkojnë në shkollë, nuk do të ketë gjithmonë mundësi të qëndrojë ca kohë pas mbledhjeve në mbrëmje. Anëtarët e tjerë të kongregacionit duhet ta kuptojnë këtë dhe të bashkohen me ndjenjat e tij.—Filipianëve 4:5.
Pleqtë tanë duhet të jenë të dashur për ne
18, 19. (a) Çfarë na ka bërë të mundur të kuptojmë shqyrtimi i kapitullit 7 të 1. Korintasve? (b) Si duhet t’i konsiderojmë burra të tillë të krishterë?
18 Shqyrtimi që i bëmë kapitullit 7 të letrës së parë të Pavlit drejtuar korintasve, na ka dhënë mundësinë të kuptojmë se, duke ndjekur këshillën e Pavlit, ka shumë burra beqarë që po e përdorin lirinë e tyre në shërbim të interesave të Mbretërisë. Gjithashtu, ka me mijëra vëllezër të martuar, pa fëmijë, të cilët, ndërsa u kushtojnë kujdesin e duhur grave të tyre, shërbejnë si mbikëqyrës të shkëlqyer në krahina, qarqe, kongregacione dhe degë të Watch Tower-it, me bashkëpunimin e lavdërueshëm të grave të tyre. Së fundi, në pothuajse 80.000 kongregacione të popullit të Jehovait, ka shumë baballarë, që jo vetëm kujdesen me dashuri për gratë dhe fëmijët e tyre, por gjejnë, gjithashtu, kohë për t’u shërbyer vëllezërve të tyre si barinj që kujdesen për ta.—Veprat 20:28
19 Apostuli Pavël shkroi: «Pleqtë që drejtojnë në mënyrë të shkëlqyer, le të jenë të denjë për nderim të dyfishtë, veçanërisht ata që punojnë shumë në të folur e në të mësuar.» (1. Timoteut 5:17, BR) Po, pleqtë që drejtojnë në mënyrë të shkëlqyer shtëpitë dhe kongregacionet e tyre, meritojnë dashurinë dhe respektin tonë. Në të vërtetë, ne duhet «të vazhdojmë t’i konsiderojmë të dashur për ne burrat e këtij lloji».—Filipianëve 2:29.
[Shënimet]
a Shiko Kullën e Rojës 1 shkurt 1978, faqe 31-32, në anglisht.
b Shiko Kullën e Rojës 1 dhjetor 1960, faqet 735-736, në anglisht.
Pyetje për rishikim
◻ Si e dimë që shumë pleq në shekullin e parë e.s. ishin burra familjarë?
◻ Çfarë kërkohet nga pleqtë e martuar që kanë fëmijë dhe pse?
◻ Ç’do të thotë të kesh «fëmijë besimtarë», por ç’mund të thuhet nëse fëmija i një plaku nuk zgjedh që t’i shërbejë Jehovait?
◻ Në cilat aspekte një plak duhet të «sigurojë për të vetët»?
[Figura në faqen 23]
Nga familje të forta krijohen kongregacione të forta