Jehovai ka qenë strehimi im
TREGUAR NGA PENELLOPI MAKRIS
Mamaja më lutej me zjarr: «Lëre burrin; vëllezërit do të të gjejnë një më të mirë.» Përse mamaja ime e dashur donte që unë ta prishja martesën? Çfarë e kishte mërzitur kaq shumë?
LINDA në vitin 1897 në fshatin e vogël Ambelos, në ishullin grek të Samosit. Pjesëtarët e familjes sonë ishin anëtarë të devotshëm të Kishës Ortodokse Greke. Babai më vdiq pak para lindjes sime, kështu që mamaja, tre vëllezërit e mi dhe unë, duhej të punonim shumë për të mbijetuar mes varfërisë së madhe të atyre ditëve.
Lufta I Botërore krisi në vitin 1914 dhe shumë shpejt dy vëllezërit e mi më të mëdhenj morën urdhër të futeshin në rreshtat e ushtrisë. Për të shmangur këtë, ata emigruan në Amerikë, duke më lënë mua dhe vëllanë tjetër në shtëpi me mamanë. Pak vite më vonë, në 1920-n, u martova me Dhimitrin, një mësues i ri në fshatin tonë.
Një vizitë e rëndësishme
Pak pasi isha martuar, na erdhi për vizitë daja im nga Amerika. Rastësisht, ai kishte marrë me vete një nga volumet e Studime mbi Shkrimet, shkruar nga Charles Taze Russell. Ishte një botim i Studentëve të Biblës, të cilët njihen tani si Dëshmitarë të Jehovait.
Kur hapi librin, Dhimitri vuri re një temë, mbi të cilën kishte pyetur veten qysh kur ishte fëmijë: «Çfarë ndodh me njeriun kur vdes?» Në shkollën e mesme, ai kishte pyetur për këtë temë një teolog të Kishës Ortodokse, por s’kishte marrë një përgjigje të kënaqshme. Shpjegimi i qartë dhe logjik që bënte libri e kënaqi kaq shumë Dhimitrin, saqë shkoi drejtpërsëdrejti në kafenenë e fshatit, ku mblidheshin zakonisht burrat grekë. Atje, u tregoi gjërat që kishte mësuar nga Bibla.
Qëndrimi ynë për të vërtetën biblike
Rreth kësaj kohe, në fillimet e viteve ’20, Greqia ishte në mes të një lufte tjetër. Dhimitrin e morën ushtar dhe u dërgua në tokën turke, në Azinë e Vogël. Atje u plagos dhe e sollën në shtëpi. Pasi u shërua, unë e shoqërova në Smirna, Azia e Vogël (sot Izmir, Turqi). Kur lufta mbaroi papritur në vitin 1922, na u desh të nxitonim për të shpëtuar. Në fakt, mezi jemi arratisur me një varkë shumë të dëmtuar, deri në Samos. Kur sosëm në shtëpi, ramë në gjunjë dhe iu falëm nderit Perëndisë, një Perëndie për të cilin kishin ende një njohuri të paktë.
Shumë shpejt, Dhimitrin e caktuan të jepte mësim në një shkollë në Vathi, kryeqyteti i ishullit. Ai vazhdoi të lexonte literaturën e Studentëve të Biblës dhe një natë me shi dy prej tyre nga ishulli grek Kios na erdhën për vizitë. Ata ishin kthyer nga Amerika për të shërbyer si përhapës, siç quheshin atëherë ungjilltarët në shërbim të plotë kohor. Ne u ofruam mikpritjen tonë atë natë dhe ata na folën për shumë gjëra në lidhje me qëllimet e Perëndisë.
Pas kësaj, Dhimitri më tha: «Penellopi, unë e kuptoj që kjo është e vërteta dhe më duhet ta ndjek. Kjo do të thotë që më duhet të mos këndoj më në Kishën Ortodokse Greke dhe të mos shkoj më në kishë me nxënësit.» Edhe pse njohuria që kishim për Jehovain ishte e kufizuar, dëshira jonë për t’i shërbyer atij ishte e fortë. Prandaj, ia ktheva: «Nuk do të të bëhem pengesë. Pra, shko përpara.»
Ai vazhdoi disi me ngurrim: «Po, por sikur ta marrin vesh qëllimin tonë, do të humb punën.»
«Mos ki merak,—i thashë,—se mos rrojnë të gjithë njerëzit, duke dhënë mësim? Ne jemi të rinj e të fortë dhe me ndihmën e Perëndisë mund të gjejmë një punë tjetër.»
Rreth kësaj kohe morën vesh se një tjetër Student i Biblës, edhe ai një përhapës, kishte ardhur në Samos. Kur mësuam se policia nuk i kishte dhënë leje të jepte një fjalim publik nga Bibla, nisëm ta kërkonim. E gjetëm në një dyqan, duke biseduar me dy teologë të Kishës Ortodokse Greke. Të turpëruar ngaqë nuk qenë në gjendje të mbronin bindjet e tyre me Biblën, teologët ikën shpejt. Meqë i bëri përshtypje njohuria e përhapësit, im shoq pyeti: «Si ia bën që e përdor Biblën me kaq lehtësi?»
«Ne studiojmë Biblën sistematikisht»,—u përgjigj ai. Hapi pastaj çantën e tij, mori librin e studimit Harpa e Perëndisë dhe na tregoi se si ta përdornim këtë libër për një studim të tillë. Ishim aq të zellshëm për të mësuar, saqë im shoq, unë, përhapësi dhe dy burra të tjerë, e shoqëruam menjëherë të zotin e dyqanit në shtëpinë e tij. Përhapësi na dha të gjithëve nga një kopje të librit Harpa e Perëndisë dhe filluam që në atë çast studimin. E vazhduam studimin deri pas mesnatës e më pas, ndërsa agimi po afrohej, nisëm të mësonim këngët që këndonin Studentët e Biblës.
Qysh prej asaj kohe e më pas, unë fillova të studioja Biblën për disa orë në ditë. Studentë të Biblës nga jashtë shtetit vazhduan të na furnizonin me materiale ndihmëse për të studiuar Biblën. Në janar 1926, iu dedikova Perëndisë në lutje, duke u betuar se do të bëja vullnetin e tij pa rezerva. Më vonë, në verë, im shoq dhe unë e simbolizuam dedikimin tonë me pagëzimin në ujë. Kishim një dëshirë të fortë, për t’u folur të tjerëve për gjërat që mësonim, kështu që nisëm shërbimin derë më derë me fletushkën Mesazhi i shpresës.
Qëndrojmë përballë kundërshtimit të fortë
Një ditë, një grua e re më ftoi të merrja pjesë në një liturgji që bëhej në një kishë të vogël greko-ortodokse. «Unë nuk e adhuroj më Perëndinë në atë mënyrë,—i shpjegova.—Tashmë e adhuroj në frymë e në të vërtetë, siç mëson Bibla.» (Gjoni 4:23, 24) Ajo u habit dhe hapi fjalën lart e poshtë për çfarë kishte ndodhur, duke përfshirë edhe tim shoq.
Praktikisht të gjithë filluan të kundërshtonin. S’mund të gjenim paqe asgjëkundi: as në shtëpinë tonë, as në mbledhjet që mbanim me ata pak të interesuar në ishull. Nën nxitjen e priftërinjve ortodoksë, turmat mblidheshin jashtë vendit ku bënim mbledhjet, duke na hedhur gurë dhe të shara.
Kur shpërndamë fletushkën Mesazhi i shpresës, fëmijët u mblodhën rreth nesh, duke bërtitur «Mijëvjeçaras» dhe terma të tjerë përçmues. Edhe kolegët e burrit tim filluan t’i hapnin telashe. Nga fundi i vitit 1926 e nxorrën në gjyq, me padinë se nuk ishte i përshtatshëm për të qenë mësues në një shkollë publike dhe u dënua me 15 ditë burg.
Kur e mori vesh këtë gjë, mamaja më këshilloi ta lija tim shoq. «Më dëgjo, moj e dashur nënë,—iu përgjigja,—ti e di po aq mirë sa edhe unë, se sa shumë të dua dhe të respektoj. Por, vetëm që s’mund të të lë që të na pengosh në rrugën e adhurimit të Perëndisë së vërtetë, Jehova.» Ajo u kthye në fshatin e saj tepër e zhgënjyer.
Në vitin 1927, në Athinë u mbajt një asamble e Studentëve të Biblës dhe Jehovai na hapi dyert për të qenë të pranishëm. Ishim të emocionuar e të forcuar frymësisht, duke u mbledhur së bashku me shumë bashkëbesimtarë. Me t’u kthyer në Samos, shpërndamë 5.000 kopje të fletushkës Dëshmi për sundimtarët e botës, në qytetet dhe fshatrat e ishullit tonë.
Pothuajse rreth asaj kohe, Dhimitrin e flakën nga pozita si mësues dhe për shkak të paragjykimeve kundër nesh, ishte gati e pamundur të gjente punë. Por, meqë unë mund të qepja dhe Dhimitri ishte një bojaxhi i zoti, patëm mundësi të kishim mjaft para sa për të plotësuar nevojat tona. Në vitin 1928, burri im dhe katër vëllezër të tjerë të krishterë në Samos, u dënuan me nga dy muaj burgim, pasi kishin predikuar lajmin e mirë. Meqë isha e vetmja Studente e Biblës e lirë, kisha mundësi të siguroja ushqim për ata që ndodheshin në burg.
Në luftë me sëmundje të ashpra
Në njëfarë periudhe u sëmura nga spondiliti tuberkular, një sëmundje kronike që në atë kohë ishte e panjohur. Humba oreksin dhe kisha një temperaturë vazhdimisht të lartë. Mjekimi përfshiu edhe futjen në allçi të një pjese të mirë të trupit, nga qafa deri te kofshët. Për ta përballuar financiarisht, im shoq shiti një pjesë të tokës, në mënyrë që të mund të vazhdoja terapinë. E dëshpëruar, i lutesha Perëndisë përditë që të më jepte fuqi.
Kur më vinin për vizitë, të afërmit u frynin vazhdimisht flakëve të kundërshtimit. Mamaja thoshte se po kalonim gjithë këto telashe, ngaqë kishim ndërruar fenë. Pa qenë në gjendje të lëvizja, e njomja jastëkun me lot, ndërsa i përgjërohesha Atit tonë qiellor që të më jepte durim dhe kurajë për të qëndruar.
Mbi tryezën pranë krevatit tim, mbaja Biblën dhe disa broshura e fletushka për vizitorët. Ishte një bekim që mbledhjet e kongregacionit tonë të vogël mbaheshin në shtëpinë tonë; kështu mund të merrja rregullisht inkurajim frymor. Na u desh të shisnim edhe një copë tjetër të tokës, për të paguar trajtimin mjekësor nga një mjek në Athinë.
Pak pas kësaj, na vizitoi mbikëqyrësi udhëtues. Atij i erdhi shumë keq kur më pa mua në atë gjendje dhe Dhimitrin pa punë. Me dashamirësi, ai na ndihmoi që të jetonim në Mitileni, në ishullin Lesbos. U transferuam atje në vitin 1934 dhe Dhimitri mundi të gjente një punë. Gjithashtu, atje gjetëm edhe vëllezër dhe motra të shkëlqyera të krishtere, që u kujdesën për mua gjatë kohës që isha e sëmurë. Pak nga pak, pas pesë vjetësh trajtim, e mora veten plotësisht.
Megjithatë, në 1946-n, pak pas Luftës II Botërore, përsëri u sëmura seriozisht, kësaj here me peritonit tuberkular. Mbeta në shtrat për pesë muaj, me temperaturë të lartë dhe me dhimbje të forta. Por, si edhe më parë, kurrë nuk rreshta së foluri vizitorëve për Jehovain. Me kalimin e kohës, shëndeti më erdhi përsëri.
Pioniere pavarësisht nga kundërshtimi
Kundërshtimi i vazhdueshëm ishte risku i Dëshmitarëve të Jehovait në Greqinë e viteve të pasluftës. U arrestuam shumë herë ndërsa gjendeshim në shërbimin nga shtëpia në shtëpi. Im shoq kaloi pothuajse një vit të plotë në burg. Kur dilnim nga shtëpia për në shërbim, zakonisht planifikonim të kalonim natën nën arrest, në postën e policisë. Megjithatë, Jehovai kurrë nuk na braktisi. Ai gjithmonë na siguroi guximin dhe fuqinë e nevojshme për të qëndruar.
Në vitet ’40 lexova në fletushkën Informatori (tani Shërbimi ynë i Mbretërisë) për masat në lidhje me shërbimin si pionier gjatë pushimeve. Vendosa të bëja një përpjekje në këtë aspekt të shërbimit, i cili kërkonte 75 orë shërbim në muaj. Si rrjedhojë, rivizitat dhe studimet e mia biblike u rritën; për njëfarë kohe drejtoja çdo javë 17 studime. Gjithashtu, kisha një itenerar me revista në zonën tregtare të Mitilenit, ku zakonisht shpërndaja rreth 300 revista Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! nëpër dyqane, zyra dhe banka.
Kur një mbikëqyrës udhëtues shërbente në kongregacionin tonë, në vitin 1964, më tha: «Motra Penellopi, kam parë në fletën e Regjistrimit të Kongregacionit të Lajmëtarit rezultatet e mrekullueshme që ke ti në shërbim. Përse nuk plotëson një kërkesë për pioniere të rregullt?» Gjithmonë do t’i jem mirënjohëse për inkurajimin; shërbimi i plotë kohor ka qenë gëzimi im për më se tri dekada.
Një përvojë shpërblyese
Në Mitileni kishte një lagje me popullsi të dendur, e quajtur Langada, ku jetonin refugjatë grekë. Ne nuk shkonim nga shtëpia në shtëpi atje, për shkak të kundërshtimit fanatik që kishim hasur. Megjithatë, kur im shoq gjendej në burg, më duhej të kaloja në atë zonë për ta takuar. Një ditë me shi, një grua më ftoi në shtëpinë e saj, për të më pyetur përse im shoq gjendej i burgosur. I shpjegova se ishte burgosur ngaqë kishte predikuar lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë dhe se po vuante, ashtu siç vuajti edhe Krishti.
Më vonë, një grua tjetër ishte gatitur të më ndalonte në shtëpinë e saj. Kur mbërrita atje, pashë se ajo kishte ftuar gjithsej nja 12 gra. I dola përpara kundërshtimit të mundshëm, duke i bërë një lutje Perëndisë, për të më dhënë mençuri dhe kurajë që të përballoja çdo gjë që të ndodhte. Gratë kishin shumë pyetje dhe disa ngritën edhe kundërshtime, por munda t’u jepja përgjigje nga Shkrimet. Kur u ngrita për të ikur, e zonja e shtëpisë më kërkoi që të shkoja përsëri të nesërmen. Lumturisht, e pranova ftesën. Kur një shoqja ime dhe unë mbërritëm të nesërmen, pamë se gratë tashmë po na pritnin.
Prej asaj kohe, bisedat tona biblike vazhduan mbi baza të rregullta dhe filluam shumë studime biblike. Disa prej grave përparuan në njohurinë e saktë dhe kështu bënë edhe familjet e tyre. Ky grup, më vonë formoi bërthamën e një kongregacioni të ri të Dëshmitarëve të Jehovait në Mitileni.
Jehovai ka qenë i mirë me mua
Përgjatë viteve, Jehovai i ka shpërblyer mundimet e tim shoqi dhe të miat për t’i shërbyer. Grupi i vogël i Dëshmitarëve në Samos, në vitet ’20, është rritur në dy kongregacione dhe një grup i pavarur, me rreth 130 lajmëtarë. Ndërsa në ishullin e Lesbosit, gjenden katër kongregacione dhe pesë grupe, të cilat përfshijnë më se 430 lajmëtarë të Mbretërisë. Burri im e shpalli aktivisht Mbretërinë e Perëndisë, derisa vdiq në vitin 1977. Çfarë privilegji është të shoh ata që kemi ndihmuar tek qëndrojnë ende të zellshëm në shërbim! Bashkë me fëmijët e tyre, me nipërit dhe me stërnipërit, ata përbëjnë një shumicë të madhe që adhuron Jehovain në unitet!
Rruga ime në shërbimin e krishterë, e cila shtrihet tanimë për më se 70 vjet, nuk ka qenë e lehtë. Megjithatë, Jehovai ka qenë një kështjellë e pakrahasueshme. Për shkak të moshës së shkuar dhe shëndetit të dobësuar, tani gjendem në shtrat dhe shumë e kufizuar në predikimin që mund të bëj. Por, ashtu sikurse psalmisti, unë mund t’i them Jehovait: «Ti je streha ime dhe kështjella ime, Perëndia im, të cilit i besoj.»—Psalmi 91:2.
(Motra Makris vdiq, ndërkohë që ky artikull po përgatitej. Ajo kishte një shpresë qiellore.)
[Figura në faqen 26]
Me të shoqin në vitin 1955
[Figura në faqen 26]
Motra Makris do të mbushte 100 vjeç në janar 1997