Ungjilli sipas dijetarëve
«KUSH thonë turmat se jam unë?» (Luka 9:18) Jezui u drejtoi këtë pyetje dishepujve të tij gati dy mijë vjet më parë. Në atë kohë, pyetja ishte e pazgjidhshme. Por duket se është akoma më shumë e tillë tani, sidomos në prag të periudhës së Krishtlindjeve, e cila mendohet se përqendrohet rreth Jezuit. Shumë njerëz besojnë se Jezui u dërgua nga qielli për të shpenguar njerëzimin. A mendon edhe ti kështu?
Disa dijetarë propozojnë një tjetër pikëpamje. «Figura e Jezuit si ai që mësoi se ishte Biri i Perëndisë, i cili duhej të vdiste për mëkatet e botës, nuk është e vërtetë historikisht»,—pohon Markus J. Borg, profesor në fushën e fesë dhe të kulturës.
Dijetarë të tjerë thonë se Jezui i vërtetë ishte i ndryshëm nga ai, për të cilin lexojmë në Bibël. Disa besojnë se të gjithë Ungjijtë u shkruan katër a më shumë dekada pas vdekjes së Jezuit dhe se që nga ajo kohë, identiteti i vërtetë i Jezuit është stolisur. Sipas dijetarëve, problemi nuk qëndronte në kujtesën e shkrimtarëve të Ungjillit, por në interpretimin që i bënë atij. Pas vdekjes së Jezuit, dishepujt filluan ta shikonin atë me një sy tjetër, si Biri i Perëndisë, Shpëtimtari dhe Mesia. Disa thonë me guxim se Jezui nuk ishte më shumë se një i mençur endacak, një revolucionar i shoqërisë. Sipas thënieve të dijetarëve, kjo është e vërteta e pamohueshme.
Pikëpamja «e ditur» mbi Jezuin
Për të mbrojtur pikëpamjen e tyre «të ditur», kritikët duken të etur për të eliminuar rreth Jezuit çdo gjë që duket e mbinatyrshme. Për shembull, disa thonë se lindja e Jezuit nga virgjëresha ishte një kamuflim për të maskuar lindjen e paligjshme të tij. Të tjerë i hedhin poshtë profecitë e Jezuit në lidhje me shkatërrimin e Jerusalemit, duke insistuar se këto ishin ndërfutur tek Ungjijtë pas «përmbushjes» së tyre. Disa madje kanë arritur deri aty sa të thonë që shërimet e Jezuit ishin krejtësisht psikosomatike, thjesht nga bindja në mendje se ishin shëruar. A të duken të vërteta këto propozime, apo përkundrazi absurde?
Disa dijetarë thonë madje se dishepujt e Jezuit shpikën ringjalljen për të mos lënë që lëvizja e tyre e krishterë të përmbysej. Së fundi, dijetarët arsyetojnë se pa të, ithtarët e Jezuit ishin të pafuqishëm, kështu që sajuan historinë e Mësuesit të tyre për ta skalitur përgjithmonë rolin e tij në histori. Në fakt, ishte krishterimi dhe jo Krishti, ai që u ringjall. Në qoftë se kjo duket si një liri prej dijetari, ç’mund të thuhet për propozimin e teologes Barbara Thering se Jezui nuk u ekzekutua aspak? Ajo beson se Jezui mbijetoi gozhdimin e tij në shtyllë dhe vazhdoi të jetonte për t’u martuar dy herë dhe për t’u bërë babai i tre fëmijëve.
Të gjitha këto pohime e ulin Jezuin në të vetmin nivel, në të cilin do ta pranonin shumë dijetarë: në atë të një njeriu të mençur, të një judeu gjysmanalfabet, të një reformisti të shoqërisë. E pranojnë si gjithçka, përveçse si Biri i Perëndisë, i cili erdhi «për të dhënë jetën e tij si çmim për shpengimin e shumë vetëve».—Mateu 20:28.
Ndoshta rreth kësaj periudhe të vitit, ke lexuar pjesë nga Ungjijtë, si për shembull, atë për lindjen e Jezuit në një koritë bagëtish. Ose mund të kesh dëgjuar tregime si ky në kishë. A i pranon tregimet e Ungjillit si të vlefshme dhe të besueshme? Atëherë vëre këtë situatë tronditëse. Që nga viti 1985, një grup dijetarësh është takuar dy herë në vit, në një të ashtuquajtur Seminar për Jezuin, për të përcaktuar autenticitetin e fjalëve të Jezuit. A ka thënë me të vërtetë Jezui atë që Bibla i atribuon atij? Anëtarët e seminarit votuan për çdo thënie të Jezuit me rruaza të ngjyrosura. Rruaza e kuqe do të thoshte se një deklaratë ishte thënë me siguri nga Jezui; rruaza ngjyrë trëndafili do të thoshte se kishte mundësi që Jezui ta kishte thënë; rruaza gri do të thoshte se dyshohej dhe rruaza e zezë tregonte falsifikim.
Ndoshta, s’do të ndiheshe mirë po të mësoje se Seminari për Jezuin shpalli se 82 për qind e fjalëve që i atribuoheshin Jezuit kishte mundësi të mos ishin shqiptuar prej tij. Vetëm një citim nga Ungjilli i Markut ishte gjykuar si i besueshëm. Ungjilli i Lukës u përcaktua si një ungjill plot propagandë, sa «nuk mund të përcaktohej themeli origjinal i tij». Të gjitha, përveç tri rreshtave nga Ungjilli i Gjonit morën votën me rruazë të zezë, që tregonte falsifikim dhe asaj grime që mbeti iu dha rruaza gri e dyshimit.
Më shumë se akademikë
A pajtohesh me mendimin e dijetarëve? A po na paraqesin një portretizim më të saktë të Jezuit, sesa ai që gjejmë në Bibël? Këto pyetje nuk janë thjesht një çështje për debat mes dijetarëve. Në këtë periudhë të vitit, mund të të kujtohet se sipas Biblës, Perëndia e dërgoi Jezuin «që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme».—Gjoni 3:16.
Nëse Jezui nuk ka qenë më shumë se një i mençur endacak, rreth të cilit ne mund të dimë pak, do të ishte e pakuptimtë ‘të ushtronim besim’ në të. Nga ana tjetër, nëse portretizimi që i bën Bibla Jezuit është i besueshëm, kjo gjë përfshin shpëtimin tonë të përhershëm. Prandaj, duhet të dimë: a e përmban Bibla të vërtetën mbi Jezuin?