Bioetika dhe kirurgjia pa gjak
VITET e fundit kanë parë një progres pa precedent në fushën e mjekësisë. Megjithatë, ndërsa zgjidhin probleme mjekësore, disa përparime kanë krijuar probleme etike.
Doktorëve u duhet të mendojnë thellë mbi dilema të tilla si: A duhet të braktiset ndonjëherë trajtimi këmbëngulës mjekësor, që një pacient të mund të vdesë me dinjitet? A duhet që një doktor ta hedhë poshtë vendimin e një pacienti, nëse ai mendon se është në të mirë të pacientit? Si duhet racionuar kujdesi shëndetësor, kur trajtimi i kushtueshëm nuk është në dispozicion për këdo?
Këto çështje komplekse kanë nxjerrë në dritë disiplinën mjekësore të quajtur bioetikë. Ky specialitet ka si qëllim që të ndihmojë doktorët dhe shkencëtarët në trajtimin e ndërlikimeve etike të kërkimit biologjik dhe përparimeve mjekësore. Meqenëse pjesa më e madhe e vendimeve më të vështira dalin në spitale, shumë prej tyre kanë ngritur komitete bioetike. Zakonisht anëtarët e komitetit, ku përfshihen doktorë dhe avokatë, marrin pjesë në seminare mbi bioetikën, ku analizohen probleme etike në mjekësi.
Disa pyetje të ngritura shpesh në seminare të tilla janë: Deri në ç’masë duhet t’i respektojnë doktorët besimet e Dëshmitarëve të Jehovait, të cilët në radhë të parë për arsye fetare, refuzojnë të pranojnë transfuzionet e gjakut? A duhet që një doktor t’i bëjë transfuzion një pacienti kundër vullnetit të këtij të fundit, nëse transfuzioni duket «i këshillueshëm» nga pikëpamja mjekësore? A do të ishte etike që të veprohej kështu pa dijeninë e pacientit, meqenëse ‘ajo që pacienti nuk di, nuk do ta dëmtojë’?
Për t’i trajtuar në mënyrë të përshtatshme çështje të tilla, doktorët kanë nevojë për një kuptueshmëri objektive të pikëpamjes së Dëshmitarëve të Jehovait. Nga ana e tyre, Dëshmitarët e Jehovait janë të gatshëm që t’ua shpjegojnë doktorëve qëndrimin e tyre, duke qenë të vetëdijshëm se një kuptueshmëri e dyanshme mund të shërbejë për shmangien e fërkimeve.
Një shkëmbim mendimesh
Profesori Diego Gracia, një autoritet i shquar spanjoll në bioetikë, pati dëshirë që klasa e tij të bënte një dialog të tillë. «Është e drejtë që juve [Dëshmitarëve të Jehovait] t’ju jepet një mundësi për të shprehur shqetësimet tuaja . . . për sa i përket vështirësive që keni pasur në lidhje me transfuzionet e gjakut»,—tha profesori.
Prandaj, më 5 qershor 1996, tre përfaqësues të Dëshmitarëve të Jehovait u ftuan në Universitetin Komplutense në Madrid të Spanjës, për të shpjeguar pikëpamjen e tyre. Ishin të pranishëm rreth 40 doktorë dhe profesionistë të tjerë.
Pasi Dëshmitarët bënë një prezantim të shkurtër, sesioni u hap për trajtimin e pyetjeve. Të gjithë të pranishmit ishin të mendimit se një pacient i rritur duhet të ketë të drejtën për të refuzuar një trajtim mjekësor të veçantë. Gjithashtu, klasa mendonte se një transfuzion nuk duhet të administrohet kurrë pa miratimin e informuar të pacientit. Megjithatë, ata ishin të shqetësuar në lidhje me disa aspekte të qëndrimit të Dëshmitarëve të Jehovait.
Një pyetje kishte të bënte me paratë. Disa herë, kirurgjia pa gjak përfshin pajisje speciale, të tilla si kirurgjinë me rreze lazer, si dhe ilaçe të kushtueshme, të tilla si eritropoietin, i përdorur për të stimuluar prodhimin e rruazave të kuqe të gjakut. Një doktor donte të dinte nëse duke refuzuar një mundësi më pak të kushtueshme (gjak homolog), Dëshmitarët duhet të prisnin nga shërbimet e shëndetit publik që t’u jepnin privilegje speciale.
Duke pranuar se paratë ishin patjetër një faktor që doktorët duhet ta marrin në konsideratë, një përfaqësues Dëshmitar iu referua studimeve të botuara që analizojnë kostot e fshehura të transfuzioneve të gjakut homolog. Këto përfshijnë koston e trajtimit të komplikacioneve në lidhje me transfuzionet, si dhe humbjen e të ardhurave që vjen nga komplikime të tilla. Ai citoi një studim të përmbledhur nga Shtetet e Bashkuara, që tregonte se njësia mesatare e gjakut, megjithëse fillimisht kushtonte vetëm 250 dollarë, aktualisht prodhon shpenzime prej mbi 1.300 dollarësh, pra, më shumë se pesëfishi i shumës fillestare. Prandaj, vuri në dukje ai, kur merren në konsideratë të gjithë faktorët, kirurgjia pa gjak është me kosto efektive. Përveç kësaj, pjesa më e madhe e të ashtuquajturës kosto shtesë e kirurgjisë pa gjak, është pajimi, i cili përdoret përsëri.
Një pyetje tjetër në mendjen e disa doktorëve, ishte e lidhur me presionin nga ana e grupit. Çfarë do të ndodhte, donin të dinin ata, nëse një Dëshmitar lëkundej dhe pranonte një transfuzion gjaku? A do të syrgjynosej ai nga bashkësia e Dëshmitarëve?
Përgjigjja do të varej nga situata aktuale, sepse mosbindja ndaj ligjit të Perëndisë është sigurisht një çështje serioze, diçka që duhet shqyrtuar nga pleqtë e kongregacionit. Dëshmitarët do të donin të ndihmonin çdo person që ka vuajtur përvojën traumatike të kirurgjisë që kërcënon jetën dhe që ka pranuar një transfuzion. Pa dyshim që një Dëshmitar i tillë, do të ndihej shumë keq dhe do të shqetësohej për marrëdhënien e tij me Perëndinë. Një person i tillë mund të ketë nevojë për ndihmë dhe kuptueshmëri. Përderisa themeli i krishterimit është dashuria, pleqtë do të dëshironin, si në të gjitha rastet gjyqësore, që ta zbutnin vendosmërinë me mëshirën.—Mateu 9:12, 13; Gjoni 7:24.
«A nuk do t’i bëni së shpejti një rivlerësim qëndrimit tuaj etik?—pyeti një profesor i bioetikës, i cili kishte ardhur për vizitë nga Shtetet e Bashkuara.—Fetë e tjera e kanë bërë këtë vitet e fundit.»
Atij iu tha se qëndrimi i Dëshmitarëve në lidhje me shenjtërinë e gjakut, ishte më tepër një besim doktrinal sesa një pikëpamje etike, që është subjekt i rivlerësimeve periodike. Urdhëri i qartë biblik nuk lë shteg për kompromis. (Veprat 15:28, 29) Dhunimi i një ligji të tillë hyjnor do të ishte për një Dëshmitar po aq i papranueshëm sa dhe mbyllja e syve para idhujtarisë apo kurvërisë.
Dëshmitarët e Jehovait e çmojnë shumë gatishmërinë e doktorëve, si ata që ishin të pranishëm në seminarin bioetik në Madrid, për të respektuar vendimin e tyre për të kërkuar një trajtim alternues që përputhet me bindjet e tyre të bazuara në Bibël. Pa dyshim që bioetika do të luajë një rol të rëndësishëm në përmirësimin e marrëdhënieve doktor-pacient dhe në nxitjen e një respekti më të madh për dëshirat e pacientit.
Siç është raportuar se ka thënë një mjek spanjoll me famë, doktorët duhet të kujtojnë gjithmonë se ata «punojnë me pajisje të papërsosura dhe mjete të gabueshme». Prandaj, ata kanë nevojë për «bindjen se dashuria duhet të shtrihet gjithmonë deri atje ku njohuria nuk mund të arrijë».