BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w97 1/3 f. 20-24
  • «Në vend të arit, gjeta diamante»

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • «Në vend të arit, gjeta diamante»
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Diçka më e çmuar
  • Shërbimi i plotë kohor në Greqi
  • Duke i bërë ballë kundërshtimit
  • Shërbimi në Bethel
  • Duke i bërë ballë rishtas kundërshtimit
  • Gëzimi në zgjerimin e vazhdueshëm
  • Duke shërbyer nën dorën e dashur të Jehovait
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1996
  • I kam dhënë Jehovait atë që meriton
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
  • Më shumë se 50 vjet ‘duke kaluar’
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1996
  • E kënaqur që kam përkrahur veprën mbarëbotërore të arsimimit biblik
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2005
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
w97 1/3 f. 20-24

«Në vend të arit, gjeta diamante»

TREGUAR NGA MIHALIS KAMINARIS

Pas pesë vjetësh në Afrikën e Jugut, ku kisha shkuar për të kërkuar ar, po kthehesha në shtëpi me diçka shumë më të çmuar. Le të tregoj për pasurinë që tani zotëroja dhe dëshiroja për ta ndarë.

LINDA në 1904-n, në ishullin grek të Cefalonisë, në Detin Jon. Të dy prindërit më vdiqën menjëherë pasi linda, e kështu që u rrita jetim. Isha i dëshiruar për ndihmë dhe shpesh i lutesha Perëndisë. Edhe pse frekuentoja rregullisht Kishën Ortodokse Greke, nuk dija asgjë për Biblën. Nuk gjeta asnjë ngushëllim.

Në 1929-n, vendosa të emigroja e të vihesha në kërkim të një jete më të mirë. Lashë ishullin tim shterpë dhe lundrova për në Afrikën e Jugut, duke kaluar nëpër Angli. Pas 17 ditësh në det, arrita në Keip Taun të Afrikës së Jugut, ku u pajtova menjëherë në punë tek një bashkatdhetar. Por nuk gjeta ngushëllim në pasurinë materiale.

Diçka më e çmuar

Kisha dy vjet që qëndroja në Afrikën e Jugut, kur më vizitoi në vendin e punës një Dëshmitar i Jehovait dhe më ofroi literaturë biblike në greqisht. Aty përfshiheshin librezat Ku janë të vdekurit? dhe Shtypja, kur do të marrë fund? Më kujtohet mirë zelli, me të cilin i lexova ato, duke mësuar madje përmendësh të gjitha shkrimet e cituara. Një ditë, i thashë një kolegu: «Kam gjetur atë që kërkoja gjatë gjithë këtyre viteve. Erdha në Afrikë për ar, por në vend të arit, gjeta diamante.»

Mësova me gëzim të madh se Perëndia ka një emër personal, Jehova, se Mbretëria e tij është vendosur tashmë në qiej dhe se ne po jetojmë në ditët e fundit të këtij sistemi gjërash. (Psalmi 83:18; Danieli 2:44; Mateu 6:9, 10; 24:3-12; 2. Timoteut 3:1-5; Zbulesa 12:7-12) Sa rrëqethëse ishte kur mësova se Mbretëria e Jehovait do t’u sjellë bekime të pafundme të gjitha racave të njerëzimit! Një tjetër fakt që më bëri përshtypje ishte se këto të vërteta të çmuara ishin predikuar në të katër anët e botës.​—Isaia 9:6, 7; 11:6-9; Mateu 24:14; Zbulesa 21:3, 4.

Pa humbur kohë, gjeta adresën e zyrës së degës së Shoqatës Watch Tower në Keip Taun dhe mora më shumë literaturë biblike. Isha veçanërisht i kënaqur që mora një kopje personale të Biblës. Ajo që lexova, më nxiti dëshirën për të dhënë dëshmi. Fillova duke u dërguar botime biblike të afërmve të mi, miqve dhe të njohurve në vendlindjen time, në Liksurion. Nga studimet e mia, arrita të kuptoj gradualisht se për t’i pëlqyer Jehovait, personi duhej t’ia dedikonte jetën atij. Kështu që e bëra këtë menjëherë në lutje.

Në një rast, mora pjesë në një mbledhje të Dëshmitarëve të Jehovait, por meqenëse nuk dija anglisht, nuk kuptova as edhe një fjalë. Kur mësova se kishte shumë grekë që jetonin në Port Elizabet, u transferova atje, por nuk munda të gjej asnjë Dëshmitar që fliste greqisht. Prandaj, vendosa të kthehesha në Greqi, për t’u bërë një ungjilltar në kohë të plotë. Më kujtohet që thashë me vete: «Do të kthehem në Greqi, edhe sikur të më duhet të kthehem gjysmë lakuriq.»

Shërbimi i plotë kohor në Greqi

Pranvera e 1934-s më gjeti në kuvertën e transoqeanikut italian Duilio. Mbërrita në Marsejë të Francës dhe pas një qëndrimi prej dhjetë ditësh atje, u nisa për në Greqi, duke hipur në bordin e anijes për pasagjerë, Patris. Gjatë kohës që ishim në det, anija pati probleme mekanike dhe gjatë natës u dha urdhër që të zbriteshin në det varkat e shpëtimit. Atëherë më erdhi ndër mend se kisha menduar të kthehesha në Greqi edhe gjysmë lakuriq. Megjithatë, më në fund mbërriti një rimorkiator italian dhe na rimorkioi deri në Napoli, Itali. Më pas, mbërritëm më në fund në Piraiévs (Pire) të Greqisë.

Nga atje, u nisa për në Athinë, ku vizitova zyrën e degës së Shoqatës Watch Tower. Në bisedën që bëra me Athanasios Karanasios, mbikëqyrës i degës, kërkova një caktim për të predikuar në kohë të plotë. Ditën tjetër kisha marrë rrugën për në Peloponisos, që gjendet në pjesën kontinentale jugore të Greqisë. E gjithë kjo krahinë më ishte caktuar mua si territor personal.

Fillova veprën e predikimit me një entuziazëm të pakufishëm, duke shkuar qytet më qytet, fshat më fshat, fermë më fermë dhe shtëpi më shtëpi, edhe pse ato gjendeshin të veçuara nga njëra-tjetra. S’kaloi shumë kohë dhe me mua u bashkua edhe Mihal Triantafilopulos, i cili më pagëzoi në verën e 1935-s, më shumë se një vit pasi kisha filluar shërbimin e plotë kohor. Nuk kishte asnjë lloj transporti publik, kështu që kudo shkonim në këmbë. Problemi më i madh për ne ishte kundërshtimi i klerit, i cili do të bënte gjithçka për të na ndalur. Si rezultat, ne u ndeshëm me shumë paragjykime. Por prapëseprapë, pavarësisht nga pengesat, dëshmia u dha dhe emri i Jehovait u lajmërua kudo.

Duke i bërë ballë kundërshtimit

Një mëngjes, ndërsa po predikoja në krahinën malore të Arkadisë, mbërrita në fshatin Maguliana. Pas një ore predikimi, dëgjova kambanat e kishës dhe shpejt kuptova se ato po binin për mua! U mblodh një turmë nën drejtimin e një arkimandriti ortodoks grek (një funksionar i lartë i kishës që vjen pas peshkopit). Mbylla menjëherë çantën e predikimit dhe iu luta në heshtje Jehovait. Arkimandriti me një grumbull fëmijësh pas tij, u drejtua nga unë. Ai filloi të bërtiste: «Është ai! Është ai!»

Fëmijët më rrethuan dhe prifti ecte e më shtynte me barkun e tij të madh që i dilte jashtë, duke thënë se nuk donte të më prekte me dorë, «pasi unë mund të isha i infektuar». Ai ulëriti: «Qëllojeni! Qëllojeni!» Por pikërisht në atë moment, ia behu një polic dhe na mori që të dyve në rajonin e policisë. Kleriku u dërgua në gjyq për nxitjen e një turme dhe u gjobit me 300 dhrahmi, plus shpenzimet e gjyqit. Mua më liruan.

Kur arritëm në një zonë të re, zgjodhëm si bazë për aktivitetin tonë një qytet më të madh dhe nga atje mbuluam gjithë territorin brenda një distance katër orë në këmbë. Kjo do të thoshte se iknim në mëngjes akoma pa zbardhur dhe ktheheshim pasi kishte rënë errësira e mbrëmjes, zakonisht duke vizituar një apo dy fshatra çdo ditë. Pasi përfunduam fshatrat përreth, predikuam në qytetin bazë dhe më pas u transferuam në një zonë tjetër. Shpeshherë na arrestuan, pasi kleri i nxiste njerëzit kundër nesh. Në rajonin e Parnasus, në Greqinë Qendrore, kërkohesha nga policia për muaj të tërë. Megjithatë, ata nuk arritën të më zinin.

Një ditë, vëllai Triantafilopulos dhe unë po predikonim në fshatin Muriki, në krahinën e Boeotisë. E ndamë fshatin në dy pjesë dhe unë fillova të bëja shtëpitë që gjendeshin në pjerrësirë, pasi isha më i ri. Befas, dëgjova të bërtitura nga poshtë. Tek vrapoja poshtë, mendova me vete: «Po rrahin vëllanë Triantafilopulos.» Fshatarët ishin mbledhur në kafenenë e fshatit dhe një prift përplaste këmbët lart e poshtë si një dem i tërbuar. «Këta njerëz na quajnë ‘fara e Gjarprit’»,​—bërtiste ai.

Prifti kishte thyer tashmë një bastun mbi kokën e vëllait Triantafilopulos dhe gjaku po i rridhte mbi fytyrë. Pasi i pastrova gjakun, mundëm të largoheshim. Ecëm për tri orë, derisa mbërritëm në qytetin Tebes. Plagën e kuruam atje në një klinikë. E raportuam ngjarjen në polici dhe mbushëm një padi. Por prifti kishte të njohur dhe më në fund u shfajësua.

Ndërsa po punonim në qytetin Lukes, pasuesit e njërit prej udhëheqësve politikë të asaj zone, na «arrestuan» dhe na çuan në kafenenë e fshatit, ku u gjendëm të akuzuar në një gjyq me njerëz të paautorizuar. Udhëheqësi politik dhe njerëzit e tij na silleshin rrotull dhe na hidhnin fjalë, duke na bërë një fjalim me fjalë të mëdha dhe duke na kërcënuar me grushtet e tyre të shtrënguara. Ishin të gjithë të pirë. Vërejtjet e tyre të stërgjatura kundër nesh vazhduan nga mesdita deri në perëndim të diellit, por ne qëndronim të qetë dhe vazhdonim të buzëqeshnim, ndërsa shpallnim pafajësinë tonë dhe i luteshim në heshtje Perëndisë Jehova për ndihmë.

Nga muzgu i mbrëmjes, na shpëtuan dy policë. Ata na morën në rajonin e policisë dhe na trajtuan mirë. Për të justifikuar veprimet e tij, udhëheqësi politik erdhi ditën tjetër e na akuzoi për përhapje propagande kundër mbretit të Greqisë. Kështu, policia na dërgoi të shoqëruar nga dy njerëz në qytetin Lamia për hetime të mëtejshme. Na mbajtën shtatë ditë në arrest dhe pas kësaj, na hodhën prangat e na çuan në qytetin Larisa për gjykim.

Vëllezërit tanë të krishterë në Larisa, të cilët ishin vënë në dijeni që më përpara, pritën mbërritjen tonë. Dashuria e përzemërt dhe e madhe që ata treguan për ne, ishte një dëshmi e shkëlqyer për rojet. Avokati ynë, që ishte Dëshmitar i Jehovait dhe ish-nënkolonel, ishte i mirënjohur në qytet. Kur ai doli në gjyq dhe argumentoi rastin tonë, akuzat kundër nesh dolën të rreme dhe ne u liruam.

Suksesi i përgjithshëm i predikimit të Dëshmitarëve të Jehovait solli një intensifikim të kundërshtimit. Në 1938-n dhe 1939-n u vendosën ligje që ndalonin prozelitizmin, kështu që Mihali dhe unë u përfshimë në shumë raste gjyqësore për këtë çështje. Pas kësaj, zyra e degës na këshilloi të punonim të ndarë, me qëllim që të tërhiqnim më pak vëmendje drejt aktivitetit tonë. Ishte e vështirë të mos kishe një shok. Por duke besuar në Jehovain, përshkova në këmbë dhe predikova në krahinat e Atikës, të Boeotisë, të Thiotis, të Euboesë, të Aetolisë, të Akarnanisë, të Euritanisë dhe krahinën e Peloponisos.

Ajo që më ndihmoi gjatë kësaj periudhe, ishin fjalët e bukura për besimin në Jehovain, të thëna nga psalmisti: «Me ty mund të vrapoj pas një bande plaçkitësish; dhe me Perëndinë tim mund të kapërcej një mur. Perëndia i vërtetë është Ai që më rrethon ngushtësisht me energji jetësore, ai do të bëjë që rruga ime të jetë e përsosur, duke i bërë këmbët e mia si ato të drerit e më bën të qëndroj në vende të larta për mua.»​—Psalmi 18:29, 32, 33, BR.

Në 1940-n, Italia i shpalli luftë Greqisë e s’kaloi shumë kohë dhe ushtritë gjermane pushtuan vendin. U shpall gjendje lufte dhe librat e Shoqatës Watch Tower u ndaluan. Ato ishin kohë të vështira për Dëshmitarët e Jehovait në Greqi; e megjithatë, pati një rritje dramatike në numër: nga 178 Dëshmitarë në 1940-n, në 1.770 nga fundi i Luftës II Botërore, në 1945-n!

Shërbimi në Bethel

Në 1945-n, më ftuan të shërbeja në zyrën e degës së Dëshmitarëve të Jehovait në Athinë. Betheli, që do të thotë «Shtëpia e Perëndisë», në atë kohë gjendej në një shtëpi të marrë me qira në rrugën Lombardu. Zyrat ishin në katin e parë, ndërsa shtypshkronja gjendej në bodrum. Ajo konsistonte në një shtypshkronjë të vogël dhe një presë buzëprerëse. Fillimisht, skuadra e shtypshkronjës përbëhej vetëm nga dy persona, por shpejt filluan të vinin Dëshmitarë vullnetarë të tjerë, që jetonin jashtë Bethelit, për të dhënë një dorë në punë.

Lidhja me selinë qendrore të Shoqatës Watch Tower në Bruklin, Nju Jork, u rivendos në 1945-n dhe po atë vit ne filluam të shtypnim përsëri rregullisht në Greqi Kullën e Rojës. Më pas, në 1947-n, dega jonë u transferua në rrugën Tenedu 16, por shtypshkronja mbeti në rrugën Lombardu. Më vonë, shtypshkronja u transferua nga rruga Lombardu në fabrikën e një Dëshmitari, rreth 5 km larg. Kështu, për disa kohë ne shkonim andej-këtej nëpër tri vende.

Më kujtohet se për të shkuar në shtypshkronjë, iknim nga banesat tona në Tenedu para se të zbardhte. Pasi punonim atje deri në 1300, shkoja në rrugën Lombardu, ku çoheshin fletët e letrës që kishim shtypur. Atje këto të fundit paloseshin në revista, qepeshin dhe priteshin me dorë. Pas kësaj, i çonim revistat e përfunduara në zyrën e postës, i ngjitnim ato në katin e tretë, ndihmonim punonjësit e saj që t’i ndanin dhe u vinim pullat zarfave për t’i dërguar me postë.

Rreth vitit 1954, numri i Dëshmitarëve në Greqi ishte rritur në më shumë se 4.000 veta dhe nevojitej një zgjerim i ndërtesave. Për këtë arsye, ne u transferuam në një Bethel të ri trikatësh, në qendër të Athinës, në rrugën Kartali. Në 1958-n, mua më kërkuan që të kisha nën kujdes kuzhinën dhe kjo ishte përgjegjësia ime deri në 1983-shin. Ndërkohë, në 1959-n, u martova me Elefterinë, e cila qe për mua një ndihmëse besnike në shërbimin e Jehovait.

Duke i bërë ballë rishtas kundërshtimit

Në 1967-n, një juntë ushtarake mori fuqinë dhe mbi veprën tonë të predikimit u vunë rishtas kufizime. Por, duke pasur përvojë të mëparshme lidhur me përballimin e ndalimit të aktivitetit tonë, ne u përshtatëm menjëherë dhe vazhduam me sukses në fshehtësi.

Mbledhjet i mbanim në shtëpi private dhe tregonim kujdes në shërbimin shtëpi më shtëpi. Megjithatë, vëllezërit tanë arrestoheshin rregullisht dhe rastet gjyqësore u shtuan. Avokatët tanë ishin gjithmonë në udhëtime, për të trajtuar çështjet gjyqësore që mbaheshin në pjesë të ndryshme të vendit. Pavarësisht nga kundërshtimi, shumica e Dëshmitarëve mbajtën rregull në aktivitetin e tyre të predikimit, sidomos gjatë fundjavëve.

Gjatë të shtunave dhe të dielave të zakonshme, pas përfundimit të predikimit për atë ditë, bëhej një kontroll për të parë se kush mungonte nga grupet tona. Zakonisht, ata që mungonin ishin mbajtur në rajonin më të afërt të policisë. Kështu që u çonim batanije e ushqim dhe u ofronim inkurajim. Përveç kësaj, vinim në dijeni avokatët tanë, të cilët më pas, dilnin të hënën para prokurorit, për të mbrojtur ata që ishin mbajtur në arrest. Lumturisht, e përballuam këtë situatë, pasi po vuanim për hir të së vërtetës!

Gjatë ndalimit, aktiviteti ynë i shtypjes në Bethel, ishte mbyllur. Për këtë arsye, shtëpia e cila gjendej në periferi të Athinës, ku jetoja unë me Elefterinë, u bë si një shtypshkronjë. Elefteria shtypte kopje të artikujve të Kullës së Rojës, duke përdorur një makinë të rëndë shkrimi. Ajo vinte dhjetë fletë letrash përnjëherësh me fletë karboni në mes dhe duhej të shtypte shumë fort tastet e makinës së shkrimit, në mënyrë që letrat të shtypeshin. Më pas, unë mblidhja faqet dhe i qepja. Çdo mbrëmje, kjo gjë vazhdonte deri në mesnatë. Në apartamentin poshtë nesh banonte një polic dhe akoma pyesim veten se përse ai nuk dyshoi kurrë.

Gëzimi në zgjerimin e vazhdueshëm

Në 1974-n, në Greqi u vendos demokracia dhe vepra jonë e predikimit kryhej përsëri më haptazi. Megjithatë, gjatë shtatë vjetëve të kufizimit të veprës sonë, ne patëm një rritje të mrekullueshme në më shumë se 6.000 Dëshmitarë të rinj, duke arritur një numër të përgjithshëm prej më shumë se 17.000 lajmëtarësh të Mbretërisë.

Veç kësaj, filluam sërish aktivitetin e rregullt të shtypjes në ambientet e degës. Si rezultat, ndërtesat e Bethelit në rrugën Kartali, shpejt u bënë tepër të vogla. Prandaj, u ble 1 ha truall tokë në Marusi, në periferi të Athinës. Ambientet e Bethelit të ri që u ndërtua, përfshinin 27 dhoma gjumi, një fabrikë, zyra dhe ndërtesa të tjera. Këto u dedikuan në tetor të 1979-s.

Me kalimin e kohës, kishin nevojë për më shumë vend. Kështu që u blenë 22 ha tokë, rreth 60 km në veri të Athinës. Vendi është në Eleona, në një shpat kodre me pamje nga malet dhe luginat e ujitura mirë. Atje, në prill të 1991-shit, ne dedikuam një ndërtesë shumë më të madhe që përmbante 22 shtëpi, ku mund të rehatohen 8 persona në secilën.

Pasi kalova mbi 60 vjet në shërbimin e plotë kohor, akoma jam i bekuar me një shëndet të mirë. Lumturisht, jam «duke përparuar gjatë pleqërisë». (Psalmi 92:14, BR) I jam veçanërisht mirënjohës Jehovait, që kam jetuar për ta parë me sytë e mi rritjen e madhe në numër të adhuruesve të tij të vërtetë. Këtë rritje e paratha profeti Isaia: «Portat e tua do të jenë gjithnjë të hapura, nuk do të mbyllen as ditën, as natën, që të mund të futin te ti pasurinë e kombeve.»​—Isaia 60:11.

Sa e mrekullueshme është të shohësh miliona njerëz nga të gjitha kombet, që grumbullohen në organizatën e Jehovait dhe mësohen se si t’i mbijetojnë mjerimit të madh për të kaluar në botën e re të Perëndisë! (2. Pjetrit 3:13) Me besim mund të them se shërbimi i plotë kohor, doli më i çmuar për mua, sesa çdo gjë tjetër që bota ofron. Po, nuk kam gjetur thesare me florinj, por diamante frymore, që e kanë pasuruar pa masë jetën time.

[Figurat në faqen 23]

Mihalis dhe Elefteria Kaminaris

(Në të djathtë) Shtypshkronja në rrugën Lombardu

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo