A ke frikë t’u besosh të tjerëve?
«NUK kam asnjë me kë të flas. Njerëzit nuk do të kuptojnë. Ata janë tepër të zënë me problemet e tyre. Nuk kanë kohë për të harxhuar me mua.» Shumë mendojnë kështu, e në këtë mënyrë i mbajnë gjërat në vetvete. Kur të tjerët i pyesin se si janë, shpeshherë duan t’u tregojnë, por nuk e bëjnë. Me pak fjalë, ata nuk mund të hapen.
Është e vërtetë se ka edhe nga ata që nuk dëshirojnë ndihmë nga të tjerët. Por shumë njerëz duan me padurim ndihmë, por kanë frikë të zbulojnë mendimet, ndjenjat dhe përvojat e tyre më intime. A je një prej tyre? Vërtet s’ka asnjë, të cilit mund t’i besosh?
Të kuptojmë frikën
Në botën e sotme ekziston një atmosferë mosbesimi. Të rinjtë nuk flasin me prindërit e tyre. Prindërit nuk mund të flasin me njëri-tjetrin. Të paktë janë ata që tregohen të gatshëm për të folur me personat që janë me autoritet. Duke mos qenë në gjendje për t’u hapur zemrën të tjerëve, disa i kthehen alkoolit, drogave apo një mënyre jetese shtazarake, në përpjekje për t’u bërë bisht problemeve të tyre.—Proverbat 23:29-35; Isaia 56:12.
Besimi në figura të tilla autoritare, si klerikët, mjekët, terapistët dhe mësuesit, është lëkundur nga zbulimet pa mbarim të pandershmërisë dhe të imoralitetit. Për shembull, një përllogaritje thotë se 10 për qind e klerikëve janë të përfshirë në sjellje të papërshtatshme seksuale. Siç vëren një shkrimtar, këta «rrënues të besimit», «gërmojnë gryka të thikëta, të çara dhe plasa në marrëdhëniet njerëzore». Si ndikon kjo gjë mbi kongregacionet e tyre? Shkatërron besimin.
Rënia e përhapur e moralit, ka çuar, gjithashtu, në një krizë brenda familjes, deri në atë pikë sa familjet që nuk funksionojnë janë pothuaj një normë dhe jo një përjashtim. Njëherë e njëkohë, shtëpia përbënte mjedis edukativ. Sot, shpeshherë është kthyer si një hotel. Kur një fëmijë rritet në një familje, ku nuk ka «dashuri të përzemërt natyrore», një rezultat i zakonshëm është paaftësia për t’u besuar të tjerëve gjatë moshës së rritur.—2. Timoteut 3:3, BR.
Për më tepër, ndërsa kushtet e botës keqësohen, ne gjendemi gjithnjë e më shumë të ekspozuar ndaj përvojave që mund të kenë efekt tronditës. Gjatë një situate të ngjashme, profeti Mikea shkroi: «Mos i zini besë mikut të ngushtë.» (Mikea 7:5) Mund të të pushtojë e njëjta ndjenjë pas një zhgënjimi të vogël, një humbjeje të besimit apo një episodi më të madh që kërcënon jetën. E ke të vështirë t’u besosh sërish të tjerëve dhe mpihesh gjithnjë e më shumë emocionalisht, duke jetuar çdo ditë pas një muri emocional. (Krahaso Psalmin 102:1-7.) Është e vërtetë që ky qëndrim mund të të ndihmojë për të qenë funksionues, por «dhimbja e zemrës» të grabit çdo gëzim konkret në jetë. (Proverbat 15:13) E vërteta është se që të jesh i shëndetshëm frymësisht, emocionalisht, mendërisht dhe fizikisht, ai mur duhet rrëzuar dhe duhet të mësosh të kesh besim tek njerëzit. A është e mundur një gjë e tillë? Po.
Përse duhet rrëzuar muri?
Besimi tek të tjerët i sjell ngushëllim një zemre të trazuar. Këtë përvojë pati Ana. Ajo gëzonte një martesë të mirë, kishte një shtëpi të sigurt, por ishte thellësisht e pikëlluar. Edhe pse ishte «e hidhëruar në shpirt», ajo me mençuri «filloi t’i lutej Jehovait» me një intensitet të tillë që i bëri buzët e saj të heshtura të dridheshin. Po, ajo ia hapi zemrën Jehovait. Më pas, ajo ia hapi zemrën përfaqësuesit të Perëndisë, Elisë. Çfarë erdhi si rezultat? «[Ana] shkonte në rrugën e saj, hante dhe fytyra e saj nuk ishte më e shqetësuar për veten.»—1. Samuelit 1:1-18, BR.
Shumica e kulturave i kanë njohur dobitë e hapjes për gjëra intime. Për shembull, mund të jetë e dobishme, ndarja e ideve dhe e përvojave me ata që kanë qenë në një situatë të ngjashme. Kërkuesit dalin në këtë përfundim: «Veçimi emocional të sëmur; për të qenë të shëndetshëm mendërisht, duhet të hapemi.» Një grumbullim gjithnjë e më i madh i kërkimeve shkencore përforcon vërtetësinë e proverbit të frymëzuar, i cili thotë: «Kush veçohet kërkon kënaqësinë e tij dhe zemërohet kundër gjithë diturisë së vërtetë.»—Proverbat 18:1.
Nëse nuk hapesh me të tjerët, si mund të të ndihmojnë ata? Ndërsa Perëndia Jehova është lexuesi i zemrave, po të mos hapesh, mendimet dhe ndjenjat e tua më të brendshme janë një libër i mbyllur për familjen dhe miqtë. (1. Kronikave 28:9) Kur problemi ka të bëjë me një shkelje të ligjit të Perëndisë, shtyrja e rrëfimit të çështjes s’bën gjë tjetër, veçse i keqëson gjërat.—Proverbat 28:13.
Sigurisht, dobitë që vijnë nga besimi i ankthit të tjerëve, ka më shumë peshë sesa rreziku i lëndimit. Natyrisht, kjo nuk do të thotë se duhet të bëjmë të njohur hollësirat personale pa bërë asnjë dallim. (Krahaso Gjykatësit 16:18; Jeremia 9:4; Luka 21:16.) «Ekzistojnë shokë të prirë për të bërë copa-copa njëri-tjetrin»,—paralajmëron Proverbat 18:24, e më pas, shton: «Ekziston një mik që mbahet më afër se një vëlla.» (BR) Ku mund ta gjesh një mik të tillë?
Ki besim në familjen tënde
Kur ke një problem, a përpiqesh ta diskutosh atë me bashkëshortin apo me prindërit? «Për shumë probleme, një bisedë e thellë në lidhje me to, është gjithçka që nevojitet»,—pranon një këshillues me përvojë. (Proverbat 27:9) Burrat e krishterë që ‘i duan gratë e tyre si vetveten’, gratë që janë ‘të nënshtruara ndaj burrave të tyre’ dhe prindërit që e marrin seriozisht përgjegjësinë që u ka caktuar Perëndia ‘për t’i rritur fëmijët e tyre në rregullin mendor të Jehovait’ do të punojnë shumë, për t’u bërë dëgjues empatikë dhe këshillues të dobishëm. (Efesianëve 5:22, 33; 6:4, BR) Ç’shembull të mrekullueshëm la Jezui në këtë aspekt, edhe pse nuk kishte as grua e as fëmijë në kuptimin mishor!—Marku 10:13-16; Efesianëve 5:25-27.
Çfarë mund të bëhet, nëse problemi është përtej aftësisë së anëtarëve të familjes? Nuk ka arsye përse të jemi të vetëm në kongregacionin e krishterë. «Kush është i dobët, që të mos jem edhe unë?»—tha apostulli Pavël. (2. Korintasve 11:29) Ai këshilloi: «Mbani barrët e njëri-tjetrit.» (Galatasve 6:2; Romakëve 15:1) Mes vëllezërve dhe motrave tona frymore, ne mund të gjejmë padyshim më shumë se një ‘vëlla që lind për ditë të vështira’.—Proverbat 17:17.
Ki besim tek kongregacioni
Në më shumë se 80.000 kongregacione të Dëshmitarëve të Jehovait në mbarë tokën, ka njerëz të përulur, të cilët shërbejnë si «bashkëpunëtorët e gëzimit tuaj». (2. Korintasve 1:24) Këta janë pleqtë. «Secili prej tyre,—vëren Isaia,—do të jetë si një mbrojtje nga era dhe një strehë kundër uraganit, si rrëke uji në një vend të thatë, si hija e një shkëmbi të madh në një tokë të zhuritur.» Kështu përpiqen të jenë edhe pleqtë.—Isaia 32:2; 50:4; 1. Selanikasve 5:14.
Përpara se ‘të emërohen nga fryma e shenjtë’, pleqtë përmbushin kërkesat biblike. Dijenia mbi këtë do të forcojë besimin tënd tek ata. (Veprat 20:28, BR; 1. Timoteut 3:2-7; Titit 1:5-9) Ajo që ti diskuton me një plak, do të mbetet rreptësisht sekrete. Të qenët i denjë për besim është një ndër cilësitë kualifikuese të tij.—Krahaso Daljen 18:21; Nehemia 7:2.
Pleqtë në kongregacion «rrijnë zgjuar mbi shpirtrat tuaj, si ata që duhet të japin llogari». (Hebrenjve 13:17) A nuk të nxit kjo gjë që të vësh besimin në këta njerëz? Natyrisht, jo të gjithë pleqtë shkëlqejnë në të njëjtat cilësi. Disa mund të duken më të afrueshëm, më të butë apo më të kuptueshëm sesa të tjerët. (2. Korintasve 12:15; 1. Selanikasve 2:7, 8, 11) Përse të mos hapesh me një plak, me të cilin ndihesh rehat?
Këta burra nuk janë profesionistë që paguhen. Përkundrazi, ata janë «dhurata në njerëz», të siguruara nga Jehovai për të të ndihmuar. (Efesianëve 4:8, 11-13, BR; Galatasve 6:1) Si? Duke përdorur me mjeshtëri Biblën, ata do të zbatojnë fuqinë e saj shëruese në lidhje me situatën tënde personale. (Psalmi 107:20; Proverbat 12:18; Hebrenjve 4:12, 13) Ata do të luten me ty dhe për ty. (Filipianëve 1:9; Jakovit 5:13-18) Ndihma prej këtyre këshilluesve të dashur, mund të bëjë shumë për të shëruar një shpirt të trazuar dhe për të rivendosur paqe në mendje.
Si të ndërtojmë marrëdhënie të besueshme
Kërkimi i ndihmës, i këshillës apo edhe vetëm i një veshi dëgjues nuk është shenjë e dobësisë apo e dështimit. Është vetëm një pranim realist se jemi të papërsosur dhe se asnjë nuk i ka të gjitha përgjigjet. Sigurisht, këshilluesi më i madh dhe më i besuar që kemi, është Ati ynë qiellor, Perëndia Jehova. Ne pajtohemi me psalmistin, i cili shkroi: «Zoti është forca ime dhe mburoja ime; zemra ime ka pasur besim tek ai dhe unë u ndihmova.» (Psalmi 28:7) Me anë të lutjes, ne mund ‘t’ia hapim zemrën’ atij në çdo kohë pa rezerva, të sigurt se ai na dëgjon dhe kujdeset për ne.—Psalmi 62:7, 8; 1. Pjetrit 5:7.
Por si mund të mësosh të kesh besim tek pleqtë dhe tek të tjerët në kongregacion? Së pari, shqyrto veten. A justifikohet në mënyrë të qëndrueshme frika që ke? A je dyshues lidhur me motivet e të tjerëve? (1. Korintasve 13:4, 7) A ka ndonjë mënyrë për të minimizuar rrezikun e lëndimit? Po. Si? Përpiqu të njohësh në një mjedis frymor të tjerët që ke zgjedhur si të besuar të mundshëm. Fol me ta në mbledhjet e kongregacionit. Shkoni së bashku në predikimin shtëpi më shtëpi. Besimi ashtu si edhe respekti duhet fituar. Prandaj, ji i durueshëm. Për shembull, ndërsa njeh një bari frymor, besimi yt në të do të rritet. Zbuloji shqetësimet e tua në mënyrë graduale. Nëse ai përgjigjet në një mënyrë të përshtatshme, dashamirëse dhe me maturi, atëherë mund të përpiqesh që të hapesh edhe për gjëra të tjera.
Ata që adhurojnë me ne Jehovain, e sidomos pleqtë e krishterë, punojnë me tërë forcat për të imituar, në marrëdhëniet me njëri-tjetrin, cilësitë e Perëndisë që të hyjnë në zemër. (Mateu 5:48) Kjo gjë krijon një atmosferë besimi në kongregacion. Një plak me përvojë shumëvjeçare, thotë: «Vëllezërit duhet të dinë një gjë: Pavarësisht se çfarë bën një person, plaku nuk e humb dashurinë e tij të krishterë për të. Ai mund të mos e pëlqejë atë që ka bërë, por përsëri e do vëllanë e tij dhe dëshiron që ta ndihmojë.»
Prandaj, nuk ka pse të ndihesh i vetëm në një problem. Fol me dikë që ka «cilësi frymore» dhe mund të të ndihmojë që të mbash mbi supe barrën tënde. (Galatasve 6:1) Mos harro se «shqetësimi në zemrën e njeriut e rrëzon atë», por «fjalët e ëmbla janë si një huall mjalti, ëmbëlsi për shpirtin dhe ilaç për kockat».—Proverbat 12:25; 16:24.
[Kutia në faqen 26]
Çdo të krishteri mund t’i duhet të ndihmojë një të afërm, një mik apo një vëlla frymor në një problem personal. A di si t’i ndihmosh?
Një këshillues i efektshëm
është i afrueshëm: Mateu 11:28, 29; 1. Pjetrit 1:22; 5:2, 3
zgjedh rrethanat e duhura: Marku 9:33-37
përpiqet të kuptojë problemin: Luka 8:18; Jakovit 1:19
nuk reagon më shumë nga ç’duhet: Kolosianëve 3:12-14
ndihmon për të përballuar ndjenjat e dhimbshme: 1. Selanikasve 5:14; 1. Pjetrit 3:8
i njeh kufizimet e tij: Galatasve 6:3; 1. Pjetrit 5:5
jep këshilla specifike: Psalmi 19:7-9; Proverbat 24:26
mban sekretin: Proverbat 10:19; 25:9