«Vetëm një prej jetëve të shumta që preke ti»
NË JANARIN e vitit 1996, Karola ishte e sëmurë me një tumor në tru. Ajo ishte në të 60-at dhe deri atëherë kishte qenë gjithmonë një grua e lumtur dhe e shëndetshme, me një fjalë inkurajuese për këdo. Por tani, doktorët po përpiqeshin të mposhtnin tumorin vdekjeprurës. Në mes të betejës së saj, Karola mori letrën vijuese:
«E dashur Karola:
Më vjen shumë keq për shëndetin tënd në rënie. Lumturisht, ne kemi shpresën e vërtetë që Bibla na ndihmon ta njohim e ta duam. Kjo shpresë është që Mbretëria e Jehovait të sundojë tokën, kështu që ne të mund të jetojmë në kushte parajsore, një kohë që mezi e presim.
Dëshiroj të dish se vepra jote personale e predikimit shpëtoi shumë njerëz nga vdekja e përhershme. Unë jam një prej atyre njerëzve. Nuk jam i sigurt nëse e kujton herën e parë që jemi takuar. Në atë kohë isha 20 vjeç. Kisha flokë të gjatë, shisja drogë dhe sorollatesha me një grup gangsterësh. Mbanim të gjithë pushkë dhe nuk kishim dashuri të vërtetë për askënd, përveçse për veten tonë.
Ti trokite në derën time bashkë me një Dëshmitare tjetër dhe më ofrove Kullën e Rojës dhe Zgjohuni! U përpoqa të të jepja një dollar dhe të thashë se nuk i doja revistat. Më bëre të ditur se ju nuk dilnit thjesht për të marrë dhurime. Më the se po kryenit një vepër për të ndihmuar njerëzit që të lexonin Biblën. Nuk jam i sigurt nëse i mora apo nëse i lexova revistat. Megjithatë, ti mbolle farën e së vërtetës në jetën time.
Disa vite më vonë, ndërsa ndodhesha në shtëpinë e nënës sime, erdhi një Dëshmitar tjetër, Geri. I tregova për vizitën që ti kishe bërë disa vite më parë. Unë studiova Biblën me Gerin për një kohë të gjatë, derisa më në fund u pagëzova në vitin 1984. Tani jam duke u mësuar fëmijëve të mi të vërtetën e Mbretërisë së Perëndisë.
Jam i sigurt se jam vetëm një prej jetëve të shumta që ti ke prekur gjatë viteve të tua të shërbimit besimplotë. Megjithatë, nëpërmjet kësaj dashamirësie të dashur, ti më ke dhënë mundësinë mua dhe familjes sime për të njohur Perëndinë e Madh, Jehovain dhe Birin e tij, Krishtin Jezu. Mezi pres ditën që të mund të të shoh në sistemin e ri të gjërave, kur Jehovai do të fshijë çdo lot nga sytë tanë dhe kur vdekja nuk do të jetë më.—Zbulesa 21:4.
Sa për mua dhe familjen time, jemi të kënaqur që patëm mundësinë të të njohim dhe të jemi një pjesë e veprës tënde të dëshmisë. Faleminderit.
Me dashuri vëllazërore,
Piteri»
Pas një sëmundjeje prej gjashtë muajsh, Karola vdiq në mars 1996, pasi kishte mbjellë shumë farëra të së vërtetës në rrjedhën e 35 vjetëve të saj si ungjillëzuese e zellshme. Ajo mësoi se një person nuk e di kurrë se kur do të sjellë fryt një farë, madje edhe vite më vonë.—Mateu 13:23.