Përse nuk ndërtohet besimi vetëm nga mrekullitë?
TA SHOH, pa ta besoj. Kjo është pikëpamja e shumë njerëzve. Disa thonë se do të besonin në Perëndinë, nëse ai do ta zbulonte veten në ndonjë mënyrë të mrekullueshme. Ndoshta është kështu, por a do t’i çonte një bindje e tillë drejt besimit të vërtetë?
Le të mendojmë pak për Korahun, Datanin dhe Abiramin, të cilët ishin izraelitë. Bibla tregon se ata ishin dëshmitarë okularë të mrekullive të Perëndisë që të frymëzonin frikë, të cilat ishin: dhjetë plagët mbi Egjiptin, shpëtimi i kombit të Izraelit mespërmes Detit të Kuq dhe shfarosja e faraonit egjiptian bashkë me forcat e tij ushtarake. (Dalja [Eksodi] 7:19–11:10; 12:29-32; Psalmi 136:15) Veç këtyre, Korahu, Datani dhe Abirami, dëgjuan Jehovain tek fliste nga qielli në malin Sinai. (Ligji i përtërirë 4:11, 12) E megjithatë, pak kohë pasi ndodhën këto mrekulli, të tre burrat nxitën një rebelim kundër Jehovait dhe shërbëtorëve të tij të emëruar.—Numrat 16:1-35; Psalmi 106:16-18.
Rreth 40 vjet më vonë, edhe një profet i quajtur Balaam qe dëshmitar i një mrekullie. As ndërhyrja engjëllore nuk e sprapsi atë që të merrte anën e moabitëve, armiqve të Perëndisë. Pavarësisht nga ajo mrekulli, Balaami vazhdoi përpara dhe mori qëndrim kundër Perëndisë Jehova dhe popullit të Tij. (Numrat 22:1-35; 2. Pjetrit 2:15, 16) Megjithatë, mungesa e besimit nga ana e Balaamit është e papërfillshme në krahasim me atë të Juda Iskariotit. Ndonëse kishte qenë një shok i ngushtë i Jezuit dhe një dëshmitar okular i një sërë mrekullish të jashtëzakonshme, Juda e tradhtoi Jezuin për tridhjetë monedha argjendi.—Mateu 26:14-16, 47-50; 27:3-5.
Edhe krerët fetarë judenj ishin, gjithashtu, të vetëdijshëm për shumë mrekulli të Jezuit. Pasi ringjalli Lazrin, ata bile pranuan: «Ky njeri po bën shumë shenja.» Por, a ua zbuti zemrat dhe a u dha atyre besim fakti që panë Lazrin tani në jetë. Jo, aspak. Përkundrazi, ata thurën planet për të vrarë Jezuin dhe Lazrin bashkë!—Gjoni 11:47-53; 12:10.
Edhe ndërhyrja e drejtpërdrejtë e Perëndisë nuk arriti të ngjallte besim tek ata njerëz të ligj. Në një rast, ndërsa gjendej në rrethinat e tempullit, Jezui u lut me zë: «O Atë, përlëvdo emrin tënd!» Jehovai iu përgjigj me zë nga qielli: «E kam përlëvduar dhe do ta përlëvdoj akoma!» Por prapëseprapë, kjo ndodhi e mrekullueshme nuk ngjalli besim në zemrat e atyre që ishin të pranishëm. Bibla thotë: «Ndonëse kishte bërë shumë shenja para tyre, ata nuk besonin në të.»—Gjoni 12:28-30, 37; krahaso Efesianëve 3:17.
Përse besimi nuk ndërtohet nga mrekullitë?
Si është e mundur që të ekzistojë një mungesë e tillë besimi përballë kaq shumë mrekullive? Mospranimi i Jezuit nga krerët fetarë judenj, duket veçanërisht i pakuptueshëm, kur mendon se pikërisht në kohën kur ai filloi shërbimin e tij, judenjtë si një komb i tërë ishin «në pritje» të «Krishtit» apo të Mesisë. (Luka 3:15) Gjithsesi, problemi qëndron në faktin se çfarë ishin ato pritje. Leksikografi W. E. Vine citon një dijetar të mirënjohur të Biblës tek thotë se judenjve u ishte ngulitur në mendje ideja e një Mesie, i cili do t’u jepte atyre «triumfin në këtë botë» dhe «begatinë materiale». Për këtë arsye, ata nuk ishin të përgatitur për Jezuin e përulur dhe apolitik nga Nazareti, i cili u shfaq si Mesia i vërtetë në mesin e tyre, në vitin 29 të e.s. Veç kësaj, krerët fetarë kishin frikë se mësimet e Jezuit do të përmbysnin gjendjen ekzistuese dhe do të rrezikonin pozitat e tyre të shquara. (Gjoni 11:48) Idetë e formuara më parë dhe egoizmi i tyre i verbuan ata karshi domethënies së mrekullive të Jezuit.
Krerët fetarë judenj dhe më vonë edhe të tjerë, e hodhën poshtë provën e mrekullueshme se ithtarët e Jezuit gëzonin favorin hyjnor. Për shembull, kur apostujt e tij shëruan një burrë që kishte qenë i çalë që nga lindja, anëtarët e inatosur të gjyqit të lartë jude, pyetën: «Ç’t’u bëjmë këtyre njerëzve? Sepse u është njohur të gjithë banorëve të Jerusalemit se është bërë një mrekulli e dukshme prej tyre dhe ne nuk mund ta mohojmë; por, që kjo të mos përhapet më shumë në popull, t’i shtrëngojmë me kërcënime të rrepta të mos i flasin më asnjeriu në këtë emër.» (Veprat 3:1-8; 4:13-17) Është e qartë se kjo mrekulli e mahnitshme nuk kishte ndërtuar apo ngjallur besimin në zemrat e atyre njerëzve.
Ambicia, krenaria dhe lakmia janë faktorë, të cilët i kanë nxitur shumë njerëz që t’i vënë shulin derës së zemrave të tyre. Siç duket, kështu ka qenë edhe në rastin e Korahut, Datanit dhe Abiramit, të përmendur në fillim. Të tjerë janë penguar nga xhelozia, frika dhe një varg qëndrimesh të tjera të dëmshme. Na kujtohen, gjithashtu, engjëjt e pabindur, demonët, të cilët njëherë e një kohë kishin pasur privilegjin që të shihnin vetë fytyrën e Perëndisë. (Mateu 18:10) Ata nuk e vënë në dyshim ekzistencën e Perëndisë. Në fakt, «demonët besojnë dhe dridhen». (Jakovit 2:19) Megjithatë, ata nuk kanë besim në Perëndinë.
Domethënia e besimit të vërtetë
Besimi është shumë më tepër sesa bindja e thjeshtë. Është, gjithashtu, shumë më tepër sesa një reagim emocional i çastit ndaj ndonjë mrekullie. Hebrenjve 11:1 thotë: «Besimi është pritja e sigurt e gjërave të shpresuara, shfaqja e dukshme e realiteteve, edhe pse të papara.» (BR) Një individ që ka besim është i bindur në zemrën e vet se çdo gjë që ka premtuar Perëndia Jehova është pothuaj e përmbushur. Për më tepër, prova e pamohueshme e realiteteve të padukshme është kaq e fuqishme, saqë thuhet se vetë besimi është i barasvlershëm me atë provë. Po, besimi bazohet në prova. Në të kaluarën, mrekullitë luajtën një rol në zhvillimin e besimit apo në ndërtimin e tij. Shenjat e kryera nga Jezui shërbyen për t’i bindur të tjerët se ai ishte Mesia i premtuar. (Mateu 8:16, 17; Hebrenjve 2:2-4) Po ashtu, dhuratat e frymës së shenjtë apo të forcës aktive të Perëndisë, si shërimet e mrekullueshme dhe të folurit në gjuhë të tjera provuan se judenjtë nuk e gëzonin më favorin e Jehovait, por që miratimi i tij tani qëndronte mbi kongregacionin e krishterë, të themeluar nga Biri i tij, Jezu Krishti.—1. Korintasve 12:7-11.
Mes dhuratave të mrekullueshme të frymës ishte edhe aftësia për të profetizuar. Kur jobesimtarët vërejtën këtë mrekulli, disa ishin të nxitur që të adhuronin Jehovain, duke shpallur: «Perëndia është me të vërtetë midis jush.» (1. Korintasve 14:22-25) Megjithatë, Perëndia Jehova nuk kishte për qëllim që mrekullitë të ishin një veçori e përhershme e adhurimit të krishterë. Për këtë arsye, apostulli Pavël shkroi: «Nëse ka dhurata të profetizimit, ato do të eliminohen; nëse ka gjuhë, do të marrin fund.» (1. Korintasve 13:8, BR) Këto dhurata me sa duket morën fund me vdekjen e apostujve dhe të atyre që i kishin marrë këto dhurata përmes tyre.
Mos ndoshta atëherë njerëzit do të liheshin pa një bazë për besim? Jo, sepse Pavli tha: «[Perëndia] nuk e la veten e vet pa dëshmi, duke bërë mirë, duke na dhënë shira prej qiellit dhe stinë të frytshme dhe duke i mbushur zemrat tona me ushqim dhe gëzim.» (Veprat 14:17) Vërtet, për personat me zemër të ndershme, të cilët janë të gatshëm për të hapur mendjet dhe zemrat e tyre ndaj dëshmisë që na rrethon, «cilësitë e tij të padukshme, fuqia e tij e përjetshme dhe hyjnia e tij [e Perëndisë Jehova], duke qenë të dukshme nëpërmjet veprave të tij që nga krijimi i botës, shihen qartë, me qëllim që ata të jenë të pafalshëm».—Romakëve 1:20.
Nevojitet më shumë sesa bindja në ekzistencën e Perëndisë. Pavli nxiti: «Mos u konformoni me këtë botë, por transformohuni me anë të ripërtëritjes së mendjes suaj, që të provoni cili është i miri, i pëlqyeri dhe i përsosuri vullnet i Perëndisë.» (Romakëve 12:2) Kjo gjë mund të bëhet duke studiuar me zell Shkrimet, me ndihmën e botimeve të krishtere, siç është edhe kjo revistë. Besimi i bazuar në njohurinë e saktë të Fjalës së Perëndisë, Biblës, nuk është i dobët apo i cekët. Ata që e kanë shquar vullnetin e Perëndisë dhe e kryejnë atë me besim, bëjnë shërbim të shenjtë ndaj Perëndisë.—Romakëve 12:1.
Të besosh edhe pse pa parë
Apostulli Thoma e kishte të vështirë të ushtronte besim në ringjalljen e Jezuit nga vdekja. «Po nuk e pashë në duart e tij shenjën e gozhdëve dhe po nuk e vura gishtin te shenja e gozhdëve dhe dorën time në brinjën e tij, unë nuk do të besoj»,—deklaroi Thomai. Kur më vonë Jezui u materializua në një trup që tregonte plagët e gozhdimit të tij në shtyllë, Thomai reagoi pozitivisht ndaj kësaj mrekullie. Por, Jezui tha: «Lum ata që nuk kanë parë dhe kanë besuar!»—Gjoni 20:25-29.
Sot, miliona Dëshmitarë të Jehovait «janë duke ecur nëpërmjet besimit, jo nëpërmjet shikimit». (2. Korintasve 5:7, BR) Edhe pse ata nuk i kanë parë mrekullitë e shkruara në Bibël, besojnë patundshmërisht se ato kanë ndodhur. Dëshmitarët ushtrojnë besim në Perëndinë dhe në Fjalën e tij. Me ndihmën e frymës së tij, ata janë në gjendje të kuptojnë mësimet e Biblës dhe temën mbizotëruese të saj: shfajësimin e sovranitetit të Perëndisë Jehova, përmes Mbretërisë së tij qiellore. (Mateu 6:9, 10; 2. Timoteut 3:16, 17) Duke nxjerrë dobi të madhe për veten e tyre, këta të krishterë të vërtetë zbatojnë në jetë këshillën e mençur të Biblës. (Psalmi 119:105; Isaia 48:17, 18) Ata pranojnë provën e pakundërshtueshme se profecitë e Biblës e identifikojnë kohën tonë si «ditët e fundit» dhe kanë besim se bota e re e premtuar nga Perëndia është shumë afër. (2. Timoteut 3:1-5; Mateu 24:3-14; 2. Pjetrit 3:13) Është gëzim për ta që të ndajnë me të tjerët njohurinë e Perëndisë. (Proverbat 2:1-5) Ata e dinë se vetëm me anë të studimit të Shkrimeve, ata që e kërkojnë Perëndinë mund ta gjejnë.—Veprat 17:26, 27.
A të kujtohet Alberti që përmendëm në artikullin e mëparshëm? Pak ditë pasi lutja e tij për një mrekulli nuk kishte marrë përgjigje, e vizitoi një Dëshmitare e Jehovait, një grua e moshuar, e cila i kishte lënë ca literaturë që bazohej në Bibël. Më pas, Alberti pranoi një studim biblik në shtëpi pa pagesë. Ndërsa njihej më mirë me mesazhin e Biblës, zhgënjimi i tij u kthye në ngazëllim. Ai filloi të kuptonte se kishte gjetur më në fund Perëndinë.
Shkrimet na nxisin: «Kërkoni Zotin ndërsa mund të gjendet, e thirrni ndërsa është afër.» (Isaia 55:6) Ti mund ta bësh këtë, jo duke pritur një mrekulli nga Perëndia, në ditët e sotme, por duke fituar njohurinë e saktë të Fjalës së tij. Kjo është e nevojshme, sepse besimi nuk ndërtohet vetëm nga mrekullitë.
[Figura në faqen 5]
Edhe ringjallja e mrekullueshme e Lazrit nuk i shtyu armiqtë e Jezuit të ushtronin besim
[Figurat në faqen 7]
Besimi duhet të jetë i bazuar në njohurinë e saktë të Biblës