A duhet të shkojë fëmija yt në një shkollë me konvikt?
MENDO sikur jeton në një qytet të vogël, në një vend që është në zhvillim e sipër. Ke disa fëmijë në shkollën fillore, por në moshën 12-vjeçare, ata do të ndjekin shkollën tetëvjeçare. Në zonën tënde, shkollat tetëvjeçare janë të mbushura plot e përplot, me mungesa në pajisjet e nevojshme dhe të varfra në mësues të mjaftueshëm e të kualifikuar. Shpeshherë, shkollat mbyllen përnjëherësh për javë apo muaj nga grevat.
Dikush të lë në dorë një broshurë tërheqëse, që përshkruan një shkollë me konvikt në qytet. Shikon fotografi me nxënës të lumtur e të veshur bukur, që studiojnë në klasa, laboratorë dhe biblioteka të pajisura mirë. Nxënësit përdorin kompjuterin dhe çlodhen në dhoma fjetjeje të pastra e tërheqëse. Në broshurë lexon se një nga synimet e shkollës, është që të ndihmojë nxënësit «të arrijnë kriterin më të lartë akademik, për të cilin ata janë të aftë». Më tej, lexon: «Nga të gjithë nxënësit kërkohet që t’i përmbahen një norme sjelljeje të ngjashme me atë që pritet normalisht brenda një familjeje, ku i vihet theks mirësjelljes, njerëzillëkut, respektit për prindërit dhe të moshuarit, bashkëpunimit, tolerancës, dashamirësisë, ndershmërisë dhe integritetit.»
Një djalë i ri me fytyrë të qeshur në një prej fotografive të broshurës, citohet duke thënë: «Prindërit më dhanë privilegjin e madh, për të ndjekur shkollën më të mirë.» Një vajzë thotë: «Shkolla është nxitëse dhe ngacmuese. Këtu të mësuarit vjen natyrshëm.» A do ta dërgoje birin apo bijën tënde në një shkollë të tillë me konvikt?
Arsimimi dhe gjendja frymore
Të gjithë prindërit e kujdesshëm dëshirojnë që t’u japin fëmijëve të tyre një themel të fortë për jetën dhe për këtë qëllim është i rëndësishëm një arsimim i shëndetshëm dhe i ekuilibruar. Shpesh, arsimimi në botë u hap dyert mundësive të ardhshme për punësim dhe i ndihmon të rinjtë që të zhvillohen në të rritur të aftë, për t’u kujdesur për veten dhe për familjet e tyre në të ardhmen.
«Nëse një shkollë me konvikt ofron një arsimim të mirë bashkë me njëfarë drejtimi moral, përse të mos përfitoj prej saj?»—mund të pyesësh ti. Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, prindërit e krishterë duhet të shqyrtojnë me lutje një faktor tepër të rëndësishëm: mirëqenien frymore të fëmijëve të tyre. Jezu Krishti pyeti: «Ç’dobi do të ketë njeriu të fitojë gjithë botën, nëse më pas do të humbë shpirtin e vet?» (Marku 8:36) Natyrisht, në këtë nuk ka aspak dobi. Prandaj, përpara se të vendosin t’i dërgojnë fëmijët e tyre në një shkollë me konvikt, prindërit e krishterë duhet të shqyrtojnë ndikimin që ajo mund të ketë mbi perspektivat e fëmijëve të tyre për jetën e përhershme.
Ndikimi i nxënësve të tjerë
Disa shkolla mund të kenë kriterin e një niveli të lartë akademik. Por, ç’mund të thuhet për normat morale të atyre që frekuentojnë apo ndoshta edhe të atyre që kryejnë ndonjë funksion në këto shkolla? Për sa i përket llojit të njerëzve, që do të ishin me bollëk në këto «ditë të fundit», apostulli Pavël shkroi: «Në ditët e fundit do të ketë kohë kritike, të vështira për t’u trajtuar. Sepse njerëzit do të jenë, dashurues të vetvetes, dashurues të parasë, mburravecë, mendjemëdhenj, blasfemues, të pabindur ndaj prindërve, mosmirënjohës, të pabesë, pa dashuri të përzemërt të natyrshme, të mbyllur për çdo marrëveshje, shpifës, pa vetëkontroll, të egër, pa dashuri për të mirën, tradhëtarë, kokëfortë, të fryrë me krenari, dashurues të kënaqësive, në vend se dashurues të Perëndisë, që kanë një formë të devotshmërisë së shenjtë, por që dalin të rremë ndaj fuqisë së saj; dhe prej këtyre largohu.»—2. Timoteut 3:1-5, BR.
Kjo rënie morale dhe frymore është mbarëbotërore, duke u paraqitur një sfidë Dëshmitarëve të Jehovait që të jetojnë sipas parimeve biblike. Nxënësit që kthehen në shtëpi çdo ditë, vërejnë se edhe shoqëria e tyre e kufizuar me shokë shkolle nga bota mund të ushtrojë një ndikim të fuqishëm negativ mbi gjendjen e tyre frymore. Kundërpërgjigjja ndaj këtij ndikimi mund të jetë vërtet një betejë për fëmijët Dëshmitarë, edhe me mbështetjen e përditshme emocionale dhe frymore, këshillat dhe inkurajimin e marrë nga prindërit e tyre.
Cila është, pra, situata e fëmijëve që dërgohen larg nga shtëpia e tyre nëpër shkolla me konvikt? Ata janë të izoluar, të shkëputur nga mbështetja e rregullt frymore e prindërve të dashur. Përderisa jetojnë me shokët e tyre të klasës 24 orë në ditë, presioni për t’iu përshtatur shumicës ushtron një ndikim më të fuqishëm mbi mendjet dhe zemrat e tyre të reja, sesa mund të ndodhë me ata nxënës që jetojnë në shtëpi. Një student tha: «Moralisht, një konviktor jeton në rrezik nga mëngjesi deri në darkë.»
Pavli shkroi: «Mos u gënjeni; shoqëritë e këqija prishin zakonet e mira.» (1. Korintasve 15:33) Prindërit e krishterë nuk duhet të gënjehen, për të menduar se fëmijët e tyre nuk do të pësojnë asnjë dëm frymor, nëse janë në shoqëri të vazhdueshme me ata që nuk i shërbejnë Perëndisë. Pas një periudhe kohe, fëmijët hyjnorë mund të bëhen të pandjeshëm ndaj vlerave të krishtere dhe mund të humbin gjithë çmueshmërinë për gjërat frymore. Nganjëherë, kjo nuk bëhet e dukshme për prindërit, derisa fëmijët e tyre të kenë lënë shkollën me konvikt. Atëherë, shpesh është tepër vonë për t’i rregulluar gjërat.
Përvoja e Klementit është tipike. Ai tregon: «Para se të shkoja në një shkollë me konvikt, kisha dashuri për të vërtetën dhe dilja me vëllezërit në shërbimin në fushë. Më pëlqente veçanërisht pjesëmarrja në studimin tonë familjar të Biblës dhe Studimi i Librit i Kongregacionit. Megjithatë, pasi shkova në shkollën me konvikt në moshën 14 vjeç, e lashë të vërtetën krejtësisht. Gjatë pesë vjetëve që isha në shkollë, nuk mora pjesë as edhe një herë të vetme në mbledhje. Si rezultat i shoqërisë së keqe, u përzieva me drogat, duhanin dhe pijen e rëndë.»
Ndikimi i mësuesve
Në çdo shkollë mund të ketë mësues të korruptuar moralisht, të cilët abuzojnë me pozitën e tyre të autoritetit. Disa janë mizorë dhe të ashpër, ndërsa të tjerë i shfrytëzojnë nxënësit e tyre seksualisht. Në shkollat me konvikt veprimet e mësuesve të tillë, ka shumë të ngjarë që të mbeten të paraportuara.
Megjithatë, shumica e mësuesve përpiqen sinqerisht që t’i stërvisin fëmijët për t’u bërë anëtarë frytdhënës të shoqërisë, t’i përshtaten botës përreth tyre dhe të bëhen një me të. Por këtu shtrihet një tjetër problem për fëmijët Dëshmitarë. Vlerat e botës nuk koincidojnë gjithmonë me parimet e krishtere. Ndërkohë që mësuesit i inkurajojnë nxënësit të bëhen pjesë e kësaj bote, Jezui tha se ithtarët e tij nuk duhet të jenë «pjesë e botës».—Gjoni 17:16, BR.
Po nëse lindin probleme, kur fëmijët janë duke ndjekur parimet biblike? Nëse fëmijët ndjekin një shkollë lokale dhe jetojnë në shtëpi, ata mund t’i diskutojnë këto çështje me prindërit e tyre. Nga ana e tyre, prindërit mund t’i drejtojnë fëmijët e vet dhe mundësisht të flasin me mësuesin. Si rezultat, problemet dhe keqkuptimet zgjidhen zakonisht shpejt.
Në shkollat me konvikt ndryshon puna. Nxënës të tillë janë nën kontrollin e vazhdueshëm të mësuesve të tyre. Nëse fëmijët marrin qëndrim për parimet e krishtere, ata duhet ta bëjnë këtë pa mbështetjen e përditshme të prindërve të tyre. Nganjëherë, fëmijët ia dalin mbanë të qëndrojnë besimplotë ndaj Perëndisë nën rrethana të tilla. Por më shpesh, nuk ia dalin dot. Një fëmijë ka të ngjarë t’i nënshtrohet vullnetit të mësuesit.
Lëvizje e kufizuar
Ndryshe nga universitetet, ku studentët zakonisht janë të lirë që të shkojnë e të vijnë si të kenë qejf, shkollat me konvikt e kufizojnë lëvizjen e fëmijëve. Shumë prej këtyre shkollave nuk i lejojnë nxënësit të largohen nga kompleksi i shkollës, me përjashtim të së dielës dhe disa nuk e lejojnë as këtë. Një nxënëse 11 vjeçe, në një shkollë me konvikt, me emrin Eru thotë: «Autoritetet e shkollës nuk na lejojnë asnjëherë të shkojmë në mbledhje e jo më pastaj të dalim në shërbimin në fushë. Brenda shkollës ka shërbime fetare vetëm për katolikët dhe myslimanët. Çdo nxënës duhet të zgjedhë një prej të dyjave ose të përballojë antagonizmin e madh si nga mësuesit, ashtu edhe nga nxënësit. Veç kësaj, nxënësit detyrohen për të kënduar himnin kombëtar dhe ato kishtare.»
Kur prindërit i regjistrojnë fëmijët në një shkollë të tillë, çfarë mesazhi po dërgojnë ata tek të vegjlit e tyre? Mesazhi që dërgojnë fare mirë mund të jetë se arsimimi botëror është më i rëndësishëm sesa mbledhja për adhurim dhe pjesëmarrja në veprën e bërjes së dishepujve, madje më i rëndësishëm sesa integriteti ndaj Perëndisë.—Mateu 24:14; 28:19, 20; 2. Korintasve 6:14-18; Hebrenjve 10:24, 25.
Në disa shkolla me konvikt, nxënësit Dëshmitarë ia dalin mbanë të studiojnë Biblën së bashku, por edhe kjo shpeshherë është e vështirë. Një e re me emrin Blesing, e cila është 16 vjeçe shprehet kështu për shkollën me konvikt, që ajo ndjek: «Çdo ditë të ashtuquajturit të krishterë mblidhen për t’u lutur. Ne Dëshmitarët përpiqemi t’u lutemi atyre që të mund të bëjmë studimin tonë të Biblës, por ata të kursit të fundit na thonë se organizata jonë nuk njihet. Atëherë, ata mundohen të na detyrojnë për t’u lutur me ta. Nëse nuk pranojmë, na ndëshkojnë. Duke iu drejtuar mësuesve, gjërat keqësohen. Ata na thërrasin me çdo lloj epiteti dhe u thonë atyre të kursit të fundit që të na ndëshkojnë.»
Rënia në sy si i ndryshëm
Kur nxënësit e shkollave me konvikt njihen qartësisht si Dëshmitarë të Jehovait, kjo gjë mund të jetë në avantazh të tyre. Autoritetet shkollore mund t’i përjashtojnë nga pjesëmarrja në ato aktivitete të detyrueshme të fesë së rremë, që janë në kundërshtim me bindjet e Dëshmitarëve. Nxënësit e tjerë mund të përmbahen që të mos përpiqen t’i përfshijnë edhe ata në aktivitete dhe biseda jo të shëndetshme. Mund të jepen mundësitë për t’u dhënë dëshmi nxënësve të tjerë dhe mësuesve. Për më tepër, ata që jetojnë sipas parimeve të krishtere ka të ngjarë të mos dyshohen për shkelje të rënda dhe shpeshherë ata fitojnë respektin e mësuesve dhe të nxënësve të tjerë.
Por gjërat nuk shkojnë gjithmonë kështu. Rënia në sy si i ndryshëm, e bën shpesh një të ri objekt të persekutimit dhe të talljes nga nxënësit dhe mësuesit bashkë. Jinka, një djalë 15-vjeçar, i cili frekuenton një shkollë me konvikt, thotë: «Nëse njihesh si Dëshmitar i Jehovait në shkollë, bëhesh tabelë qitjeje. Duke qenë se e njohin qëndrimin tonë frymor dhe moral, ata bëjnë gracka për të na zënë në lak.»
Përgjegjësia prindërore
Asnjë mësues, shkollë apo kolegj nuk mund të përpiqet me të drejtë për të marrë përsipër kthimin e fëmijëve në shërbëtorë të dedikuar të Jehovait. Kjo nuk është as punë dhe as përgjegjësi e tyre. Fjala e Perëndisë urdhëron që vetë prindërit duhet të kujdesen për nevojat frymore të fëmijëve të tyre. Pavli shkroi: «Ju, baballarë, mos i ngacmoni bijtë tuaj, por vazhdoni t’i rritni në disiplinën dhe normën mendore të Jehovait.» (Efesianëve 6:4, BR) Si mund ta zbatojnë prindërit këtë këshillë hyjnore, nëse fëmijët e tyre janë larg në një shkollë me konvikt, ku vizitat nga prindërit mund të jenë të kufizuara në një apo dy herë në muaj?
Rrethanat ndryshojnë shumë, por prindërit e krishterë përpiqen të veprojnë në harmoni me këtë pohim të frymëzuar: «Në qoftë se dikush nuk kujdeset për të vetët dhe më tepër për ata të shtëpisë, ai e ka mohuar besimin dhe është më i keq se një jobesimtar.»—1. Timoteut 5:8.
A ka alternativa?
Çfarë mund të bëjnë prindërit, nëse duket se kanë vetëm dy zgjidhje: ose shkollën me konvikt, ose shkollën lokale që është e varfër në pajisje? Disa që e kanë parë veten në këtë situatë, rregullojnë mësime private për të plotësuar arsimimin e fëmijëve të tyre në një shkollë lokale. Prindër të tjerë, lënë kohë mënjanë për t’u dhënë vetë mësim fëmijëve të tyre.
Nganjëherë, prindërit i shmangin problemet, duke planifikuar mirë që më përpara, kohën kur fëmijët e tyre të jenë mjaft të rritur, për të nisur shkollën tetëvjeçare. Nëse ke fëmijë të vegjël apo nëse planifikon të ngresh një familje, duhet të kontrollosh nëse ka në zonën tënde një shkollë tetëvjeçare që i plotëson kërkesat. Nëse nuk ka, mund të jetë e mundur që të transferohesh pranë njërës.
Siç e dinë mirë edhe prindërit, duhet aftësi, durim dhe shumë kohë për të ngulitur tek një fëmijë dashurinë për Jehovain. Nëse kjo është e vështirë kur fëmija jeton në shtëpi, sa më e vështirë është, kur fëmija jeton larg! Përderisa përfshihet jeta e përhershme e fëmijës, prindërit duhet të vendosin me seriozitet dhe me lutje, nëse dërgimi i fëmijëve të tyre në një shkollë me konvikt ia vlen rrezikun. Sa dritëshkurtër do të ishte të sakrifikoje interesat frymore të fëmijës për dobitë e arsimimit në një shkollë me konvikt! Kjo do të ishte sikur të sulesh mbi një shtëpi që po digjet, për të shpëtuar një stringël, vetëm për t’u përpirë nga flakët.
Fjala e Perëndisë thotë: «Njeriu i matur e shikon të keqen dhe fshihet; por njerëzit naivë shkojnë tutje dhe dënohen.» (Proverbat 22:3) Është më mirë ta parandalosh një situatë të keqe, sesa ta korrigjosh më vonë. Do të ishte e mençur të mendoje për këtë, nëse pyet veten: «A duhet të shkojë fëmija im në një shkollë me konvikt?»
[Kutia në faqen 28]
Dëshmitarët e rinj reflektojnë mbi shkollën me konvikt
«Fëmijët Dëshmitarë që shkojnë nëpër shkolla me konvikt janë të shkëputur nga shoqëria frymore. Është një mjedis shumë armiqësor, me presione të mëdha për të bërë të keqen.»—Rotimi, i cili ndoqi një shkollë me konvikt nga mosha 11 deri në 14 vjeç.
«Ndjekja e mbledhjeve të krishtere ishte jashtëzakonisht e vështirë. Mund të shkoja vetëm të dielën dhe për ta bërë këtë, duhej të përvidhesha, ndërsa studentët e tjerë viheshin në rresht për të vajtur në kishë. Nuk isha asnjëherë e lumtur, sepse në shtëpi isha mësuar të ndiqja të gjitha mbledhjet e kongregacionit dhe të dilja në shërbim të shtunave dhe të dielave. Shkolla nuk ishte një përvojë ndërtuese. Më munguan shumë gjëra.»—Ester, e cila ishte rrahur vazhdimisht nga mësuesit, ngaqë nuk merrte pjesë në shërbimet kishtare në shkollë.
«Nuk ishte e lehtë t’u dëshmoje nxënësve të tjerë në shkollën me konvikt. Nuk është e lehtë të biesh në sy si i ndryshëm. Doja të shkoja pas grupit. Ndoshta do të kisha qenë më e guximshme, nëse do të kisha mundur të ndiqja mbledhjet dhe të shkoja në shërbimin në fushë. Por këtë gjë munda ta bëja, vetëm kur isha me pushime, gjë që ndodhte vetëm tri herë në vit. Nëse ke një llampë që nuk rimbushet me vaj, drita vjen duke u venitur. Ishte e njëjta gjë në shkollë.»—Lara, e cila ndoqi shkollën me konvikt nga mosha 11 deri 16 vjeç.
«Tani që nuk jam më në shkollën me konvikt, jam e lumtur që mund të ndjek të gjitha mbledhjet, të marr pjesë në shërbimin në fushë dhe të bëj shkrimin e ditës me pjesën tjetër të familjes. Edhe pse qëndrimi në shkollë ka disa avantazhe, asgjë nuk është më e rëndësishme sesa marrëdhënia ime me Jehovain.»—Naomi, e cila e bindi të atin që ta hiqte nga shkolla me konvikt.