BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w97 1/4 f. 20-25
  • Të vërtetën biblike e mësova në Rumani

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Të vërtetën biblike e mësova në Rumani
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Kohë të turbullta
  • Dëshira ime për të vërtetën biblike
  • Në Rumani përhapet e vërteta biblike
  • Për në Shtetet e Bashkuara
  • Shërbimi ynë i hershëm në Shtetet e Bashkuara
  • Korrigjim për të cilin kisha nevojë
  • Duke ia dalë mbanë gjatë depresionit ekonomik
  • Duke mbajtur besimin tonë
  • Familja jonë besimplotë në Rumani
  • E vërteta është ende e çmuar për mua
  • E lumtur që ‘eca më shumë nga ç’më kërkohej’
    Zgjohuni!—2005
  • Gëzime të pakrahasueshme!
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2003
  • Një mbajtës drite për shumë kombe
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2000
  • E gëzuar dhe mirënjohëse, me gjithë humbjen e hidhur
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2001
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
w97 1/4 f. 20-25

Të vërtetën biblike e mësova në Rumani

TREGUAR NGA GOLDI ROMOSHEAN

Në vitin 1970, për herë të parë pas pothuajse 50 vjetësh, vizitova familjen time në Rumani. Njerëzit jetonin nën një regjim komunist shtypës dhe vazhdimisht paralajmërohesha që të isha e kujdesshme për atë që thosha. Më pas, ndërsa qëndroja në zyrën qeveritare të fshatit tonë, nëpunësi më nxiti që të largohesha menjëherë nga vendi. Përpara se të shpjegoj përsenë, më lejoni t’ju tregoj si e mësova të vërtetën biblike në Rumani.

LINDA më 3 mars 1903 në fshatin Ortelek, në Rumaninë veriperëndimore, pranë qytetit Zalau. Jetonim në një ambjent të bukur. Uji dhe ajri ishin të pastër. Ne e nxirrnim vetë ushqimin tonë dhe materialisht nuk na mungonte asgjë. Në vitet e hershme të jetës sime, vendi ishte në paqe.

Njerëzit ishin shumë fetarë. Në fakt, familja jonë i përkiste tri feve të ndryshme. Njëra nga gjyshet ishte ortodokso-katolike, tjetra ishte adventiste, ndërsa prindërit e mi ishin baptistë. Meqenëse nuk isha dakort me asnjërën prej feve të tyre, familja ime thoshte se unë do të bëhesha ateiste. ‘Nëse ka një Perëndi,​—mendoja,​—duhet të ketë vetëm një fe, jo tri në një familje.’

Gjërat që shihja tek feja më acaronin. Për shembull, prifti bënte vizita nëpër shtëpi për të mbledhur detyrimet e kishës. Kur njerëzit nuk kishin që t’i jepnin para, ai u merrte në vend të tyre batanijet më të mira prej leshi. Në Kishën Katolike, vëreja gjyshen tek gjunjëzohej për t’u lutur përpara një pikture të Marisë. ‘Përse t’i lutesh një pikture?’​—mendoja unë.

Kohë të turbullta

Në vitin 1912, babai shkoi në Shtetet e Bashkuara që të fitonte para për të larë një borxh. Jo shumë kohë më vonë, shpërtheu lufta dhe burrat e fshatit tonë ikën për të luftuar; mbetën vetëm gra, fëmijë dhe burra të moshuar. Për njëfarë kohe fshati ynë u vu nën sundimin hungarez, por më pas ushtarët rumunë u kthyen dhe e morën atë. Ata na dhanë urdhër që të largoheshim menjëherë. Megjithatë, në nxitimin dhe rrëmujën e grumbullimit të plaçkave dhe të të vegjëlve në një qerre, unë mbeta prapa. Besoj se e kuptoni: isha më e madhja nga pesë fëmijët.

Vrapova tek një fqinj, një burrë i moshuar që kishte qëndruar prapa, dhe ai më tha: «Shko në shtëpi. Mbylle derën dhe mos lër të hyjë asnjë njeri brenda.» U binda menjëherë. Pasi hëngra pak supë pule dhe ca dollma që kishin mbetur në nxitimin e ikjes, u ula në gjunjë pranë shtratit dhe u luta. Shpejt, rashë në gjumë të thellë.

Kur hapa sytë, ishte ditë dhe thashë: «O Perëndi, të faleminderit! Jam gjallë!» Muret ishin plot me vrima plumbash, sepse gjatë gjithë natës kishin qëlluar. Kur mamaja e kuptoi se nuk isha me ta në fshatin fqinjë, dërgoi të riun Xhorxh Romoshean që më gjeti dhe më çoi tek familja ime. Jo shumë kohë më vonë, mundëm të ktheheshim në fshatin ku kishim shtëpinë dhe vazhduam të jetonim atje.

Dëshira ime për të vërtetën biblike

Mamaja dëshironte që të pagëzohesha si baptiste, por unë nuk doja ta bëja këtë, sepse nuk mundesha ta besoja që një Perëndi i dashur do t’i digjte njerëzit përgjithmonë në ferr. Duke u përpjekur që të ma shpjegonte, nëna tha: «Epo, nëse janë të këqij.» Por unë ia ktheva: «Nëse janë të këqij, zhduki, por mos i torturo. Unë s’do të torturoja as edhe një qen apo mace.»

Më kujtohet që një ditë të bukur pranvere, kur isha 14 vjeçe, mamaja më çoi për të kullotur lopët. Ndërsa isha shtrirë mbi barin buzë lumit, me një pyll në sfond, i ngula sytë drejt qiellit dhe thashë: «Perëndi, unë e di që ti je aty, por nuk më pëlqen asnjëra prej këtyre feve. Ti duhet ta kesh një fe të mirë.»

E besoj me të vërtetë se Perëndia e dëgjoi lutjen time, sepse pikërisht atë verë të vitit 1917, në fshatin tonë erdhën dy Studentë të Biblës (siç quheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait). Ata ishin përhapës apo shërbëtorë në kohë të plotë dhe ndërsa në kishën Baptiste po kryhej një shërbesë, ata hynë brenda.

Në Rumani përhapet e vërteta biblike

Pak vite më parë, në 1911-n, Karol Sabo dhe Josif Kis, që ishin bërë Studentë të Biblës në Shtetet e Bashkuara, u kthyen në Rumani për të prezantuar aty të vërtetën biblike. Ata u vendosën me banim në Tirgu-Mures, më pak se 160 kilometra në juglindje të fshatit tonë. Brenda pak vitesh, qindra njerëz, në kuptimin e vërtetë të fjalës, iu përgjigjën mesazhit të Mbretërisë dhe përkrahën shërbimin e krishterë.​—Mateu 24:14.

Tani, kur dy Studentët e rinj të Biblës erdhën në Kishën Baptiste të fshatit tonë Ortelek, Xhorxh Romoshean, edhe pse s’ishte veçse 18 vjeç, po drejtonte shërbesën dhe po përpiqej të shpjegonte domethënien e Romakëve 12:1. Më në fund, njëri prej përhapësve të rinj, u ngrit në këmbë dhe tha: «Vëllezër, miq, çfarë po përpiqet të na tregojë këtu apostulli Pavël?»

Kur e dëgjova të fliste, u emocionova jashtë mase! Mendova: ‘Këta njerëz duhet të dinë si ta shpjegojnë Biblën.’ Por pjesa më e madhe e të pranishmëve, bërtiti: «Profetë të rremë! E dimë se kush jeni!» Pasoi një zhurmë e madhe. Por atëherë, babai i Xhorxhit u ngrit dhe tha: «Pushoni të gjithë! Ç’lloj fryme është kjo, fryma që vjen ngaqë jeni të dehur? Nëse këta burra kanë diçka për të na thënë dhe ju nuk doni t’i dëgjoni, unë po i ftoj në shtëpinë time. Kushdo që dëshiron të vijë, është i mirëpritur.»

E emocionuar, vrapova në shtëpi dhe i tregova mamasë ç’kishte ndodhur. Unë isha një prej atyre që pranuan ftesën për në shtëpinë e Romosheanit. Sa u rrëqetha atë mbrëmje, kur nga Bibla mësova se nuk ka ferr të zjarrtë dhe kur pashë në Biblën time në rumanisht emrin e Perëndisë, Jehova! Përhapësit e rregulluan që një Student i Biblës të shkonte në shtëpinë e Romosheanit çdo të diel për të na mësuar. Verën që pasoi, në moshën 15-vjeçare, u pagëzova në simbol të dedikimit tim ndaj Jehovait.

Ndërkohë, praktikisht krejt rrethi familjar i Prodanëve dhe ai i familjes së Romosheanëve, pranuan të vërtetën biblike dhe ia dedikuan jetën e tyre Jehovait. Shumë të tjerë nga fshati ynë bënë po kështu, duke përfshirë edhe çiftin e ri, shtëpia e të cilëve kishte shërbyer më parë si Kishë Baptiste. Më pas, ata e kthyen atë në një vend ku Studentët e Biblës takoheshin për të studiuar. E vërteta nga Shkrimet u përhap me shpejtësi në fshatrat përreth dhe deri në vitin 1920, në Rumani kishte pothuajse 1.800 lajmëtarë të Mbretërisë!

Për në Shtetet e Bashkuara

Ishim të paduruar për ta ndarë atë që kishim mësuar me babain tim, Pitër Prodan. Por çuditërisht, përpara se të na jepej një mundësi për t’i shkruar, morëm prej tij një letër ku na thoshte se ishte bërë shërbëtor i pagëzuar i Jehovait. Ai kishte studiuar me Studentët e Biblës në Akron të Ohios dhe dëshironte që të shkonim të gjithë në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, mamaja nuk pranoi që të largohej nga Rumania. Kështu, në 1921-shin, duke vënë në përdorim paratë që më kishte dërguar babai, shkova tek ai në Akron. Xhorxh Romoshean dhe babai i tij, kishin imigruar tashmë në Shtetet e Bashkuara vitin e kaluar.

Kur arrita me anije në ishullin Elis të Nju Jorkut, nëpunësi i imigrimit nuk dinte si ta përkthente emrin tim Aurelia në gjuhën angleze, prandaj tha: «Emri juaj është Goldi.» Që atëherë, ky ka qenë emri im. Pak kohë më vonë, më 1 maj 1921, Xhorxh Romoshean dhe unë u martuam. Pak a shumë një vit më vonë, babai im u kthye në Rumani dhe në vitin 1925 solli në Akron motrën time më të vogël, Merin. Pastaj, babai u kthye në Rumani për të qëndruar me mamanë dhe pjesën tjetër të familjes.

Shërbimi ynë i hershëm në Shtetet e Bashkuara

Xhorxhi ishte një shërbëtor shumë besnik dhe i devotshëm i Jehovait. Në periudhën e viteve 1922 deri 1932, ne u bekuam me katër vajza të bukura: Ester, Ana, Goldi Elizabet dhe Irena. Në Akron kishte filluar një kongregacion rumun dhe në fillim mbledhjet mbaheshin në shtëpinë tonë. Së fundi, çdo gjashtë muaj, një përfaqësues nga qendra botërore e Studentëve të Biblës në Bruklin, Nju Jork, vizitonte kongregacionin tonë dhe qëndronte me ne.

Shumë të diela, ne ia kushtonim krejt ditën veprës së predikimit. Bënim gati çantat tona me libra dhe drekën, futnim vajzat në makinën tip Ford dhe e kalonim ditën duke predikuar në territorin fshatar. Pastaj në mbrëmje, merrnim pjesë në studimin e Kullës së Rojës. Vajzat tona filluan ta donin veprën e predikimit. Në vitin 1931, isha e pranishme në Kolumbi, Ohio, kur Studentët e Biblës, adoptuan emrin e tyre që do t’i dallonte, Dëshmitarët e Jehovait.

Korrigjim për të cilin kisha nevojë

Pak vite më vonë, u zemërova me Joseph F. Rutherford, atëherë president i Shoqatës Watch Tower Bible and Tract. Një Dëshmitar i ri në të vërtetën, kishte mendimin se vëllai Rutherford e kishte trajtuar në mënyrë të padrejtë, duke mos e dëgjuar deri në fund. Mendova se vëllai Rutherford kishte gabuar. Mirëpo një të dielë, motra ime Meri dhe burri saj Dan Pestrui, erdhën tek ne për vizitë. Pasi hëngrëm darkë, Dani tha: «Hajde të bëhemi gati për të shkuar në mbledhje.»

«Nuk shkojmë më në mbledhje,​—i thashë.​—Jemi zemëruar me vëllain Rutherford.»

Dani i lidhi duart prapa dhe pasi bëri disa ecejake, tha: «A e njihje vëllain Rutherford kur u pagëzove?»

«Sigurisht që jo,​—iu përgjigja.​—Ti e di që jam pagëzuar në Rumani.»

«Përse u pagëzove?»​—më pyeti.

«Sepse mësova që Jehovai është Perëndia i vërtetë dhe pata dëshirë ta dedikoja jetën time për t’i shërbyer atij»,​—iu përgjigja.

«Mos e harro kurrë këtë!,​—m’a ktheu.​—Po sikur vëllai Rutherford të dilte nga e vërteta, mos do të dilje edhe ti?»

«Kurrën e kurrës!»,​—thashë. Kjo më solli në vete dhe thashë: «Bëhuni gati të gjithë për në mbledhje.» Dhe që atëherë nuk jemi ndalur më. Sa mirënjohëse i isha Jehovait për korrigjimin e dashur nga kunati im!

Duke ia dalë mbanë gjatë depresionit ekonomik

Gjatë depresionit të viteve 1930, kohët ishin të vështira. Një ditë, Xhorxhi erdhi nga puna në shtëpi shumë i brengosur, duke më thënë se e kishin pezulluar nga puna në fabrikën e kauçukut. «Mos u mërzit,​—i thashë.​—Ne kemi një Baba të pasur në qiell dhe ai nuk do të na lërë.»

Po atë ditë, Xhorxhi takoi një mik që kishte një shportë të madhe me kërpudha. Kur e mori vesh se ku i kishte mbledhur miku i tij, Xhorxhi u kthye në shtëpi me një shinik kërpudha. Pastaj, i harxhoi tre dollarët tanë të fundit, duke blerë shporta të vogla. «Si mund ta bësh këtë,​—e pyeta,​—kur kemi vajza të vogla që kanë nevojë për qumësht?»

«Mos e prish gjakun,​—m’u përgjigj,​—por bëj vetëm atë që të them unë.» Më pas, për pak javë, në shtëpinë tonë patëm një fabrikë të vogël që pastronte dhe paketonte kërpudhat. Ua shitëm ato restoranteve më cilësorë dhe sollëm në shtëpi 30 deri 40 dollarë në ditë, një sasi e madhe për ne atëherë. Fermeri që na dha lejen për të mbledhur kërpudhat nga kullota e tij, tha se kishte jetuar atje për 25 vjet, por kurrë nuk kishte parë kaq shumë kërpudha. Jo shumë kohë më vonë, fabrika e kauçukut e thirri përsëri Xhorxhin në punë.

Duke mbajtur besimin tonë

Në vitin 1943 lëvizëm për në Los Anxhelos të Kalifornisë dhe katër vjet më vonë u vendosëm në Elsinore. Hapëm një dyqan ushqimesh dhe e gjithë familja jonë punonte atje me turne. Në atë kohë, Elsinore ishte vetëm një qytet i vogël me pothuajse 2.000 banorë dhe ne na duhej të udhëtonim 30 kilometra që të shkonim në një qytet tjetër për mbledhjet tona të krishtere. Sa e lumtur isha kur pashë një kongregacion të vogël të formuar në Elisnore në vitin 1950! Tani, në të njëjtën zonë, ka 13 kongregacione.

Në vitin 1950, vajza jonë, Goldi Elizabet (të cilën tani shumica e njeh si Beti), u diplomua në Shkollën biblike të Galaadit në Lansingun Jugor, Nju Jork dhe u caktua si misionare në Venezuelë. Në vitin 1955, vajza jonë më e vogël, Irena, qe e lumtur që i shoqi i saj ishte ftuar për të shërbyer si shërbëtor udhëtues në veprën qarkore. Më vonë, pasi morën pjesë në Shkollën e Shërbimit të Mbretërisë në Lansingun Jugor, Nju Jork, u dërguan në Tailandë. Herë pas here, më merrte kaq shumë malli për vajzat sa qaja, por pastaj mendoja: ‘Kjo ishte ajo që dëshiroja të bënin.’ Kështu, rrëmbeja çantën time me libra dhe dilja në veprën e predikimit. Në shtëpi kthehesha gjithmonë e lumtur.

Në vitin 1966, burri im i dashur pati një apopleksi. Beti, e cila ishte kthyer nga Venezuela për probleme shëndetësore, ndihmoi që të kujdeseshim për të. Vitin tjetër, Xhorxhi vdiq, por u ngushëllova nga fakti që ai kishte mbetur me besim të plotë ndaj Jehovait dhe se kishte marrë shpërblimin e tij qiellor. Më pas, Beti shkoi në Spanjë për të shërbyer aty ku nevoja për lajmëtarë të Mbretërisë ishte më e madhe. Vajza ime më e madhe, Esteri, u sëmur me kancer dhe vdiq në vitin 1977, ndërsa në vitin 1984, Ana vdiq nga leucemia. Secli prej tyre kishte qenë një shërbëtor besimplotë i Jehovait gjatë gjithë jetës.

Në kohën e vdekjes së Anës, Beti dhe Irena ishin kthyer nga caktimet e tyre të predikimit jashtë vendit. Ato ndihmuan në përkujdesjen për motrat e tyre dhe të gjithë u pikëlluam thellë. Pas njëfarë kohe, u thashë vajzave të mia: «Në rregull! Mjaft me kaq! Ne kemi ngushëlluar të tjerët me të vërtetat e çmuara biblike. Tani duhet t’i lejojmë vetes që të ngushëllohemi. Satanai dëshiron të na grabisë gëzimin tonë në shërbimin e Jehovait, por ne nuk mund t’ia lejojmë atij.»

Familja jonë besimplotë në Rumani

Në vitin 1970, motra ime Meri dhe unë, bëmë atë udhëtim të paharrueshëm në Rumani, për të vizituar familjen tonë. Njëra nga motrat tona kishte vdekur, por patëm mundësi të vizitonim vëllain tonë Xhonin dhe motrën Lodovika, të cilët jetonin ende në fshatin e Ortelekut. Kur shkuam ne, babai dhe mamaja kishin vdekur, duke mbetur besimplotë ndaj Jehovait. Shumë veta na thanë se babai kishte qenë një shtyllë në kongregacion. Madje disa prej stërnipave të tij në Rumani, tani janë Dëshmitarë. Vizituam, gjithashtu, shumë të afërm nga ana e familjes së burrit tim, të cilët kishin mbetur të palëkundur në të vërtetën biblike.

Në vitin 1970, Rumania ishte nën regjimin mizor komunist të Nikolaj Çausheskut dhe Dëshmitarët e Jehovait persekutoheshin egërsisht. Djali i vëllait tim Xhon, Flori, ashtu si dhe të afërm të tjerë të mitë, kaluan shumë vite në kampet e përqendrimit për shkak të besimit të tyre të krishterë dhe po kështu bëri edhe kushëriri i parë i burrit tim, Gabor Romoshean. Nuk ishte për t’u çuditur që, kur na besuan dorëzimin e korrespondencës në qendrën e Dëshmitarëve të Jehovait në Nju Jork, vëllezërit tanë rumunë na thanë se nuk do të gjenin qetësi derisa të merrnin vesh se kishim dalë me siguri jashtë shtetit!

Kur kuptuam se vizës sonë i kishte mbaruar afati, shkuam në zyrën qeveritare në Ortolek. Ishte një e premte pasdite dhe vetëm një nëpunës ishte në punë. Kur mori vesh se tek kush kishim qenë për vizitë dhe se nipi ynë kishte qenë në një kamp përqendrimi, na tha: «Zonja, largohuni urgjentisht që këtej!»

«Po sot s’niset asnjë tren»​—u përgjigj motra ime.

«S’ka rëndësi,​—tha ai nxitimthi.​—Merrni një autobus, një tren, një taksi, ecni. Vetëm largohuni që këtej sa më shpejt që të mundeni!»

Ndërsa filluam të largoheshim, na thirri dhe na informoi se një tren ushtarak i paplanifikuar do të kalonte andej në orën 18 00. Çfarë mase sigurimi prej Perëndisë, doli se qe kjo! Në një tren të rregullt, dokumentet tona do të kontrolloheshin herë pas here, por përderisa ky tren mbante një personel ushtarak dhe ne ishim dy civilet e vetme në të, askush nuk kërkoi të shihte pasaportat tona. Ndoshta ata kanë menduar se ne ishim dy gjyshe oficerësh.

Arritëm në Timisoara mëngjesin tjetër dhe me ndihmën e një miku të një të afërmi, patëm mundësi të merrnim vizat. Ditën tjetër ndodheshim jashtë vendit. Morëm pas, shumë kujtime të dashura e të paharrueshme për motrat dhe vëllezërit tanë të krishterë besnikë në Rumani.

Në vitet që pasuan vizitën tonë në Rumani, dëgjuam pak hollësi në lidhje me aktivitetin e predikimit përtej perdes së hekurt. Megjithatë, ne kishim besim se motrat dhe vëllezërit tanë të krishterë do t’i mbeteshin besnikë Perëndisë sonë, çfarëdo që të ndodhte. Dhe sigurisht që ata qëndruan të tillë! Çfarë gëzimi qe kur mësuam se, në prill të vitit 1990, Dëshmitarët e Jehovait në Rumani u njohën ligjërisht si një organizatë fetare! Verën që pasoi u kënaqëm nga raportet për kongreset e mbajtura në Rumani. Mendoni, më shumë se 34.000 pjesëmarrës në tetë qytete dhe 2.260 të pagëzuar! Tani ka më shumë se 35.000 persona që marrin pjesë në veprën e predikimit në Rumani dhe vitin e fundit, në Përkujtimin e vdekjes së Krishtit, morën pjesë 86.034 persona.

E vërteta është ende e çmuar për mua

Për pak vjet, unë e ndërpreva marrjen e emblemave në Përkujtim. Vura re se vëllezër shumë të kualifikuar nuk i merrnin dhe arsyetova: ‘Përse Jehovai do të ma jepte mua privilegjin për të qenë një bashkëtrashëgimtare me Birin e tij në qiell, kur ka të tjerë që janë oratorë kaq të rrjedhshëm?’ Por kur nuk i merrja, ndihesha shumë e shqetësuar. Më dukej sikur hidhja poshtë diçka. Pasi studiova shumë dhe me përgjërime plot lutje, fillova përsëri që t’i merrja. Paqja dhe gëzimi im u kthyen dhe kurrë nuk më janë larguar.

Megjithëse nuk mund të shoh më për të lexuar, dëgjoj çdo ditë kasetat e Biblës dhe të revistave Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! Gjthashtu, vazhdoj të marr pjesë ende në veprën e predikimit. Zakonisht, lë 60 deri 100 revista në muaj, por kur patëm prillin e kaluar fushatën speciale me revistën Zgjohuni!, lashë 323 revista. Me ndihmën e vajzave të mia, kam gjithashtu mundësi të marr pjesë në Shkollën e Shërbimit Teokratik. Jam e lumtur që mund të vazhdoj të inkurajoj të tjerët. Në Sallën e Mbretërisë, pothuajse të gjithë më thërrasin gjyshe.

Duke parë prapa në pothuajse 79 vjetët e shërbimit dedikuar Perëndisë Jehova, e falënderoj atë çdo ditë që më ka lejuar të njoh të vërtetën e tij të çmuar dhe ta përdor jetën time në shërbimin e tij. Jam kaq mirënjohëse që kam jetuar për të parë përmbushjen e profecive të mrekullueshme të Biblës, të cilat parathanë grumbullimin e atyre ngjashëm deleve në këto ditë të fundit.​—Isaia 60:22; Zaharia 8:23.

[Figura në faqen 23]

Në këmbë, motra ime Meri dhe babai, si dhe unë me Xhorxhin dhe vajzat tona, Ester dhe Ana

[Figura në faqen 24]

Me vajzat e mia, Beti dhe Irena, burrin e Irenës dhe dy djemtë e tyre, që me besim të plotë janë duke i shërbyer të gjithë Jehovait

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo