Paqe e vërtetë: Prej cilit burim?
«[Jehovai] bën që të pushojnë luftërat deri në skajet e tokës.»—PSALMI 46:9, BR.
1. Cilin premtim të mrekullueshëm të paqes gjejmë në profecinë e Isaisë?
«VEPRA e drejtësisë së vërtetë duhet të bëhet paqja dhe shërbimi i drejtësisë së vërtetë, qetësia dhe siguria në kohë të pacaktuar. Populli im duhet të banojë në një vend paqësor banimi, në banesa plotësisht të sigurta dhe në vende pushimi ku nuk shqetësohen.» (Isaia 32:17, 18, BR) Ç’premtim i bukur! Është premtimi i paqes së vërtetë, që do të sjellë Perëndia.
2, 3. Përshkruaj paqen e vërtetë.
2 Por, çfarë është paqja e vërtetë? A është thjesht mosprania e luftës? Apo është vetëm një periudhë, gjatë së cilës kombet përgatiten për luftën e ardhshme? A është paqja e vërtetë vetëm një ëndërr? Këto janë pyetje, për të cilat ne na duhen përgjigje të besueshme. Së pari, paqja e vërtetë është shumë më tepër se një ëndërr. Paqja e premtuar nga Perëndia shkon përtej çdo gjëje, që mund të imagjinojë kjo botë. (Isaia 64:4) Ajo nuk është një paqe vetëm për pak vite apo për pak dekada. Ajo zgjat përgjithmonë! Veç kësaj, nuk është paqe për një pakicë të privilegjuar; ajo rrok qiellin dhe tokën, engjëjt dhe njerëzit. Ajo shtrihet tek njerëzit e të gjitha kombeve, grupeve etnike, gjuhëve dhe ngjyrave. Ajo nuk njeh kufij, as pengesa, as dështime.—Psalmi 72:7, 8; Isaia 48:18.
3 Paqe e vërtetë do të thotë paqe çdo ditë. Do të thotë të zgjohesh çdo mëngjes pa mendimin e luftës, pa t’u dashur të shqetësohesh për të ardhmen tënde, për të ardhmen e fëmijëve apo edhe të nipave të tu. Do të thotë paqe e plotë mendore. (Kolosianëve 3:15) Do të thotë të mos ketë më krime, të mos ketë më dhunë, të mos ketë më familje të ndara, të mos ketë më njerëz të pastrehë, të mos ketë më njerëz që vdesin nga urija apo nga të ftohtët dhe të mos ketë më dëshpërim e zhgënjim. Më mirë akoma, paqe e Perëndisë do të thotë një botë pa sëmundje, dhimbje, brenga apo vdekje. (Zbulesa 21:4) Ç’shpresë të mrekullueshme kemi, për të gëzuar përgjithmonë paqen e vërtetë! A nuk është kjo lloj paqeje dhe lumturie, ajo që të gjithë ne dëshirojmë fort? A nuk është kjo lloj paqeje, për të cilën ne duhet të lutemi dhe të punojmë?
Përpjekjet e dështuara të njerëzimit
4. Çfarë përpjekjesh kanë bërë kombet për paqen dhe me çfarë rezultatesh?
4 Për shekuj me radhë, njerëz dhe kombe kanë folur për paqen, kanë debatuar lidhur me të, kanë nënshkruar me qindra traktate paqeje. Cili ka qenë rezultati? Gjatë 80 vjetëve të fundit, nuk ka pasur në të vërtetë as edhe një moment, që ndonjë komb apo grup të mos ketë qenë në luftë. Qartë, pra, paqja i ka shpëtuar nga duart njerëzimit. Pra, pyetja që shtrohet është: Përse kanë dështuar të gjitha përpjekjet e njeriut për vendosjen e paqes ndërkombëtare dhe përse njeriu është i paaftë për të sjellë paqen e vërtetë, që do të jetë e qëndrueshme?
5. Përse kanë dështuar vazhdimisht përpjekjet e njerëzimit për paqe?
5 Përgjigjja e thjeshtë është se njerëzimi nuk i është drejtuar burimit të duhur për paqen e vërtetë. Nën ndikimin e Satana Djallit, njerëzit kanë krijuar organizata që bien viktima të vetë dobësisë dhe veseve të tyre, si lakmisë, ambicies, dëshirës së ethshme për pushtet dhe për të rënë në sy. Ata kanë ndjekur institute të arsimimit të lartë, kanë themeluar fondacione dhe institucione në fushën e kërkimit të disiplinave të ndryshme, të cilat vetëm kanë sajuar më shumë mjete shtypjeje dhe shkatërrimi. Cilit burim i janë drejtuar njerëzit? Ku e kanë drejtuar ata shikimin?
6, 7. (a) Çfarë nami ka lënë Lidhja e Kombeve për veten? (b) Po Kombet e Bashkuara?
6 Kohë më parë, në vitin 1919, kombet e vunë besimin e tyre për vendosjen e paqes së përhershme në Lidhjen e Kombeve. Kjo shpresë u shua me pushtimin e Etiopisë nga Musolini, në vitin 1935 dhe me shpërthimin e luftës civile në Spanjë, në vitin 1936. Në vitin 1939, Lidhja pushoi së funksionuari me shpërthimin e Luftës II Botërore. E ashtuquajtura paqe nuk zgjati as 20 vjet.
7 Po për Kombet e Bashkuara, ç’mund të thuhet? A kanë dhënë ndonjë shpresë të vërtetë për paqe të qëndrueshme anembanë tokës? Vështirë ta thuash këtë. Që nga krijimi i tyre, në 1945-n, janë zhvilluar mbi 150 luftëra dhe konflikte të armatosura. Nuk është çudi fakti përse Guin Djuër, një studiues kanadez në fushën e luftës dhe të origjinave të saj, e përshkroi OKB-në si «një shoqëri gjuetarësh të paligjshëm, të kthyer në rojtarë gjahu, e jo një asamble të shenjtësh», dhe «një institucion pothuajse të pafuqishëm, ku flitet shumë, pa ndërmarrë veprime të vërteta».—Krahaso Jereminë 6:14; 8:15.
8. Pavarësisht nga bisedimet e tyre për paqen, çfarë kanë bërë kombet? (Isaia 59:8)
8 Pavarësisht nga bisedimet e tyre për paqe, kombet vazhdojnë të shpikin dhe të prodhojnë armë. Vendet që sponsorizojnë konferencat e paqes, janë shpesh vetë ato që drejtojnë prodhimin e armëve. Fitimet shumë të mëdha tregtare në këto vende, nxitin prodhimin e armatimeve vdekjeprurëse, duke përfshirë minat tokësore me veprim të shumanshëm, të cilat vrasin apo gjymtojnë çdo vit afro 26.000 qytetarë të rritur e fëmijë. Forcat nxitëse janë lakmia dhe korrupsioni. Rryshfetet dhe dhënia e një shume parash të marra shpesh nga një marrëveshje konfidenciale janë një pjesë përbërëse e tregut ndërkombëtar të armëve. Disa politikanë pasurohen nga ky burim.
9, 10. Çfarë kanë vërejtur ekspertët e botës, lidhur me luftërat dhe përpjekjet njerëzore?
9 Në dhjetor të 1995-s, fizikani polak dhe fituesi i çmimit Nobel për paqen, Jozef Rotblat, u bëri thirrje kombeve që t’i jepnin fund garës së armatimit. Ai tha: «Rruga e vetme për parandalimin [e një gare të re armatimi], është zhdukja krejtësisht e luftërave.» A mendon se është e mundur të ndodhë një gjë e tillë? Nga viti 1928 e më pas, 62 kombe kanë ratifikuar Paktin Kellog-Brian, me anë të të cilit ato hiqnin dorë nga lufta si një mënyrë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Lufta II Botërore tregoi qartë se ky pakt ishte fare i pavlefshëm.
10 Është i pamohueshëm fakti se lufta ka qenë një bllok i vazhdueshëm pengese në udhën e historisë së njerëzimit. Siç shkruan Guin Djuër, «lufta është institucioni qendror në qytetërimin njerëzor dhe është po aq e vjetër sa edhe njerëzimi». Po, në të vërtetë çdo qytetërim dhe perandori ka pasur heronjtë e vet të nderuar ushtarakë, armatat e veta të përhershme, betejat e veta të famshme, akademitë e shenjtëruara ushtarake dhe stivat e veta me armë rezervë. Megjithatë, shekulli ynë, më shumë se çdo shekull tjetër, është karakterizuar nga lufta, si për shkatërrimin e jetës, ashtu edhe për humbjen e saj.
11. Cilin faktor bazë kanë kaluar pa vërejtur udhëheqësit e botës në kërkimin e tyre të paqes?
11 Është e dukshme se udhëheqësit botërorë kanë shpërfillur mençurinë bazë të Jeremisë 10:23: «Unë e di mirë o Jehova, se njeriut tokësor nuk i përket rruga e tij. Nuk i përket njeriut që ecën, as të drejtojë hapin e tij.» (BR) Nëse shpërfillet Perëndia, nuk mund të ketë paqe të vërtetë. Mos vallë e gjithë kjo do të thotë se lufta është e pashmangshme në një shoqëri të qytetëruar? A do të thotë vallë se paqja, ajo e vërteta, është një ëndërr e parealizueshme?
Të arrijmë në shkakun rrënjësor
12, 13. (a) Çfarë zbulon Bibla për sa i përket shkakut themelor e të padukshëm të luftës? (b) Si e ka larguar Satanai vëmendjen e njerëzimit nga zgjidhja e vërtetë e problemeve të botës?
12 Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve, duhet të kuptojmë shkaqet e luftës. Bibla thotë qartë se engjëlli rebel, Satanai, është «vrasësi» dhe «gënjeshtari» i parë dhe se «gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut». (Gjoni 8:44; 1. Gjonit 5:19, BR) Çfarë ka bërë ai në përkrahje të synimeve të tij? Në 2. Korintasve 4:3, 4 lexojmë: «Nëse tani, lajmi i mirë që ne shpallim është në fakt i mbuluar me vel, ai është i mbuluar me vel mes atyre që janë duke vdekur, mes të cilëve perëndia i këtij sistemi gjërash ka verbuar mendjet e mosbesimtarëve, që ndriçimi i lajmit të mirë të lavdishëm për Krishtin, i cili është shëmbëlltyra e Perëndisë, të mos ndriçojë në ta.» (BR) Satanai bën gjithçka që mundet për ta larguar vëmendjen e njerëzimit nga Mbretëria e Perëndisë, si zgjidhja e problemeve të botës. Ai i verbon dhe i devijon njerëzit, me anë të çështjeve përçarëse shoqërore, politike dhe fetare, që të duket se ato janë më të rëndësishme se sundimi i Perëndisë. Një shembull është vala e nacionalizmit kohët e fundit në mbarë botën.
13 Satana Djalli nxit nacionalizmin dhe ndjenjën e fortë fisnore, besimin në epërsinë e një kombi, race apo fisi ndaj të tjerëve. Urrejtjet e rrënjosura thellë, që kanë qenë të ndrydhura për shekuj të tërë, po rigjallërohen për t’i vënë zjarrin më shumë luftërave dhe konflikteve. Federiko Major, drejtor i përgjithshëm i UNESKO-s, paralajmëroi për këtë prirje: «Edhe atje ku është mbizotëruese toleranca, po bëhet gjithnjë e më i dukshëm një lëvizje drejt ksenofobisë, ndërsa shovinizmi dhe shprehjet raciste që dukeshin si gjëra të së shkuarës, po dëgjohen gjithnjë e më shpesh.» Cili ka qenë rezultati? Masakrat e tmerrshme në ish-Jugosllavi dhe gjakderdhja fisnore në Ruanda, janë vetëm dy nga këto zhvillime që janë bërë kryeartikujt e gazetave.
14. Si e portretizon Zbulesa 6:4 luftën dhe pasojat e saj në kohën tonë?
14 Bibla paratha se në kohën e përfundimit të këtij sistemi, një kalë me ngjyrën e zjarrit, që simbolizon luftën, do të përshkonte me galop tërë tokën. Në Zbulesën 6:4 lexojmë: «Një kalë tjetër me ngjyrën e zjarrit doli dhe atij që ishte ulur mbi të, i ishte lejuar që të hiqte paqen nga toka, me qëllim që ata të masakroheshin me njëri-tjetrin dhe atij i ishte dhënë një shpatë e madhe.» (BR) Që nga 1914-a, ne kemi parë këtë kalorës simbolik ‘të heqë paqen’ dhe kombet kanë vazhduar të përleshen e të bëjnë luftë.
15, 16. (a) Cili ka qenë roli i fesë në luftërat dhe në vrasjet? (b) Si e konsideron Jehovai atë që kanë bërë fetë?
15 Çka nuk duhet kaluar pa vënë re, është roli i fesë në këto luftëra dhe vrasje. Historia e përgjakur e njerëzimit mund t’i atribuohet në një masë të madhe ndikimit keqorientues të fesë së rreme. Teologu katolik Hans Kyng shkroi: «S’ka diskutim se [fetë] kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë një ndikim shumë të madh negativ dhe shkatërrimtar. Ato janë përgjegjëse për kaq shumë luftëra, konflikte të përgjakshme dhe pa dyshim edhe për ‘luftërat fetare’; . . . e kjo vlen edhe për dy luftërat botërore.»
16 Si e shikon Perëndia Jehova rolin e fesë së rreme në vrasjet dhe luftërat? Padia e Perëndisë për fenë e rreme, e shkruar në Zbulesën 18:5, deklaron: «Mëkatet e saj janë grumbulluar dhe kanë arritur deri në qiell dhe Perëndia kujtoi paudhësinë e saj.» Bashkëfajësia e fesë së rreme me sundimtarët politikë të botës ka sjellë si rezultat një faj të tillë gjaku, një grumbullim të tillë mëkatesh, që Perëndia nuk ka se si t’i shpërfillë. Së shpejti, ai do të eliminojë plotësisht këtë bllok pengese në rrugën drejt paqes së vërtetë.—Zbulesa 18:21.
Rruga drejt paqes
17, 18. (a) Përse të besosh se paqja e përhershme është e mundur, nuk është një ëndërr e parealizueshme? (b) Çfarë ka bërë tashmë Jehovai, për të siguruar se paqja e vërtetë do të vijë?
17 Nëse njerëzit me anë të mjeteve të tilla si Kombet e Bashkuara, nuk mund të sjellin paqe të vërtetë e të qëndrueshme, prej cilit burim do të vijë paqja e vërtetë dhe si? Mos vallë, të besosh në mundësinë e një paqeje të përhershme, është vetëm një ëndërr e parealizueshme? Jo, nuk është një ëndërr e tillë, nëse i drejtohemi burimit të duhur të paqes. Por, cili është ai? Psalmi 46:9 përgjigjet, duke na treguar se Jehovai «bën që të pushojnë luftërat deri në skajet e tokës. Ai thyen harkun dhe copëton shigjetën; ai djeg qerret me zjarr». (BR) Jehovai e ka nisur tashmë procesin për t’u dhënë fund luftërave dhe për të vendosur paqen e vërtetetë. Si? Duke vendosur Krishtin Jezu në fronin e tij të ligjshëm Mbretëror, në vitin 1914 dhe duke i dhënë shtytje fushatës më të madhe të arsimimit për paqen në historinë e njerëzimit. Fjalët profetike të Isaisë 54:13 na sigurojnë: «Të gjithë bijtë e tu do të jenë persona të mësuar nga Jehovai dhe e bollshme do të jetë paqja e bijve të tu.»—BR.
18 Kjo profeci ilustron parimin e shkakut dhe të pasojës, sipas të cilit çdo pasojë ka shkakun e vet. Në këtë rast, mësimi i Jehovait, shkaku, i shndërron njerëzit luftëdashës në njerëz paqedashës, të cilët janë në paqe me Perëndinë. Pasoja është ndryshimi i zemrës, që i bën njerëzit paqedashës. Ky mësim që ndryshon zemrat dhe mendjet e njerëzve po shpërndahet edhe tani në mbarë botën, ndërsa miliona njerëz ndjekin shembullin e ‘Princit të paqes’, Jezu Krishtit.—Isaia 9:6, BR.
19. Çfarë mësoi Jezui për paqen e vërtetë?
19 Por, çfarë mësoi Jezui rreth paqes së vërtetë? Ai nuk foli vetëm për paqen midis kombeve, por për paqen midis njerëzve në marrëdhëniet mes tyre dhe për paqen e brendshme, që vjen nga një ndërgjegje e mirë. Në Gjonin 14:27, lexojmë fjalët e Jezuit drejtuar ithtarëve të tij: «Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time: unë po jua jap, po jo si e jep bota; zemra juaj mos u trondittë dhe mos u frikësoftë.» Në ç’mënyrë ishte e ndryshme paqja e Jezuit nga ajo e botës?
20. Përmes cilit mjet do të sjellë Jezui paqe të vërtetë?
20 Së pari, paqja e Jezuit ishte e lidhur ngushtë me mesazhin e tij të Mbretërisë. Jezui e dinte se qeveria e drejtë qiellore, e përbërë prej tij dhe 144.000 bashkësundimtarëve, do t’i jepte fund luftës dhe luftënxitësve. (Zbulesa 14:1, 3) Ai e dinte se ajo do të sillte kushte të paqme parajsore, të cilat ia ofroi keqbërësit që vdiq përbri tij. Jezui nuk i ofroi atij një vend në Mbretërinë qiellore, por i tha: «Me të vërtetë po të them sot, ti do të jesh me mua në parajsë.»—Luka 23:43, BR.
21, 22. (a) Cilën shpresë të mrekullueshme mbështetëse përfshin paqja e vërtetë? (b) Çfarë duhet të bëjmë ne për të dëshmuar atë bekim?
21 Jezui e dinte, gjithashtu, se Mbretëria e tij do t’u sillte ngushëllim të gjithë atyre që mbanin zi, por që ushtronin besim në të. Paqja e tij përfshinte shpresën e mrekullueshme mbështetëse të ringjalljes. Mbaj parasysh fjalët e tij inkurajuese, që gjejmë në Gjonin 5:28, 29: «Mos u mrekulloni për këtë, sepse po vjen ora, që të gjithë ata që janë nëpër varre përkujtimore, do të dëgjojnë zërin e tij dhe do të dalin jashtë; ata që kanë bërë gjëra të mira në ringjallje jete, ata që praktikuan gjëra të këqija në ringjallje gjykimi.»—BR.
22 A po e pret me padurim atë kohë? A ke humbur njerëz të dashur në vdekje? A nuk dëshiron me gjithë zemër që t’i shohësh përsëri? Prano, atëherë, paqen që ofron Jezui. Ki një besim si ai i Martës, motrës së Lazrit, e cila i tha Jezuit: «E di se do të ringjallet, në ringjallje, ditën e fundit.» Por vëre përgjigjen gjallëruese që i dha Jezui Martës: «Unë jam ringjallja dhe jeta; ai që beson në mua, edhe sikur të duhej të vdesë, do të jetojë. Dhe ai që jeton e beson në mua, nuk do të vdesë kurrë përjetë. A e beson këtë?»—Gjoni 11:24-26.
23. Përse është thelbësore njohuria e saktë e Fjalës së Perëndisë, për të fituar paqen e vërtetë?
23 Edhe ti mund të besosh dhe të përfitosh nga ai premtim. Në ç’mënyrë? Duke fituar njohurinë e saktë të Fjalës së Perëndisë. Vëre se si e theksoi apostulli Pavël rëndësinë e njohurisë së saktë: «Ne . . . nuk kemi pushuar së luturi për ju dhe së kërkuari që të mund të mbusheni me njohurinë e saktë të vullnetit të tij në çdo mençuri dhe kuptueshmëri frymore, që të ecni denjësisht për Jehovain, me qëllim që t’i pëlqeni plotësisht atij, ndërsa vazhdoni të sillni fryt në çdo vepër të mirë dhe të rriteni në njohurinë e saktë të Perëndisë.» (Kolosianëve 1:9, 10, BR) Kjo njohuri e saktë do të të bindë se Perëndia Jehova është burimi i paqes së vërtetë. Përveç kësaj, do të të tregojë se çfarë duhet të bësh tani, që të mund të bashkohesh me psalmistin, kur thotë: «Në paqe do të bie dhe do të fle, sepse vetëm ti, o Jehova, më bën të banoj në siguri.»—Psalmi 4:8, BR.
A mund të shpjegosh?
◻ Përse përpjekjet njerëzore për paqe kanë dështuar vazhdimisht?
◻ Cili është shkaku rrënjësor i luftës?
◻ Përse paqja e qëndrueshme nuk është një ëndërr e parealizueshme?
◻ Cili është burimi i paqes së vërtetë?
[Figura në faqen 8]
Paqja e vërtetë nuk është një ëndërr. Është një premtim i Perëndisë
[Figura në faqen 10]
Që nga viti 1914, kalorësi simbolik i kalit me ngjyrë zjarri ka hequr paqen nga toka
[Figura në faqen 11]
A mund të sjellin paqe OKB-ja dhe feja?
[Burimi]
OKB foto