A beson në rimishërimin?
«A TË kujtohet ajo vajza që banonte afër shtëpisë tënde, me të cilën u dashurove, kur ishe duke u rritur këtu në Indi?—i shkroi Mukandbai të birit, i cili ndiqte studimet universitare në Shtetet e Bashkuara.—Brenda pak javësh, ajo do të martohet. Mendova se duhej ta dije.»
Përse i dha këtë lajm babai të birit? Në fund të fundit, Mukandbai i dha fund furishëm vite më parë asaj historie dashurie mes adoleshentësh. Veç kësaj, i biri kishte qenë për gjashtë vjet në Shtetet e Bashkuara, për të ndjekur arsimimin e lartë. Gjatë asaj kohe, ai nuk kishte pasur lidhje me vajzën dhe Mukandbai këtë e dinte.
Përse, atëherë, gjithë ai interesim? U tregua interesim, sepse Mukandbai besonte në rimishërimin apo në rilindjen.a Nëse rastësisht historia e dashurisë qysh fëmijë ndërmjet të dyve i detyrohej faktit se kishin qenë partnerë në jetët e mëparshme, do të ishte mizore t’i mbaje të ndarë tani, që ata ishin në moshë për martesë. Mukandbai donte vetëm që ta vinte të birin në dijeni të situatës, para se vajza të bëhej gruaja e dikujt tjetër në këtë jetë.
Le të marrim një rast tjetër. Një vajzë katërvjeçare kishte pasur disa qëndrime të ankthshme në një spital, në Mumbai të Indisë. Problemi i saj qëndronte në një valvul me të meta që kishte në zemër. Prindërit e saj të pasur nuk mund të duronin të shihnin fëmijën tek vuante. Megjithatë, arsyetuan: «Duhet ta pranojmë faktin që kemi një fëmijë shëndetlig. Që të meritojë këtë, ajo duhet të ketë bërë ndonjë gjë në jetën e saj të mëparshme.»
Besimi në rimishërimin luan një rol të rëndësishëm në jetën e miliona njerëzve në hinduizëm, budizëm, jainizëm, sikizëm dhe fe të tjera, që kanë zënë fill në Indi. Përvojat e jetës, që nga rënia në dashuri e deri tek vuajtjet e mëdha, janë konsideruar pasoja të veprave të kryera në jetën apo jetët e mëparshme.
Gjithashtu, shumë njerëz në vendet perëndimore janë të magjepsur pas doktrinës së rimishërimit. Aktorja amerikane, Shirli MekLein shpreh hapur se beson në të. Shkrimtarja Laurel Felan e Vankuverit, Kolumbia Britanike, Kanada, thotë se ka kujtime nga 50 jetë të kaluara. Në një sondazh të bërë nga Gallup në vitin 1994, të drejtuar për CNN/USA Today, më shumë se 270 të rritur nga 1.016 thanë hapur se besonin në rimishërimin. Veç kësaj, besimi në rimishërimin është pjesë e lëvizjes Epoka e Re. Por, cila provë e mbështet këtë besim?
«Kujtimet e një jete të mëparshme»,—thonë ata që besojnë në rimishërimin. Si pasojë, kur Ratana trivjeçare në Bankok nisi të kishte «kujtime të jetës së saj të kaluar si një grua fetare, e cila vdiq tek të 60-at», shumica e vëzhguesve e pranuan rastin e saj si një provë të vlefshme të rimishërimit.
Megjithatë, ka me bollëk skepticizëm. Gjithashtu, janë të mundura edhe shpjegime të tjera të kujtimeve që u atribuohen jetëve të mëparshme.b Në librin e tij Hinduizmi: Domethënia e tij për çlirimin e shpirtit, filozofi hindu Nikilananda thotë se ‘përvojat pas vdekjes nuk mund të provohen nga arsyeja’. Megjithatë, ai pohon se «doktrina e rilindjes është më shumë e mundur sesa e pamundur».
Por, a e mbështet Bibla këtë mësim? Çfarë shprese ofron Fjala e Perëndisë për të vdekurit?
[Shënimet]
a Sipas The New Encyclopædia Britannica, «rimishërim» do të thotë «rilindje e shpirtit në një apo më shumë ekzistenca të njëpasnjëshme, të cilat mund të jenë njerëzore, shtazore apo në ndonjë rast bimore». Termi «rilindje» përdoret, gjithashtu, për të përshkruar këtë fenomen, por fjala «rimishërim» pranohet gjerësisht. Disa fjalorë të gjuhës së folur të Indisë i përdorin këto fjalë në mënyrë të këmbyeshme.
b Shiko faqet 5-7 të numrit Zgjohuni!, 8 qershor 1994, botuar në anglisht.
[Figurat në faqen 4]
A është ndëshkuar ajo për mëkatet e saj në një jetë të mëparshme?