Si të gjejmë shpresë në mes të dëshpërimit?
PËRFYTYRO sikur të pësosh një përvojë si kjo: Të gjitha zotërimet materiale të shkatërohen, duke të lënë pa një dyshkë në xhep. Fëmijët e tu, gëzimi i jetës sate, të kanë vdekur. Bashkëshorti nuk të mbështet më moralisht. Shëndeti yt ka marrë në kuptimin e vërtetë të fjalës teposhtën. Çdo ditë është një mundim agonik.
Sikur të jetë ky risku yt i jetës, a do të gjeje ndonjë arsye për të vazhduar në jetë? Apo do të bije në dëshpërim?
Gjendja e trishtueshme që kemi përshkruar ishte përvoja e vërtetë e jetës së Jobit, një njeri që jetoi në kohët biblike. (Jobi, kapitujt 1, 2) Tek kishte arritur në një pikë tepër të dëshpëruar, Jobi u ankua: «Jam neveritur nga jeta.» Ai do ta kishte pritur krahë hapur vdekjen, si një lehtësim. (Jobi 10:1; 14:13) Megjithatë, pavarësisht nga vuajtja tepër e madhe, Jobi e mbajti integritetin e tij ndaj Perëndisë. Prandaj, Jehovai «i bekoi vitet e fundit të Jobit më tepër se vitet e para». Kështu, ai vdiq në paqe, «plak dhe i ngopur në ditë».—Jobi 42:12, 17.
Jobi la një shembull në qëndrueshmëri, të atillë që është i lavdërueshëm edhe sot e kësaj dite. Sprovat e rafinuan personalitetin e tij dhe motivuan të tjerë për vepra të mira. (Jakovit 5:10, 11) Por ajo që është më e rëndësishmja nga të gjitha, integriteti pa të meta i Jobit e mbushi me gëzim zemrën e Jehovait. (Proverbat 27:11) E në këtë mënyrë, një makth agonie u shndërrua së fundi në një triumf tronditës të perëndishmërisë, besimit dhe integritetit, i cili solli bekime për Jobin dhe për të gjithë ata, të cilët janë nxitur nga shembulli i tij.
Shpresë, pavarësisht nga sprovat e ndryshme
Edhe ti mund të heqësh vuajtje të ngjashme me ato që përjetoi Jobi. Humbja e një personi të dashur mund të të ketë shkatërruar emocionalisht. Sëmundjet e ashpra mund ta kenë bërë ekzistencën tënde një mund plot dhimbje. Tërë jeta jote mund të duket se është katandisur në copa, për shkak të një divorci që të thyen zemrën. Prapësitë ekonomike mund të të kenë lënë në varfëri. Ndoshta mund të jesh objekt i një persekutimi të egër nga ana e kundërshtarëve të urryer të adhurimit të vërtetë. Lufta për të përballuar sprovat, mund të të shtyjë të mendosh se e ardhmja jote është e pashpresë.—1. Pjetrit 1:6.
Në vend se t’i hapësh rrugë dëshpërimit, pyet veten: «Përse po vuaj?» Po vuan, sepse jeton në një botë, e cila «dergjet nën fuqinë e të ligut», Satana Djallit. (1. Gjonit 5:19, BR) Për këtë arsye, të gjithë vuajnë. Në ndonjë mënyrë, të gjithë ne jemi të ndikuar nga urrejtja e frymëzuar prej Djallit për mesazhin e Mbretërisë, nga fjalët pa dashuri të të tjerëve apo nga veprat e tmerrshme të sjelljes së paperëndishme kaq të zakonshme në këto «kohë kritike».—2. Timoteut 3:1-5, BR.
Nëse në jetë të ka ndodhur diçka tragjike, mund të kesh qenë viktimë e «kohës dhe rastësisë». (Eklisiastiu 9:11) Në anën tjetër, herë pas here punët në jetë na shkojnë keq, për shkak të mëkateve tona të trashëguara. (Romakëve 5:12) Edhe sikur të kesh gabuar seriozisht, por nëse je penduar dhe ke kërkuar ndihmë frymore, mos mendo se Perëndia të ka braktisur. (Psalmi 103:10-14; Jakovit 5:13-15) Ai kujdeset për ne, më shumë se kushdo tjetër. (1. Pjetrit 5:6, 7) Mund të kesh besim se «Jehovai është pranë zemërthyerve; ai i shpëton ata që janë të shtypur në frymë». (Psalmi 34:18, BR) Pavarësisht se sa tragjike apo e ashpër është sprova që ke, Jehovai mund të të japë mençurinë për ta përballuar. (Jakovit 1:5-8) Mos harro asnjëherë që Jehovai mund të shërojë çdo plagë. Kur ke favorin e tij, asgjë s’mund të të pengojë për të marrë çmimin e jetës.—Romakëve 8:38, 39.
A mund të vijë diçka e mirë nga sprovat?
Ekziston një thënie e vjetër: «Çdo e keqe ka edhe të mirën e vet.» Kjo është një mënyrë e thjeshtë, për të thënë se sado keq që të shkojnë punët, prapëseprapë mund të gjesh një arsye për shpresë. Qëllimi pas çdo fjale të shkruar në Fjalën e Perëndisë është se mund «të kemi shpresë». (Romakëve 15:4) Sado e rëndë të jetë gjendja jote, premtimet dhe parimet e Biblës mund të të sjellin gëzim e forcë të përtërirë.
Shkrimet tregojnë se «mjerimi është i përkohshëm dhe i lehtë», po ta krahasojmë me bekimet e përhershme që shtrihen para atyre që e duan Perëndinë. (2. Korintasve 4:16-18, BR) Bibla tregon, gjithashtu, se cilësitë hyjnore që zhvillohen mes sprovave, kanë një vlerë më të madhe se fama apo pasuria materiale. (1. Gjonit 2:15-17) Pra, edhe vuajtjet mund të shërbejnë për një qëllim të mirë. (Hebrenjve 5:8) Në fakt, zbatimi i atyre që ke mësuar gjatë sprovave, mund të të sjellë bekime të papritura.
Një sprovë e vështirë mund të të bëjë më dashamirës e më pak ekstremist në sjelljen tënde. Mund të pranosh se në të shkuarën ke pasur aspekte të personalitetit që të tjerëve u shkaktonin mërzi, madje që pengonin edhe përparimin tënd frymor. Ndoshta ka qenë mirëbesimi i tepërt. Pasi je ndikuar nga ndonjë ndodhi e keqe, ndoshta ke kuptuar papritur se sa i brishtë je dhe se sa shumë ke nevojë për të tjerët. Nëse ke nxjerrë këtë mësim nga sprova dhe nëse ke bërë ndryshimin e nevojshëm, kjo të ka sjellë dobi.
Ç’të themi, sikur në të kaluarën të tjerët të kenë pasur probleme me ty, për shkak të vështirësive të tua për të kontrolluar temperamentin tënd? Kjo mund të të ketë sjellë njëfarë shqetësimi në lidhje me shëndetin. (Proverbat 14:29, 30) Gjithsesi, tani gjendja mund të jetë shumë më e mirë, pasi ti e ke vendosur besimin tënd në frymën e Perëndisë që të të ndihmojë për të ushtruar vetëkontroll.—Galatasve 5:22, 23.
Si edhe të tjerë, mbase dikur të ka munguar dhembshuria për të qenë i mëshirshëm kundrejt atyre që gabonin. Por, sikur të kesh rënë në një gjendje ku ke pasur nevojë të madhe për mëshirë, ka të ngjarë që tani të jesh më i prirë për të qenë i mëshirshëm ndaj të tjerëve. Dhembshuria e përzemërt, kujdesi dhe mëshira që të janë treguar, të kanë bërë të kuptosh se edhe ti duhet të shfaqësh cilësi të ngjashme kundrejt atyre që kanë gabuar e janë penduar. Nëse vuajtja të ka nxitur të korrigjosh këto dobësi në personalitetin tënd, kjo është një nga dobitë që ke nxjerrë prej përvojës sate. Ti ke mësuar se «mëshira triumfon mbi gjykimin».—Jakovit 2:13; Mateu 5:7.
Po sikur disiplina që ke marrë prej kongregacionit të krishterë të të ketë kushtuar humbjen e disa privilegjeve të dashura dhe të respektit nga të tjerët? Mos bjer në dëshpërim. Veprimi disiplinues ndihmon për të mbajtur pastër kongregacionin, por ndër objektivat e tij përfshihet edhe përtëritja frymore e shkelësit. Duhet pranuar, «asnjë disiplinë për momentin nuk duket se është e gëzueshme, por e rëndë; megjithatë, më pas, atyre që janë stërvitur prej saj, ajo u sjell fryt paqësor, d.m.th., drejtësi». (Hebrenjve 12:11, BR) Edhe pse mund të jetë një goditje shkatërrimtare, disiplina nuk e lë pa shpresë personin që është penduar në mënyrë të përulur. Mbreti i Izraelit të lashtë, Davidi, u disiplinua ashpër për keqbërje, por ai u pendua dhe më në fund mori lavdërime të veçanta, si një njeri me besim të jashtëzakonshëm.—2. Samuelit 12:7-12; Psalmi 32:5; Hebrenjve 11:32-34.
Një sprovë mund të ketë një ndikim të thellë mbi pikëpamjen tënde. Në të kaluarën, ndoshta vëmendja jote ka qenë e përqendruar mbi synime dhe arritje materialiste, të cilat të bënin të bije në sy, si dhe të kishe një status shoqëror në këtë botë. Një sprovë e lidhur mbase me një prapësi financiare apo me humbje materiale, mund t’i ketë përqendruar mendimet e tua mbi gjërat më të rëndësishme. (Krahaso Filipianëve 1:10.) Tani e kupton se vlerat dhe synimet frymore në shërbimin e shenjtë janë të vetmet gjëra që sjellin gëzim të vërtetë dhe kënaqësi të qëndrueshme.
Beso në Jehovain
Kryerja e shërbimit të shenjtë ndaj Jehovait mund të rezultojë në persekutime dhe vuajtje nga dora e atyre që u kundërvihen bindjeve të tua të krishtere. Ti mund të ndihesh i shtypur për shkak të kësaj sprove, por prej saj mund të të vijnë dobi. Kjo provë mund të forcojë besimin tënd. Për më tepër, të tjerë që vuajnë persekutime mund të inkurajohen e të forcohen, duke vërejtur ngulmimin tënd. Dëshmitarët okularë të sjelljes sate të shkëlqyer mund të motivohen për të lavdëruar Perëndinë. Edhe vetë kundërshtarët e tu mund të ndihen të turpëruar e të pranojnë veprat e tua të mira.—1. Pjetrit 2:12; 3:16.
Për të shmangur dëshpërimin në kohë persekutimi, ke nevojë të besosh në Jehovain. Fjala e tij tregon se lehtësimi nga sprovat do të vijë me siguri, por ndoshta jo aq shpejt sa do të dëshiroje ti. Ndërkohë, «mos u lodhni së bëri të mirën». (2. Selanikasve 3:13) Vazhdo të kërkosh mënyra për të përballuar sprovat e për të qëndruar. Edhe atëherë kur gjërat duken pa shpresë, «hidhe barrën tënde mbi vetë Jehovain dhe ai vetë do të të mbështetë. Ai nuk do të lejojë kurrë që i drejti të lëkundet». (Psalmi 55:22, BR) Në vend që të përpihesh nga mëshirimi për vetveten, mendo se sa i bekuar je që njeh Jehovain, që ke një vend në gjirin e popullit të tij dhe që zotëron shpresën e jetës së pafundme.—Gjoni 3:16, 36.
Mbaje mendjen të përqendruar në gjërat thelbësore. Afroju Jehovait çdo ditë në lutje, duke i kërkuar forcë për të qëndruar. (Filipianëve 4:6, 7, 13) Fshi çdo mendim për t’ua paguar atyre që të shkaktojnë vuajtje. Lëre çështjen në duart e Jehovait. (Romakëve 12:19) Vazhdo të kërkosh mënyra për të rafinuar personalitetin tënd, duke kultivuar cilësi të krishtere. (2. Pjetrit 1:5-8) Vlerëso gjithçka që kanë bërë për ty vëllezërit, përfshi edhe pleqtë, të cilët me dashuri kujdesen për nevojat e tua frymore. (Hebrenjve 13:7, 17) Ji besnik ndaj Perëndisë dhe mbaji sytë nga çmimi i jetës, i sigurt se edhe vdekja nuk mund të ta vjedhë atë.—Gjoni 5:28, 29; 17:3.
Nëse tani po përjeton trishtim të madh apo sprova të ashpra, «beso në Jehovain me gjithë zemrën tënde» dhe një gëzim i bollshëm do të zëvendësojë së fundi pikëllimin dhe vështirësinë tënde. (Proverbat 3:5, 6, BR; Gjoni 16:20) Mjerimi do t’i lërë vendin lumturisë, kur Perëndia të të bekojë, ashtu sikurse bëri me Jobin. Vuajtjet e tanishme nuk mund të krahasohen me asgjë, përballë shpërblimit që të pret. (Krahaso Romakëve 8:18.) Qëndrueshmëria jote plot besim mund t’i inkurajojë të tjerët dhe mund të të ndihmojë të kultivosh cilësitë e mrekullueshme të krishtere, të cilat vijnë bashkë me «personalitetin e ri». (Efesianëve 4:23, 24; Kolosianëve 3:10, 12-14) Prandaj, merr zemër nga këshilla e mençur e apostullit Pjetër: «Ata që vuajnë sipas vullnetit të Perëndisë, le t’i besojnë shpirtrat e vet atij, si te Krijuesi besnik, duke bërë të mirën.».—1. Pjetrit 4:19.
[Figura në faqen 23]
Ji si Jobi. Mos e humb kurrë shpresën
[Figura në faqen 24]
Beso në Jehovain me gjithë zemrën tënde