Bibla: Një libër i pashoq
Është quajtur me të drejtë, libri më i shitur. Bibla është lexuar dhe vlerësuar më shumë se çdo libër tjetër. Deri më sot, është përllogaritur se shpërndarja e saj (si e tërë ose e pjesshme) ka qenë katër miliardë kopje në më shumë se 2.000 gjuhë.
Megjithatë, shumë më tepër interes sesa qarkullimi i Biblës, ngjall deklarata e saj se ka autorësi hyjnore. «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia»,—shkroi apostulli i krishterë, Pavli. (2. Timoteut 3:16) Ç’do të thotë kjo? Fraza «i frymëzuar nga Perëndia» (greqisht, the·oʹpneu·stos), fjalë për fjalë do të thotë «marrja dhe nxjerrja e frymës nga Perëndia». Një fjalë greke e përafërt, pneuʹma, do të thotë «frymë». Pra, deklarata thotë se fryma e shenjtë e Perëndisë i nxiti shkrimtarët njerëzorë, e thënë në mënyrë të figurshme, duke marrë dhe duke nxjerrë frymë mbi ta, kështu që produkti përfundimtar mundi të quhej me të vërtetë Fjala e Perëndisë, jo e njeriut. Në të vërtetë, shumë prej atyre që kanë studiuar Biblën, mrekullohen nga harmonia në tërësinë e saj, nga saktësia shkencore, nga ndershmëria dhe çiltërsia e shkrimtarëve të saj dhe ç’është më e rëndësishmja, nga profecitë e saj të përmbushura, të cilat kanë bindur miliona lexues, që meditojnë mbi të, se ky libër vjen prej një burimi më të lartë se njeriu.a
Por, si e drejtoi nga afër Perëndia shkrimin e Biblës? Disa thonë se ai e diktoi Biblën fjalë për fjalë. Të tjerë thonë se ai frymëzoi thjesht mendimet që gjenden në Bibël, jo fjalët. Megjithatë, në të vërtetë, frymëzimi nuk mund të reduktohet në një proces të vetëm, sepse Perëndia u foli «në shumë mënyra etërve me anë të profetëve». (Hebrenjve 1:1; krahaso 1. Korintasve 12:6.) Në artikullin vijues, do të marrim në shqyrtim mënyrat në të cilat u foli Perëndia 40 shkrimtarëve njerëzorë, të cilët shkruan Biblën.
[Shënimi]
a Për informacion të mëtejshëm, shiko faqet 53-54 dhe 98-161 të librit Bibla: Fjalë e Perëndisë apo e njeriut?, botuar në anglisht nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.