A jeni miq të Perëndisë? Çfarë zbulojnë lutjet tuaja?
MOS vallë rastësisht të ka zënë ndonjëherë veshi dy njerëz që bisedojnë? Pa dyshim, që nuk të është dashur shumë për të përcaktuar natyrën e marrëdhënies së tyre: nëse ishin të afërm apo të huaj, thjesht të njohur apo miq të ngushtë e të besuar. Në një mënyrë të ngjashme, lutjet tona mund të zbulojnë marrëdhënien tonë me Perëndinë.
Bibla na siguron se Perëndia «nuk është larg nga secili prej nesh». (Veprat 17:27, BR) Në fakt, ai na fton që ta njohim. Madje, mund të jemi miq të tij. (Psalmi 34:8; Jakovit 2:23) Ne mund të gëzojmë intimitet të vërtetë me të! (Psalmi 25:14) Është e qartë, marrëdhënia jonë me Perëndinë është gjëja që s’ka të çmuar, të cilën ne njerëzit e papërsosur kemi mundësi të zotërojmë. E në fakt, Jehovai e çmon miqësinë tonë. Kjo është e dukshme pasi miqësia jonë me të bazohet tek besimi ynë në Birin e tij të vetëmlindur, i cili dha jetën e tij për ne.—Kolosianëve 1:19, 20.
Prandaj, lutjet tona duhet të pasqyrojnë dashuri të thellë dhe çmueshmëri për Jehovain. Megjithatë, a ke menduar ndonjëherë se ndërkohë që lutjet e tua përmbajnë nderim, u mungojnë disi ndjenjat vërtet të përzemërta? Kjo nuk është e pazakontë. Ku qëndron çelësi për përmirësimin e kësaj gjëje? Në zhvillimin e miqësisë me Perëndinë Jehova.
Të gjejmë kohë për t’u lutur
Për të zhvilluar dhe për të kultivuar një miqësi, duhet para së gjithash kohë. Çdo ditë, ti mund të përshëndetesh dhe madje të shkëmbesh dy a tri fjalë me shumë njerëz: fqinjët, kolegët, shoferët dhe shitësit në dyqan. Megjithatë, kjo zor se do të thotë që je vërtet mik me këta persona. Miqësia rritet nëse flet gjerë e gjatë me personin, duke shkuar nga një bisedë sipërfaqësore deri tek shprehja e ndjenjave dhe e mendimeve të tua më të brendshme.
Ngjashëm, lutja na ndihmon të jemi më afër Jehovait. Por kësaj i duhet kushtuar koha e mjaftueshme; nevojitet më shumë sesa një lutje e shkurtër falënderimi në kohën e ngrënies. Sa më shumë që të flasësh me Jehovain, aq më shumë je në gjendje të sqarosh ndjenjat, motivet dhe veprimet e tua. Fillojnë të shfaqen zgjidhjet e problemeve të vështira, ndërsa fryma e Perëndisë të sjell ndër mend parimet e Fjalës së tij. (Psalmi 143:10; Gjoni 14:26) Më tej, ndërsa lutesh, Jehovai bëhet më real për ty dhe ti bëhesh më i vetëdijshëm për interesin dhe kujdesin e tij të dashur për ty.
Është kështu, sidomos kur përjeton përgjigjen e lutjeve të tua. Pra, Jehovai mund «të bëjë me tepri përtej të gjitha gjërave që ne kërkojmë apo konceptojmë»! (Efesianëve 3:20, BR) Kjo nuk do të thotë se Perëndia kryen mrekulli për ty. Por, me anë të Fjalës së tij të shkruar, botimeve të klasës së skllavit të besueshëm apo gojës së vëllezërve dhe motrave të dashura, ai mund të të sigurojë këshillën ose drejtimin e nevojshëm. Ose mund të të japë forcën që nevojitet për të përballuar apo për të rezistuar përballë një tundimi. (Mateu 24:45; 2. Timoteut 4:17) Përvoja të tilla na e mbushin zemrën me çmueshmëri për Mikun tonë qiellor!
Për këtë arsye, personi duhet të lërë kohë për lutjen. Është e vërtetë se koha është e pamjaftueshme në këto ditë gjithë stres. Por, kur kujdesesh vërtet për dikë, zakonisht ti gjen kohë për ta kaluar me të. Vëre mënyrën, në të cilën u shpreh psalmisti: «Si drenusha që digjet për rrjedhat e ujit, ashtu digjet vetë shpirti im për ty, o Perëndi. Me të vërtetë shpirti im ka etje për Perëndinë, Perëndinë e gjallë. Kur do të vij e të shfaqem përpara Perëndisë?» (Psalmi 42:1, 2, BR) A dëshiron ngjashëm me zjarr të flasësh me Perëndinë? Atëherë, bli kohën për ta bërë!—Krahaso Efesianëve 5:16.
Për shembull, mund të provosh të ngrihesh herët në mëngjes, për të pasur ca kohë për t’u lutur për vete. (Psalmi 119:147) A kalon ndonjëherë netë pa gjumë? Atëherë, ashtu si psalmisti, mund t’i konsiderosh këto kohë shqetësimi si një mundësi për t’i shprehur Perëndisë shqetësimet e tua. (Psalmi 63:6) Ose thjesht mund të ofrosh disa lutje të shkurtra gjatë ditës. Psalmisti i tha Perëndisë: «Ty vazhdoj të të thërras gjatë gjithë ditës.»—Psalmi 86:3, BR.
Përmirësimi i cilësisë së lutjeve tona
Nganjëherë, do ta shohësh të dobishme edhe zgjatjen e lutjeve të tua. Gjatë një lutjeje të shkurtër, mund të priresh për të folur për gjëra sipërfaqësore. Por kur bën lutje më të gjata e më të thella, ti shpreh me më pak vështirësi mendimet dhe ndjenjat e tua më të brendshme. Jezui të paktën një herë kaloi një natë të tërë në lutje. (Luka 6:12) Pa dyshim që do të shohësh se lutjet e tua bëhen më intime dhe domethënëse, nëse shmang bërjen e tyre shpejt e shpejt.
Kjo nuk do të thotë të shkosh degë më degë, kur ke pak për të thënë; as nuk do të thotë të bësh përsëritje pa domethënie. Jezui paralajmëroi: «Kur luteni, mos thoni në mënyrë të përsëritur të njëjtat gjëra, ashtu siç bëjnë njerëzit e kombeve, pasi ata imagjinojnë se do të dëgjohen nga përdorimi i fjalëve të shumta. Prandaj, mos u bëni si ata, sepse Perëndia, Ati juaj e di se çfarë gjërash ju nevojiten, para se t’ia kërkoni.»—Mateu 6:7, 8, BR.
Lutja është më domethënëse kur mendon që më përpara se mbi cilat argumente dëshiron të bisedosh. Mundësitë janë të pafundme: gëzimi ynë në shërbim, dobësitë dhe papërsosmëritë tona, zhgënjimet, shqetësimet tona ekonomike, presionet në punë apo në shkollë, mirëqenia e familjeve tona dhe gjendja frymore e kongregacionit tonë lokal, për të përmendur vetëm disa.
Kur lutesh, a priret ndonjëherë mendja jote të humbasë? Atëherë, bëj më shumë përpjekje për t’u përqendruar. Në fund të fundit, Jehovai është i gatshëm ‘t’u kushtojë vëmendje lutjeve tona’. (Psalmi 17:1, BR) A nuk duhet të jemi të gatshëm që të bëjmë një përpjekje të zjarrtë për t’u kushtuar vëmendje vetë lutjeve tona? Po, ‘drejtoje mendjen drejt gjërave të frymës’ dhe mos e lejo atë të humbasë.—Romakëve 8:5, BR.
Gjithashtu, e rëndësishme është mënyra, në të cilën i drejtohemi Jehovait. Megjithëse ai dëshiron që ne ta konsiderojmë atë si një mik, kurrë nuk duhet të harrojmë se jemi duke folur me Sovranin e universit. Lexo dhe medito mbi skenën që të frymëzon frikë nderuese, të portretizuar në kapitujt 4 dhe 5 të Zbulesës. Atje, Gjoni pa në një vizion madhështinë e Atij, të cilit ne i afrohemi në lutje. Ç’privilegj është që jemi në gjendje t’i afrohemi dhe të fitojmë të drejtën për të hyrë tek «Ai që ulet mbi fron»! Nuk duam kurrë që e folura jonë të jetë pa respekt apo pa dinjitet. Përkundrazi, duhet të bëjmë përpjekje të bashkërenduara për t’i bërë ‘thëniet e gojës sonë dhe meditimin e zemrës sonë të kënaqshme për Jehovain’.—Psalmi 19:14, BR.
Megjithatë, duhet të kuptojmë se ne nuk lëmë mbresa tek Jehovai me një të folur elokuent. Ai është i kënaqur me shprehjet tona të përzemërta dhe gjithë respekt, pavarësisht se sa thjesht janë shprehur.—Psalmi 62:8.
Ngushëllim dhe kuptueshmëri në kohë nevoje
Kur kemi nevojë për ndihmë dhe për ngushëllim, shpesh i drejtohemi një miku të ngushtë për mbështetje dhe mirëdashje. E pra, asnjë mik nuk arrihet më lehtë sesa Jehovai. Ai është «një ndihmë që gjendet menjëherë gjatë vuajtjeve». (Psalmi 46:1, BR) Si «Perëndi i çdo ngushëllimi», ai e kupton më mirë se kushdo tjetër se çfarë po kalojmë. (2. Korintasve 1:3, 4; Psalmi 5:1; 31:7) Në fakt, ai ka empati dhe dhembshuri të vërtetë për ata që gjenden në ngushticë. (Isaia 63:9; Luka 1:77, 78) Duke dalluar që Jehovai është një mik i kuptueshëm, ne ndihemi të lirë për t’i folur në mënyrë të zjarrtë, intensive. Nxitemi për t’i shprehur frikën dhe shqetësimet më të thella. Në këtë mënyrë, përjetojmë drejtpërsëdrejti se si ‘vetë ngushëllimet [e Jehovait] fillojnë të ledhatojnë shpirtin tonë’.—Psalmi 94:18, 19, BR.
Ndonjëherë mund të ndihemi të padenjë për t’iu afruar Perëndisë, për shkak të gabimeve tona. Po sikur një miku yt i ngushtë të ketë gabuar kundër teje dhe të kërkon të falur? A nuk do të ishe i nxitur për ta ngushëlluar dhe për ta qetësuar? Përse, atëherë, duhet të presësh më pak nga Jehovai? Ai i fal me bujari miqtë e tij, të cilët mëkatojnë si pasojë e papërsosmërisë njerëzore. (Psalmi 86:5; 103:3, 8-11) Duke e ditur këtë, ne nuk e frenojmë veten për t’i rrëfyer atij lirisht gabimet tona; mund të jemi të sigurt për dashurinë dhe mëshirën e tij. (Psalmi 51:17) Nëse jemi të dëshpëruar për shkak të mangësive tona, ne mund të ngushëllohemi me fjalët e 1. Gjonit 3:19, 20: «Nga kjo do të dimë se ne vijmë nga e vërteta dhe do të sigurojmë zemrat tona para tij, lidhur me çdo gjë që zemrat tona mund të na dënojnë, sepse Perëndia është më i madh se zemrat tona dhe i di të gjitha gjërat.»—BR.
Megjithatë, nuk duhet të jemi në ngushtica të mëdha për të gëzuar kujdesin e dashur të Perëndisë. Jehovai interesohet për çdo gjë që mund të ndikojë mirëqenien tonë frymore dhe emocionale. Po, kurrë nuk duhet të mendojmë se ndjenjat, mendimet dhe shqetësimet tona janë tepër të papërfillshme për t’u përmendur në lutje. (Filipianëve 4:6) Kur je me një mik të ngushtë, mos vallë flet vetëm për ndodhi të mëdha të jetës sate? A nuk ndan me të edhe ato shqetësime që janë relativisht të vogla? Në mënyrë të ngjashme, mund të ndihesh i lirë për të folur me Jehovain për çdo aspekt të jetës sate, duke ditur se «ai kujdeset për ty».—1. Pjetrit 5:7, BR.
Natyrisht, ka të ngjarë që një miqësi të mos shkojë gjatë, nëse gjithçka që thua është për veten tënde. Ngjashëm, lutjet tona nuk duhet të jenë egocentrike. Ne duhet të shprehim edhe dashurinë dhe shqetësimin tonë për Jehovain dhe interesat e tij. (Mateu 6:9, 10) Lutja nuk është vetëm një mundësi për të kërkuar ndihmë nga Perëndia, por edhe një rast për të shprehur falënderime dhe lavdërime. (Psalmi 34:1; 95:2) «Marrja e njohurisë» me anë të studimit të rregullt personal do të na ndihmojë në këtë aspekt, ashtu siç na ndihmon për t’u njohur më shumë me Jehovain dhe rrugët e tij. (Gjoni 17:3) Mund të të duket veçanërisht i dobishëm leximi i librit të Psalmeve dhe vënia re se si i janë shprehur Jehovait shërbëtorë të tjerë besimplotë.
Miqësia e Jehovait është vërtet një dhuratë që s’ka të çmuar. Le të tregojmë se ne e çmojmë atë, duke i bërë lutjet tona edhe më intime, të përzemërta dhe personale. Atëherë do të gëzojmë lumturinë e shprehur nga psalmisti, i cili deklaroi: «I lumtur është ai që ti zgjodhe dhe bëre të afrohet.»—Psalmi 65:4, BR.
[Figurat në faqen 28]
Ne mund t’i lutemi Perëndisë gjatë gjithë ditës, sa herë që të na jepet mundësia