Të varfër por të pasur: Si është e mundur?
Shekuj më parë, një burrë i mençur u lut që të mos bëhej i varfër. Përse një kërkesë e tillë? Sepse kishte frikë se mos varfëria e shtynte në qëndrime dhe veprime që do të kërcënonin marrëdhënien e tij me Perëndinë. Kjo është e dukshme nga fjalët e tij: «Më lër të përlaj ushqimin e paracaktuar për mua . . . që të mos arrij në varfëri dhe në fakt të vjedh e të sulmoj emrin e Perëndisë tim.»—FJALËT E URTA 30:8, 9, BR.
A DO të thotë kjo se për një person të varfër është e pamundur t’i shërbejë Perëndisë me besim të plotë? Vështirë se po! Gjatë gjithë historisë, shërbëtorë të panumërt të Perëndisë Jehova kanë mbajtur integritetin ndaj tij, pavarësisht nga vështirësitë që sjell varfëria. Nga ana e tij, Jehovai i do ata që besojnë në të dhe i siguron në aspektin material.
Persona besimplotë të lashtësisë
Vetë apostulli Pavël përjetoi kohëra nevoje. (2. Korintasve 6:3, 4) Ai përshkroi, gjithashtu, një «re të madhe» dëshmitarësh besimplotë të parakrishterimit, disa prej të cilëve «u endën të mbuluar me lëkurë dhënsh e dhish, nevojtarë . . . u sollën nëpër shkretëtira e nëpër male, nëpër shpella e nëpër guva të dheut».—Hebrenjve 11:37, 38; 12:1.
Njëri prej këtyre besimplotëve ishte profeti Elija. Gjatë një thatësire prej tre vjetësh e gjysmë, në mënyrë të mrekullueshme, Jehovai siguroi për të ushqim. Së pari, Perëndia bëri që korbat t’i sillnin profetit bukë dhe mish. (1. Mbretërve 17:2-6) Më vonë, Jehovai vazhdoi në mënyrë të mrekullueshme furnizimin me miell dhe vaj, me të cilin një e ve mbajti Elijan. (1. Mbretërve 17:8-16) Ushqimi ishte shumë i thjeshtë, por me të mbajtën shpirtin gjallë profeti, gruaja dhe biri i saj.
Në mënyrë të ngjashme, Jehovai mbështeti profetin besimplotë Jeremia, gjatë periudhave të vështira ekonomike. Jeremia mbijetoi rrethimin babilonas të Jerusalemit, kur njerëzve iu desh ‘ta hanin bukën me peshë dhe në hidhërim’. (Ezekieli 4:16) Më në fund, zia e bukës në qytet u bë kaq e rëndë, sa disa gra hëngrën mishin e fëmijëve të vetë. (Vajtimet 2:20) Edhe pse Jeremia ishte i burgosur për shkak të predikimit të tij të patrembur, Jehovai bëri të sigurt që atij ‘t’i jepej çdo ditë një copë bukë . . . derisa u mbarua gjithë buka e qytetit’.—Jeremia 37:21.
Kështu që Jeremia, ashtu si Elija, pati ç’të hante. Shkrimet nuk na tregojnë se çfarë apo se sa shpesh hëngri Jeremia, pasi Jerusalemit i mbaroi buka. Megjithatë, ne e dimë se Jehovai e mbështeti dhe se ai e mbijetoi atë periudhë të tmerrshme zije buke.
Sot, varfëria ekziston në çdo pjesë të botës. Sipas Kombeve të Bashkuara, përqendrimi më i madh i varfërisë gjendet në Afrikë. Një pohim i OKB-së për mjetet e informacionit publik, në vitin 1996, thoshte: «Të paktën gjysma e afrikanëve janë varfëruar.» Megjithë kushtet e rënda ekonomike gjithnjë në rritje, një numër afrikanësh që sa vjen e shtohet, po aplikojnë parimet biblike në jetë dhe po i shërbejnë me besim të plotë Perëndisë, të sigurt se ai do t’i mbështesë. Le të shqyrtojmë disa shembuj nga një pjesë e botës sonë të turbullt.
Mbajtja e ndershmërisë
Mikeli,a i cili jeton në Nigeri, është një fermer që ka gjashtë fëmijë për të mbajtur. «Është e vështirë të jesh i ndershëm, kur s’ke para që të kujdesesh për familjen tënde,—thotë ai.—Megjithatë, kur tundohem për të qenë i pandershëm, i kujtoj vetes Efesianëve 4:28, ku thuhet: ‘Ai që vidhte, le të mos vjedhë më, por më tepër të mundohet duke bërë ndonjë punë të mirë me duart e veta.’ Kështu që nëse më del përpara tundimi, pyes veten: ‘A kam punuar për këto para?’»
«Për shembull,—shton Mikeli,—një ditë, ndërsa po ecja, pashë që një çantë ra nga pjesa e pasme e një motori. Nuk kisha mundësi ta ndalja motoçiklistin, kështu që mora çantën dhe vura re se qe plot me para! Duke përdorur letërnjoftimin që ndodhej në çantë, gjeta pronarin e saj dhe ia ktheva çantën.»
Të luftojmë me depresionin
Një burrë në Afrikën Veriore vërejti: «Varfëria është [si] të kesh ngecur në një gropë të thellë, prej nga mund të shohësh dritën dhe njerëzit që shëtitin të shpenguar, por pa pasur zë që të thërrasësh për ndihmë apo pa pasur një shkallë për t’u ngjitur lart.» Nuk është për t’u çuditur që varfëria sjell shpesh ndjenja depresioni dhe zhgënjimi! Madje edhe shërbëtorët e Perëndisë mund të shohin pasuritë e të tjerëve dhe të fillojnë të mendojnë se një jetë integriteti nuk ia vlen. (Krahaso Psalmin 73:2-13.) Si mund të mposhten ndjenja të tilla?
Piteri, një afrikano-perëndimor, kishte dalë në pension pas 19 vjetësh në shërbim të qeverisë. Tani ai mbahet kryesisht me një pension të vogël. «Kur kaloj periudha shkurajimi,—thotë Piteri,—kujtoj atë që kam lexuar në Bibël dhe në botimet e Shoqatës Watch Tower. Ky sistem i vjetër do të kalojë së shpejti dhe ne jemi në pritje të një sistemi më të mirë.
Gjithashtu, mendoj edhe rreth 1. Pjetrit 5:9, që thotë: ‘Kundërshtojeni [Satanain], duke qëndruar të patundur në besim, sepse e dini se të njëjtat vuajtje po i heqin vëllezërit tuaj të shpërndarë nëpër botë.’ Pra, unë nuk jam i vetmi që po vuaj nga vështirësitë. Këta përkujtues më ndihmojnë për të larguar mendimet shkurajuese dhe depresionuese.»
«Përveç kësaj,—shton Piteri,—kur ishte në tokë Jezui kreu shumë mrekulli, megjithatë nuk bëri askënd të pasur materialisht. Përse duhet të pres që të më bëjë të pasur mua?»
Fuqia e lutjes
Afrimi ndaj Perëndisë Jehova në lutje, është një mënyrë tjetër për të luftuar mënyrën negative të të menduarit. Kur në 1960-n Meri u bë Dëshmitare e Jehovait, familja e braktisi. E pamartuar dhe tashmë tek të 50-at, ajo është e brishtë dhe materialisht ka shumë pak. Megjithatë, është e zellshme në shërbimin e krishterë.
Meri thotë: «Kur ndihem e shkurajuar, shkoj tek Jehovai në lutje. E di se askush s’mund të më ndihmojë aq sa mundet ai. Kam mësuar se kur beson tek Jehovai, ai të ndihmon. Gjithmonë sjell ndër mend ato fjalë të mbretit David, që gjenden në Psalmin 37:25: ‘Unë kam qenë fëmijë dhe tani jam plakur, por nuk e kam parë kurrë të drejtin të braktisur dhe pasardhësit e tij të lypin bukë.’
Marr inkurajim edhe nga përvojat e vëllezërve dhe motrave më të mëdha frymore, që janë treguar në Kullën e Rojës. Perëndia Jehova i ka ndihmuar ata, kështu që e di se ai do të vazhdojë të më ndihmojë edhe mua. Ai bekon punën time të vogël të shitjes fufu [miell manioke] dhe ia dal për të plotësuar nevojat e mia të përditshme. Ndonjëherë kur mbetem pa asnjë të hollë dhe pyes veten ç’të bëj, Jehovai më dërgon dikë që më dhuron diçka në para dhe më thotë: ‘Motër, të lutem merre këtë.’ Jehovai nuk më ka zhgënjyer kurrë.»
Vlera e studimit të Biblës
Dëshmitarët e Jehovait e vlerësojnë studimin e Fjalës së Perëndisë, Biblës, dhe ata që janë të varfër nuk përjashtohen nga kjo. Xhoni që është gjashtëdhjetë vjeç, shërben si pionier (lajmëtar në kohë të plotë i Mbretërisë) dhe si shërbëtor ndihmës në kongregacion. Ai banon në një ndërtesë karakatinë me dy kate, ku janë 13 familje. Dhoma e tij është një pjesë e sallonit të katit të parë, e ndarë nga një kompensatë. Në të ka dy karrige të vjetra dhe një tavolinë me botime ndihmëse për studimin e Biblës, të bëra stivë. Ai fle në një rrogoz.
Xhoni nxirrte rreth një dollar në ditë duke shitur bukë, por kur importimi i grurit u ndalua, e humbi këtë mjet jetese. Ai thotë: «Ndonjëherë gjërat më duken shumë të vështira, por vazhdoj të shërbej si pionier. Është Jehovai që më mbështet. Bëj çdo punë që mund të gjej dhe nuk mbështetem tek ndokush që të më mbajë apo ushqejë, ndonëse vëllezërit e kongregacionit më ndihmojnë shumë. Ata më ndihmojnë të kërkoj punë dhe hera-herës më japin dhurata në para.
Unë lë kohë për të lexuar Biblën dhe botimet e Shoqatës Watch Tower. Lexoj në orët e para të mëngjesit, kur shtëpia është e qetë dhe natën vonë, kurdo që të ketë drita. E di se duhet të mbaj ritmin në studimin tim personal.
Të stërvitim fëmijët për jetën
Danieli është një i ve që ka gjashtë fëmijë. Në 1985-n humbi punën që kishte pasur për 25 vjet, por gjeti punë si shitës. «Ekonomikisht, jeta për familjen është e rëndë,—thotë ai.—Tani mund të hamë vetëm një herë në ditë. Njëherë mbetëm pa ngrënë tri ditë. Për të mbijetuar, na u desh të pinim vetëm ujë.»
Danieli shërben si plak kongregacioni. «Nuk mungoj asnjëherë në mbledhjet e kongregacionit dhe mbahem i zënë me caktimet teokratike,—thotë ai.—Kurdo që të ketë ndonjë punë rreth Sallës së Mbretërisë, sigurohem që të jem i pranishëm. Kur gjërat nuk ecin, kujtoj fjalët e Pjetrit drejtuar Jezuit, që gjenden në Gjonin 6:68: ‘Zot, te kush të shkojmë?’ Nëse ndalem në shërbimin ndaj Jehovait, ku të shkoj? Edhe fjalët e Pavlit, që gjejmë në Romakëve 8:35-39, më mbushin me vendosmëri, sepse tregojnë që asgjë nuk do të na ndajë nga dashuria e Perëndisë dhe e Krishtit. Ky është qëndrimi që u ngulis fëmijëve të mi. U them vazhdimisht se nuk duhet ta lëmë kurrë Jehovain.» Zelli i Danielit, i ndërthurur me një studim të rregullt familjar të Biblës, ka pasur një ndikim pozitiv tek fëmijët e tij.
Një frymë dhënieje
Dikush mund të mendojë se ata që jetojnë në varfëri ekstreme, vështirë se do të jenë në gjendje të kontribuojnë në apsektin financiar për çuarjen përpara të interesave të Mbretërisë. Por nuk është ashtu. (Krahaso Lukën 21:1-4.) Disa Dëshmitarë në Ghana, puna kryesore si mjet jetese e të cilëve është bujqësia, lënë mënjanë një pjesë të tokës së tyre, që të përdoret për çuarjen përpara të interesave të Mbretërisë së Perëndisë. Kur prodhimi i asaj pjese toke shitet, paratë përdoren në mënyrë ekskluzive për atë qëllim, i cili përfshin bërjen e kontributeve në Sallën lokale të Mbretërisë të Dëshmitarëve të Jehovait.
Joana, e cila jeton në Afrikën Qendrore, është pioniere. Për t’u kujdesur për burrin e paralizuar dhe për katër të tjerë që i duhet të mbajë, ajo shet bukë. Kur kongregacionit ku bën pjesë ajo, i duheshin stola për Sallën e Mbretërisë, familja e Joanës vendosi t’i dhuronte të gjitha paratë që kishte në shtëpi. Kjo i la pa gjë fare. Megjithatë, ditën tjetër, papritur dikush pagoi një borxh që ua kishte prej shumë kohësh, duke u dhënë paratë, për të cilat ata e kishin humbur shpresën se do t’i merrnin ndonjëherë!
Joana është natyrë e gëzuar dhe nuk mërzitet kot për paratë. «Ia shpjegoj situatën Jehovait në lutje dhe pastaj shkoj në shërbimin në fushë. E dimë se në këtë sistem gjërash ka pak shpresë për kohëra më të mira. Megjithatë, e kuptojmë se Jehovai do të sigurojë për nevojat tona.»
Të tregohemi të palodhur
Dëshmitarët e Jehovait identifikohen nga dashuria e tyre për njëri-tjetrin. (Gjoni 13:35) Ata që kanë para ndihmojnë bashkë të krishterët e tyre që janë në nevojë. Shpesh kjo bëhet në formën e një dhurate, hera-herës me anë të punësimit.
Marku, që jeton në Kongo, vuan nga lebra. Ajo ia ka deformuar gishtat e këmbëve dhe të duarve. Prandaj, për të ecur ai mbështetet në paterica. Kur Marku vendosi t’i shërbente Jehovait, filloi të bënte ndryshime të mëdha në jetën e tij. Në vend që të lypte për t’u ushqyer, siç bënte më parë, ai filloi ta kultivonte vetë ushqimin e tij. Gjithashtu, ai filloi të bënte tulla qerpiçi, të cilat i shiste.
Megjithë paaftësinë e tij fizike, Marku vazhdoi të punonte pa u lodhur. Më së fundi bleu një copë tokë dhe ndërtoi një shtëpi modeste në të. Sot, Marku shërben si plak kongregacioni dhe është shumë i respektuar në qytetin ku banon. Tani ai ndihmon nevojtarë të tjerë.
Sigurisht që në shumë vende, puna është pothuajse e pamundur të gjendet. Një plak i krishterë, i cili shërben në një prej degëve të zyrave të Shoqatës Watch Tower në Afrikën Qendrore, shkroi: «Shumë vëllezër këtu nuk kanë fare punë. Disa përpiqen të krijojnë punët e veta, por kjo është e vështirë. Shumë prej tyre kanë arsyetuar se meqenëse çfarëdo që të bëjnë, kanë për të vuajtur, do të bëjnë sakrifica materiale si shërbëtorë pionierë. Duke vepruar kështu, shumë kanë vërejtur se janë bekuar më me bollëk sesa kur kishin një punë me një pagesë të vogël, apo fare pa pagesë.»
Jehovai mbështet popullin e tij
Jezu Krishti tha për veten e vet: «Dhelprat kanë strofka dhe zogjtë e qiellit fole; kurse Biri i njeriut nuk ka ku ta mbështesë kokën.» (Luka 9:58) Ngjashëm, apostulli Pavël shkroi: «Deri tani vuajmë nga uria, etja e jemi të zhveshur; jemi të qëlluar me shuplaka dhe endemi pa shtëpi.»—1. Korintasve 4:11.
Si Jezui, ashtu dhe Pavli zgjodhën që të bënin një jetë me mjete të kufizuara ekonomike, që të mund të ndiqnin më plotësisht shërbimin e tyre. Shumë të krishterë të ditëve të sotme janë të varfër, sepse nuk kanë zgjedhje tjetër. Megjithatë, në jetë ata aplikojnë parimet e Biblës dhe kërkojnë me zell t’i shërbejnë Perëndisë. Ata e dinë se janë shumë të dashur për Jehovain, sepse përjetojnë vërtetësinë e sigurisë që u dha Jezui: «Vazhdoni, pra, të kërkoni së pari mbretërinë dhe drejtësinë e saj dhe të gjitha këto [gjëra materiale] të tjera, do t’ju shtohen.» (Mateu 6:25-33, BR) Për më tepër, këta shërbëtorë të varfër të Perëndisë kanë dëshminë se «bekimi i Jehovait është ai që të bën të pasur».—Fjalët e urta 10:22, BR.
[Shënimi]
a Në këtë artikull, janë përdorur emra zëvendësues.
[Kutia në faqen 6]
Kush janë «bërës të fjalës»?
SIPAS një sondazhi të Gallupit më 1994-n, 96 për qind e amerikanëve «besojnë në Perëndinë apo në një frymë universale». Gjithashtu, ka «më shumë kisha për person në Shtetet e Bashkuara sesa në çdo komb tjetër mbi tokë»,—thotë U.S.News & World Report. Pavarësisht nga dukja kaq e përshpirtshme, drejtuesi veteran i sondazhit, Xhorxh Gallup i Riu, thotë: «Fakti pa lajlelule është se shumica e amerikanëve nuk e dinë se çfarë apo përse besojnë.»
Statistikat tregojnë, gjithashtu, se ka një hendek të gjerë ndërmjet bindjeve fetare të shumë njerëzve dhe veprimeve të tyre. Për shembull, «sociologët vërjenë se disa prej zonave me kriminalitet më të lartë në këtë shtet, qëllon që janë vendet ku besimi dhe praktikat fetare janë më të fortat»,—thotë shkrimtari Xhefri Shellër.
Kjo nuk duhet të na habisë. Pse? Sepse kohë më përpara, në shekullin e parë, apostulli Pavël i paralajmëroi bashkë të krishterët të ruheshin nga ata që «pohojnë se e njohin Perëndinë, por [të cilët] me vepra e mohojnë». (Titit 1:16) Veç kësaj, Pavli i tha të riut Timote se «ditët e fundit» do të dalloheshin nga njerëz «të perëndishëm në dukje, por mohues të fuqisë së saj».—2. Timoteut 3:1-5.
Megjithatë, të krishterët e vërtetë, bëjnë të pamundurën që të ndjekin urdhrin e Jezuit për të ‘shkuar . . . dhe për të bërë dishepuj nga të gjithë popujt’. (Mateu 28:19) Në këtë mënyrë, ata ‘bëhen bërës të fjalës dhe jo vetëm dëgjues’.—Jakovit 1:22.
[Figura në faqen 7]
Studimi i Biblës vlerësohet nga njerëzit anembanë botës