Si erdhi Bibla tek ne?—Pjesa e dytë
FLAKËT shkonin drejt qiellit, ndërsa në flakadanin që uturinte, lënda djegëse shtohej gjithnjë e më shumë. Por ky nuk ishte një zjarr i zakonshëm. Zjarri përpirës po ushqehej nga Biblat, ndërsa priftërinjtë dhe prelatët shikonin drejt tyre. Por, duke i blerë Biblat për t’i shkatërruar, peshkopi i Londrës ndihmoi pa e ditur përkthyesin Uilliam Tindal, që të financonte botimet e mëtejshme!
Ç’gjë çoi në një vendosmëri të tillë nga të dyja anët e betejës? Në një numër të mëparshëm, ne morëm në shqyrtim historinë e botimit të Biblës deri në Mesjetën e vonshme. Tani vijmë në agimin e një epoke të re, kur mesazhi dhe autoriteti i Fjalës së Perëndisë ishin gati për të pasur një ndikim të thellë mbi shoqërinë.
Shfaqet një pionier
Xhon Uajklif, një studiues i vlerësuar i Oksfordit, predikoi dhe shkroi me forcë kundër praktikave jobiblike të Kishës Katolike, duke e bazuar autoritetin e tij në ‘ligjin e Perëndisë’, domethënë në Bibël. Ai i dërgoi studentët e tij, lollardët, që t’i binin kryq e tërthor Anglisë për t’i predikuar në anglisht mesazhin e Biblës, kujtdo që do të dëgjonte. Përpara së të vdiste në vitin 1384, ai nisi përkthimin e Biblës nga latinishtja në anglishten e kohës së tij.
Kisha gjeti shumë arsye për ta përçmuar Uajklifin. Së pari, ai dënoi klerin për teprimet e tij dhe për sjelljen imorale. Përveç kësaj, shumë prej admiruesve të Uajklifit i keqpërdorën mësimet e tij, për të justifikuar rebelimet e tyre të armatosura. Kleri e fajësoi Uajklifin, madje edhe pas vdekjes së tij, ndonëse ai nuk i mbrojti kurrë kryengritjet e dhunshme.
Në një letër drejtuar Papa Gjonit XXIII në vitin 1412, kryepeshkopi Arundel i referohet «atij njeriu të përbuzshëm dhe të bezdisshëm, Xhon Uajklif, që ka lënë një kujtim të poshtër, atij biri të gjarprit të vjetër, tamam pararendës dhe fëmijë i antikrishtit». Në kulmin e denoncimit të tij, Arundel shkroi: «Për ta mbushur masën e shpirtligësisë së tij, ai la trashëgim mjetin për një përkthim të ri të shkrimeve në gjuhën e nënës.» Në të vërtetë, ajo që i tërbonte më shumë udhëheqësit e kishës ishte se Uajklif dëshironte t’u jepte njerëzve Biblën në gjuhën e tyre.
Megjithatë, disa individë të shquar i morën Shkrimet në gjuhën amtare. Njëra ishte Ana e Bohemisë, e cila u martua me mbretin Riçard II të Anglisë, në vitin 1382. Ajo kishte përkthimet e ungjijve në anglisht të Uajklifit, të cilat i studionte vazhdimisht. Kur u bë mbretëreshë, qëndrimi i saj i favorshëm ndihmoi në çuarjen përpara të kauzës së Biblës, dhe jo vetëm në Angli. Ana i inkurajoi studentët nga Universiteti i Pragës në Bohemi, që të vinin në Oksford. Atje ata studiuan me entuziazëm veprat e Uajklifit dhe morën disa prej tyre me vete në Pragë. Popullariteti i mësimeve të Uajklifit në Universitetin e Pragës, më vonë shërbeu si mbështetje për Xhon Hus, i cili studioi dhe së fundi dha mësime atje. Hus bëri një version çek të lexueshëm nga përkthimi i vjetër sllav. Përpjekjet e tij i dhanë shtytje përdorimit të përbashkët të Biblës në Bohemi dhe në vendet fqinjë.
Kisha merr hak
Kleri ishte i tërbuar me Uajklif dhe Hus, pasi ata mësonin se «teksti i pangarkuar», Shkrimet e frymëzuara origjinale pa u shtuar asgjë, kishin autoritet më të madh sesa «shënimet shpjeguese», shpjegimet e trasha tradicionale në anët e Biblave të miratuara nga kisha. Ishte mesazhi i pazbehur i Fjalës së Perëndisë, që këta predikues dëshironin ta vinin në dispozicion të njeriut të thjeshtë.
Duke i premtuar në mënyrë të rreme sigurinë, në 1414-n Hus u mashtrua për të dalë para Këshillit Katolik të Kostancës, Gjermani, që të mbronte pikëpamjet e tij. Këshilli përbëhej nga 2.933 priftërinj, peshkopë dhe kardinalë. Husi ra dakord të tërhiqej, nëse sipas Shkrimeve mësimet e tij do të dilnin të gabuara. Por për këshillin, puna nuk qëndronte këtu. Sfida që ai i bënte autoritetit të tyre, ishte shkak i mjaftueshëm për ta djegur në shtyllë, në vitin 1415, ndërsa ai lutej me zë të lartë.
I njëjti këshill bëri, gjithashtu, një gjest përfundimtar dënimi dhe sharjeje ndaj Xhon Uajklifit, duke dekretuar se kockat e tij duhej të zhvarroseshin në Angli dhe të digjeshin. Kjo direktivë ishte kaq e ulët, saqë deri më 1428-n nuk u krye, me këmbënguljen e papës. Megjithatë, si gjithmonë, një kundërshtim i tillë i egër nuk e pakësoi zellin e dashuruesve të tjerë të së vërtetës. Përkundrazi, ai rriti vendosmërinë e tyre për ta shpallur Fjalën e Perëndisë.
Ndikimi i shtypjes
Më 1450-n, vetëm 35 vjet pas vdekjes së Husit, Johanes Gutenberg filloi shtypjen me shtypshkronjë të lëvizshme në Gjermani. Vepra e tij e parë e madhe ishte një botim i Vulgatës latine, e përfunduar rreth vitit 1455. Deri në 1495-n, e gjitha ose pjesë të Biblës, ishin shtypur në gjermanisht, italisht, frëngjisht, çekisht, hollandisht, hebraisht, katalanisht, greqisht, spanjisht, sllavisht, portugalisht dhe serbisht, sipas kësaj renditjeje.
Në vitin 1516, studiuesi hollandez Desiderius Erasmus, nxori botimin e parë të plotë të shtypur të tekstit grek. Erasmus dëshironte që Shkrimet «të përktheheshin në të gjitha gjuhët e të gjithë njerëzve». Megjithatë, ai ngurroi ta vinte në rrezik popullaritetin e tij të madh, duke e përkthyer vetë atë. Gjithsesi, ai u pasua nga të tjerë që do të ishin më të guximshëm. Mes këtyre individëve, ai që u dallua ishte Uilliam Tindal.
Uilliam Tindal dhe Bibla në anglisht
Tindali u arsimua në Oksford dhe rreth vitit 1521 shkoi në shtëpinë e Sir Xhon Uolsh, si tutor për fëmijët e tij. Në kohën e ngrënies rreth tryezës me bollëk gjërash të Uolshit, Tindalin e ri e gjeje shpesh duke u ngrënë me fjalë me klerin e zonës. Tindali i sfidonte në mënyrë troç opinionet e tyre, duke hapur Biblën dhe duke u treguar shkrime. Ndërkohë, çifti Uolsh u bind për ato që thoshte Tindali, kështu që klerikët po ftoheshin gjithnjë e më rrallë dhe po priteshin me më pak entuziazëm. Natyrisht që kjo gjë i bëri më të hidhur klerikët kundër Tindalit dhe bindjeve të tij.
Njëherë, gjatë një debati, njëri prej oponentëve fetarë të Tindalit, pohoi: «Më mirë të jesh pa ligjet e Perëndisë, sesa pa ato të Papës.» Imagjino bindjen e Tindalit, ndërsa ia kthente: «Unë i bëj sfidë Papës dhe të gjitha ligjeve të tij. Nëse Perëndia ma kursen jetën, pa kaluar shumë vjet do ta bëj një djalë që përdor plugun, të dijë nga Shkrimet më shumë sesa dini ju.» Vendosmëria e Tindalit ishte kristalizuar. Më vonë, ai shkroi: «Nga përvoja, kam arritur të kuptoj se sa e pamundur ishte t’i vendosje fort njerëzit laikë në çfarëdo të vërtete, pa e pasur në mënyrë të qartë shkrimin para syve, në gjuhën e tyre të nënës, që të mund të kuptonin thelbin, renditjen dhe domethënien e tekstit.»
Në atë kohë, ende nuk ishte shtypur asnjë Bibël në anglisht. Kështu që në 1523-shin, Tindali shkoi në Londër që të kërkonte mbështetjen e peshkopit Tunstall për një projekt përkthimi. I refuzuar, ai la Anglinë në ndjekje të qëllimit të tij, për të mos u kthyer më kurrë aty. Në Kolonjë, Gjermani, shtypshkronja e tij e parë u bastis dhe Tindali mezi arriti t’ia mbathë bashkë me disa faqe të çmuara të palidhura. Megjithatë, në Uorms të Gjermanisë, u përfunduan të paktën 3.000 kopje të «Besëlidhjes së Re» të tij, në anglisht. Këto u dërguan në Angli dhe nisën të shpërndahen atje në fillimet e 1526-s. Disa prej këtyre ishin ato Bibla që peshkopi Tunstall i bleu dhe i dogji, pa e ditur se kështu po ndihmonte Tindalin, që të vazhdonte punën e tij!
Kërkimi sjell kuptueshmëri më të qartë
Është e dukshme që Tindali e gëzoi punën e tij. Siç shprehet për këtë një libër: «Shkrimet e bënë atë të lumtur dhe në ritmin e tij ka diçka të shpejtë dhe të gjallë, gjë që përcjell lumturinë e tij.» Synimi i Tindalit ishte të linte që Shkrimet t’i flisnin njeriut të thjeshtë me terma sa më të saktë dhe të pandërlikuar që të ishte e mundur. Studimet e tij po i tregonin domethënien e fjalëve biblike, të cilat për shekuj të tërë ishin mbuluar nga doktrinat e kishës. I patrembur as nga kërcënimi i vdekjes dhe as nga shkrimet e ashpra të armikut të tij të fuqishëm Sir Thomas More, Tindali i futi gjetjet në përkthimin e tij.—The Cambridge History of the Bible.
Duke punuar me tekstin origjinal grek të Erasmusit në vend se me atë latin, Tindali zgjodhi të përdorte fjalën «dashuri» në vend se «bamirësi», për ta shprehur në mënyrë më të plotë domethënien e fjalës greke a·gaʹpe. Gjithashtu, ai përdori «kongregacion» në vend të «kishë», «pendohem» në vend të «kam pendesë» dhe «pleq» në vend se «priftërinj». (1. Korintasve 13:1-3; Kolosianëve 4:15, 16; Luka 13; 3, 5; 1. Timoteut 5:17, Tindal) Këto rregullime ishin shkatërrimtare për autoritetin e kishës dhe për praktikat tradicionale fetare, të tilla si rrëfimi tek priftërinjtë.
Ngjashëm, Tindali iu përmbajt fjalës «ringjallje», duke hedhur poshtë purgatorin dhe gjendjen e ndërgjegjshme pas vdekjes, si jobiblike. Në lidhje me të vdekurit, ai i shkroi Mores: «Duke i vendosur ata në qiell, ferr dhe purgator, [ju] shkatërroni argumentet me të cilat Krishti dhe Pavli provojnë ringjalljen.» Në lidhje me këtë, Tindali iu referua Mateut 22:30-32 dhe 1. Korintasve 15:12-19. Në mënyrë të saktë, ai arriti të besonte se të vdekurit mbeten të pandërgjegjshëm, deri në një ringjallje të ardhshme. (Psalmi 146:4; Predikuesit 9:5; Gjoni 11:11, 24, 25) Kjo donte të thoshte se i gjithë rregullimi i lutjes ndaj Marisë dhe «shenjtorëve» ishte i pavend, pasi në gjendjen e tyre të pandërgjegjshme ata as nuk mund të dëgjonin dhe as nuk mund të ndërmjetësonin.
Tindali përkthen Shkrimet Hebraike
Në vitin 1530, Tindali nxori një botim të Pentateukut, pesë librat e parë të Shkrimeve Hebraike. Kështu, ai u bë personi i parë që e përktheu Biblën nga hebraishtja drejtpërdrejt në anglisht. Tindali ishte, gjithashtu, përkthyesi i parë anglez që përdori emrin Jehova. Studiuesi nga Londra, David Daniel, shkruan: «Sigurisht që lexuesit e Tindalit do të kenë mbetur gojëhapur nga fakti që emri i Perëndisë kishte dalë përsëri në dritë.»
Në orvatjen e tij për të arritur qartësinë, në përkthimin e një fjale të vetme hebraike, Tindali përdori fjalë të ndryshme angleze. Megjithatë, ai ndoqi me kujdes strukturën gramatikore hebraike. Rezultati ruan fuqinë përmbledhëse të hebraishtes. Ai vetë tha: «Tiparet e gjuhës hebraike korrespondojnë një mijë herë më shumë me anglishten sesa me latinishten. Mënyra e të folurit është një; kështu që në mijëra raste s’të duhej tjetër veç ta përktheje në anglisht, fjalë për fjalë.»
Kjo afërsi, në thelb fjalë për fjalë, e lezetoi përkthimin e Tindalit me shprehje hebraike. Në leximin e parë, disa prej tyre mund të jenë dukur mjaft të huaja. Por, me sa duket, njerëzit u bënë kaq të familjarizuar me Biblën, saqë shumë prej këtyre shprehjeve tani janë pjesë e gjuhës angleze. Shembujt përfshijnë «një burrë pas zemrës së tij» (si në 1. Samuelit 13, 14, BR), «pashkë» dhe «cjap fajshlyes». Më tepër se kaq, lexuesit e Biblës në anglisht u njohën kështu me mendimin hebraik, gjë që u dha atyre më shumë mendjehollësi për Shkrimet e frymëzuara.
Bibla dhe Tindali nën ndalim
Mundësia për ta lexuar Fjalën e Perëndisë në gjuhën tënde, ishte drithëruese. Masat popullore angleze u përgjigjën duke i blerë të gjitha ato që mundën të futeshin kontrabandë në vend, duke i maskuar si dëngje rrobash ose prodhimesh të tjera. Ndërkohë, kleri vriste mendjen për humbjen e pashmangshme të pozitës së tij, nëse Bibla do të konsiderohej si autoriteti i fundit. Pra, për përkthyesin dhe përkrahësit e tij, situata u bë edhe më tepër çështje jete ose vdekjeje.
I ndjekur vazhdimisht nga Kisha dhe shteti, Tindali vazhdoi të punonte në fshehtësi në Antuerp, Belgjikë. Megjithatë, ai i kushtonte dy ditë në javë asaj që e quante kalim kohe, duke u shërbyer refugjatëve të tjerë anglezë, të varfërve dhe të sëmurëve. Pjesën më të madhe të fondeve të tij, ai e shpenzoi në këtë mënyrë. Përpara se të mund të përkthente pjesën e fundit të Shkrimeve Hebraike, Tindali u tradhtua për para nga një anglez që hiqej si mik. I ekzekutuar në Vilvoord të Belgjikës në vitin 1536, fjalët e tij të zjarrta të fundit ishin: «Zotëri! Hapi sytë e mbretit të Anglisë.»
Në vitin 1538, Mbreti Henri VIII, për arsyet e veta, urdhëroi që Biblat të vendoseshin në çdo kishë të Anglisë. Megjithëse merita nuk i ishte dhënë Tindalit, përkthimi që u zgjodh ishte kryesisht i tiji. Në këtë mënyrë, vepra e Tindalit u bë kaq e mirënjohur dhe e dashur, saqë ajo «përcaktoi natyrën themelore të shumicës së versioneve që e pasuan» në anglisht. (The Cambridge History of the Bible) Deri 90 për qind e përkthimit të Tindalit u kalua drejtpërdrejt në versionin King James të 1611-s.
Pasja lirisht e Biblës, kishte domethënien e një ndryshimi të madh për Anglinë. Diskutimet e mbajtura për Biblat e vendosura nëpër kisha, u bënë kaq të zjarrta sa ndonjëherë ndërfuteshin në shërbesat e kishës! «Të vjetrit mësuan të lexonin, që të mund të shkonin drejtpërdrejt tek Fjala e Perëndisë dhe fëmijët u bashkuan me gjyshërit e tyre, për të dëgjuar.» (A Concise History of the English Bible) Kjo periudhë pa, gjithashtu, një rritje dramatike në shpërndarjen e Biblës në vendet dhe gjuhët e tjera evropiane. Por lëvizja biblike në Angli do të ushtronte një ndikim mbarëbotëror. Si ndodhi kjo? Si kanë ndikuar mbi Biblat që përdorim sot, zbulimet dhe kërkimet e mëtejshme? Tregimin tonë do ta mbyllim me artikullin vijues të kësaj serie.
[Figura në faqen 26]
«Besëlidhja e Re» e Tindalit e vitit 1526, kopja e vetme e plotë që njihet, e cila u shpëtoi flakëve
[Burimi]
© Bordi drejtues i Bibliotekës Britanike
[Tabela dhe figurat në faqet 26, 27]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
Data kyçe në transmetimin e Biblës
Era jonë
Fillon Bibla e Uajklifit (përpara 1384-s)
1400
Ekzekutohet Husi 1415
Gutenberg: Bibla e parë e shtypur 1455
1500
Shtypje të hershme në gjuhën amtare
Teksti grek i Erasmusit 1516
«Besëlidhja e Re» e Tindalit 1526
Ekzekutimi i Tindalit 1536
Henri VIII urdhëron vendosjen e Biblave nëpër kisha 1538
1600
King James Version 1611
[Figurat]
Uajklif
Hus
Tindal
Henri VIII