Njih Jehovain, Perëndinë personal
DUKE krahasuar konceptin hindu mbi Perëndinë, me atë të sistemeve të tjera të feve, dr. S. Radhakrishnan nga India, vëren: «Perëndia i hebrenjve është i një lloji të ndryshëm. Në histori ai është një person e është aktiv, si dhe interesohet për ndryshimet dhe rastësitë e kësaj bote në zhvillim. Ai është një Qenie që komunikon me ne.»
Emri hebraik për Perëndinë e Biblës është יהוה, zakonisht i përkthyer «Jehova». Ai ua kalon të gjitha perëndive të tjera. Ç’dimë për të? Si ka vepruar me njerëzit në kohët biblike?
Jehovai dhe Moisiu «ballë për ballë»
Ndërmjet Jehovait dhe shërbëtorit të tij Moisi, ekzistonte një afrimitet «ballë për ballë», megjithëse Moisiu nuk mund ta shihte fizikisht Perëndinë. (Ligji i përtërirë 34:10, BR; Eksodi 33:20) Në rininë e vet, zemra e Moisiut ishte me izraelitët, të cilët në atë kohë ishin të skllavëruar në Egjipt. Ai i ktheu kurrizin jetës së tij si pjesëtar i shtëpisë së Faraonit, «duke parapëlqyer të keqtrajtohet bashkë me popullin e Perëndisë». (Hebrenjve 11:25) Si rezultat, Jehovai i dha Moisiut shumë privilegje të veçanta.
Si pjesëtar i shtëpisë së Faraonit, «Moisiu u arsimua me gjithë diturinë e egjiptasve». (Veprat 7:22) Por për të udhëhequr popullin e Izraelit, ai kishte nevojë për të kultivuar edhe cilësinë e përulësisë, durimit dhe zemërbutësisë. Këtë ai e bëri gjatë 40 vjetëve që kaloi si bari në Madian. (Eksodi 2:15-22; Numrat 12:3) Jehovai, megjithëse duke mbetur i padukshëm, ia zbuloi veten dhe qëllimin e tij Moisiut dhe nëpërmjet engjëjve, Perëndia vetë i besoi atij Dhjetë Urdhërimet. (Eksodi 3:1-10; 19:3–20:20; Veprat 7:53; Hebrenjve 11:27) Bibla na thotë se «Zoti fliste me Moisiun ballë për ballë, ashtu si një njeri flet me mikun e tij». (Eksodi 33:11) Në të vërtetë, vetë Jehovai tha: «Me të unë flas sy për sy.» Çfarë marrëdhënie të vyer personale gëzoi Moisiu me Perëndinë e tij të padukshëm, por që është një person!—Numrat 12:8.
Përveç historisë së hershme të kombit të Izraelit, Moisiu regjistroi edhe kodin e Ligjit me të gjitha pasojat e tij. Atij iu besua, gjithashtu, edhe një privilegj tjetër i paçmueshëm, ai i shkrimit të librit të Zanafillës. Pjesa e fundit e atij libri, ishte histori e njohur saktësisht brenda familjes së tij dhe për pasojë relativisht e lehtë për t’u regjistruar. Por nga ku i mori Moisiu hollësitë e historisë më të hershme të njeriut? Ka mundësi që Moisiu të kishte dokumente të lashta të shkruara, të ruajtura nga pararendësit e tij, për t’i përdorur si burim materiali. Nga ana tjetër, ai mund të ketë marrë hollësi nëpërmjet transmetimit gojor ose drejtpërdrejt, me anë të një zbulimi hyjnor prej Jehovait. Njerëz të nderuar të të gjitha epokave, e kanë pranuar prej shumë kohësh marrëdhënien personale që gëzoi Moisiu me Perëndinë e tij në lidhje me këtë fakt.
Jehovai: Perëndia personal i Elijas
Edhe profeti Elija e njohu Jehovain si një Perëndi personal. Elija ishte i zellshëm për adhurimin e pastër dhe i shërbeu Jehovait pavarësisht nga fakti që u bë shënjestra e urrejtjes dhe e kundërshtimit të madh nga adhuruesit e Baalit, kryeperëndisë së panteonit kananeas.—1. Mbretërve 18:17-40.
Akabi, mbreti i Izraelit dhe gruaja e tij, Jezabela, u përpoqën ta vrisnin Elijan. Duke pasur frikë për jetën e tij, Elija u arratis në Beer-Sheba, në perëndim të Detit të Vdekur. Atje ai u end në shkretëtirë dhe u lut që të vdiste. (1. Mbretërve 19:1-4) A e kishte braktisur Jehovai Elijan? Mos nuk po interesohej më për shërbëtorin e tij besimplotë? Elija mund të ketë menduar kështu, por sa gabim e kishte! Më vonë Jehovai i foli me qetësi, duke e pyetur: «Ç’bën këtu Elija?» Pas një demonstrimi dramatik të fuqisë së mbinatyrshme, «një zë i tha [përsëri]: ‘Ç’bën aty Elija?’». Jehovai e tregoi këtë interesim personal për Elijan, që ta inkurajonte shërbëtorin e tij të denjë për besim. Jehovai kishte për të më shumë punë për të bërë dhe Elija iu përgjigj me zell asaj thirrjeje! Elija i përmbushi me besim të plotë caktimet e tij, duke shenjtëruar emrin e Jehovait, Perëndisë së tij personal.—1. Mbretërve 19:9-18.
Pasi e hodhi poshtë kombin e Izraelit, Jehovai nuk u foli më personalisht shërbëtorëve të tij në tokë. Kjo nuk donte të thoshte se interesimi i tij personal për ta, ishte venitur. Me anë të frymës së tij të shenjtë, ai i drejtoi dhe i forcoi ata akoma në shërbimin ndaj tij. Të marrim, për shembull, apostullin Pavël, që më parë njihej si Sauli.
Drejtimi i Pavlit nga fryma e shenjtë
Sauli vinte nga Tarsi, një qytet i shquar i Kilikisë. Prindërit e tij ishin hebrenj, por ai lindi si qytetar romak. Megjithatë, edukimi i Saulit ishte sipas dogmave të rrepta të farisenjve. Më vonë, në Jerusalem, ai pati mundësinë për t’u arsimuar «te këmbët e Gamalielit», një mësues i shquar i Ligjit.—Veprat 22:3, 26-28.
Për hir të zellit të Saulit të drejtuar në mënyrë të gabuar për traditën judeje, ai mori pjesë në një fushatë të egër kundër ithtarëve të Jezu Krishtit. Ai madje miratoi vrasjen e Stefanit, martirit të parë të krishterë. (Veprat 7:58-60; 8:1, 3) Më vonë ai pohoi se megjithëse më parë ishte një njeri blasfemues, persekutues dhe i pacipë, ‘i ishte dhënë mëshira, sepse i kishte bërë nga padija dhe mosbesimi i tij’.—1. Timoteut 1:13.
Sauli u motivua nga një dëshirë e sinqertë për t’i shërbyer Perëndisë. Pas kthimit të Saulit, gjatë rrugës për në Damask, Jehovai e përdori atë në mënyrë të fuqishme. Anania, një dishepull i hershëm i krishterë, u drejtua nga Krishti i ringjallur, për ta ndihmuar. Pas kësaj, Pavli (emri romak me të cilin Sauli u bë i njohur si një i krishterë) u drejtua nga fryma e shenjtë e Jehovait, për të kryer një shërbim të gjatë dhe të frytshëm anembanë vendeve të ndryshme të Evropës dhe Azisë së Vogël.—Veprat 13:2-5; 16:9, 10.
A mund të identifikohet sot i njëjti drejtim nga fryma e shenjtë? Po, mundet.
Ateizmi nuk pengon interesimin personal të Jehovait
Joseph F. Rutherford ishte presidenti i dytë i Shoqatës Watch Tower. Në vitin 1906 ai u pagëzua si Student i Biblës, emri me të cilin njiheshin Dëshmitarët e Jehovait në atë kohë, u emërua këshilltari ligjor i Shoqatës vitin që pasoi dhe u bë presidenti i saj në janar të 1917-s. Megjithatë, ky avokat i ri, dikur ishte ateist. Si u bë ai një shërbëtor i tillë i motivuar i krishterë i Jehovait?
Në korrik të 1913-s, Rutherford shërbeu si drejtues i një kongresi të Shoqatës Ndërkombëtare të Studentëve të Biblës, që u mbajt në Springfild, Masaçusets të SHBA-së. Një reporter i gazetës lokale The Homestead, intervistoi Rutherfordin dhe tregimi u ribotua në broshurën me pikat kulminante të atij kongresi.
Rutherfordi shpjegoi se në kohën që ai kishte planifikuar të martohej, pikëpamjet e tij fetare ishin ato të sektit fetar baptist, por ato të asaj që do të bëhej gruaja e tij, ishin presbiteriane. Kur pastori i Rutherfordit tha se «ajo po shkonte në zjarrin e ferrit, sepse nuk ishte zhytur në ujë dhe se ai po shkonte drejt e në qiell, pasi e kishte bërë këtë, mendja e tij që arsyetonte, u revoltua dhe ai u bë një ateist».
Rutherfordit iu deshën disa vite kërkimi të kujdesshëm, për ta rindërtuar besimin e tij në një Perëndi personal. Ai tha se arsyetoi mbi bazën e premisës se «ajo që nuk mundet ta kënaqë mendjen, nuk ka të drejtë të kënaqë zemrën». Të krishterët «duhet të jenë të sigurt se shkrimet në të cilat besojnë, janë të vërteta», shpjegoi Rutherford, duke shtuar: «Ata duhet të njohin themelin mbi të cilin qëndrojnë.»—Shiko 2. Timoteut 3:16, 17.
Po, për një ateist apo agnosticist, edhe sot është e mundur që të kërkojë në Shkrimet, të ndërtojë besimin dhe të zhvillojë një marrëdhënie të ngushtë personale me Perëndinë Jehova. Pas një studimi të kujdesshëm të Biblës me ndihmën e botimit Njohuria që të çon në jetën e përhershme, të Watch Tower një i ri pohoi: «Kur nisa këtë studim, unë nuk besoja në Perëndinë, por tani vë re se njohuria e Biblës e ka përmbysur të gjithë mënyrën time të të menduarit. Po filloj ta njoh Jehovain dhe të besoj në të.»
«I pamendi» dhe Perëndia
«Kurrë nuk i ra ndër mend asnjërit prej shkrimtarëve të Dh.V. [Shkrimeve Hebraike] që të provonte apo argumentonte ekzistencën e Perëndisë,—thotë dr. Xhejms Hestings në Një fjalor i Biblës.—Nuk është sipas frymës së botës së lashtë të marrë në përgjithësi, mohimi i ekzistencës së Perëndisë apo përdorimi i argumenteve për ta provuar atë. Besimi ishte i natyrshëm për mendjen njerëzore dhe i zakonshëm për të gjithë njerëzit.» Sigurisht që kjo nuk do të thotë se të gjithë njerëzit në atë kohë ishin me frikë Perëndie. Patjetër që jo. Psalmi 14:1 dhe 53:1, përmendin të dy ‘të pamendin’, apo siç thotë përkthimi Dom Simon Filipaj, ‘të marrin’ që ka thënë në zemrën e tij: «Nuk ka Perëndi.»
Çfarë lloj personi është ky i marrë, njeriu që mohon ekzistencën e Perëndisë? Nuk është injorant intelektualisht. Përkundrazi, fjala hebraike na·valʹ tregon mangësi morale. Profesori S. R. Draiver në komentet e tij në Psaltiri paralel, thotë se e meta «nuk është dobësia e arsyes, por pandjeshmëria morale dhe fetare, një mungesë absolute e ndjesisë apo e perceptimit».
Psalmisti vazhdon të përshkruajë rënien morale, që është rezultat i një qëndrimi të tillë: «Janë të korruptuar, bëjnë gjëra të neveritshme; nuk ka asnjë që të bëjë të mirën.» (Psalmi 14:1) Dr. Hestings përmbledh: «Duke u mbështetur në këtë mungesë të Perëndisë në botë dhe në pandëshkueshmërinë, njerëzit bëhen të korruptuar dhe bëjnë veprime të ndyra.» Ata përqafojnë hapur parimet e paperëndishme dhe s’e vënë fare në llogari një Perëndi personal, ndaj të cilit s’kanë aspak dëshirë të jenë llogaridhënës. Por një mënyrë e tillë të menduari është sot po aq e marrë dhe e pamend, sa qe kur psalmisti shkroi fjalët e tij, më shumë se 3.000 vjet më parë.
Paralajmërime nga Perëndia ynë personal
Le t’i kthehemi tani pyetjes së ngritur në artikullin hyrës. Përse ka kaq shumë njerëz që nuk janë në gjendje ta pajtojnë një Perëndi personal me vuajtjet që sot mbushin botën?
Bibla përmban një informacion të shkruar nga njerëz që ‘folën të shtyrë nga fryma e shenjtë’. (2. Pjetrit 1:21) Vetëm ajo na zbulon Perëndinë personal, Jehovain. Ajo na paralajmëron, gjithashtu, për një personalitet të lig, të padukshëm për njerëzit, i cili është i fuqishëm në drejtimin dhe kontrollimin e mënyrës njerëzore të të menduarit: Satana Djallin. Logjikisht, nëse nuk besojmë në personin e një Perëndie, si mund të besojmë se ekziston edhe personi i Djallit apo i Satanait?
Nën frymëzim, apostulli Gjon shkroi: «Djalli dhe Satanai që mashtron gjithë dheun.» (Zbulesa 12:9) Më vonë, Gjoni tha: «E dimë se e kemi prejardhjen nga Perëndia, por e gjithë bota shtrihet nën pushtetin e të ligut.» (1. Gjonit 5:19, BR) Këto pohime pasqyrojnë fjalët e Jezuit, fjalë që vetë Gjoni i regjistroi në ungjillin e tij. «Po vjen princi i kësaj bote dhe ai nuk ka asgjë në mua.»—Gjoni 14:30.
Sa larg është ky mësim biblik nga ajo që besojnë tani njerëzit! «Të flasësh për Djallin, sot bie në sy si jashtë mode. Epoka jonë skeptike dhe shkencore, e ka nxjerrë në pension Satanain»,—thotë Catholic Herald. Megjithatë, Jezui u tha me forcë atyre njerëzve që kishin qëllim vrasëtar ndaj tij: «Ju jeni nga Djalli, që është ati juaj dhe doni të bëni dëshirat e atit tuaj.»—Gjoni 8:44.
Shpjegimi i Biblës mbi fuqinë e Satanait ka kuptim. Ai sqaron se pse, pavarësisht nga dëshira e shumicës së njerëzve për të jetuar në paqe dhe harmoni, botën e ka pllakosur urrejtja, luftërat dhe dhuna e pakuptimtë, siç u tregua edhe në Dunblane (e përmendur në faqet 3 dhe 4). Për më tepër, Satanai nuk është një armik i vetmuar, me të cilin duhet të ndeshemi. Bibla jep paralajmërime të mëtejshme në lidhje me djajtë apo demonët, krijesa të liga frymore që kohë më parë i bashkuan forcat me Satanain, për të mashtruar dhe për të abuzuar me njerëzimin. (Juda 6) Jezu Krishti e përballoi shumë herë fuqinë e këtyre frymërave dhe qe në gjendje t’i mposhtte ata.—Mateu 12:22-24; Luka 9:37-43.
Perëndia i vërtetë, Jehovai, ka qëllim ta pastrojë tokën nga ligësia dhe së fundi t’i eliminojë veprimtaritë e Satanait dhe të demonëve të tij. Duke u bazuar në njohurinë tonë mbi Jehovain, ne mund të kemi besim të palëkundur në premtimet e tij. Ai thotë: «Para meje nuk ishte formuar asnjë Perëndi dhe pas meje vazhdoi të mos ketë asnjë. Unë, unë jam Jehovai dhe përveç meje nuk ka shpëtimtar.» Jehovai është me të vërtetë një Perëndi personal, për të gjithë ata që e njohin, e adhurojnë dhe i shërbejnë. Për shpëtimin tonë mund t’i drejtohemi atij dhe vetëm atij.—Isaia 43:10, 11, BR.
[Figura në faqen 7]
Një gravurë e shekullit të 18-të, që paraqet Moisiun duke shkruar nën frymëzim Zanafillën 1:1
[Burimi]
Nga Bibla e Shenjtë sipas J. Baskett, Oxford
[Figura në faqen 8]
Jezu Krishti i mposhti shumë herë demonët