Fjala e Perëndisë qëndron përgjithmonë
«Sa për fjalën e Perëndisë sonë, ajo do të qëndrojë në kohë të pacaktuar.»—ISAIA 40:8, BR.
1. (a) Çfarë domethënie ka këtu «fjala e Perëndisë sonë»? (b) Si krahasohen premtimet e njerëzve me fjalën e Perëndisë?
NJERËZIT janë të prirur për ta vënë besimin e tyre në premtimet e burrave dhe grave të shquara. Por pavarësisht se sa të dëshirueshme mund t’u duken këto premtime njerëzve që dëshirojnë me zjarr përmirësime në shortin e tyre të jetës, kur krahasohen me fjalën e Perëndisë sonë, janë si lule të vyshkura. (Psalmi 146:3, 4) Më shumë se 2.700 vjet më parë, Perëndia Jehova e frymëzoi profetin Isaia të shkruante: «Çdo mish është bar i gjelbër dhe e gjithë dashamirësia e tyre e dashur është si lulja e fushës. . . . Bari i gjelbër është tharë, lulja është vyshkur, por sa për fjalën e Perëndisë sonë, ajo do të qëndrojë në kohë të pacaktuar.» (Isaia 40:6, 8, BR) Cila është kjo «fjalë» që qëndron? Ajo është deklarata e Perëndisë mbi qëllimin e tij. Sot ne e kemi atë «fjalë» në formë të shkruar në Bibël.—1. Pjetrit 1:24, 25.
2. Përballë cilave qëndrime dhe veprime e përmbushi Jehovai fjalën e tij në lidhje me Izraelin dhe Judenë e lashtë?
2 Njerëzit që jetonin në kohën e Izraelit të lashtë, përjetuan vërtetësinë e asaj që regjistroi Isaia. Përmes profetëve të tij, Jehovai paratha se për shkak të pabesueshmërisë së rëndë ndaj tij, në fillim mbretëria prej dhjetë fisesh e Izraelit dhe më pas ajo prej dy fisesh e Judës, do të dërgoheshin në mërgim. (Jeremia 20:4; Amosi 5:2, 27) Megjithëse ata i persekutuan, madje i vranë profetët e Jehovait, dogjën një rrotull që përmbante mesazhin paralajmërues të Perëndisë dhe i bënë thirrje Egjiptit për ndihmë ushtarake, që të pengonte përmbushjen e profecisë, fjala e Jehovait nuk dështoi. (Jeremia 36:1, 2, 21-24; 37:5-10; Luka 13:34) Më tej, premtimi i Perëndisë për të rivendosur një mbetje të penduar judenjsh në tokën e tyre, pati një përmbushje të jashtëzakonshme.—Isaia, kapitulli 35.
3. (a) Cilat premtime të regjistruara nga Isaia janë me interes të veçantë për ne? (b) Përse je i sigurt se këto gjëra do të ndodhin me të vërtetë?
3 Nëpërmjet Isaisë, Jehovai paratha, gjithashtu, sundimin e drejtë mbi njerëzimin, me anë të Mesisë, çlirimin nga mëkati dhe vdekja, si dhe transformimin e tokës në parajsë. (Isaia 9:6, 7; 11:1-9; 25:6-8; 35:5-7; 65:17-25) A do të ndodhin edhe këto gjëra? Pa hijen më të vogël të dyshimit! «Perëndia . . . nuk mund të gënjejë.» Ai bëri që fjala e tij profetike të regjistrohej për dobinë tonë dhe e ka bërë të sigurt ruajtjen e saj.—Titit 1:2, BR; Romakëve 15:4.
4. Edhe pse dorëshkrimet origjinale të Biblës nuk u ruajtën, si është e vërtetë se fjala e Perëndisë është «e gjallë»?
4 Jehovai nuk ruajti dorëshkrimet origjinale, në të cilat shkrimtarët e tij shkruan këto profeci. Por «fjala» e tij, qëllimi i tij i deklaruar, ka provuar se është një fjalë e gjallë. Ai qëllim ecën në mënyrë të parezistueshme përpara dhe ndërsa ai vepron kështu, mendimet dhe motivimet e brendshme të njerëzve, jeta e të cilëve preket prej saj, bëhen të dukshme. (Hebrenjve 4:12) Për më tepër, regjistrimi historik tregon se ruajtja dhe përkthimi i vetë Shkrimeve të frymëzuara, është kryer me anë të udhëheqjes hyjnore.
Kur është ndeshur me orvatjet për ta mposhtur
5. (a) Çfarë përpjekje u bë nga një mbret sirian për të shkatërruar Shkrimet Hebraike të frymëzuara? (b) Përse dështoi ai?
5 Në më shumë se një rast, sundimtarët janë përpjekur t’i shkatërrojnë shkrimet e shenjta. Në vitin 168 p.e.s., mbreti sirian Antioku Epifan (i paraqitur në faqen 10) i ngriti Zeusit një altar në tempullin që i ishte dedikuar Jehovait. Ai gjeti, gjithashtu, ‘librat e Ligjit’, i dogji dhe deklaroi se kushdo që kishte Shkrime të tilla do të dënohej me vdekje. Pavarësisht se sa kopje dogji ai në Jerusalem dhe në Jude, nuk mundi t’i mposhtte plotësisht Shkrimet. Në atë kohë, në shumë vende kishte koloni të judenjve dhe çdo sinagogë kishte koleksionin e saj të rrotullave.—Krahaso Veprat 13:14, 15.
6. (a) Çfarë përpjekje intensive u bë për të shkatërruar Shkrimet e përdorura nga të krishterët e hershëm? (b) Cili ishte rezultati?
6 Në vitin 303 të e.s., perandori romak Diokleciani, në mënyrë të ngjashme dekretoi që vendet e mbledhjeve të krishtere të rrafshoheshin dhe që ‘Shkrimet të konsumoheshin nga zjarri’. Një shkatërrim i tillë vazhdoi për një dekadë. Ndonëse persekutimi ishte i tmerrshëm, Diokleciani nuk ia doli ta shfaroste krishterimin dhe as Perëndia nuk i lejoi agjentët e perandorisë të shkatërronin të gjitha kopjet, qoftë edhe të një pjese të Fjalës së Tij të frymëzuar. Por me anë të reagimit të tyre ndaj shpërndarjes dhe predikimit të Fjalës së Perëndisë, kundërshtarët manifestuan atë që kishin në zemrën e tyre. Ata e identifikuan veten si njerëz të verbuar nga Satanai dhe që po kryenin vullnetin e tij.—Gjoni 8:44; 1. Gjonit 3:10-12.
7. (a) Çfarë përpjekjesh u bënë për t’i zënë frymën përhapjes së njohurisë biblike në Evropën Perëndimore? (b) Çfarë u arrit me përkthimin dhe botimin e Biblës?
7 Edhe përpjekjet për t’i zënë frymën përhapjes së njohurisë biblike, morën forma të tjera. Kur latinishtja vdiq si një gjuhë e përditshme, nuk ishin sundimtarët paganë, por të vetëquajturit të krishterë, papa Gregori VII (1073-1085) dhe papa Inocenti III (1198-1216), që e kundërshtuan aktivisht përkthimin e Biblës në gjuhët e përdorura nga njerëzit e thjeshtë. Në një përpjekje për të shtypur mospajtimin me autoritetin e kishës, Këshilli Katolik Romak i Tuluzës, Francë, në vitin 1229, dekretoi se një laik nuk mund të ketë libra të Biblës në gjuhën e folur. Inkuizicioni u përdor në mënyrë agresive për të detyruar zbatimin e dekretit. Megjithatë, pas 400 vjetësh Inkuizicioni, dashuruesit e Fjalës së Perëndisë kishin përkthyer krejt Biblën dhe ishin në qarkullim botime të shtypura të saj në pothuajse 20 gjuhë, plus dialekteve të tjera, si dhe pjesë të mëdha të saj në 16 gjuhë të tjera.
8. Gjatë shekullit të 19-të, çfarë po ndodhte në fushën e përkthimit dhe shpërndarjes së Biblës në Rusi?
8 Nuk ishte vetëm Kisha Katolike Romake që u përpoq t’ia mbante Biblën popullit të thjeshtë. Në fillimet e shekullit të 19-të, Pavski, profesor në Akademinë e Hyjnisë të Shën Pjetërburg, përktheu ungjillin e Mateut nga greqishtja në rusisht. Në rusisht u përkthyen edhe libra të tjerë të Shkrimeve të Krishtere Greke dhe Pavski shërbeu si botues. Këta u shpërndanë gjerësisht, derisa me anë të manovrimeve kishtare, në 1826-n cari u shty të bënte që Shoqata e Biblës Ruse të vendosej nën drejtimin e «Sinodës së Shenjtë» të Kishës Ortodokse Ruse, e cila më pas e ndaloi prerazi veprimtarinë e saj. Më vonë, Pavski përktheu Shkrimet Hebraike nga hebraishtja në rusisht. Pothuajse në të njëjtën kohë, Makariosi, një kryedhjak i Kishës Ortodokse, përktheu, gjithashtu, Shkrimet Hebraike nga hebraishtja në rusisht. Që të dy u dënuan për përpjekjet e tyre dhe përkthimet iu futën në arkivat e kishës. Kisha ishte e vendosur që ta mbante Biblën në sllavishten e vjetër, e cila në atë kohë nuk lexohej apo nuk kuptohej nga njerëzit e thjeshtë. Vetëm kur përpjekjet e njerëzve për të marrë njohurinë biblike nuk mund të mposhteshin më, «Sinoda e Shenjtë» ndërmori në vitin 1856 përkthimin e vet sinodal, duke e bërë këtë sipas udhëzimeve që ishin përpunuar me kujdes, për të siguruar një përdorim të shprehjeve që do të ishin në përputhje me pikëpamjet e kishës. Pra, në lidhje me përhapjen e Fjalës së Perëndisë, po bëhej e dukshme një ndarje ndërmjet paraqitjes së jashtme të udhëheqësve fetarë dhe frymës së tyre, siç zbulohet nga fjalët dhe veprimet e tyre.—2. Selanikasve (Thesalonikasve) 2:3, 4.
Në mbrojtje të Fjalës nga korruptimi
9. Si e demonstruan disa përkthyes të Biblës dashurinë e tyre për Fjalën e Perëndisë?
9 Mes atyre që përkthyen dhe kopjuan Shkrimet, kishte njerëz që e donin me të vërtetë Fjalën e Perëndisë dhe që bënë përpjekje të zjarrta për ta vënë atë në dispozicion të kujtdo. Uilliam Tindali u martirizua (në 1536-n), për gjithë sa bëri që ta vinte Biblën në dispozicion në gjuhën angleze. Françisko de Enzinas u burgos nga Inkuizicioni katolik (pas 1544-s), sepse përktheu dhe botoi Shkrimet e Krishtere Greke në spanjisht. Duke vënë në rrezik jetën e tij, Robert Morrison (nga 1807 deri 1818) përktheu Biblën në gjuhën kineze.
10. Cilët shembuj tregojnë se kishte përkthyes që u motivuan prej ndikimesh të ndryshme nga dashuria për Fjalën e Perëndisë?
10 Megjithatë, hera-herës në punën e kopistëve dhe të përkthyesve, ndikuan arsye të ndryshme nga dashuria për Fjalën e Perëndisë. Le të shqyrtojmë katër shembuj: (1) Samaritanët ndërtuan në malin Gerizim një tempull, si rival të tempullit në Jerusalem. Në mbështetje të këtij veprimi, u bë një ndërfutje në Daljen (Eksodi) 20:17 të Pentateukut samaritan. Ishte futur urdhri, si të ishte pjesë e Dekalogut, që të ndërtohej një altar prej guri në malin Gerizim dhe atje të ofroheshin flijime. (2) Personit që përktheu i pari librin e Danielit për Septuagintën greke, iu dha dorë e lirë në përkthimet e tij. Ai futi thënie, për të cilat mendoi se do të shpjegonin apo do të përforconin atë që ndodhej në tekstin hebraik. Ai hoqi hollësi, për të cilat mendoi se do të ishin të papranueshme prej lexuesve. Kur përktheu profecinë në lidhje me kohën e shfaqjes së Mesisë, që gjendet në Danielin 9:24-27, ai falsifikoi periudhën kohore që thuhej aty dhe shtoi, ndryshoi e zhvendosi fjalë, me sa duket me qëllim që ta bënte profecinë të dukej se mbështeste betejën e Makabejve. (3) Në shekullin e katërt të e.s., në një traktat latin, një mbrojtës tejet i zellshëm i Trinitarizmit, me sa duket përfshiu fjalët «në qiell, Ati, Fjala dhe fryma e shenjtë; dhe këto të treja janë një», sikur këto të ishin një citim nga 1. Gjonit 5:7. Më vonë ky fragment u fut drejtpërdrejt në tekstin e një dorëshkrimi të Biblës latine. (4) Lui XIII (1610-1643) në Francë, autorizoi Zhak Korbinin që të përkthente Biblën në gjuhën frënge, me qëllim që të kundërpeshonte përpjekjet e protestantëve. Duke pasur këtë si objektiv, Korbini përfshiu disa ndërfutje tekstesh, mes të cilave edhe referimin ndaj «flijimit të shenjtë të meshës» në Veprat 13:2.
11. (a) Si qëndroi fjala e Perëndisë, pavarësisht nga pandershmëria e disa përkthyesve? (b) Sa dëshmi dorëshkrimesh të lashta ka, për të provuar se çfarë thoshte fillimisht Bibla? (Shiko kutinë.)
11 Jehovai nuk i pengoi falsifikime të tilla me Fjalën e tij dhe këto as që e ndryshuan qëllimin e tij. Çfarë efektesh patën ato? Shtimi i referimeve në lidhje me malin Gerizim, nuk bëri që feja samaritane të bëhej instrumenti i Perëndisë për bekimin e njerëzimit. Përkundrazi, ai shtim dha dëshmi se, megjithëse feja samaritane pretendonte që e besonte Pentateukun, tek ai nuk mund të mbështeteshe për të mësuar të vërtetën. (Gjoni 4:20-24) Shtrembërimi i formulimit në Septuagintën, nuk e pengoi Mesian që të vinte në kohën e parathënë me anë të profetit Daniel. Për më tepër, edhe pse në shekullin e parë Septuaginta ishte në përdorim, me sa duket judenjtë ishin mësuar t’i dëgjonin Shkrimet të lexuara në hebraisht në sinagogat e tyre. Si rezultat, kur koha e përmbushjes së profecisë u afrua, «njerëzit ishin në pritje». (Luka 3:15) Sa për ndërfutjet në 1. Gjonit 5:7 në mbështetje të Trinitetit dhe në Veprat 13:2, për të justifikuar meshën, këto nuk ndryshuan atë që është e vërtetë. Me kohë, mashtrimet u demaskuan plotësisht. Depozita e madhe e dorëshkrimeve të Biblës në gjuhën origjinale, siguron një mjet për kontrollimin e vlefshmërisë së çdo përkthimi.
12. (a) Çfarë ndryshimesh serioze u bënë nga disa përkthyes të Biblës? (b) Deri ku arrinin ato?
12 Përpjekje të tjera për ndryshimin e Shkrimeve, përfshinë më shumë sesa riformulimin e disa vargjeve. Këto përbënin një sulm mbi identitetin e vetë Perëndisë së vërtetë. Vetë natyra dhe shtrirja e ndryshimeve, dha dëshmi të qartë të ndikimit prej një burimi më të fuqishëm se çdo njeri individual apo organizatë njerëzore, po, ndikimin prej kryearmikut të Jehovait, Satana Djallit. Duke iu dorëzuar këtij ndikimi, përkthyes dhe kopistë, disa me zell, të tjerë kundër dëshirës, filluan të heqin emrin personal të Perëndisë, Jehova, nga Fjala e tij e frymëzuar në mijëra vendet ku shfaqej ajo. Në një epokë të hershme, disa përkthime nga hebraishtja në greqisht, latinisht, gjermanisht, anglisht, italisht dhe në gjuhën hollandeze, mes të tjerash e hoqën krejtësisht emrin hyjnor ose e mbajtën vetëm në pak vende. Ai u hoq edhe nga kopjet e Shkrimeve të Krishtere Greke.
13. Përse përpjekjet e shtrira gjerësisht për të ndryshuar Biblën, nuk rezultuan në shuarjen e emrit të Perëndisë nga kujtesa e njerëzimit?
13 Megjithatë, ai emër i lavdishëm nuk u shuajt nga kujtesa njerëzore. Përkthimet e Shkrimeve Hebraike në gjuhën spanjolle, portugeze, gjermane, angleze, frënge dhe shumë të tjera, përfshinë me ndershmëri emrin personal të Perëndisë. Rreth shekullit të 16-të, emri personal i Perëndisë filloi të shfaqej përsëri edhe në përkthime të ndryshme hebraike të Shkrimeve të Krishtere Greke; në shekullin e 18-të në gjermanisht dhe në shekullin e 19-të, në kroacisht dhe anglisht. Edhe pse njerëzit mund të përpiqen ta hedhin në një qoshe emrin e Perëndisë, kur të vijë «dita e Jehovait», atëherë, ashtu siç deklaron Perëndia, ‘kombeve do t’u duhet të dinë se unë jam Jehovai’. Ky qëllim i deklaruar i Perëndisë nuk do të dështojë.—2. Pjetrit 3:10, BR; Ezekieli 38:23, BR; Isaia 11:9; 55:11.
Mesazhi arrin anembanë globit
14. (a) Deri në shekullin e 20-të, në sa gjuhë të Evropës ishte shtypur Bibla dhe me çfarë efekti? (b) Deri nga fundi i vitit 1914, në sa gjuhë të Afrikës ishte në dispozicion Bibla?
14 Në agimin e shekullit të 20-të, Bibla po shtypej tashmë në 94 gjuhë të Evropës. Ajo i vuri në dijeni studentët e Biblës në atë pjesë të botës për faktin se bashkë me fundin e kohëve të johebrenjve në 1914-n do të vinin ngjarje tronditëse për botën dhe në fakt, ato erdhën! (Luka 21:24) Përpara se viti që bëri epokë, 1914-a, të kishte përfunduar udhën e tij, Bibla, e tëra apo disa libra të saj, ishte botuar në 157 gjuhë të Afrikës, përveç atyre të përdorura gjerësisht në anglisht, frëngjisht dhe portugalisht. Kështu që ishte hedhur themeli për t’u mësuar të vërtetat biblike, frymësisht çliruese, të përulurve të shumë fiseve dhe grupeve kombëtare që jetonin atje.
15. Kur filluan ditët e fundit, deri në çfarë mase ishte në dispozicion Bibla në gjuhët e njerëzve në Amerikën Veriore, Qendrore dhe Jugore?
15 Kur bota hyri në ditët e fundit të parathëna, Bibla ishte vënë gjerësisht në dispozicion në Amerikën Veriore, Qendrore dhe Jugore. Imigrantë nga Evropa e kishin sjellë atë me vete në të gjitha gjuhët e tyre të shumëllojshme. Një program i shtrirë arsimimi biblik kishte nisur udhën, me fjalimet publike dhe shpërndarjen intensive të literaturës biblike të botuar nga Studentët Ndërkombëtarë të Biblës, siç njiheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait. Përveç kësaj, shtypja e Biblës po bëhej tashmë nga shoqata biblike në 57 gjuhë të tjera, për të plotësuar nevojat e popullsisë shumëkombëshe të Hemisferës Perëndimore.
16, 17. (a) Deri në ç’masë ishte bërë e disponueshme Bibla, kur erdhi koha për predikimin global? (b) Si e ka provuar me të vërtetë Bibla se është një libër që qëndron dhe me shumë ndikim?
16 Kur erdhi koha e predikimit global të lajmit të mirë përpara se ‘të vinte fundi’, Bibla nuk ishte e sapoardhur në Azi dhe në ishujt e Paqësorit. (Mateu 24:14, BR) Ajo ishte duke u botuar tashmë në 232 gjuhë karakteristike të asaj pjese të globit. Disa ishin Bibla të plota; shumë ishin përkthime të Shkrimeve të Krishtere Greke; të tjera ishin një libër i vetëm i Shkrimeve të Shenjta.
17 Qartë, Bibla nuk po qëndronte si një relike e thjeshtë muzeu. Nga të gjithë librat që ekzistonin, ai ishte libri i përkthyer më gjerësisht dhe i shpërndarë më shumë. Në përputhje me këtë dëshmi të favorit hyjnor, ajo që qe regjistruar në atë libër, po ndodhte. Mësimet e saj dhe fryma që ndodhej pas tyre ishin duke pasur, gjithashtu, një efekt të qëndrueshëm në jetën e njerëzve në shumë vende. (1. Pjetrit 1:24, 25) Por akoma më shumë do të ndodhnin, shumë më tepër.
A të kujtohet?
◻ Cila është «fjala e Perëndisë sonë», që qëndron përgjithmonë?
◻ Çfarë orvatjesh janë bërë për ta mposhtur Biblën dhe me çfarë rezultatesh?
◻ Si është mbrojtur integriteti i Biblës?
◻ Si është provuar se deklarimi i qëllimit nga Perëndia është një fjalë e gjallë?
[Kutia në faqen 12]
A e dimë me të vërtetë se çfarë thoshte fillimisht Bibla?
Rreth 6.000 dorëshkrime hebraike të shkruara me dorë, dëshmojnë për përmbajtjen e Shkrimeve Hebraike. Disa prej këtyre datojnë në epokën para krishterimit. Të paktën 19 prej dorëshkrimeve ekzistuese të Shkrimeve Hebraike të plota, datojnë në periudhën përpara shpikjes së shtypjes me shtypshkronjë të lëvizshme. Përveç këtyre, nga e njëjta periudhë ekzistojnë përkthime që janë bërë në 28 gjuhë të tjera.
Për Shkrimet e Krishtere Greke, janë mbledhur në një katalog rreth 5.000 dorëshkrime në greqisht. Njëri prej këtyre është datuar si përpara vitit 125 të e.s., pra pikërisht pak vite pas kohës së shkrimit origjinal. Për disa fragmente mendohet se datojnë në një periudhë në mënyrë të konsiderueshme më të hershme. Për 22 nga 27 librat e frymëzuar, ka 10 deri në 19 dorëshkrime të plota me stil uncial. Numri më i vogël i dorëshkrimeve të plota me stil uncial për secilin prej librave në këtë pjesë të Biblës, është tre: për Zbulesën. Një dorëshkrim i Shkrimeve të Krishtere Greke të plota daton në shekullin e katërt të e.s.
Asnjë literaturë tjetër e lashtë nuk është vërtetuar nga një vërshim i tillë i dëshmisë së lashtë dokumentuese.