Lumturia e vërtetë: Cili është çelësi?
PËR njerëzit, qëllimi ishte që të ishin të lumtur. Përse mund të jemi të sigurt për këtë? Mirë pra, le të shqyrtojmë fillimin e njeriut.
Perëndia Jehova e krijoi çiftin e parë njerëzor me aftësinë për të gëzuar lumturinë. Adami dhe Eva ishin vendosur në një parajsë, në një kopsht kënaqësie të quajtur Eden. Krijuesi u siguroi të gjitha gjërat fizike të nevojshme për jetën. Kopshti kishte «lloj-lloj pemësh të këndshme nga pamja dhe që jepnin fruta të mira për t’u ngrënë». (Zanafilla 2:9) Adami dhe Eva ishin të shëndetshëm, të fortë dhe të bukur: ata ishin të përsosur dhe vërtet të lumtur.
Por cili ishte çelësi i lumturisë së tyre? Mos ishte shtëpia e tyre parajsore apo ndoshta përsosmëria e tyre fizike? Këto dhurata prej Perëndisë kontribuan në gëzimin e tyre të jetës. Por lumturia e tyre nuk varej nga gjëra të tilla të prekshme. Kopshti i Edenit ishte më shumë sesa një park i bukur. Ai ishte një shenjtërore, një vend për të adhuruar Perëndinë. Çelësi drejt lumturisë së tyre të përjetshme, ishte aftësia e tyre për të vendosur dhe për të mbajtur një marrëdhënie të dashur me Krijuesin. Që të ishin të lumtur, së pari duhej të kishin një gjendje frymore.—Krahaso Mateun 5:3.
Gjendja frymore çon drejt lumturisë
Fillimisht Adami kishte një marrëdhënie frymore me Perëndinë. Ajo ishte një marrëdhënie e dashur dhe e dhembshur, si ajo e një biri me të atin. (Luka 3:38) Në kopshtin e Edenit, Adami dhe Eva patën rrethana ideale, që i lejuan të kënaqnin dëshirat e tyre për të adhuruar. Nëpërmjet dëshirës së tyre dhe bindjes me dashuri ndaj Jehovait, ata do t’i sillnin Perëndisë nder dhe lavdi, shumë më të madhe se ajo që mund t’i sillnin krijesat kafshë. Ata mund ta lavdëronin në mënyrë inteligjente Perëndinë për cilësitë e tij të mrekullueshme dhe mund të mbështetnin sovranitetin e tij. Gjithashtu, ata mund të vazhdonin të ishin nën kujdesin e dashur dhe të butë të Jehovait.
Kjo lidhje me Krijuesin dhe bindja ndaj ligjeve të tij, u solli lumturi të vërtetë prindërve tanë të parë. (Luka 11:28) Adamit dhe Evës nuk u duhej të kalonin shumë vjet duke bërë prova të ndryshme, përpara se të zbulonin çelësin drejt lumturisë. Ata ishin të lumtur që nga çasti që u krijuan. Fakti që ishin në paqe me Perëndinë dhe të nënshtruar ndaj autoritetit të tij, i bëri të lumtur.
Megjithatë, kjo lumturi mori fund në çastin që ata nuk iu bindën Perëndisë. Duke u rebeluar, Adami dhe Eva e ndërprenë marrëdhënien e tyre frymore me Jehovain. Ata nuk ishin më miq të Perëndisë. (Zanafilla 3:17-19) Duket se që nga dita që u dëbuan nga kopshti, Jehovai preu çdo komunikim me ta. Ata humbën përsosmërinë e tyre, perspektivën për të jetuar përgjithmonë dhe kopshtin-shtëpi të tyre. (Zanafilla 3:23) Por ajo që është më e rëndësishme, meqenëse humbën marrëdhënien me Perëndinë, humbën çelësin drejt lumturisë.
Aftësia jonë për të zgjedhur
Përpara se të vdisnin, Adami dhe Eva u kaluan pasardhësve të tyre karakteristikat e veta njerëzore, ndërgjegjen e tyre të lindur dhe aftësinë për të pasur gjendje frymore. Familja njerëzore nuk ishte degraduar deri në nivelin e kafshëve. Ne mund të pajtohemi me Krijuesin. (2. Korintasve 5:18) Si krijesa inteligjente, njerëzit vazhdojnë të kenë fuqinë për të zgjedhur që t’i binden apo jo Perëndisë. Kjo u ilustrua shumë shekuj më vonë, kur Jehovai i dha kombit të sapoformuar të Izraelit që të zgjidhte jetën ose vdekjen. Nëpërmjet zëdhënësit të tij, Moisiut, Perëndia tha: «Unë vë sot para teje jetën dhe të mirën, vdekjen dhe të keqen.»—Ligji i përtërirë 30:15-18.
Edhe tani, mijëra vjet pas humbjes së Parajsës fillestare, ne njerëzit jemi ende të aftë për të bërë zgjedhjen e drejtë. Ne kemi një ndërgjegje funksionuese dhe një aftësi bazë për t’iu bindur ligjeve të Perëndisë. Bibla flet për njeriun «e brendshëm». (2. Korintasve 4:16; Romakëve 7:22) Kjo fjalë lidhet me potencialin e lindur që kemi të gjithë ne, për të pasqyruar personalitetin e Perëndisë, për të menduar në mënyrën që mendon ai dhe për të pasur një gjendje frymore.
Në lidhje me natyrën dhe ndërgjegjen tonë morale, apostulli Pavël shkroi: «Kur johebrenjtë [njerëzit e kombeve, BR], që s’kanë ligjin, nga natyra bëjnë punët e ligjit, ata, megjithëse s’kanë ligjin, janë ligj për vetveten; këta tregojnë veprën e ligjit të shkruar në zemrat e tyre për dëshminë që jep ndërgjegjja e tyre dhe sepse mendimet e tyre shfajësojnë ose edhe akuzojnë njëri-tjetrin.»—Romakëve 2:14, 15.
Mençuria hyjnore dhe bindja: Çelësi
Por dikush mund të pyesë: ‘Nëse të gjithë ne kemi një prirje të natyrshme për ta adhuruar Perëndinë dhe si rezultat për të gëzuar lumturinë e vërtetë, përse është kaq e përhapur palumturia?’ Sepse që të jemi të lumtur, secili prej nesh duhet të zhvillojë gjendjen frymore. Ndonëse fillimisht i krijuar në shëmbëllim të Perëndisë, njeriu është larguar nga Krijuesi i tij. (Efesianëve 4:17, 18) Pra, secili prej nesh duhet të ndërmarrë hapa të përcaktuar, për të vendosur dhe për të mbajtur një marrëdhënie frymore me Perëndinë. Një marrëdhënie e tillë nuk do të zhvillohet automatikisht.
Jezui theksoi dy parime të rëndësishme për zhvillimin e gjendjes frymore. Njëri është fitimi i njohurisë së saktë të Perëndisë dhe tjetri, nënshtrimi me bindje ndaj vullnetit të tij. (Gjoni 17:3) Duke cituar Fjalën e Perëndisë, Jezui tha: «Është shkruar: ‘Njeriu nuk rron vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Perëndisë.’» (Mateu 4:4) Në një rast tjetër, Jezui tha: «Ushqimi im është të bëj vullnetin e atij që më dërgoi dhe të kryej veprën e tij.» (Gjoni 4:34) Nuk na duhet të kalojmë shumë dekada në një kërkim eksperimental për lumturinë. Përvoja nuk është çelësi drejt lumturisë. Përkundrazi, vetëm mençuria hyjnore dhe bindja ndaj Krijuesit tonë, mund të çojë drejt gëzimit të vërtetë në jetë.—Psalmi 19:7, 8; Predikuesi 12:13.
Qartë, lumturia që vjen nëpërmjet ushtrimit të mençurisë hyjnore dhe pasjes së një qëndrimi të shkëlqyer para Perëndisë, nuk është e pakapshme për ne. (Veprat 17:26, 27) Njohuria mbi Jehovain dhe qëllimin e tij është në dispozicion të kujtdo. Me miliarda kopjet e saj në shumë gjuhë, Bibla vazhdon të jetë libri i shpërndarë më gjerësisht në botë. Bibla mund të të ndihmojë për t’u bërë mik i Perëndisë, sepse Shkrimet na thonë se «i lumtur është populli, Perëndia i të cilit është Jehovai»!—Psalmi 144:15, BR.
[Kutia në faqen 6]
Hapa drejt lumturisë
1. Përcakto dhe kultivo gjendjen frymore. Jezui tha: «Lum ata që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e zbatojnë!»—Luka 11:28.
2. Prano se miratimi i Perëndisë është më i rëndësishëm se pasuria apo luksi. Pavli shkroi: «Perëndishmëria është një mjet që sjell dobi të madhe, kur njeriu kënaqet me aq sa ka. . . . Kur kemi çfarë të hamë dhe të veshim, të jemi të kënaqur me kaq.»—1. Timoteut 6:6-8.
3. Përpiqu të kultivosh dhe t’i përgjigjesh një ndërgjegjeje të stërvitur sipas Biblës.—Romakëve 2:14, 15.
4. Merr vendimin për t’iu bindur Perëndisë Jehova, duke u kualifikuar kështu për të qenë anëtar i popullit të tij. Davidi i lashtësisë shkroi: «I lumtur është populli, Perëndia i të cilit është Jehovai!»—Psalmi 144:15, BR.
[Figura në faqen 7]
«Lum ata që janë të ndërgjegjshëm për nevojën e tyre frymore.»—Mateu 5:3, BR.