BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w97 15/10 f. 8-12
  • Si erdhi Bibla tek ne?​—Pjesa e tretë

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Si erdhi Bibla tek ne?​—Pjesa e tretë
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Misionarët dhe shoqatat biblike
  • Sprovat e një përkthyesi
  • Polemikat rrethojnë Biblën
  • Zbulimet ndihmojnë për të vërtetuar tekstin e Biblës
  • Shoqata Watch Tower dhe Bibla
  • Një përkthim, shumë gjuhë
  • Lajmi i mirë për të gjithë kombet
  • Një libër që «flet» gjuhë të gjalla
    1997 Një libër për të gjithë njerëzit
  • Një moment historik për ata që e duan fjalën e Perëndisë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
  • Jehovai, Perëndia i komunikimit
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2015
  • Ata e donin fjalën e Perëndisë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2009
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
w97 15/10 f. 8-12

Si erdhi Bibla tek ne?​—Pjesa e tretë

BIRMANI, 1824: Oficerët e mbretit sapo kanë rrëmuar në shtëpinë misionare të Adoniram dhe An Judsonit, duke marrë çdo gjë që mendonin se ishte e vlefshme. Por kishin lënë pa marrë thesarin më të çmuar: një dorëshkrim të Biblës së përkthyer, që Ana e kishte groposur fshehtas nën shtëpi. Adonirami, përkthyesi, ndodhet në pranga në një burg të mbushur me mushkonja, i akuzuar për spiunazh. Tani lagështira kërcënon ta shkatërrojë dorëshkrimin. Si mund të shpëtohet ai? Ana e qep atë brenda një jastëku të fortë dhe ia dërgon të shoqit në burg. Jastëku ruhet dhe ajo që përmbante ai, bëhet pjesë e Biblës së parë në gjuhën birmane.

Gjatë historisë, Bibla ka pasur shumë aventura të tilla. Në numrat e mëparshëm, ne shqyrtuam përkthimin dhe shpërndarjen e Biblës që nga përfundimi i saj deri në fillimet e viteve 1600. Si ka kaluar Bibla që atëherë deri në të tashmen? A do të ishte ndonjëherë në dispozicion për të gjithë njerëzit? Çfarë roli ka luajtur Shoqata Watch Tower?

Misionarët dhe shoqatat biblike

Në shumë vende, vitet 1600 dhe 1700 u dalluan për një valë të fuqishme në leximin e Biblës. Gjatë kësaj periudhe, në veçanti Anglia ishte ndikuar thellë nga Bibla. Në fakt, tregimet dhe mësimet biblike përshkonin mendimet e thuajse kujtdo në vend, që nga mbreti deri tek lëruesi i tokës. Por ndikimi i Biblës u shtri më tej. Në atë kohë Anglia ishte një fuqi tregtare detare e koloniale dhe disa anglezë, në udhëtimet e tyre, e morën me vete Biblën. Kjo hodhi themelet për një fushatë të shtrirë biblike.

Nga fundi i viteve 1700, Bibla i nxiti disa persona në Angli që të mendonin për nevojat frymore të vendasve në vendet e largëta të perandorisë britanike. Megjithatë, ky shqetësim nuk ishte në asnjë mënyrë universal. Shumë nga ata që shkonin në kishë, besonin në paracaktimin e fatit dhe prandaj e konsideronin si vullnetin e Perëndisë që disa njerëz të mos shpëtoheshin. Kur Uilliam Keri, që aspironte të bëhej misionar, mbajti një fjalim të zjarrtë që të merrte përkrahje për një mision në Indi, dikush thirri me qortim: «Ulu more djalosh; kur Perëndia të dojë ta kthejë paganin, do ta bëjë pa ndihmën tënde!» Megjithatë, në vitin 1793, Keri lundroi drejt Indisë. Çuditërisht, së fundi ai përktheu të gjithë Biblën ose pjesë të saj në 35 gjuhë indiane.

Misionarët e kuptuan se mjeti i tyre më themelor ishte Bibla në gjuhën lokale. Por, kush do t’i siguronte Biblat? Është interesante që shkëndija e një lëvizjeje, e cila do t’i shpërndante Biblat anembanë botës, u ndez pa dijeninë e askujt nga një vajzë ueleshe 16-vjeçare, Meri Xhons. Në vitin 1800, Meri bëri këmbëzbathur 40 kilometra, për të blerë një Bibël në gjuhën uelshe nga një klerik. Ajo i kishte kursyer paratë për gjashtë vjet dhe kur mori vesh se Biblat ishin shitur të gjitha, kokulur qau me dënesë. I prekur thellë, kleriku i dha Merit njërën prej Biblave të veta.

Pas kësaj, kleriku reflektoi mbi shumë të tjerë që kishin nevojë për Bibla dhe e trajtoi problemin me miqtë e tij në Londër. Rezultati ishte formimi më 1804-n i Shoqatës Biblike Britanike dhe të Huaj. Premisa e saj ishte e thjeshtë: T’u siguronte njerëzve Bibla në gjuhën e tyre, që mund t’i paguanin, të shtypura «pa shënime apo komente». Duke eliminuar komentet anash faqeve, themeluesit e Shoqatës shpresonin të shmangnin polemikat doktrinale. Megjithëkëtë, Shoqata Biblike do të ndahej disa herë në lidhje me Apokrifën, pagëzimin me zhytje dhe doktrinën e Trinitetit.

Entuziazmi fillestar u përhap me shpejtësi dhe deri në vitin 1813, në Gjermani, Hollandë, Danimarkë dhe Rusi ishin formuar shoqata motra. Me kohë, shoqatat biblike u shtuan edhe në vende të tjera. Kur shoqatat e hershme biblike hartuan synimet e tyre, menduan se pjesa më e madhe e botës përdorte vetëm pak gjuhë kryesore. Ato nuk e kishin menduar kurrë se ishin me mijëra të tilla! Përkthyesit që njihnin hebraishten dhe greqishten, për të përkthyer drejtpërdrejt në një gjuhë të vendit, ishin relativisht të paktë. Prandaj, kur Shoqata Biblike Britanike dhe e Huaj sponsorizoi përkthimet, shumë shpesh përkthyesit e bazuan punën e tyre në përkthimin King James Version në gjuhën angleze.

Sprovat e një përkthyesi

Një pjesë e mirë e Biblës konsiston në tregime dhe ilustrime të bazuara në përvojat e jetës së përditshme. Kjo e bën më të lehtë përkthimin, sesa po të ishte me terma abstraktë filozofikë. Megjithatë, siç mund të parashikohej, përpjekjet e para të misionarëve hera-herës rezultuan në përkthime që të ngatërronin apo të bënin për të qeshur. Një përkthim, për shembull, u dha njerëzve në një pjesë të Indisë idenë se Perëndia është një qenie me ngjyrë të kaltër. Fjala e përdorur për «qiellor» në shprehjen «At qiellor», donte të thoshte «të kesh ngjyrën e qiellit», të qiejve fizikë!

Në lidhje me vështirësitë e një përkthyesi, Adoniram Judson, shkroi në 1819-n: «Kur ne i hyjmë një gjuhe që flitet nga një popull në anën tjetër të tokës, rregullat gjuhësore të mënyrës së të shprehurit të të cilit janë për pasojë krejtësisht të panjohura dhe shkronjat e fjalët janë pa ngjashmërinë më të vogël me asnjërën prej gjuhëve që kemi hasur ndonjëherë, kur nuk kemi asnjë fjalor apo përkthyes dhe na duhet të kuptojmë diçka nga gjuha, përpara se të kemi një mësues vendas: kjo do të thotë punë! Puna e përkthyesve si Judson i dha një rritje të madhe vënies së Biblës në dispozicion.​—Shiko pasqyrën në faqen 12.

An Judson e ndihmoi burrin e saj në detyrën e vështirë të përkthimit. Por Judsonët u ndeshën me më shumë se vetëm sprova akademike. Kur oficerët e mbretit e tërhoqën zvarrë Adoniramin drejt burgut, Ana priste një fëmijë. Me kurajë, për 21 muaj ajo u bëri peticione oficerëve armiqësorë për lirimin e burrit të saj. Ajo përvojë e hidhur bashkë me sëmundjen, e rënduan shumë shëndetin e saj. Jo shumë kohë pas lirimit të Adoniramit, Ana e tij trime dhe vajza e tyre e vogël vdiqën nga ethet. Zemra e Adoniramit ishte plagosur. Megjithatë, ai iu drejtua Perëndisë për forcë dhe vazhdoi të përkthente, duke e përfunduar kështu Biblën burmeze në vitin 1835. Ndërkohë, ndaj Biblës po kurdiseshin sfida të tjera tinzare.

Polemikat rrethojnë Biblën

Vitet 1800 njohën polemika të mëdha sociale dhe politike, ku Bibla hera-herës luajti një rol qendror. Për shembull, megjithëse Shoqata biblike ruse filloi nën kujdestarinë e carit dhe të Kishës Ortodokse Ruse, me kalimin e kohës ato e shpërndanë dhe e ndaluan Shoqatën. (Tashmë me mijëra Bibla ishin djegur rreth një vit më parë nga kundërshtarë të asaj Shoqate.) Kleri ortodoks, tani kërkonte me zell që t’i jepte fund asaj që të krishterët e hershëm e kishin filluar me aq entuziazëm: shpërndarjen universale të Biblës. Udhëheqësit ortodoksë në shekullin e 19-të këmbëngulnin që Bibla përbënte një kërcënim si për autoritetin e kishës, ashtu dhe për atë të shtetit. Si për ironi, lëvizja revolucionare politike që po lindte, bëri që Bibla të konsiderohej jo si një kërcënim ndaj autoriteteve, por përkundrazi si një armë e kishës dhe e shtetit, për t’i mbajtur masat të nështruara. Bibla po sulmohej nga të dy krahët!

Vitet që pasuan, qenë, gjithashtu, dëshmitarë të sulmeve «intelektuale» gjithnjë në rritje mbi Biblën. Në 1831-shin, Çarls Darvin nisi lundrimin për një ekspeditë që çoi në teorinë e tij të evolucionit. Në 1848-n, Marksi dhe Engelsi botuan Manifestin Komunist, i cili e portretizonte krishterimin si një mjet shtypjeje. Po gjatë kësaj periudhe, kritika biblike vuri në dyshim autenticitetin e Shkrimeve dhe vërtetësinë historike të personazheve biblikë, madje edhe atë të vetë Jezuit! Por disa njerëz të arsyeshëm, njohën në to gabimin e teorive që hidhnin poshtë Perëndinë dhe Biblën dhe kërkuan mënyra skolastike për vërtetimin e besueshmërisë së Biblës. Njëri prej këtyre njerëzve ishte Kostantin von Tishëndorf, një gjuhëtar i talentuar gjerman.

Zbulimet ndihmojnë për të vërtetuar tekstin e Biblës

Tishëndorf udhëtoi nëpër Lindjen e Mesme në kërkim të dorëshkrimeve të lashta të Biblës, me shpresën që ta vërtetonte, përtej çdo dyshimi, tekstin origjinal të Biblës. Në 1859-n, në të njëjtin vit që Darvini botoi Origjina e llojeve, Tishëndorf zbuloi atë që ishte kopja e plotë më e vjetër e njohur e Shkrimeve të Krishtere Greke në një manastir në rrëzë të malit Sinai. Ajo njihet si Kodeksi Sinaitik dhe ka mundësi të jetë bërë rreth 50 vjet përpara se Jeromi të përfundonte Vulgatën latine. Megjithëse ende debatohet rreth faktit nëse ishte e përshtatshme që ai ta hiqte kodeksin nga manastiri, Tishëndorfi e botoi atë, duke e vënë kështu në dispozicion të studiuesve.a

Meqenëse Sinaitiku ishte mes dorëshkrimeve më të vjetra në gjuhën origjinale, jo vetëm që zbuloi se Shkrimet Greke në thelb kishin mbetur të pandryshuara, por i ndihmoi, gjithashtu, studiuesit që të nxirrnin në shesh gabimet që kishin depërtuar vjedhurazi në dorëshkrimet e mëvonshme. Për shembull, referimi që i bëhet Jezuit në 1. Timoteut 3:16, në Sinaitikun lexohet: «Ai u bë i dukshëm në mish». Në vend të «ai», shumica e dorëshkrimeve që njiheshin atëherë, tregonin një shkurtim për fjalën «Perëndi», të bërë me anë të një modifikimi të vogël të fjalës greke për «ai». Megjithatë, Sinaitiku ishte bërë shumë vjet përpara çdo dorëshkrimi grek, ku lexohej «Perëndi». Pra, ai zbuloi se ishte bërë një korruptim i mëvonshëm i tekstit, me sa duket i paraqitur në mbështetje të doktrinës së Trinitetit.

Që nga koha e Tishëndorfit kanë dalë në dritë më tepër dorëshkrime. Sot, totali i dorëshkrimeve të njohura të Shkrimeve Hebraike është pothuajse 6.000, ndërsa ai i Shkrimeve Greke, mbi 13.000. Studimi krahasues i tyre, ka rezultuar në një tekst në gjuhën origjinale, të cilit mund t’i besohet në mënyrë të sigurt. Siç u shpreh studiuesi F. Brus: «Përkthime të ndryshme . . . nuk ndikojnë në çështje themelore të lidhura me faktet historike apo me besimin dhe praktikën e krishterë.» Ndërsa vazhdonte përkthimi i Biblës në shumë më tepër gjuhë, si do të vihej në dobi të njerëzve kjo njohuri në rritje?

Shoqata Watch Tower dhe Bibla

Në vitin 1881, një grup i vogël, por i zellshëm mësuesish dhe studentësh të Biblës formuan atë që më vonë u bë Shoqata Watch Tower Bible and Tract. Fillimisht ata shpërndanë Bibla të nxjerra nga shoqata të tjera biblike, duke përfshirë edhe Shkrimet Greke të Tishëndorfit. Megjithatë, në 1890-n, ata kishin hyrë drejtpërdrejt në botimin e Biblës, duke sponsorizuar të parin prej disa botimeve të Biblës. Në vitin 1926, Shoqata filloi shtypjen e Biblës me makinat e saj të shtypit. Por nevoja për një përkthim të kohës të Biblës, po bëhej më e dukshme. A do të ishte e mundur që njohuria e fituar nëpërmjet zbulimeve dhe studimeve të shekullit pararendës, të trupëzohej në një Bibël të kuptueshme dhe që mund të blihej? Me këtë objektiv, në vitin 1946 anëtarë të Shoqatës vendosën të nxirrnin një përkthim të ri të Shkrimeve.

Një përkthim, shumë gjuhë

Një komitet përkthimi me të krishterë të mirosur me përvojë, u organizua për të nxjerrë Përkthimin Bota e Re të Shkrimeve të Shenjta në anglisht. Ai u botua në gjashtë vëllime, që dolën në qarkullim prej 1950-s deri në 1960-n, duke filluar me Shkrimet e Krishtere Greke. Që nga 1963-shi, ai është përkthyer në 27 gjuhë të tjera, bashkë me të tjera akoma që ishin në përkthim e sipër. Synimi për gjuhë të tjera ka qenë i njëjti si për në anglisht. Së pari, përkthimi duhet të jetë i saktë, sa më afër mendimeve origjinale që të jetë e mundur. Kuptimi nuk duhej lakuar, që t’i përputhet një kuptueshmërie të veçantë doktrinale. Së dyti, duhet të mbahet koherenca, pra i tërë përkthimi t’i përmbahet një përkthimi për çdo fjalë më të rëndësishme, për aq sa konteksti e lejon në mënyrë të arsyeshme. Një përngjasim i tillë i ndihmon lexuesit të kuptojnë se si shkrimtarët e Biblës përdorën fjalë specifike. Së treti, përkthimi duhet bërë sa të jetë e mundur fjalë për fjalë, pa e errësuar domethënien. Përkthimi fjalë për fjalë e bën lexuesin që ta ndiejë më nga afër timbrin e gjuhëve origjinale dhe procesin e mendimeve të lidhura me to. Së katërti, duhet të jetë i lehtë, që njerëzit e thjeshtë ta lexojnë dhe ta kuptojnë.

Stili pothuajse fjalë për fjalë i Përkthimit Bota e Re në anglisht, e lehtëson përkthimin e saj në gjuhë të tjera. Për këtë qëllim, skuadrat e përkthimit të kësaj Shoqate, përdorin tani mjete të përparuara të kompjuterizuara, që të shpejtojnë punën e tyre dhe që ta bëjnë atë më të saktë. Ky sistem i ndihmon përkthyesit që të përpilojnë lista ekuivalentësh në gjuhën e vendit për çdo fjalë më të rëndësishme. Gjithashtu, kjo i aftëson ata që të studiojnë përkthimet në anglisht të çdo fjale greke dhe hebraike në Bibël.

Përkthimi nga anglishtja, në vend se duke punuar drejtpërdrejt nga hebraishtja dhe greqishtja, ofron përparësi të rëndësishme. Përveçse shkurton kohën e përkthimit, ajo bën të mundur një unitet më të madh të mënyrës së të shprehurit në të gjitha gjuhët. Pse? Sepse është shumë më e lehtë të përkthesh saktë nga një gjuhë moderne në një tjetër, sesa të përkthesh nga një gjuhë e lashtë në gjuhë të ndryshme moderne. Në fund të fundit, përkthyesit mund të konsultohen me vendasit e gjuhëve moderne, por jo me ata të gjuhëve të folura mijëra vjet më parë.

Lajmi i mirë për të gjithë kombet

Shumë më tepër mund të shkruhet për burrat dhe gratë e vendosura, që kanë ndihmuar për ta bërë Biblën librin që është më shumë në dispozicion në tokë. Gjatë shekujve, të paktën katër miliardë Bibla dhe pjesë të saj janë shtypur në më shumë se dy mijë gjuhë, të folura nga shumë më tepër se 90 për qind e popullsisë së botës!

Bibla paratha një shpallje mbarëbotërore të Mbretërisë së Perëndisë në ditët tona. Me këtë qëllim, vetë Perëndia Jehova ka marrë qartësisht përsipër vënien e Biblës në dispozicion, tani pothuajse në mënyrë universale. (Mateu 13:47, 48; 24:14) Përkthyesit dhe botuesit e patrembur të Biblës dhe lajmëtarët e së kaluarës rrezikuan gjithçka për të na dhënë Fjalën e Perëndisë, burimin e vetëm të dritës frymore në një botë moralisht të errët. Shembulli i tyre të nxittë për ta lexuar, për të jetuar në përputhje me të dhe për ta ndarë me të tjerët atë Fjalë, me të njëjtën bindje që shfaqën ata. Po, çdo ditë, shfrytëzoje plotësisht Biblën e besueshme që ke në duart e tua!​—Isaia 40:6-8.

[Shënimi]

a Shiko «Shpëtimi i Kodeksit Sinaitik» në Kullën e Rojës të 15 tetorit 1988, anglisht.

[Tabela në faqen 12]

Rritja në përkthimin e Biblës

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Numri

i gjuhëve

1 Judenjtë filluan përkthimin e Shkrimeve Hebraike në greqisht

në 280 p.e.s.

12 Jerom përfundon Vulgatën latine në 400 e.s.

35 Gutenbergu përfundon Biblën e parë në 1455

81 Shoqata Biblike Britanike dhe e Huaj e themeluar në 1804

Numri i përllogaritur i gjuhëve sipas vitit

522

1900

600

700

800

900

1.049

1950

1.100

1.200

1.300

1.471

1970

2.123

1996

2.200

2.300

2.400

[Burimi]

Burimet: Krishterimi sot, Shoqata e Bashkuar Biblike

[Burimi i figurës në faqen 9]

Mountain High Maps® Copyright © 1995 Digital Wisdom, Inc.

[Figura në faqen 8]

Judsonin e lidhën dhe e tërhoqën zvarrë

[Burimi]

Nga libri Judsoni, Heroi i Burmës, i Xhes Peixh

[Figurat në faqen 10]

Tishëndorfi shpëtoi një dorëshkrim të vlefshëm në këtë manastir në rrëzën e Malit Sinai

[Burimi]

Pictorial Archive (Near Eastern History) Est.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo