«A është zemra jote e drejtë ndaj meje?»
«Eja me mua dhe shiko se unë nuk toleroj asnjë rivalitet ndaj Jehovait.»—2. MBRETËRVE 10:16, BR.
1, 2. (a) Në ç’mënyrë shkoi keq e më keq situata fetare e Izraelit? (b) Çfarë ndryshimesh dramatike po bëheshin gati të ndodhnin në Izrael në vitin 905 p.e.s.?
VITI 905 p.e.s. ishte koha e një ndryshimi të madh në Izrael. Pothuajse 100 vjet më parë, Jehovai kishte bërë që mbretëria e bashkuar e Izraelit të ndahej për shkak të apostazisë së Solomonit. (1. Mbretërve 11:9-13) Mbretëria jugore, Judea, në atë kohë ishte nën sundimin e birit të Solomonit, Roboamit, ndërsa mbretëria veriore, Izraeli, u vu nën mbretin Jeroboam, një efraimit. Mjerisht, mbretëria veriore pati një fillim shkatërrimtar. Jeroboami nuk dëshironte që nënshtetasit e tij të shkonin në mbretërinë jugore për të adhuruar në tempull, nga frika se mos u lindte ideja për t’u kthyer në shtëpinë e Davidit. Kështu, vendosi në Izrael adhurimin e viçit dhe themeloi në këtë mënyrë një model idhujtarie, e cila deri në njëfarë mase zgjati gjatë gjithë historisë së mbretërisë veriore.—1. Mbretërve 12:26-33.
2 Gjërat u keqësuan kur Akabi, bir i Omrit, u bë mbret. Gruaja e tij e huaj, Jezabela, i dha shtytje adhurimit të Baalit dhe vrau profetët e Jehovait. Megjithë paralajmërimet e thëna troç të Elijas, Akabi nuk bëri asgjë për ta ndalur atë. Gjithsesi, në vitin 905 p.e.s., Akabi kishte vdekur dhe Jehorami, biri i tij, sundonte. Tani ishte koha që vendi të pastrohej. Pasuesi i Elijas, Eliseu, e informoi komandantin ushtarak, Jehun, se Jehovai po e miroste për të qenë mbreti tjetër i Izraelit. Detyra e tij? Të rrëzonte shtëpinë mëkatare të Akabit dhe të merrte hak për gjakun e profetëve, që ishte derdhur nga Jezabela.—2. Mbretërve 9:1-10.
3, 4. Si e tregoi Jehonadabi se zemra e tij ishte ‘e drejtë ndaj zemrës së Jehut’?
3 I bindur ndaj urdhrit të Perëndisë, Jehu bëri që Jezabela e ligë të vritej dhe pas kësaj iu fut pastrimit të Izraelit, duke rrëzuar shtëpinë e Akabit. (2. Mbretërve 9:15–10:14, 17) Më pas, takoi një përkrahës. «Ai hasi Jehonadabin, birin e Rekabit, që po shkonte ta takonte. Kur e bekoi, ai, pra, i tha: ‘A është zemra jote e drejtë ndaj meje, ashtu siç është zemra ime ndaj zemrës sate?’ Jehonadabi i tha: ‘Është.’ ‘Nëse është, ma jep dorën.’ Kështu, ai ia dha dorën. Atëherë ai e bëri të hipte në qerre me të. Pastaj i tha: ‘Eja me mua dhe shiko se unë nuk toleroj asnjë rivalitet ndaj Jehovait.’ Dhe e bënë të shkonte me të në qerren e tij të luftës.»—2. Mbretërve 10:15, 16, BR.
4 Jehonadabi (ose Jonadabi) nuk ishte një izraelit. Megjithatë, në harmoni me emrin e tij (që do të thotë «Jehovai është i Gatshëm», «Jehovai është Fisnik» ose «Jehovai është Bujar»), ai ishte një adhurues i Jehovait. (Jeremia 35:6) Sigurisht, ai kishte një interes jo të zakontë për të parë se Jehu ‘nuk toleronte asnjë rivalitet ndaj Jehovait’. Si e dimë? Po ja, takimi i tij me mbretin e mirosur të Izraelit nuk ishte rastësi. Jehonadabi po «shkonte ta takonte» dhe kjo në një kohë kur Jehu kishte masakruar tashmë Jezabelën dhe të tjerë nga shtëpia e Akabit. Jehonadabi e dinte se çfarë po ndodhte, kur pranoi ftesën e Jehut për të hipur në qerren e tij. Në këtë konflikt ndërmjet adhurimit të rremë dhe atij të pastër, ai ishte në mënyrë të pagabueshme në anën e Jehut, në anën e Jehovait.
Një Jehu i kohëve moderne dhe një Jehonadab i kohëve moderne
5. (a) Çfarë ndryshimesh do të ndodhin së shpejti për të gjithë njerëzimin? (b) Kush është Jehu më i Madh dhe kush e përfaqëson atë në tokë?
5 Sot, për të gjithë njerëzimin, gjërat do të ndryshojnë së shpejti po aq rrënjësisht, sa dhe për Izraelin në vitin 905 p.e.s. Tani është afër koha, kur Jehovai do ta pastrojë tokën nga të gjitha rezultatet e këqija të ndikimit të Satanait, duke përfshirë edhe fenë e rreme. Kush është Jehu i kohëve moderne? Askush tjetër veç Jezu Krishtit, të cilit i janë drejtuar fjalët profetike: «Ngjeshe shpatën pas kofshës sate, o i fuqishëm, me dinjitetin dhe shkëlqimin tënd. Në shkëlqimin tënd vazhdo drejt suksesit; kalëro në çështjen e së vërtetës, të përulësisë dhe të drejtësisë!» (Psalmi 45:3, 4, BR) Në tokë, Jezui përfaqësohet nga «Izraeli i Perëndisë», të krishterët e mirosur «që zbatojnë urdhërimet e Perëndisë dhe kanë veprën e dhënies së dëshmisë për Jezuin». (Galatasve 6:16; Zbulesa 12:17, BR) Që prej 1922-shit, këta vëllezër të mirosur të Jezuit kanë paralajmëruar pa frikë për veprat gjykuese të Jehovait, që po vijnë.—Isaia 61:1, 2; Zbulesa 8:7–9:21; 16:2-21.
6. Kush doli nga kombet për të përkrahur të krishterët e mirosur dhe në ç’mënyrë kanë hyrë ata, si të thuash, në qerren e Jehut më të Madh?
6 Të krishterët e mirosur nuk kanë qenë vetëm. Ashtu si Jehonadabi doli për të takuar Jehun, shumë njerëz prej kombeve kanë dalë për të përkrahur Jezuin, Jehun më të Madh, dhe përfaqësuesit e tij tokësor në qëndrimin e tyre për adhurimin e vërtetë. (Zaharia 8:23) Të quajtur nga Jezui «delet e tjera» të tij, në vitin 1932 ata u njohën si një ekuivalent i kohëve moderne i Jehonadabit të lashtësisë dhe u ftuan të ‘hipnin në qerren’ e Jehut të kohëve moderne. (Gjoni 10:16) Si? Duke ‘zbatuar urdhërimet e Perëndisë’ dhe duke marrë pjesë me të mirosurit në «veprën e dhënies së dëshmisë për Jezuin». Në kohët moderne, kjo përfshin predikimin e lajmit të mirë mbi Mbretërinë e vendosur të Perëndisë nën Jezuin si Mbret. (Marku 13:10, BR) Në vitin 1935, këta «Jonadabë» u identifikuan si «shumica e madhe» e Zbulesës 7:9-17.
7. Si e kanë treguar sot të krishterët se ‘zemra e tyre është ende e drejtë’ ndaj zemrës së Jezuit?
7 Që prej viteve 30, shumica e madhe dhe vëllezërit e tyre të mirosur, kanë provuar me kurajë përkrahjen nga ana e tyre të adhurimit të vërtetë. Në disa vende të Evropës Lindore dhe Perëndimore, në Lindjen e Largët dhe në Afrikë, shumë nga ata kanë vdekur për besimin e tyre. (Luka 9:23, 24) Në vende të tjera janë burgosur, sulmuar apo përndryshe persekutuar. (2. Timoteut 3:12) Çfarë dëshmie të besimit kanë dhënë ata! Raporti për vitin e shërbimit 1997, tregon se ata janë ende të vendosur për t’i shërbyer Perëndisë, pavarësisht nga pasojat. ‘Zemra e tyre është ende e drejtë’ ndaj zemrës së Jezuit. Kjo u demonstrua gjatë 1997-s, kur 5.599.931 lajmëtarë të Mbretërisë, prej të cilëve pothuajse të gjithë «Jonadabë», shpenzuan një total prej 1.179.735.841 orësh në veprën e dhënies së dëshmisë për Jezuin.
Ende predikojnë me zell
8. Si e tregojnë Dëshmitarët e Jehovait zellin e tyre për adhurimin e vërtetë?
8 Jehu ishte me famë për ngarjen e qerres me furi, dëshmi kjo e zellit për të kryer detyrën e tij. (2. Mbretërve 9:20) Jezui, Jehu më i Madh, është përshkruar si të ishte ‘i përpirë’ nga zelli. (Psalmi 69:9) S’është për t’u çuditur, pra, që sot të krishterët e vërtetë dallohen për zellin e tyre. Si në kongregacion, ashtu edhe në publik, ata ‘predikojnë fjalën . . . urgjentisht, në kohë të favorshme dhe në kohë me trazira’. (2. Timoteut 4:2, BR) Zelli i tyre u dëshmua në mënyrë të veçantë gjatë pjesës së parë të vitit 1997, pas një artikulli në Shërbimi ynë i Mbretërisë, që inkurajonte pjesëmarrjen e sa më shumë personave që të ishte e mundur në shërbimin si pionier ndihmës. Në çdo vend, u vendos si synim një numër pionierësh ndihmës. Cila qe përgjigjja? E shkëlqyeshme! Shumë degë e tejkaluan shifrën e synuar. Ekuadori vendosi si synim një numër prej 4.000 pionierësh, por në mars raportoi 6.936 pionierë ndihmës. Gjatë atyre tre muajve, Japonia raportoi një total prej 104.215 pionierësh. Në Zambia, ku synimi ishte 6.000, u raportuan 6.414 pionierë ndihmës në mars, 6.532 në prill dhe 7.695 në maj. Në shkallë globale, numri i pionierëve ndihmës dhe të rregullt së bashku ishte 1.110.251, një rritje prej 34,2 përqind në krahasim me vitin 1996!
9. Përveç veprës nga shtëpia në shtëpi, në cilat mënyra të tjera i gjejnë Dëshmitarët e Jehovait njerëzit, për t’u treguar lajmin e mirë?
9 Apostulli Pavël u tha pleqve nga Efesi: «Nuk u përmbajta t’ju thosha secilën prej gjërave dobiprurëse dhe as t’ju mësoja publikisht dhe nga shtëpia në shtëpi.» (Veprat 20:20, BR) Sot, Dëshmitarët e Jehovait imitojnë shembullin e Pavlit dhe predikojnë me zell lajmin e mirë nga shtëpia në shtëpi. Megjithatë, nuk është e lehtë t’i gjesh njerëzit në shtëpi. Kështu që, «skllavi i besueshëm dhe i matur» i inkurajon lajmëtarët e Mbretërisë t’u afrohen njerëzve në vendet e tregtimit, në rrugë, në plazhe, në parqet publike, pra, kudo ku gjenden njerëz. (Mateu 24:45-47, BR) Rezultatet kanë qenë të shkëlqyera.
10, 11. Si kanë treguar lajmëtarët në dy vende, iniciativë të shkëlqyer për të gjetur personat e interesuar, që normalisht nuk mund të kontaktohen në shtëpi?
10 Në Kopenhagë, Danimarkë, një grup i vogël lajmëtarësh ka dhënë dëshmi në rrugët jashtë stacioneve hekurudhore. Nga janari deri në qershor, ata lanë 4.733 revista, zhvilluan biseda shumë të bukura dhe bënë shumë rivizita. Disa lajmëtarë në atë vend, kanë formuar itinerare revistash nëpër dyqane. Në një qytet, çdo të premte bëhet një pazar i madh, ku shkojnë me mijëra vizitorë. Kështu, kongregacioni ka organizuar një dhënie të rregullt dëshmie në pazar. Në një zonë, shkohet nëpër shkolla me një pako informacionesh, e cila përmban botime që janë veçanërisht të përshtatshme për mësuesit e shkollave.
11 Në Havai janë bërë përpjekje, për të kapur ata që nuk mund të gjehen në shtëpi. Territoret speciale përfshijnë zonat publike (rrugët, parqet, vendet e parkimit dhe stacionet e autobusave), qendrat e qyteteve, marketet dhe aeroportet, dëshminë me telefon, transportin publik (predikimi në autobus) dhe komplekset e kolegjeve. Është treguar kujdes për t’u siguruar që në çdo territor të caktohej numri i duhur i Dëshmitarëve dhe që personat e caktuar të ishin të stërvitur siç duhet. Përpjekje të organizuara mirë, të ngjashme me këto, janë raportuar në shumë vende. Si rezultat, po kontaktohen njerëz të interesuar, të cilët ka të ngjarë të mos gjeheshin kurrë në shërbimin nga shtëpia në shtëpi.
Qëndrojnë të vendosur
12, 13. (a) Çfarë taktike përdori Satanai kundër Dëshmitarëve të Jehovait gjatë 1997-s? (b) Në ç’mënyrë pati efekt të kundërt propaganda në një vend?
12 Në vitin 1997, në një numër vendesh, Dëshmitarët e Jehovait qenë viktima të propagandës së ashpër dhe të rreme, të nxitur me objektivin e dukshëm të ndërmarrjes së veprimeve të mundshme ligjore kundër tyre. Por ata nuk u sprapsën! (Psalmi 112:7, 8) Ata mbajtën mend lutjen e psalmistit: «Ata që mbivlerësojnë veten më kanë përlyer me gënjeshtra. Sa për mua, do të zbatoj me gjithë zemër urdhrat e tua.» (Psalmi 119:69, BR) Një reklamë e tillë e gënjeshtërt është thjesht një dëshmi e faktit që të krishterët e vërtetë urrehen, siç u profetizua nga Jezui. (Mateu 24:9) Shpesh herë ajo ka pasur efekt të kundërt. Një burrë në Belgjikë lexoi një artikull poshtërues për Dëshmitarët e Jehovait në një gazetë të përditshme me emër. I skandalizuar nga vërejtjet shpifëse, të dielën tjetër mori pjesë në një mbledhje në Sallën e Mbretërisë. Ai mori masa që të studionte Biblën me Dëshmitarët dhe vazhdoi të bënte progres të shpejtë. Më parë, ky burrë kishte qenë pjesëtar i një bande. Studimi i Biblës e ndihmoi ta pastronte jetën e vet, gjë që u vu re nga njerëzit që e rrethonin. Sigurisht, ai që shkroi artikullin shpifës, nuk pati ndër mend një rezultat të tillë!
13 Disa njerëz me zemër të ndershme në Belgjikë, kanë folur hapur kundër propagandës mashtruese. Mes tyre qe edhe një ish-kryeministër, i cili pranoi se ishte plot admirim për atë që kanë bërë Dëshmitarët e Jehovait. Një deputet shkroi: «Në kundërshtim me zërat tinëzarë që kanë qarkulluar herë pas here, sipas meje [Dëshmitarët e Jehovait] nuk përbëjnë as edhe rrezikun më të vogël për institucionet e shtetit. Ata janë qytetarë paqedashës, të ndërgjegjshëm dhe me respekt për autoritetet.» Janë me të vërtetë të mençura fjalët e apostullit Pjetër: «Mbajeni të shkëlqyer sjelljen tuaj mes kombeve, që për gjërat që thonë kundër jush si keqbërës, të lavdërojnë Perëndinë ditën e inspektimit të tij, si rezultat i veprave tuaja të shkëlqyera, për të cilat janë dëshmitarë okularë.»—1. Pjetrit 2:12, BR.
Një kremtim i shkëlqyer Përkujtimi
14. Cilat janë disa raporte emocionuese mbi pjesëmarrjen në Përkujtim në vitin 1997?
14 Është e përshtatshme që ata, të cilët japin dëshmi për Jezuin, ta konsiderojnë Përkujtimin e vdekjes së tij si një moment kulmor të vitit. Në vitin 1997, për kremtimin e kësaj ngjarjeje më 23 mars, ishin të pranishëm 14.322.226 veta, pra 1.400.000 më shumë se në vitin 1996. (Luka 22:14-20) Në shumë vende, pjesëmarrja në Përkujtim ishte shumë më e madhe se numri i lajmëtarëve të Mbretërisë, gjë që tregon perspektiva të shkëlqyera për një rritje të ardhshme. Për shembull, në Haiti, viti 1997 pa një maksimum prej 10.621 lajmëtarësh, ndërkohë që në Përkujtim qenë të pranishëm 67.259 veta. Mund të shikosh raportin vjetor në faqet 18 deri 21 dhe të vëresh se sa shumë vende të tjera patën pjesëmarrje të ngjashme të mëdha në krahasim me numrin e lajmëtarëve.
15. Si i kapërcyen problemet serioze vëllezërit tanë në disa vende, që të kremtonin Përkujtimin?
15 Për disa, pjesëmarrja në Përkujtim nuk qe e lehtë. Në Shqipëri, për shkak të trazirave civile, në orën 1900 ishte vendosur shtetrrethimi. Në 115 grupe të vogla në mbarë vendin, Përkujtimi filloi në orën 1745. Dielli perëndoi në orën 1808, duke shënuar kështu fillimin e 14 nisanit. Emblemat u kaluan afërsisht në orën 1815. Në shumicën e rasteve lutja mbyllëse u mbajt rreth orës 1830 dhe ata që morën pjesë nxituan për në shtëpi përpara shtetrrethimit. Megjithatë, pjesëmarrja në Përkujtim ishte prej 3.154, e krahasuar me një maksimum prej 1.090 lajmëtarësh. Në një shtet afrikan, trazirat civile e bënë të pamundur vajtjen në Sallën e Mbretërisë, kështu që dy pleq vendosën të takoheshin në shtëpinë e një plaku të tretë, që të organizonin mbajtjen e kremtimit në grupe më të vogla. Që të shkonin në atë shtëpi, dy pleqve u duhej të kalonin nëpër një kanal kullimi. Por, në atë zonë bëheshin përleshje dhe snajperët qëllonin këdo që përpiqej ta kalonte kanalin. Një plak e kaloi me vrap, pa asnjë incident. I dyti ishte duke e kaluar, kur dëgjoi një të shtënë. U shtri menjëherë përtokë dhe u zvarrit, ndërsa plumbat i vërshëllenin mbi kokë. Mbledhja e pleqve u mbajt me sukses dhe u tregua kujdes për nevojat e kongregacionit.
«Nga të gjitha kombet fiset . . . dhe gjuhët»
16. Si ka marrë masa skllavi i besueshëm dhe i matur, që lajmi i mirë të përhapet nëpër grupe të vogla gjuhësh?
16 Apostulli Gjon tha se shumica e madhe do të dilte nga «të gjitha kombet, fiset, popujt dhe gjuhët». (Zbulesa 7:9, BR) Kështu, Trupi Udhëheqës merr masa që literatura të vihet në dispozicion në gjithnjë e më shumë gjuhë, duke përfshirë edhe ato që fliten nga fise të veçuara dhe nga grupe të vogla njerëzish. Në Mozambik, për shembull, fletushka Jeta në një botë të re paqësore, u botua edhe në pesë gjuhë të tjera. Në Nikaragua, broshura Gëzo jetën në tokë përgjithmonë!, u vu në dispozicion në gjuhën miskito: botimi i parë i Shoqatës Watch Tower në këtë gjuhë. Shumë indianë miskito e pranuan broshurën me gaz, sapo panë diçka në gjuhën e tyre. Në vitin 1997, Shoqata miratoi botimin e literaturës në 25 gjuhë të tjera dhe shtypi më shumë se një miliardë revista.
17. Cili grup gjuhe u ndihmua në Kore dhe si e kanë ndihmuar në një masë të madhe këtë pjesë të popullsisë videokasetat?
17 Në Kore, u ndihmua një grup tjetër gjuhe. Viti 1997 pa kongresin e parë në gjuhën koreane me shenja. Në Kore ka 15 kongregacione në gjuhën e shenjave, me 543 lajmëtarë, por në kongres morën pjesë 1.174 veta dhe 21 u pagëzuan. Për të ndihmuar të shurdhërit që nuk mund ta kuptojnë lehtë fjalën e folur ose të shkruar, botimet po prodhohen në kaseta në 13 gjuhë të ndryshme me shenja. Kështu, të shurdhërit po ndihmohen për ta «lexuar» dhe madje për ta studiuar lajmin e mirë, me rezultate shumë të mira. Në Shtetet e Bashkuara, më parë mund të duheshin deri pesë vjet që një person i shurdhër të përparonte deri në pikën e pagëzimit. Tani, me vënien në dispozicion të disa videove në gjuhën amerikane të shenjave, për disa prej të shurdhërve, kjo është reduktuar në rreth një vit.
‘Të qëndrojmë në qerre’
18. Pasi takoi Jehonadabin, cilës pune iu fut Jehu?
18 Në vitin 905 p.e.s., pasi e kishte takuar Jehonadabi, Jehu iu fut shkatërrimit të adhurimit të rremë. Ai u bëri një ftesë të gjithë adhuruesve të Baalit: «Shenjtëroni një asamble solemne për Baalin.» Pastaj dërgoi persona në mbarë vendin, që të sigurohej se nuk kishte mbetur pa ardhur asnjë adhurues i Baalit. Ndërsa turmat dyndeshin në tempullin e madh të perëndisë së rremë, u tregua kujdes për t’u siguruar që brenda nuk ndodhej asnjë adhurues i Jehovait. Më në fund, Jehu dhe ushtria e tij i therrën adhuruesit e Baalit. «Kështu Jehu e shfarosi Baalin nga Izraeli.»—2. Mbretërve 10:20-28, BR.
19. Duke pasur parasysh atë që shtrihet para njerëzimit, çfarë fryme duhet të tregojmë dhe në cilën detyrë duhet të angazhohemi me zell?
19 Sot, gjykimi përfundimtar i çdo feje të rreme shtrihet pikërisht përpara. Nën udhëheqjen engjëllore, të krishterët po i shpallin lajmin e mirë të gjithë njerëzve, duke i inkurajuar të kenë frikë nga Perëndia dhe të ndahen nga feja e rreme. (Zbulesa 14:6-8; 18:2, 4) Zemërbutët janë të inkurajuar t’i nënshtrohen Mbretërisë së Perëndisë nën Mbretin e hipur në fron të Jehovait, Jezu Krishtin. (Zbulesa 12:10) Në këtë kohë emocionuese, nuk duhet ta lejojmë zellin tonë të bjerë, ndërsa qëndrojmë të vendosur për adhurimin e vërtetë.
20. Çfarë do të jesh i vendosur të bësh gjatë vitit të shërbimit 1998?
20 Njëherë, kur mbreti David, ishte nën një presion të madh, u lut: «Zemra ime është e palëkundur, o Perëndi, zemra ime është e palëkundur. Unë do të këndoj dhe do të thur melodi. Do të të lëvdoj mes popujve, o Jehova.» (Psalmi 57:7, 9, BR) Qofshim edhe ne të palëkundur! Gjatë vitit të shërbimit 1997, megjithë vështirësitë e shumta, një thirrje e fortë lavdie u ngrit në lavdërim të Perëndisë Jehova. Gjatë këtij viti shërbimi, u dëgjoftë një thirrje e ngjashme, madje edhe më e madhe! Qoftë e vërtetë kjo, pavarësisht nga ajo që mund të përpiqet të bëjë Satanai për të na shkurajuar apo kundërshtuar! Kështu, do të tregojmë se zemra jonë mbetet e drejtë ndaj zemrës së Jehut më të Madh, Jezu Krishtit, dhe do t’i përgjigjemi me gjithë shpirt thirrjes së frymëzuar: «Gëzohuni në Jehovain dhe jini të gëzuar, ju të drejtë, dhe thërritni me gëzim të gjithë ju që jeni të drejtë në zemër!»—Psalmi 32:11, BR.
A mund të shpjegosh?
◻ Çfarë ndryshimesh ndodhën në Izrael në vitin 905 p.e.s.?
◻ Kush është Jehu i kohëve moderne dhe si ka treguar «shumica e madhe» se ‘zemra e saj është e drejtë’ ndaj zemrës së tij?
◻ Cilat statistika nga raporti vjetor ilustrojnë zellin që treguan Dëshmitarët e Jehovait gjatë vitit të shërbimit 1997?
◻ Çfarëdo që mund të bëjë Satanai kundër nesh, çfarë fryme do të tregojmë gjatë vitit të shërbimit 1998?
[Tabela në faqet 18-21]
RAPORTI BOTËROR I DËSHMITARËVE TË JEHOVAIT PËR VITIN E SHËRBIMIT 1997
(Shiko botimin e shtypur)
[Figura në faqen 15]
Pjesëmarrja e shkëlqyer në Përkujtim, tregon perspektiva të shkëlqyera për rritje në të ardhmen
[Figura në faqen 16]
Ashtu si Jehonadabi përkrahu Jehun, kështu «shumica e madhe» sot përkrah Jehun më të Madh, Jezu Krishtin, dhe vëllezërit e tij të mirosur