Krishterimi në veprim mes trazirash
E GJITHA filloi papritmas një ditë prilli të 1994-s. Një përplasje aeroplani vrau presidentët e Burundit dhe të Ruandës. Brenda disa orësh, Ruanda u përpi nga një dhunë e përmasave të tmerrshme. Brenda pak më shumë se tre muajsh, mbi 500.000 ruandezë: burra, gra dhe fëmijë, vdiqën. Disa njerëz i referohen kësaj periudhe si «gjenocidit».
Gjysmës së 7,5 milionë banorëve të Ruandës iu desh të iknin me shpejtësi. Kjo përfshinte 2,4 milion veta që kërkuan strehim në shtetet fqinj. Ai qe eksodi më i madh dhe më i shpejtë i refugjatëve në historinë moderne. Kampet e refugjatëve u ngritën me nxitim në Zaire (tani Republika Demokratike e Kongos), në Tanzani dhe në Burundi. Disa prej këtyre kampeve, më të mëdhenjtë në botë, strehuan 200.000 njerëz.
Mes refugjatëve kishte shumë Dëshmitarë të Jehovait, njerëz paqedashës, që në jetën e tyre aplikojnë parimet biblike. Në çfarëdo vendi që jetojnë, ata mbajnë një asnjanësi të prerë dhe aplikojnë parimin e trupëzuar në këto fjalë të Isaisë 2:4: «Do t’i farkëtojnë shpatat e tyre duke i kthyer në plugje dhe heshtat e tyre në drapinj; një komb nuk ka për të ngritur shpatën kundër një kombi tjetër dhe nuk do të mësojnë më luftën.» Dëshmitarët e Jehovait njihen gjerësisht si një grup fetar që nuk mori pjesë në gjenocidin në Ruandë.
Jezu Krishti tha se ithtarët e tij «nuk janë pjesë e botës». Megjithatë, meqenëse janë «në botë», ata nuk mund t’u shpëtojnë gjithmonë trazirave të kombeve. (Gjoni 17:11, 14) Gjatë gjenocidit në Ruanda, pothuajse 400 Dëshmitarë humbën jetën. Rreth 2.000 Dëshmitarë dhe persona të interesuar për lajmin e Mbretërisë, u bënë refugjatë.
A do të thotë fakti që nuk janë pjesë e botës, se Dëshmitarët e Jehovait nuk bëjnë asgjë kur godasin katastrofat? Jo. Fjala e Perëndisë thotë: «Në qoftë se një vëlla ose një motër janë të zhveshur dhe u mungon ushqimi i përditshëm dhe dikush nga ju u thotë atyre: ‘Shkoni në paqe! Ngrohuni dhe ngopuni!’ dhe nuk u jepni atyre gjërat për të cilat kanë nevojë për trupin, ç’dobi ka? Po kështu është edhe besimi; në qoftë se s’ka vepra, është i vdekur në vetvete.» (Jakovit 2:15-17) Dashuria për të afërmin i motivon, gjithashtu, Dëshmitarët që t’i ndihmojnë ata që nuk kanë të njëjtat pikëpamje fetare me ta.—Mateu 22:37-40.
Megjithëse Dëshmitarët e Jehovait në mbarë botën dëshironin fort t’i ndihmonin bashkëbesimtarët e tyre që ndodheshin përballë një situate katastrofike në Ruanda, bashkërendimi i përpjekjeve për lehtësimin e gjendjes u caktua në Evropën Perëndimore. Në verën e 1994-s, një skuadër Dëshmitarësh vullnetarë nga Evropa nxitoi për të ndihmuar vëllezërit dhe motrat e tyre të krishterë në Afrikë. Për refugjatët ruandezë ishin ngritur kampe me një organizim të mirë dhe spitale në fushë. Atyre u ishin dërguar me aeroplanë apo me mjete të tjera, sasi të mëdha veshjesh, batanijesh, ushqimi dhe literature biblike. Më shumë se 7.000 persona të brengosur, pothuajse trefishi i numrit të Dëshmitarëve të Jehovait në Ruanda në atë kohë, përfituan nga këto përpjekje për lehtësim. Nga dhjetori i atij viti, me mijëra refugjatë, përfshirë shumicën e atyre që ishin Dëshmitarë të Jehovait, u kthyen në Ruanda për të rindërtuar jetën e tyre normale.
Luftë në Kongo
Në vitin 1996, në rajonin lindor të Republikës Demokratike të Kongos shpërtheu lufta. Kjo zonë është në kufi me Ruandën dhe Burundin. Edhe atje pati përdhunime dhe vrasje. Mes plumbave që vërshëllenin dhe fshatrave në flakë, njerëzit iknin për të shpëtuar kokën. Dëshmitarët e Jehovait u kapën nga trazira dhe rreth 50 prej tyre vdiqën. Disa u vranë nga plumba qorr. Të tjerë i vranë, sepse i përkitnin një grupi të veçantë etnik apo sepse i morën për armiq. Një fshat ku banonin 150 Dëshmitarë, u bë shkrumb nga zjarri. Nëpër fshatra të tjera, u dogjën me dhjetëra shtëpi dhe disa Salla Mbretërie. Të mbetur pa shtëpi dhe pa asgjë, Dëshmitarët u larguan për në zona të tjera dhe u ndihmuan nga bashkadhuruesit e atjeshëm.
Lufta pasohet nga uria, sepse të lashtat shkatërrohen, rezervat ushqimore plaçkiten dhe rrugët për çuarjen e ndihmave priten. Ushqimi që disponohet është i shtrenjtë. Në Kisangani, në fillim të majit të 1997-s, 1 kile patate kushtonte rreth tre dollarë, shumë larg mundësive financiare të shumicës së njerëzve. Pjesa më e madhe mundej të hante vetëm një vakt në ditë. Sigurisht që mungesa e ushqimit pasohet nga sëmundjet. Të ushqyerit e keq dobëson aftësinë e trupit për t’i rezistuar malarjes, sëmundjeve diarreike dhe problemeve gastrike. Nga këto gjëra vuajnë sidomos fëmijët, të cilët edhe vdesin.
Vlerësuan nevojën që ekzistonte
Përsëri, Dëshmitarët e Jehovait në Evropë iu përgjigjën me të shpejtë kësaj nevoje. Deri në prill të 1997-s, një skuadër Dëshmitarësh që përfshinte dy mjekë, kishte shkuar atje me aeroplan, bashkë me ilaçe dhe para. Në Goma, Dëshmitarët lokalë kishin organizuar tashmë komitete lehtësimi për të bërë një vlerësim të situatës, që të mund të jepej një ndihmë e menjëhershme. Skuadra eksploroi qytetin dhe rrethinat. U dërguan lajmëtarë, për të marrë raporte nga vende më të largëta. Informacioni u mor edhe nga Kisangani, që ndodhet mbi 1.000 kilometra në perëndim të Gomas. Vëllezërit lokalë ndihmuan në bashkërendimin e përpjekjeve për lehtësim në Goma, ku banojnë 700 Dëshmitarë.
Një nga pleqtë e krishterë në Goma, tha: «U prekëm shumë kur pamë vëllezërit tanë që kishin ardhur nga aq larg për të na ndihmuar. Përpara se të vinin ata, ne ndihmuam njëri-tjetrin. Vëllezërve iu desh të largoheshin nga fshatrat e tyre për në Goma. Disa kishin humbur shtëpitë e tyre dhe kishin lënë fushat e tyre. I morëm në shtëpitë tona dhe ndamë me ta rrobat dhe atë pak ushqim që kishim. Ajo që mund të bënim ne në shkallë lokale nuk ishte shumë. Disa prej nesh po vuanin nga i ushqyeri i keq.
Megjithatë, vëllezërit nga Evropa sollën para, që na mundësuan të blenim ushqim, i cili ishte i paktë dhe shumë i shtrenjtë. Ushqimi erdhi në një moment kritik, pasi shumë nuk kishin në shtëpitë e tyre asgjë për të ngrënë. Ua shpërndamë ushqimin si Dëshmitarëve, ashtu edhe atyre që nuk ishin Dëshmitarë. Nëse ndihma nuk do të kishte ardhur kur erdhi, do të kishin vdekur shumë më tepër veta, sidomos fëmijë. Jehovai e shpëtoi popullin e tij. Atyre që nuk ishin Dëshmitarë, u bëri shumë përshtypje. Shumë bënë komente mbi unitetin dhe dashurinë tonë. Disa e pranuan se feja jonë është feja e vërtetë.»
Megjithëse në atë zonë ushqimi blehej dhe ilaçet ishin të administruara, kërkohej më shumë. Kishte nevojë për rroba dhe batanije, si dhe për sasi më të mëdha ushqimi dhe ilaçesh. Gjithashtu, nevojitej ndihmë për të rindërtuar shtëpitë e shkatërruara.
Njerëzit japin bujarisht
Vëllezërit në Evropë ishin përsëri të paduruar për të ndihmuar. Zyra e Dëshmitarëve të Jehovait në Luvier të Francës ua bëri të ditur gjendjen kongregacioneve në luginën Ron, atyre në Normandi, si dhe disa kongregacioneve në Paris. Këtu doli në skenë një parim tjetër biblik: «Ai që mbjell me kursim, do të korrë po me kursim dhe ai që mbjell dorëhapur, do të korrë dorëhapur. Secili le të veprojë ashtu si ka vendosur në zemër, as me keqardhje, as nga shtrëngimi, sepse Perëndia do një dhurues të gëzuar.»—2. Korintasve 9:6, 7.
Me mijëra veta e shfrytëzuan me gëzim mundësinë për të dhënë. Kuti dhe çanta me rroba, këpucë dhe gjëra të tjera, vërshuan nëpër Sallat e Mbretërisë dhe pastaj u transportuan në zyrën e degës së Dëshmitarëve të Jehovait në Francë. Atje, 400 vullnetarë ishin gati të merrnin pjesë në fazën tjetër të operacionit «Ndihmoni Zairenë». Ndërsa gjërat e dhuruara vërshonin, këta vullnetarë i gruponin, i grumbullonin dhe i paketonin rrobat në kuti që stivoseshin nga 30 e nga 30 në një karrocë dore. Fëmijët kishin menduar për vëllezërit dhe motrat e tyre në Afrikë dhe u kishin dërguar lodra: makina lodër që shkëlqenin, lojën me fugë, kukulla dhe arushë me push. Këto u paketuan bashkë me gjërat e nevojshme për jetesë. Gjithsej, u mbushën dhe u dërguan për në Kongo nëntë kontejnerë prej 12 metrash secili.
Sa ndihma u dërguan në Afrikën Qendrore me ndihmën e mijëra Dëshmitarëve në Belgjikë, Francë dhe Zvicër? Deri në qershor të 1997-s, sasia totale ishte 500 kilogram ilaçe, 10 ton biskota me vlerë të lartë proteinike, 20 ton ushqime të tjera, 90 ton veshje, 18.500 palë këpucë dhe 1.000 batanije. Me aeroplan, u dërgua edhe literaturë biblike. E gjithë kjo u çmua shumë, duke i ngushëlluar refugjatët dhe duke i ndihmuar të duronin sprovat e tyre. Kostoja e ndihmave qe afërsisht 1.000.000 dollarë. Kontribute të tilla ishin dëshmi e vëllazërisë dhe dashurisë mes atyre që i shërbejnë Jehovait.
Shpërndarja në Kongo
Ndërsa këto gjëra filluan të mbërrinin në Kongo, nga Franca erdhën dy vëllezër dhe një motër për të punuar me komitetet lokale të lehtësimit. Në lidhje me mirënjohjen e treguar nga Dëshmitarët kongolezë, Zhozlina tha: «Morëm shumë letra çmueshmërie. Një motër e varfër më dha një zbukurim malakiti. Të tjerë na dhanë fotografi të tyret. Kur po largoheshim, motrat më puthnin, më përqafonin dhe qanin. Edhe unë qaja. Shumë persona bënë komente të tilla, si: ‘Jehovai është i mirë. Jehovai mendon për ne’. Kështu, ata pranuan se merita për këtë dhënie i përkiste Perëndisë. Kur po shpërndanim ushqime, vëllezërit dhe motrat lavdëronin Jehovain me këngë të Mbretërisë. Ishte shumë prekëse.»
Anëtar i skuadrës qe edhe një mjek i quajtur Loik. Shumë veta dyndeshin në Sallën e Mbretërisë dhe pritnin me durim t’u vinte radha që të kërkonin ndihmën e tij. Duke dashur të bënte diçka edhe ajo, një motër kongoleze bëri dhe u ofroi rreth 40 petulla atyre që pritnin të takonin doktorin. Meqenëse ata që po pritnin ishin rreth 80, secili mori nga një gjysmë petulle.
Ndihmë jo-Dëshmitarëve
Kjo ndihmë humanitare nuk iu dha vetëm Dëshmitarëve të Jehovait. Prej saj përfituan edhe të tjerët, ashtu siç përfituan shumë më 1994-n. Kjo është në harmoni me Galatasve 6:10, që thotë: «Prandaj, sa të kemi rast, le t’u bëjmë të mirën të gjithëve, por në radhë të parë atyre që janë në familjen e besimit.»
Dëshmitarët u shpërndanë ilaçe dhe veshje disa shkollave fillore dhe një jetimoreje pranë Gomas. Kjo jetimore është shtëpi për 85 fëmijë. Në një udhëtim të mëparshëm për të bërë një vlerësim të situatës, skuadra e lehtësimit vizitoi jetimoren dhe premtoi t’i furnizonte me 50 kuti biskotash me vlerë të lartë proteinike, kuti me rroba, 100 batanije, ilaçe dhe lodra. Fëmijët u rreshtuan në oborr dhe kënduan për vizitorët. Më pas bënë një kërkesë të veçantë: A mund t’u sillnin një top për të luajtur futboll?
Disa javë më vonë, skuadra e lehtësimit e përmbushi premtimin për të sjellë furnizime. Duke qenë se i bëri përshtypje bujaria dhe ajo që kishte lexuar në literaturën biblike që i ishte dhënë, drejtori i jetimores tha se ishte në rrugën për t’u bërë një Dëshmitar i Jehovait. Po topi, a iu dha fëmijëve? «Jo,—u përgjigj Klod, koordinatori i skuadrës së lehtësimit nga Franca.—U dhamë dy topa futbolli.»
Kampet e refugjatëve
Ndihma nuk u kufizua në Kongo. Me mijëra refugjatë kishin ikur nga zona e luftës në një vend aty pranë, ku ishin ngritur nxitimthi tri kampe refugjatësh. Edhe Dëshmitarët e Jehovait udhëtuan për atje, që të shihnin se ç’mund të bëhej. Kur u përgatit ky raport, kampet strehonin 211.000 refugjatë, kryesisht nga Kongo. Rreth 800 ishin Dëshmitarët me fëmijët e tyre, si dhe individët e interesuar për lajmin e mirë të Mbretërisë. Një problem i ngutshëm nëpër kampe ishte mungesa e ushqimit. Në një kamp, kishte ushqim të mjaftueshëm vetëm për tri ditë dhe ky përfshinte bathë trevjeçare.
Megjithatë, Dëshmitarët kishin një frymë pozitive. Megjithëse kishin pak literaturë biblike, ata drejtonin mbledhje të rregullta përjashta, për t’u ndërtuar frymësisht. Ishin, gjithashtu, të zënë për t’u predikuar lajmin e mirë të Mbretërisë të tjerëve nëpër kampe.—Mateu 24:14; Hebrenjve 10:24, 25.
Në skuadrën e Dëshmitarëve për vlerësimin e gjendjes, bënte pjesë edhe një mjek. Ndonëse autoritetet i lejuan të kalonin vetëm pak ditë në secilin kamp, ata bënë konsulta mjekësore. Ata u lanë pleqve të krishterë ilaçe dhe para. Kështu, vëllezërit mundën të mbijetonin. Kjo skuadër shpresonte, gjithashtu, që Dëshmitarët nëpër kampe të ktheheshin së shpejti në vendlindjen e tyre.
Ç’të themi për të ardhmen? Jezu Krishti paratha se ditët tona do të ishin ditë trazirash të mëdha, një periudhë e dalluar për luftërat dhe mungesën e ushqimit. (Mateu 24:7) Dëshmitarët e Jehovait e dinë se vetëm Mbretëria e Perëndisë do t’u japë fund vuajtjeve që ekzistojnë tani mbi tokë. Nën sundimin e saj, shtëpia jonë tokësore do të bëhet një parajsë paqeje, bollëku dhe lumturie të përhershme për njerëzimin e bindur. (Psalmi 72:1, 3, 16) Ndërkohë, Dëshmitarët e Jehovait do të shpallin lajmin e mirë të kësaj Mbretërie qiellore dhe, gjithashtu, do të vazhdojnë të ndihmojnë bashkadhuruesit dhe të tjerët, në kohë nevoje.
[Diçitura në faqen 4]
Që prej 1994-s, vetëm Dëshmitarët e Jehovait në Evropë kanë dërguar në rajonin e Liqeneve të Mëdhenj të Afrikës më shumë se 190 ton ushqim, veshje, ilaçe dhe furnizime të tjera lehtësuese
[Kutia në faqen 6]
Dashuria e krishterë e vënë në praktikë
Mes atyre që morën pjesë me zell në projektin «Ndihmoni Zairenë» në Francë, qe edhe Rut Dane. Kur ishte fëmijë, ajo qe burgosur në kampet naziste të përqendrimit, për shkak të besimit të saj të krishterë. Ajo komentoi: «Jemi kaq të lumtur të bëjmë diçka për vëllezërit tanë dhe motrat tona në Afrikë! Po ka diçka që më bën dyfish të lumtur. Në vitin 1945, kur u kthyem në shtëpi nga Gjermania, nuk kishim absolutisht asgjë. Edhe rrobat që kishim veshur na i kishin dhënë hua. Por shpejt, morëm ndihmë materiale nga vëllezërit tanë frymorë në Amerikë. Kështu që, kjo përpjekje për lehtësimin e gjendjes në Afrikë, më lejoi të ktheja dashamirësinë që na ishte treguar shumë kohë më parë. Ç’privilegj është të jesh pjesë e një familjeje të tillë të madhe vëllezërish, që e vënë në praktikë dashurinë e krishterë!»—Gjoni 13:34, 35.
[Figura në faqen 7]
Së shpejti: Një parajsë tokësore me bollëk për të gjithë