BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w98 15/1 f. 23-28
  • Të forcojmë besimin tonë në Fjalën e Perëndisë

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Të forcojmë besimin tonë në Fjalën e Perëndisë
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Fjala e Perëndisë është e vërtetë Baza e besimit tonë
  • Imitoni «Përsosësin e besimit tonë»
  • Jetoni për arsye të besimit
  • Trego besim te premtimet e Jehovait
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait (Për studim)—2016
  • A ke vërtet besim në lajmin e mirë?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2003
  • «Na jep më shumë besim»
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2015
  • Besimi—Një cilësi forcëdhënëse
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait (Për studim)—2019
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
w98 15/1 f. 23-28

Të forcojmë besimin tonë në Fjalën e Perëndisë

JANË më të shumtë njerëzit që kanë lexuar Biblën sesa ndonjë libër tjetër. Por sa prej tyre e kanë manifestuar besimin në mesazhin e saj? Vetë Bibla shpjegon se «besimi nuk është një zotërim i të gjithë njerëzve». (2. Thesalonikasve 3:2, BR) Është e qartë që ne nuk lindim me besim. Ai duhet zhvilluar. Edhe ata që kanë besim deri në njëfarë mase, nuk duhet ta konsiderojnë si diçka të zakonshme. Besimi mund të degjenerohet e të vdesë. Prandaj, për të qëndruar «të shëndoshë në besim», nevojiten përpjekje.—Titit 2:2, BR.

Kështu që, me arsye të forta, Trupi Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait, për serinë e kongreseve të tyre krahinore për vitin 1997/98, zgjodhi temën «Besim në Fjalën e Perëndisë». Me miliona Dëshmitarë dhe të tjerë kanë pasur privilegjin të mblidhen së bashku për të forcuar besimin e tyre në Fjalën e Perëndisë.

Fjala e Perëndisë është e vërtetë Baza e besimit tonë

Kjo ishte tema e ditës së parë të kongresit. Ajo filloi me fjalë lavdërimi për të gjithë të pranishmit. Prania në kongres ishte dëshmi e respektit për Biblën. Por megjithatë, për sa i përket cilësisë së besimit tonë, u shtruan pyetje që të bënin të mendoje: ‘A jemi në gjendje t’i mbrojmë bindjet tona, duke përdorur Fjalën e Perëndisë si autoritet? A e vlerësojmë ushqimin frymor, duke mos i konsideruar kurrë si diçka të zakonshme Biblën, mbledhjet e kongregacionit dhe botimet e bazuara në Bibël? A po rritemi në dashuri, njohuri të saktë dhe aftësi shquese?’ Oratori i inkurajoi të gjithë që të dëgjonin me vëmendje, duke vënë në dukje se «ky kongres krahinor ‘Besim në Fjalën e Perëndisë’, është përgatitur për të na ndihmuar që të shohim mirë brenda vetes, si dhe për të shqyrtuar masën dhe cilësinë e besimit që zotërojmë individualisht».

Fjalimi kyç titullohej «Të ecim me anë të besimit, jo me anë të shikimit». (2. Korintasve 5:7, BR) «Besimi i atyre që bëhen Dëshmitarë të Jehovait, nuk është një besim naiv»,—tha oratori. Sa e vërtetë është kjo! Besimi i vërtetë nuk është i verbër. Ai është i bazuar në realitete. Hebrenjve 11:1 thotë: «Besimi është pritja e sigurt e gjërave të shpresuara, shfaqja e dukshme e realiteteve, edhe pse nuk shihen.» Oratori vërejti: «Nëse do të ecim me të vërtetë me anë të besimit, kemi nevojë për një besim që ka themele të forta.» Meqenëse ecim me anë të besimit e jo me anë të shikimit, nuk na duhen hollësira mbi atë se si dhe kur do ta përmbushë Jehovai çdo aspekt të qëllimit të tij. Ajo që tashmë dimë për të, na jep një siguri absolute në fuqinë e tij për t’i përmbushur me dashuri dhe me drejtësi premtimet e veta.

Fjalimi «Të rinjtë e krishterë: Një pjesë jetësore e kongregacionit», u kujtoi të rinjve se sa të çmuar janë për Jehovain. Ata u inkurajuan që të rriteshin frymësisht, duke ndjekur synime të tilla si leximin e të gjithë Biblës dhe përmbushjen e kërkesave për dedikim dhe pagëzim. Ndjekja e arsimimit shtesë është një çështje personale, për të cilën një i ri duhet të vendosë bashkë me prindërit e vet, por nëse ndërmerret një gjë e tillë, objektivi duhet të jetë gjithmonë të qenët i pajisur për t’i shërbyer më me efektshmëri Perëndisë. Arsimimi botëror mund t’i shërbejë një qëllimi dobiprurës, kur ne ‘sigurohemi për gjërat më të rëndësishme’ që janë të lidhura me besimin tonë.—Filipianëve 1:9, 10, BR.

Më pas ishte simpoziumi prej tre fjalimesh, mbi temën: «Standardet e kujt vini në praktikë?» Besimi në Fjalën e Perëndisë na motivon që t’u përmbahemi standardeve të Biblës. Të krishterët u binden ligjeve dhe parimeve të Jehovait. Për shembull, Shkrimet na këshillojnë që të mos përdorim një të folur të ndyrë dhe abuziv. (Efesianëve 4:31, 32) Oratori pyeti: «Kur zemëroheni apo acaroheni, a i bërtitni në mënyrë fyese bashkëshortit apo fëmijëve tuaj?» Sigurisht që kjo nuk do të ishte e krishterë. Perëndia ka standarde edhe në lidhje me paraqitjen tonë të jashtme. Të krishterët duhet të vishen me «veshje të rregulluara mirë, me modesti». (1. Timoteu 2:9, 10, BR) Fjala «modesti» përçon idenë e respektit për veten, një ndenjë nderimi, maturie dhe përkoreje. Ne motivohemi nga dashuria për të tjerët dhe udhëhiqemi nga parimet biblike, si dhe nga një ndjesi mbi atë që është e përshtatshme.

Dy fjalimet që vijuan, përfshinin shqyrtimin varg për varg të Hebrenjve 3:7-15 dhe 4:1-16. Këto fragmente të Biblës na paralajmërojnë kundër rrezikut të ‘ngurtësimit nga fuqia mashtruese e mëkatit’. (Hebrenjve 3:13, BR) Si mund t’ia dalim mbanë në betejën tonë kundër mëkatit? Jehovai na ndihmon nëpërmjet Fjalës së tij. Në të vërtetë, «fjala e Perëndisë është e gjallë dhe ushtron fuqi . . . është në gjendje të shquajë mendimet dhe qëllimet e zemrës».—Hebrenjve 4:12, BR.

Fjalimi i fundit për ditën e parë të kongresit ishte «Një libër për të gjithë njerëzit». Ai nxori në pah autenticitetin, saktësinë dhe vlerën praktike të Biblës. Sa drithëruese ishte të dëgjoje oratorin të njoftonte daljen e një broshure të re me 32 faqe, të titulluar Një libër për të gjithë njerëzit! Ky botim i ri është përgatitur sidomos për njerëz që, ndonëse të arsimuar, dinë pak për Biblën. Fjalimi u mbyll me fjalët: «Njerëzit duhet ta shqyrtojnë vetë Fjalën e Perëndisë. Ne jemi të sigurt se nëse bëjnë një shqyrtim nga afër, ata do të arrijnë ta kuptojnë se ky libër unik, Bibla, është në të vërtetë një libër për të gjithë njerëzit!»

Imitoni «Përsosësin e besimit tonë»

Kjo temë e ditës së dytë të kongresit e tërhoqi vëmendjen te Jezu Krishti, «Përsosësi i besimit tonë». Ne duhet t’i ‘ndjekim nga afër hapat e tij’. (Hebrenjve 12:2; 1. Pjetrit 2:21, BR) Shumë personave në të ashtuquajturin krishterim u është thënë: ‘Beso në Zotërinë Jezu dhe do të shpëtohesh!’ Por a është kjo gjithçka për sa i përket besimit? Bibla deklaron se «besimi pa vepra është i vdekur». (Jakovit 2:26) Prandaj, përveçse të besojmë në Jezuin, ne duhet të bëjmë veprat që bëri ai, veçanërisht nëpërmjet predikimit të lajmit të mirë të Mbretërisë së Perëndisë.

Programi i paradites u përqendrua në veprën e ungjillëzimit. Ashtu si Pavli, ne duhet të jemi të paduruar për të shpallur lajmin e mirë të shpëtimit. (Romakëve 1:14-16) Jezui u predikoi kudo njerëzve. Megjithëse shërbimi ynë i rregullt nga shtëpia në shtëpi po jep rezultat, kur ne shkojmë për të predikuar, gjithnjë e më shumë njerëz nuk janë në shtëpi. (Veprat 20:20) Shumë janë në shkollë, në punë, në pazar ose në udhëtim. Prandaj ne duhet të predikojmë, gjithashtu, nëpër vendet publike dhe kudo ku mund të gjenden njerëzit.

Fjalimi «Rrënjosuni dhe stabilizohuni në të vërtetën», na kujtoi numrin e madh të dishepujve të rinj që po pagëzohen: një mesatare prej më shumë se 1.000 vetash çdo ditë! Është jetësore që këta dishepuj të rinj të rrënjosen dhe të stabilizohen në të vërtetën. (Kolosianëve 2:6, 7, BR) Oratori shpjegoi se rrënjët fizike thithin ujë dhe ushqim, ndërkohë që sigurojnë, gjithashtu, një spirancë ose mbështetje për bimën. Ngjashëm, nëpërmjet zakoneve të mira të studimit dhe shoqërive të shëndetshme, dishepujt e rinj mund të stabilizohen në të vërtetën.

Kjo këshillë ishte veçanërisht e përshtatshme për kandidatët për pagëzim. Po, ditën e dytë të kongresit, grupe të mëdha dishepujsh të rinj u pagëzuan, duke ndjekur kështu shembullin e Jezuit. Fjalimi «Besimi në Fjalën e Perëndisë çon në pagëzim», u kujtoi kandidatëve se të qenët i zhytur plotësisht në ujë, është një simbol i përshtatshëm i vdekjes së tyre për sa i përket mënyrës së mëparshme të jetesës në ndjekje të interesave personale. Fakti që dalin nga uji, përfaqëson ngjalljen e tyre për të kryer vullnetin e Perëndisë.

Fjalimi «Bëni një luftë të fortë për besimin» ishte i bazuar në librin biblik të Judës. U inkurajuam për ta mbrojtur besimin tonë, duke u rezistuar ndikimeve të dëmshme të tilla, si: imoraliteti, rebelimi dhe apostazia. Më pas, fjalimi «Siguroni furnizime për shtëpinë tuaj», u kushtoi vëmendje të veçantë prindërve, dhe sidomos baballarëve. Sigurimi i furnizimeve për nevojat frymore, fizike dhe emocionale të familjes, është një detyrim biblik. (1. Timoteut 5:8) Kjo gjë kërkon kohë, komunikim dhe afërsi. Sigurisht që Perëndia Jehova është i kënaqur me punën e rëndë që bëjnë prindërit e krishterë për t’i rritur fëmijët e tyre në të vërtetën.

Simpoziumi vijues, «Le të shkojmë në shtëpinë e Jehovait», ndërtoi çmueshmërinë për mbledhjet e krishtere. Ato sigurojnë prehje nga ankthet e kësaj bote. Në mbledhje ne kemi mundësinë për një shkëmbim inkurajimi dhe mund të demonstrojmë dashurinë tonë për bashkëbesimtarët. (Hebrenjve 10:24, 25) Gjithashtu, mbledhjet na ndihmojnë të mprehim aftësitë tona si mësues dhe thellojnë kuptueshmërinë tonë mbi qëllimin e Perëndisë. (Fjalët e urta 27:17) Le të mos izolohemi asnjëherë nga kongregacioni dhe le të kujtojmë fjalët e Jezuit: «Atje ku janë dy ose tre të mbledhur së bashku në emrin tim, atje, në mes tyre, jam unë.»—Mateu 18:20, BR.

Fjalimi i fundit i kësaj dite ishte «Cilësia e besimit tuaj po sprovohet tani». Besimi që nuk është sprovuar nuk ka një vlerë të provuar dhe cilësia e tij mbetet e panjohur. Është si një çek, që akoma nuk është thyer. A është vërtet e vlefshme shuma që tregohet në të? Ngjashëm, besimi ynë duhet sprovuar, që të provojë se ka substancë dhe cilësi të vërtetë. (1. Pjetrit 1:6, 7) Oratori tha: «Disa herë, mjetet e informacionit, si dhe autoritetet, mashtrohen nga klerikët dhe apostatët për të hedhur akuza të rreme mbi ne, duke shtrembëruar bindjet tona të krishtere dhe mënyrën tonë të jetesës. . . . A do të lejojmë që ata, të cilët janë verbuar nga Satanai, të na frikësojnë, të na shkurajojnë dhe të na bëjnë të ndihemi të turpëruar për lajmin e mirë? A do të lejojmë që gënjeshtrat për të vërtetën të ndikojnë në praninë tonë të rregullt në mbledhje dhe në aktivitetin e predikimit? Apo do të qëndrojmë të palëkundur, me kurajë dhe më të vendosur se kurrë, për të vazhduar shpalljen e së vërtetës mbi Jehovain dhe Mbretërinë e tij?»

Jetoni për arsye të besimit

Tema e ditës së tretë të kongresit bazohej në fjalët e Pavlit: «Që me anë të ligjit askush nuk deklarohet i drejtë para Perëndisë, është e dukshme, sepse ‘i drejti do të jetojë për arsye të besimit’.» (Galatasve 3:11, BR) Simpoziumi «Fjalët profetike të Joelit për ditët tona», ishte një nga pikat kulmore të paradites. Libri i Joelit flet për kohën tonë dhe me një ndjenjë urgjence, thotë: «Mjerë ajo ditë; sepse dita e Zotit është e afërt, po, do të vijë si një shkatërrim nga i Plotfuqishmi!» (Joeli 1:15) Në një mënyrë të ngjashme me atë të karkalecave të pandalshëm, të krishterët e mirosur nuk kanë lënë asgjë që t’i pengojë në rrugën e shpalljes së Mbretërisë në këtë kohë të fundit.

Libri i Joelit jep edhe shpresë, duke thënë: «Gjithkush që thërret emrin e Jehovait, do të shpëtojë.» (Joeli 2:32, BR) Kjo do të thotë më shumë sesa thjesht të përdorësh emrin e Jehovait. Nevojitet një pendim nga zemra dhe kjo përfshin t’i kthesh shpinën keqbërjeve. (Joeli 2:12, 13) Nuk ka kohë për vonesë, sepse së shpejti Jehovai do të ekzekutojë gjykimin mbi kombet, ashtu siç bëri me Moabin, Amonin dhe rajonin malor të Seirit në ditët e mbretit të Judesë, Jozafatit.—2. Kronikave 20:1-30; Joeli 3:2, 12.

Të gjithë u inkurajuan nga fjalimi «Tregoni besim, duke pritur Jehovain». Tani, të futur thellë në kohën e fundit, mund të mendojmë rreth përmbushjes së shumë prej premtimeve të Jehovait dhe jemi tepër të interesuar për gjërat që ende duhet të ndodhin. Populli i Jehovait duhet të vazhdojë të ketë durim, duke mos harruar se çdo gjë që ka premtuar Perëndia, do të ndodhë.—Titit 2:13; 2. Pjetrit 3:9, 10.

Programi i paradites u mbyll me dramën «Mbajeni syrin të thjeshtë». Ky dramatizim real na inkurajoi të shqyrtojmë qëndrimin tonë në lidhje me synimet materiale. Pavarësisht se ku jetojmë, nëse duam që jeta jonë të jetë e lirë nga ankthi, duhet të ndjekim këshillën e Jezuit për ta mbajtur syrin të thjeshtë, të fokusuar qartë në Mbretërinë e Perëndisë.—Mateu 6:22.

Fjalimi publik kishte titullin shumë tërheqës «Besimi dhe e ardhmja juaj». Ai ofroi prova të paaftësisë së udhëheqësve njerëzorë për të zgjidhur problemet e botës. (Jeremia 10:23) Historia e njeriut vazhdon të përsëritë vetveten në një shkallë më të madhe dhe më dëmtuese. Çfarë mendojnë Dëshmitarët e Jehovait për të ardhmen? Ne besojmë se njerëzimi besimplotë ka një të ardhme të ndritur nën Mbretërinë e Perëndisë. (Mateu 5:5) Perëndia do të përmbushë premtimet e tij për dobinë e të gjithë atyre që kanë besim në Fjalën e tij, e cila nxit: «Kërkoni Jehovain, o njerëz, ndërkohë që mund të gjendet. Thirreni atë, ndërkohë që provon se është pranë.»—Isaia 55:6, BR.

Duke pasur parasysh ditët tona, Jezui ngriti një pyetje jetësore. Ai pyeti: «Kur të mbërrijë Biri i njeriut, a do të gjejë me të vërtetë besim në tokë?» (Luka 18:8, BR) Fjalimi mbyllës bëri një rishikim të programit të kongresit dhe tregoi se si ai siguroi një dëshmi kumbuese se besimi në Fjalën e Perëndisë ekziston, edhe pse jetojmë në një botë pa besim dhe laike.

Megjithatë, mund të pyesim individualisht veten: ‘A ndodhem mes atyre që kanë besim të palëkundur te Perëndia dhe Fjala e tij?’ Kongresi krahinor «Besim në Fjalën e Perëndisë», duhet të na ndihmojë për t’iu përgjigjur ‘po’ kësaj pyetjeje. Sa mirënjohës i jemi Jehovait që e ka forcuar besimin tonë në të dhe në Fjalën e tij të Frymëzuar, Biblën!

[Figurat në faqen 24]

Shumë vullnetarë punuan me gëzim për të pritur me mijëra delegatë

[Figurat në faqen 25]

Anembanë botës u përdorën stadiume të mëdhenj si ky

[Figura në faqen 25]

L. A. Swingle i Trupit Udhëheqës duke paraqitur broshurën e re

[Figura në faqen 26]

Shumë persona u pagëzuan në simbol të dedikimit të tyre ndaj Jehovait

[Figurat në faqen 27]

Kongresistët kënduan me gëzim këngë të Mbretërisë. Në cep: Drama «Mbajeni syrin të thjeshtë»

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo