Bazë e shëndoshë për optimizëm sot
HISTORIANI dhe sociologu H. G. Uells, i lindur më 1866, ushtroi një influencë të fuqishme në mënyrën e të menduarit të shekullit të 20-të. Me anë të shkrimeve të tij, ai përhapi bindjen se mijëvjeçari do të përkonte me marshimin përpara të shkencës. Prandaj, Collier’s Encyclopedia përmend «optimizmin e pakufishëm» të Uellsit, ndërsa punonte pa pushim për çuarjen përpara të kauzës së tij. Por ajo vëren, gjithashtu, se optimizmi i tij u shuajt kur shpërtheu Lufta II Botërore.
Ndërsa Uells arrinte të kuptonte se «shkenca mund të punojë si për të ligën, ashtu dhe për të mirën, besimi i tij u venit dhe ai ra në pesimizëm», pohon Chambers’s Biographical Dictionary. Pse ndodhi kjo?
Besimi dhe optimizmi i Uellsit bazoheshin vetëm tek arritjet njerëzore. Kur kuptoi se njerëzimi ishte i paaftë ta arrinte utopinë e tij, nuk kishte ku të drejtohej tjetër. Dëshpërimi u kthye shpejt në pesimizëm.
Sot, shumë njerëz përjetojnë të njëjtën gjë për të njëjtën arsye. Sa janë të rinj, janë plot optimizëm, por kur plaken, bien në një pesimizëm të zymtë. Madje ka edhe të rinj që e flakin tej të ashtuquajturën mënyrë normale të jetesës dhe jepen pas abuzimit me drogën, pas përzierjes seksuale dhe mënyrave të tjera shkatërrimtare të jetesës. Cila është përgjigjja? Merr në shqyrtim shembujt vijues të marrë nga kohët biblike dhe shiko se ç’bazë ka për optimizëm: në të kaluarën, në të tashmen dhe në të ardhmen.
Optimizmi i Abrahamit u shpërblye
Në vitin 1943 p.e.s., Abrahami iku nga Harani, përshkoi lumin Eufrat dhe hyri në tokën e Kanaanit. Abrahami është përshkruar si «ati i gjithë atyre që besojnë» dhe ç’shembull të shkëlqyer la ai!—Romakëve 4:11.
Abrahami u shoqërua nga Loti, djali jetim i vëllait të tij, dhe nga familja e Lotit. Më vonë, kur vendi u godit nga zija e bukës, të dyja familjet shkuan në Egjipt dhe me kalimin e kohës u kthyen së bashku. Deri në këtë kohë, Abrahami dhe Loti kishin akumuluar shumë pasuri, si dhe tufa e kope. Kur mes barinjve të tyre plasi një grindje, Abrahami mori iniciativën dhe tha: «Nuk duhet të ketë mosmarrëveshje midis teje dhe meje, as midis barinjve të mi dhe barinjve të tu, sepse jemi vëllezër. A nuk është vallë tërë vendi para teje? Ndahu nga unë! Në rast se ti shkon majtas, unë kam për të vajtur djathtas; në qoftë se ti shkon djathtas, unë kam për të vajtur majtas.»—Zanafilla 13:8, 9.
Abrahami, duke qenë se ishte më i madh, mund t’i kishte drejtuar gjërat në favor të tij dhe Loti, për respekt ndaj xhaxhait të vet, mund t’ia kishte lënë Abrahamit të zgjidhte. Në vend të kësaj, «Loti ngriti sytë dhe pa tërë fushën e Jordanit. Para se Zoti të kishte shkatërruar Sodomën dhe Gomorrën, ajo ishte e tëra e ujitur deri në Coar, si kopshti i Zotit, si vendi i Egjiptit. Kështu Loti zgjodhi për vete tërë fushën e Jordanit». Me një zgjedhje të tillë, Loti kishte çdo arsye për të qenë optimist. Po ç’të themi për Abrahamin?—Zanafilla 13:10, 11.
A po tregohej kokëkrisur Abrahami, duke vënë në rrezik mirëqenien e familjes së tij? Jo. Qëndrimi pozitiv i Abrahamit dhe fryma bujare sollën shpërblime të mëdha. Jehovai i tha Abrahamit: «Ço tani sytë e tu dhe shiko nga vendi ku je drejt veriut e jugut; drejt lindjes dhe perëndimit. Tërë vendin që sheh, unë do të ta jap ty dhe pasardhësve të tu, përgjithnjë.»—Zanafilla 13:14, 15.
Optimizmi i Abrahamit kishte një bazë të shëndoshë. Ai i kishte themelet në premtimin e Perëndisë, se prej Abrahamit do të bënte një komb të madh, kështu që ‘tek ai [Abrahami] do të bekoheshin të gjitha familjet e tokës’. (Zanafilla 12:2-4, 7) Edhe ne kemi arsye për të qenë të sigurt, duke e ditur se «të gjitha gjërat bashkëveprojnë për të mirë për ata që e duan Perëndinë».—Romakëve 8:28.
Dy spiunë optimistë
Më shumë se 400 vjet më vonë, kombi i Izraelit qëndronte gati për të hyrë në Kanaan, «një vend ku rrjedh qumështi dhe mjalti». (Eksodi 3:8; Ligji i përtërirë 6:3) Moisiu ngarkoi 12 prijësa fisesh që të ‘vëzhgonin vendin, të tregonin rrugën nëpër të cilin duhej të ngjiteshin dhe qytetet në të cilat duhej të hynin’. (Ligji i përtërirë 1:22; Numrat 13:2) Të 12 spiunët ishin të një mendimi në përshkrimin e begatisë së vendit, por 10 prej tyre dhanë një raport pesimist, që futi frikën në zemrat e njerëzve.—Numrat 13:31-33.
Josiu dhe Kalebi, nga ana tjetër, i paraqitën popullit një mesazh optimist dhe bënë gjithçka mundën për t’ua hequr frikën. Qëndrimi dhe raporti i tyre pasqyruan besim të plotë në aftësinë e Jehovait për ta mbajtur fjalën e tij se do t’i kthente në Tokën e Premtuar, por më kot. Në të kundërtën, «tërë asambleja foli për t’i vrarë me gurë».—Numrat 13:30; 14:6-10.
Moisiu e nxiti popullin të besonte në Jehovain, por ata nuk pranuan të dëgjonin. Për shkak të këmbënguljes në qëndrimin e tyre pesimist, të gjithë kombit iu desh të endej 40 vjet në shkretëtirë. Nga të 12 spiunët, vetëm Josiu dhe Kalebi përjetuan shpërblimet e optimizmit. Cili ishte problemi bazë? Mungesa e besimit, kur njerëzit i drejtohen mençurisë së vet.—Numrat 14:26-30; Hebrenjve 3:7-12.
Luhatja e Jonait
Jonai jetoi në shekullin e nëntë p.e.s.. Bibla tregon se ai ishte një profet i besueshëm i Jehovait ndaj mbretërisë prej dhjetë fisesh të Izraelit, diku gjatë mbretërimit të Jeroboamit II. Por megjithatë, ai refuzoi ta pranonte caktimin për të shkuar në Ninive që t’i bënte një paralajmërim popullit. Historiani Jozef thotë se Jonai «mendoi se ishte më mirë që t’ia mbathte» dhe në të kundërtën të nisej për në Jafa. Atje ai i hipi një anijeje për në Tarshish, që ka të ngjarë të jetë Spanja e sotme. (Jona 1:1-3) Arsyeja se përse Jonai e pa me pesimizëm këtë caktim, shpjegohet në Jonain 4:2.
Më në fund, Jonai ra dakord që ta përmbushte misionin e tij, por u mërzit kur populli i Ninivesë u pendua. Kështu që, Jehovai i dha një mësim të mirë mbi dhembshurinë, duke bërë që bima e kungullujësit nën të cilën ishte shtrirë Jonai, të vyshkej dhe të thahej. (Jona 4:1-8) Ndjenjat e keqardhjes së Jonait për tharjen e bimës, do të ishte më korrekte t’i ishin drejtuar 120.000 burrave në Ninive, që nuk ‘dinin të dallonin të djathtën e tyre nga e majta’.—Jonai 4:11.
Çfarë mund të mësojmë nga përvoja e Jonait? Shërbimi i shenjtë nuk lë vend për pesimizëm. Nëse shquajmë drejtimin e Jehovait dhe e ndjekim me besim të plotë, do të gëzojmë suksesin.—Fjalët e urta 3:5, 6.
Optimizëm mes vështirësive
«Mos u trego i nxehur për shkak të keqbërësve,—deklaroi mbreti David.—Mos i ki smirë ata që bëjnë padrejtësi.» (Psalmi 37:1, BR) Kjo është me të vërtetë një këshillë e mençur, sepse sot padrejtësia dhe pandershmëria janë kudo përreth nesh.—Predikuesi 8:11.
Megjithatë, edhe nëse nuk i kemi smirë të padrejtët, është e lehtë të ndihemi të zhgënjyer kur shohim njerëzit e pafajshëm të vuajnë në duart e të ligjve apo kur ne vetë na trajtojnë padrejtësisht. Përvoja të tilla mund të na bëjnë madje të zhvillojmë një qëndrim të demoralizuar ose pesimist. Kur ndihemi kështu, ç’duhet të bëjmë? Së pari, mund të mbajmë në mend se të ligjtë nuk mund të pretendojnë me moskokëçarje se s’do ta marrin kurrë shpagimin. Psalmi 37 vazhdon të na sigurojë në vargun 2: «Si bari ata [keqbërësit] do të vyshken shpejt dhe si bari i gjelbër do të veniten.»—BR.
Veç kësaj, ne mund të vazhdojmë të bëjmë atë që është e mirë, të mbetemi optimistë dhe të presim Jehovain. «Largohu nga ajo që është e keqe dhe bëj atë që është e mirë dhe kështu bano në kohë të pacaktuar,—vazhdoi psalmisti.—Sepse Jehovai është dashurues i drejtësisë dhe nuk do t’i lërë besnikët e tij.»—Psalmi 37:27, 28, BR.
Optimizmi i vërtetë mbizotëron!
Ç’të themi, pra, për të ardhmen tonë? Libri biblik i Zbulesës na flet për «gjëra që duhet të ndodhin për së shpejti». Mes tyre, zbulohet se një kalë me ngjyrë të kuqe të zjarrtë, që përfaqëson luftën, «heq paqen nga toka».—Zbulesa 1:1; 6:4, BR.
Një mendim i përhapur dhe optimist në Britani gjatë Luftës I Botërore, ishte ai se kjo do të ishte lufta e fundit e madhe. Në vitin 1916, një burrë shteti në Britani, David Loid Xhorxh, qe më realist. Ai tha: «Kjo luftë, ashtu si lufta që do ta pasojë, është një luftë për t’i dhënë fund luftës.» (Kursivi është yni.) Kishte të drejtë. Lufta II Botërore vetëm sa e përshpejtoi nxjerrjen e metodave më mizore të shkatërrimit në masë. Më shumë se 50 vjet më vonë, ende nuk duket në horizont ndonjë fund i luftërave.
Në të njëjtin libër të Zbulesës, lexojmë për një kalorës tjetër, që kalëron një kalë, i cili simbolizon zinë e bukës, murtajën dhe vdekjen. (Zbulesa 6:5-8) Këto janë aspekte të tjera të shenjës së kohëve.—Mateu 24:3-8.
A janë këto shkaqe për pesimizëm? Patjetër që jo, sepse vizioni përshkruan, gjithashtu, «një kalë të bardhë dhe ai që e kalëronte kishte një hark dhe atij iu dha një kurorë dhe ai doli jashtë si fitimtar për të fituar». (Zbulesa 6:2) Këtu shohim Jezu Krishtin si një Mbret qiellor, duke hequr të gjithë ligësinë, duke kalëruar për të vendosur paqe dhe harmoni në botën mbarë.a
Si Mbret i emëruar, Jezu Krishti, kur ishte në tokë, i mësoi dishepujt e tij të luteshin për atë Mbretëri. Ndoshta edhe ty të kanë mësuar ta thuash «Ati ynë» ose Lutjen e Zotërisë. Në të ne lutemi që të vijë Mbretëria e Perëndisë, që të bëhet vullneti i tij këtu në tokë, ashtu si në qiell.—Mateu 6:9-13.
Në vend se të përpiqet të arnojë sistemin e tanishëm të gjërave, Jehovai, duke vepruar nëpërmjet Mbretit të tij Mesianik, Krishtit Jezu, do ta heqë plotësisht atë. Në vend të tij, thotë Jehovai, «unë krijoj qiej të rinj dhe një tokë të re dhe gjërat e mëparshme nuk do të kujtohen më dhe nuk do të vijnë më në mendje». Nën qeverinë e Mbretërisë qiellore, toka do të bëhet një shtëpi paqësore dhe e lumtur për njerëzimin, ku jeta dhe puna do të jenë një gëzim i vazhdueshëm. «Gëzohuni përjetë për atë që krijoj,—thotë Jehovai.—Të zgjedhurit e mi do të gëzojnë për një kohë të gjatë veprën e duarve të tyre.» (Isaia 65:17-22) Nëse shpresën tënde për të ardhmen e bazon në këtë premtim të padështueshëm, do të kesh çdo arsye për të qenë optimist, tani dhe përgjithmonë!
[Shënimi]
a Për një trajtim të hollësishëm të këtij vizioni, shiko kapitullin 16 të librit Zbulesa: Kulmi i saj madhështor është afër!, botuar nga Shoqata Watchtower Bible and Tract of New York, Inc., anglisht.
[Figura në faqen 4]
H. G. Uells
[Burimi]
Corbis-Bettmann