«Dashamirësia jote e pamerituar është më e mirë se jeta»
Treguar nga Kelvin H. Holms
Ishte dhjetori i 1930-s dhe sapo kisha mbaruar së mjeli lopët, kur babai u kthye në shtëpi nga një fqinj që banonte aty pranë. «Ky është një libër që ma dha hua Uajmën»,—tha ai, ndërsa nxori nga xhepi një botim blu. Ai titullohej Çlirim, botuar nga Shoqata Watch Tower Bible and Tract. Babai, që rrallë lexonte ndonjë gjë, atë libër e lexoi deri natën vonë.
MË VONË, ai mori hua edhe libra të tjerë, me tituj të tillë si Drita dhe Pajtimi, të të njëjtëve botues. Ai gjeti Biblën e vjetër të mamasë dhe qëndronte deri natën vonë për të lexuar nën dritën e një llambe vajguri. Tek babai ndodhi një ndryshim i madh. Atë dimër ai na fliste për orë të tëra mua, mamasë dhe tri motrave të mia, kur mblidheshim rreth sobës sonë me dru.
Babai tha se njerëzit që botonin këta libra quheshin Studentë të Biblës dhe se, sipas tyre, ne po jetonim në «ditët e fundit». (2. Timoteut 3:1-5) Ai shpjegoi se toka nuk do të shkatërrohej në fund të botës, por se nën Mbretërinë e Perëndisë do të shndërrohej në një parajsë. (2. Pjetrit 3:5-7, 13; Zbulesa 21:3, 4) Kjo m’u duk vërtet interesante.
Babai filloi të më fliste, ndërsa punonim së bashku. Më kujtohet që ishim duke zhveshur misrin, kur më shpjegoi se emri i Perëndisë është Jehova. (Psalmi 83:18) Kështu, gjatë pranverës së 1931-shit, kur s’isha veçse 14 vjeç, mora qëndrimin tim për Jehovain dhe Mbretërinë e tij. Në bahçen e vjetër të mollëve, prapa shtëpisë, iu luta Jehovait dhe i premtova solemnisht se do t’i shërbeja përgjithmonë. Tashmë zemra ime ishte e prekur nga dashamirësia e dashur e Perëndisë sonë të mrekullueshëm.—Psalmi 63:3, BR.
Ne jetonim në një fermë rreth 30 kilometra larg S. Jozefit, në Misuri të SHBA-së dhe më pak se 65 kilometra nga qyteti Kansas. Babai kishte lindur në një kasolle prej druri, që stërgjyshi im e kishte ndërtuar në fermë, në fillim të shekullit të 19-të.
Stërvitja për shërbimin
Në verën e vitit 1931, familja jonë dëgjoi në radio fjalimin publik «Mbretëria, shpresa e botës», të cilin e mbajti Joseph Rutherford, atëherë president i Shoqatës Watch Tower, gjatë një kongresi në Kolumbus, Ohajo. Ai fjalim e ngriti peshë zemrën time dhe isha i gëzuar të merrja pjesë me babain në shpërndarjen mes të njohurve tanë të broshurës që përmbante këtë fjalim të rëndësishëm publik.
Në pranverën e vitit 1932, mora pjesë për herë të parë në një mbledhje të Dëshmitarëve të Jehovait. Fqinji ynë më ftoi mua dhe babain që të dëgjonim një fjalim në S. Jozef, nga Xhorxh Drepër, një mbikëqyrës udhëtues i Dëshmitarëve të Jehovait. Kur arritëm ne, kishte kaluar gjysma e mbledhjes dhe unë gjeta një vend për t’u ulur, pas shpinës së madhe e të bëshme të J. D. Drajër, i cili do të luante një rol të rëndësishëm në jetën time.
Në shtator të 1933-shit, bashkë me babain ndoqa një asamble në qytetin Kansas, ku për herë të parë mora pjesë në predikimin publik. Babai më dha tri broshura dhe më mësoi të thosha: «Jam një Dëshmitar i Jehovait, që predikoj lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë. Pa dyshim që e keni dëgjuar në radio gjykatësin Rutherford. Fjalimet e tij transmetohen çdo javë nga më shumë se 300 stacione.» Pastaj ofroja një broshurë. Atë mbrëmje, ndërsa milja lopët prapa fermës, mendoja se kjo kishte qenë dita më e paharrueshme e jetës sime.
Dimri hyri shpejt dhe për ne mundësia për të udhëtuar ishte e kufizuar. Por atëherë, vëllai Drajër dhe gruaja e tij na bënë një vizitë dhe pyetën nëse do të më pëlqente të shkoja te shtëpia e tyre të shtunën në mbrëmje dhe ta kaloja natën atje. Për dhjetë kilometrat më këmbë deri në shtëpinë e vëllait Drajër ia vlente barra qiranë, sepse pata mundësinë që të nesërmen t’i shoqëroja në shërbim dhe të merrja pjesë në studimin e Kullës së Rojës në S. Jozef. Që atëherë, rrallë nuk kam qenë në shërbim të dielave. Stërvitja dhe këshillat e vëllait Drajër dolën të paçmueshme.
Më 2 shtator 1935, më në fund pata mundësinë ta simbolizoja dedikimin tim ndaj Jehovait me pagëzimin në ujë, gjatë një asambleje në qytetin Kansas.
Fillimi i një karriere gjatë jetës
Në fillimet e vitit 1936, bëra kërkesën për të shërbyer si pionier, apo shërbëtor në kohë të plotë, dhe u vura në listën e atyre që kërkonin një shok pionier. Pak kohë pas kësaj mora një letër prej Eduard Sted nga Arvada, Uajoming. Ai më shpjegoi se ishte i kufizuar nga një karrige me rrota dhe kishte nevojë për ndihmë, që të shërbente si pionier. Pranova menjëherë ofertën e tij dhe u emërova si pionier më 18 prill 1936.
Përpara se të largohesha për të qëndruar me vëllain Sted, mamaja më mori veçmas dhe biseduam. «Bir, a je i sigurt se kjo është ajo që dëshiron të bësh?»—më pyeti ajo.
«Jeta s’do të kishte vlerë po ta jetoja ndryshe»,—iu përgjigja. Kisha arritur ta kuptoja se dashamirësia e dashur e Jehovait është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër.
Të shërbeje si pionier me Tedin, siç e quanim vëllain Sted, ishte një stërvitje e shkëlqyer. Ai ishte plot zell dhe kishte një mënyrë shumë tërheqëse të prezantimit të mesazhit të Mbretërisë. Por, e gjithë ajo që mund të bënte Tedi ishte të shkruante dhe të fliste; të gjitha kyçet e tij ishin të bllokuara nga artriti reumatoid. Çdo mëngjes çohesha herët, e laja, e rruaja, përgatitja mëngjesin dhe e ushqeja. Pastaj e vishja dhe e bëja gati për shërbim. Atë verë shërbyem si pionierë në Uajoming dhe në Montana, duke fushuar netëve jashtë. Tedi flinte në kabinën e posaçme të ngritur në kamionçinën e tij, ndërsa unë flija përtokë. Nga vjeshta e atij viti, u transferova në jug, për të shërbyer si pionier në Tenësi, Arkansas dhe Misisipi.
Në shtator të 1937-s, mora pjesë për herë të parë në një kongres të madh në Kolumbus, Ohajo. Atje ishin bërë rregullime që veprën e predikimit ta përhapnim me anë të përdorimit të gramafonit. Sa herë që përdornim gramafonin, ne e quanim një vënie. Një muaj, pata mbi 500 vënie dhe dëgjuan më shumë se 800 njerëz. Pasi dëshmova në shumë fshatra të Tenësisë Lindore, në Virxhinia dhe në Virxhinian Perëndimore, u ftova për të shërbyer si pionier special me një funksion të ri, duke punuar bashkë me shërbëtorin e zonës, siç quheshin atëherë mbikëqyrësit udhëtues.
Në Virxhinian Perëndimore vizitova kongregacione dhe grupe të izoluara, duke kaluar dy deri në katër javë me secilin prej tyre dhe mora drejtimin në shërbimin në fushë. Më pas, në janar të 1941-shit, u emërova shërbëtor zone. Deri në atë kohë, mamaja dhe tri motrat e mia, Klara, Lois dhe Ruth, kishin marrë qëndrimin e tyre për Mbretërinë. Kështu, atë verë, e tërë familja jonë mori pjesë në kongresin e madh në S. Luis.
Pak pas kongresit, shërbëtorët e zonës u njoftuan se vepra e zonës do të përfundonte në fund të nëntorit të vitit 1941. Muajin që pasoi, Shtetet e Bashkuara hynë në Luftën II Botërore. Unë u caktova në shërbimin si pionier special, i cili kërkonte që çdo muaj të bëheshin 175 orë shërbim.
Privilegje speciale shërbimi
Në korrik të 1942-shit mora një letër, në të cilën më kërkohej nëse do të isha i gatshëm të shërbeja jashtë shtetit. Pasi dhashë një përgjigje pozitive, u ftova në Bethel, në Selinë Botërore të Dëshmitarëve të Jehovait në Bruklin, Nju Jork. Në të njëjtën kohë, ishin thirrur për stërvitje speciale rreth 20 vëllezër beqarë.
Nathan H. Knorr, atëherë president i Shoqatës Watch Tower, shpjegoi se vepra e predikimit kishte rënë dhe se ne do të stërviteshim për t’i forcuar frymësisht kongregacionet. «Nuk duam të dimë vetëm se ç’nuk shkon nëpër kongregacione,—tha ai,—por edhe se ç’keni bërë ju në lidhje me këtë.»
Ndërkohë që ne ishim në Bethel, Fred Franz, që pasoi vëllain Knorr si president më 1977, mbajti një fjalim, në të cilin tha: «Lufta II Botërore do të marrë fund dhe do të hapet një vepër e madhe predikimi. Pa dyshim që në organizatën e Jehovait do të mblidhen akoma me miliona!» Ai fjalim e ndryshoi krejtësisht pikëpamjen time. Kur u bënë caktimet, mora vesh se duhej të vizitoja të gjitha kongregacionet në shtetin e Tenësisë dhe të Kentëkit. Ne quheshim shërbëtorë të vëllezërve, një term i atëhershëm, që u ndryshua në mbikëqyrës qarkorë.
Fillova t’u shërbeja kongregacioneve më 1 tetor 1942, kur ende s’isha veçse 25 vjeç. Në atë kohë, e vetmja mënyrë për të shkuar nëpër disa kongregacione, ishte në këmbë ose me kalë. Herë pas here flija në të njëjtën dhomë me familjen që më strehonte.
Kur isha duke shërbyer në kongregacionin Grinvil të Tenësisë në korrik të 1943-shit, mora një ftesë për të ndjekur klasën e dytë të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit. Në Galaad, mësova se ç’do të thotë me të vërtetë ‘t’u kushtosh më tepër se vëmendja e zakonshme gjërave të dëgjuara’ dhe të kesh gjithmonë ‘shumë për të bërë në veprën e Zotërisë’. (Hebrenjve 2:1; 1. Korintasve 15:58, BR) Pesë muajt e shkollës fluturuan shpejt dhe më 31 janar 1944 erdhi dita e diplomimit.
Në Kanada dhe më pas në Belgjikë
Disa prej nesh i caktuan në Kanada, ku kohët e fundit aktiviteti i Dëshmitarëve të Jehovait ishte vënë nën ndalim. Unë u caktova në veprën udhëtuese, e cila kërkonte mbulimin e largësive të mëdha ndërmjet disa kongregacioneve. Ndërsa udhëtoja, ishte një gëzim të dëgjoja përvojat se si po kryhej vepra jonë e predikimit në Kanada gjatë ndalimit. (Veprat 5:29) Shumë tregonin për atë që u quajt operacion blic, kur brenda një nate të vetme u la një broshurë pothuajse në çdo shtëpi, nga njëri skaj i Kanadasë në tjetrin. Ç’lajm i mirë ishte kur u mor vesh se në maj të 1945-s, kishte përfunduar lufta në Evropë!
Atë verë, ndërsa po shërbeja në një kongregacion të fshatit të vogël Osaj, Saskatçuan, mora një letër nga vëllai Knorr, në të cilën thuhej: «Po të ofroj privilegjin për të shkuar në Belgjikë. . . . Në atë vend ka shumë punë për të bërë. Është një shtet i sakatuar nga lufta dhe vëllezërit tanë kanë nevojë për ndihmë, ndaj duket e përshtatshme të dërgohet dikush nga Amerika që t’u japë ndihmën dhe ngushëllimin e duhur, për të cilat kanë nevojë.» U përgjigja menjëherë, duke e pranuar caktimin.
Në nëntor të 1945-s, ndodhesha në Bethelin e Bruklinit, duke studiuar frëngjishten me Çarls Ajkër, një vëlla i moshuar nga Alsasa. Mora, gjithashtu, njëfarë stërvitjeje të shpejtë në lidhje me procedurën e degës. Përpara se të largohesha për në Evropë, i bëra një vizitë të shkurtër familjes sime dhe miqve në S. Jozef, Misuri.
Më 11 dhjetor, u largova nga Nju Jorku me anijen Mbretëresha Elizabetë dhe katër ditë më pas mbërrita në Suthampton, Angli. Qëndrova një muaj në degën e Britanisë, ku mora një stërvitje të mëtejshme. Pas kësaj, më 15 janar 1946, përshkova kanalin anglez dhe zbrita në portin e Ostendit, në Belgjikë. Që andej, shkova me tren në Bruksel, ku e gjithë familja Bethel më takoi në stacionin e trenit.
Intensifikohet aktiviteti i pasluftës
Caktimi im ishte të mbikëqyrja veprën e Mbretërisë në Belgjikë, por megjithatë unë nuk mundesha as ta flitja gjuhën. Brenda gjashtë muajsh, mësova frëngjisht aq sa për t’ia dalë mbanë. Ishte një privilegj të punoje përkrah atyre që kishin rrezikuar jetën për të vazhduar veprën e predikimit, gjatë pesë vjetëve të pushtimit nazist. Disa prej tyre ishin liruar kohët e fundit nga kampet e përqendrimit.
Vëllezërit ishin të paduruar për të organizuar veprën dhe për të ushqyer ata që ishin të uritur për të vërtetën biblike. Kështu që u bënë rregullime për të mbajtur asamble dhe që mbikëqyrësit udhëtues të vizitonin kongregacionet. Gjithashtu, na bënë vizita inkurajuese Nathan Knorr, Milton Henschel, Fred Franz, Grant Suiter dhe John Booth: të gjithë përfaqësues nga selia e Bruklinit. Në ato ditë, unë shërbeja si mbikëqyrës qarkor, mbikëqyrës krahinor dhe mbikëqyrës i degës. Më 6 dhjetor 1952, pas pothuajse shtatë vjetësh shërbimi në Belgjikë, u martova me Emilia Vanopslaugh, e cila punonte, gjithashtu, në degën e Belgjikës.
Pak muaj më vonë, më 11 prill 1953, më thirrën në rajonin lokal të policisë dhe më informuan se prania ime ishte e rrezikshme për sigurinë e Belgjikës. Shkova në Luksemburg që të pritja, ndërkohë që në këshillin e shtetit u bë një apelim i çështjes sime.
Në shkurt të 1954-s, këshilli i shtetit të Belgjikës mbështeti dekretin se prania ime përbënte rrezik për vendin. Prova e paraqitur ishte se që prej vajtjes sime në Belgjikë, numri i Dëshmitarëve të Jehovait në vend ishte rritur në mënyrë dramatike: nga 804 më 1946, në 3.304 më 1953 dhe që, si rezultat, kërcënohej siguria e Belgjikës, sepse shumë Dëshmitarë të rinj në moshë po merrnin një qëndrim të vendosur për asnjanësinë e krishterë. Kështu që, unë dhe Emilia u caktuam në Zvicër, ku filluam të shërbenim në veprën qarkore në pjesën ku flitej frëngjisht.
Shkolla e Shërbimit të Mbretërisë, shkollë për sigurimin e një stërvitjeje të përparuar për pleqtë e krishterë, u hap në vitin 1959 në Lansingun Jugor, Nju Jork. Atje u ftova për t’u stërvitur, që t’u jepja mësim klasave të kësaj shkolle në Evropë. Kur ndodhesha në Shtetet e Bashkuara, vizitova familjen time në S. Jozef, Misuri. Atje pashë për herë të fundit mamanë time të dashur. Ajo vdiq në janar të 1962-shit, ndërsa babai kishte vdekur në qershor të 1955-s.
Shkolla e Shërbimit të Mbretërisë në Paris të Francës, filloi në mars të vitit 1961 dhe Emilia erdhi me mua. Nga Franca, Belgjika dhe Zvicra erdhën për shkollën mbikëqyrës krahinorë, mbikëqyrës kongregacionesh dhe pionierë specialë. Gjatë 14 muajve që pasuan, drejtova 12 klasa të këtij kursi katërjavor. Menjëherë pas kësaj, në prill të 1962-shit, mora vesh se Emilia ishte shtatzënë.
Përshtatja me rrethanat
U kthyem në Gjenevë të Zvicrës, ku kishim leje për qëndrim të përhershëm. Megjithatë, nuk ishte e lehtë të gjeje një vend për të jetuar, sepse kishte një mungesë të madhe strehimi. Edhe të gjeje punë nuk ishte e lehtë. Më në fund, zura punë në një dyqan të madh me reparte, në qendër të Gjenevës.
Kisha kaluar 26 vjet në shërbim të plotë kohor, kështu që rrethanat tona të ndryshuara kërkonin një përshtatje të madhe. Gjatë 22 vjetëve që punova në dyqanin me reparte dhe ndihmova në rritjen e dy vajzave tona, Lois dhe Junës, familja jonë vuri gjithmonë në radhë të parë interesat e Mbretërisë. (Mateu 6:33) Pas tërheqjes nga puna në botë në vitin 1985, fillova të shërbeja si mbikëqyrës udhëtues zëvendësues.
Shëndeti i Emilisë ka qenë shumë i dobët, por ajo bën atë që mundet në shërbim. Lois shërbeu si pioniere për pothuajse 10 vjet. Ç’ngjarje e madhe frymore ishte që patëm mundësi ta gëzonim me të atë kongres tepër të mrekullueshëm ndërkombëtar në Moskë, gjatë verës së 1993-shit! Pak kohë pas kësaj, gjatë një udhëtimi për pushime në Senegal të Afrikës, Lois humbi jetën ndërsa notonte në oqean. Dashuria dhe përzemërsia e vëllezërve dhe e misionarëve afrikanë qe për mua një ngushëllim i madh kur udhëtova për në Senegal, që të kujdesesha për varrimin. Sa fort dëshiroj ta shoh Loisin kur të ringjallet!—Gjoni 5:28, 29.
Jam mirënjohës që kam gëzuar për më tepër se katër dekada mbështetjen besnike të një shoqeje të dashur. Në të vërtetë, megjithë hidhërimet e thella dhe hallet e mia, dashamirësia e dashur e Jehovait ka qenë e ëmbël dhe e ka bërë jetën të vlefshme për ta jetuar. Zemra ime ndihet e shtyrë që për Perëndinë tonë, Jehovain, të shprehet me fjalët e psalmistit: «Sepse dashamirësia jote e dashur është më e mirë se jeta, vetë buzët e mia do të të lëvdojnë.»—Psalmi 63:3, BR.
[Figura në faqen 26]
Veprën e predikimit e përhapnim me gramafon
[Figura në faqen 26]
Prindërit e mi në vitin 1936
[Figura në faqen 26]
Dëshmia në rrugë në Belgjikë në vitin 1948