Pse të jesh mirënjohës?
OPERIMI në shtyllën kurrizore e detyroi Harlin ta ndryshonte karrierën e tij nga mekanik në nëpunës zyre. Kur u pyet se si ndihej në lidhje me këtë ndryshim, Harli tha: «Më merr malli të punoj me makineritë, por që të jem i sinqertë, jam më i kënaqur me punën e tanishme sesa me atë të mëparshmen.»
Duke dhënë arsyen për këtë ndjenjë kënaqësie, Harli tregon: «Është qëndrimi i njerëzve me të cilët punoj. Ndryshe nga personat që kisha në punën e mëparshme, mbikëqyrësi dhe bashkëpunëtorët që kam tani, e çmojnë atë që bëj dhe nuk janë të kursyer në dhënien e lavdërimeve. Ky ka qenë një ndryshim tepër pozitiv për mua.» Duke u ndjerë i dobishëm dhe i nevojshëm, tani Harli është një punëtor i lumtur.
Fjalët e lavdërimit apo të mirënjohjes, kur janë të merituara, ta ngrohin me të vërtetë zemrën. Nga ana tjetër, efekti i mosmirënjohjes, mund të jetë aq i ftohtë sa vërejti Shekspiri: «Fry, fry, o erë e dimrit; ti nuk je aq e vrazhdë sa mosmirënjohja e njeriut.» Mjerisht, shumë veta janë bërë bartës të një vrazhdësie të tillë.
Ruhu nga mosmirënjohja
Në botën e sotme, shprehjet e sinqerta të mirënjohjes janë të rralla. Për shembull, një shkrimtar ngriti një pyetje: «Nëse nusja ka gjetur kohë për të dërguar 200 ftesa dasme, pse nuk mund të gjejë kohë për të shkruar dy rreshta falënderimi për 163 dhuratat që ka marrë?» Shpesh, edhe fjala e thjeshtë «faleminderit», nuk thuhet. Mirënjohja po zëvendësohet gjithnjë e më shumë nga një qëndrim prej uni. Kjo situatë është një prej shenjave identifikuese të ditëve të fundit. Apostulli Pavël paralajmëroi: «Duhet ta kuptosh se në ditët e fundit, kohët do të jenë plot rreziqe. Njerëzit do të bëhen kryekëput egocentrikë . . . Atyre do t’u mungojë krejtësisht mirënjohja.»—2. Timoteut 3:1, 2, Filips.
Në raste të tjera, mirënjohja është zëvendësuar nga lajkat. Shprehjet e mirënjohjes bëhen nga zemra, pa menduar për fitimin personal. Por lajkat, zakonisht të pasinqerta dhe të tepruara, mund të burojnë nga motivi i fshehur i ecjes përpara apo i nxjerrjes së disa përfitimeve personale. (Juda 16) Përveç mashtrimit me lezet të personit, një i folur i tillë i sheqerosur priret të jetë fryt i krenarisë dhe fodullëkut. E pra, kush do të dëshironte të binte viktimë e lajkave të pasinqerta? Por mirënjohja e çiltër është vërtet freskuese.
Personi që shpreh mirënjohje, përfiton nga bërja e një gjëje të tillë. Ngrohtësia që përjeton për shkak se është mirënjohës nga zemra, i kontribuon lumturisë dhe paqes së tij. (Krahaso Fjalët e urta 15:13, 15.) Duke qenë një cilësi pozitive, mirënjohja e mbron atë nga ndjenja të tilla negative si: zemërimi, xhelozia dhe inati.
«Tregohuni mirënjohës»
Bibla na nxit të kultivojmë një frymë mirënjohjeje apo falënderimi. Pavli shkroi: «Për çdo gjë falënderoni, sepse i tillë është vullneti i Perëndisë në Krishtin Jezu për ju.» (1. Thesalonikasve 5:18) Pavli i këshilloi kolosianët: «Paqja e Perëndisë le të sundojë në zemrat tuaja . . . Tregohuni mirënjohës.» (Kolosianëve 3:15, BR) Shumë psalme përmbajnë shprehje falënderimi, gjë që tregon se mirënjohja nga zemra është një virtyt hyjnor. (Psalmi 27:4; 75:1) Është e qartë se Perëndia Jehova kënaqet kur ne manifestojmë një frymë falënderimi në gjërat e përditshme të jetës.
Por cilët faktorë në këtë botë mosmirënjohëse na e bëjnë të vështirë kultivimin e frymës së mirënjohjes? Si mund të shfaqim një qëndrim mirënjohës në jetën e përditshme? Këto pyetje do të trajtohen në artikullin vijues.