BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w98 15/2 f. 8-11
  • Prindër: Ruani fëmijët tuaj!

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Prindër: Ruani fëmijët tuaj!
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Qëndrime afrikane kundrejt edukatës seksuale
  • Pse t’i mësojmë?
  • Komunikimi i mirë
  • Të mbrojtur dhe të lumtur
  • Fol me fëmijët e tu për seksin
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2010
  • Si t’i rezistoj presionit për të bërë seks?
    Të rinjtë pyesin
  • Mbroni familjen tuaj nga ndikimet shkatërrimtare
    Sekreti i lumturisë familjare
  • Si të kesh një familje të lumtur?—Pjesa 2
    Gëzoje jetën përgjithmonë—Bibla zbulon si
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
w98 15/2 f. 8-11

Prindër: Ruani fëmijët tuaj!

NË NJË gjimnaz në Nigeri, një vajzë që kishte nam të keq për imoralitet seksual, kishte shumë qejf t’u mbante leksione mbi çështjet e seksit nxënëseve të tjera. Një prej recetave të saj për abortin ishte birra e zezë e fortë, e narkotizuar në një masë të madhe me një substancë duhani. Historitë e saj, të cilat i zgjidhte nga literatura pornografike, magjepsën shumë prej nxënëseve të tjera. Disa filluan të bënin eksperimente me marrëdhëniet seksuale dhe njëra prej tyre mbeti shtatzënë. Që të provokonte abortin, ajo piu përzierjen e shpikur birrë e zezë e fortë/duhan. Brenda pak orësh, filloi të villte gjak. Pak ditë më vonë, ajo vdiq në spital.

Në botën e sotme, shumë të rinj flasin pareshtur për seksin, duke u sjellë rrënimin dëgjuesve naivë. Kujt duhet t’i drejtohen të rinjtë për të gjetur njohurinë e saktë, e cila do t’i ruajë? Ç’gjë e mirë është, kur u drejtohen prindërve të tyre të perëndishëm, të cilët kanë përgjegjësinë për t’i rritur në «disiplinën dhe rregullin mendor të Jehovait».—Efesianëve 6:4, BR.

Qëndrime afrikane kundrejt edukatës seksuale

Në mbarë botën, shumë prindër e kanë të vështirë të flasin me fëmijët e tyre për çështjet e seksit. Kjo është sidomos e vërtetë në Afrikë. Donaldi, një baba në Sierra Leone, vëren: «Për këto gjëra nuk flitet kurrë. Nuk është pjesë e kulturës afrikane të bëhet një gjë e tillë.» Një grua nigeriane, që quhet Konfidënt, është dakord me këtë mendim: «Prindërit e mi e konsiderojnë seksin si diçka që s’duhet përmendur kurrë haptazi; nga pikëpamja kulturore, ai është një tabu.»

Në disa kultura afrikane, konsiderohet turp të përmendësh fjalë të tilla që kanë të bëjnë me seksin, si: penis, spermë apo menstruacione. Madje një nënë e krishterë e ndalonte vajzën e saj të përdorte fjalën «seks», megjithëse thoshte se vajza mund të përdorte fjalën «kurvëri». Në kontrast me këtë, Fjala e Perëndisë, Bibla, flet hapur për seksin dhe organet seksuale. (Zanafilla 17:11; 18:11; 30:16, 17; Levitiku 15:2) Qëllimi i kësaj gjëje nuk është të tronditë apo të eksitojë, por të mbrojë dhe të mësojë popullin e Perëndisë.—2. Timoteut 3:16.

Përveç tabuve kulturore, një arsye tjetër se përse prindërit tërhiqen para këtyre bisedave, u shpreh nga një baba nigerian: «Nëse unë bisedoj për seksin me fëmijët e mi, kjo mund t’i stimulojë të kryejnë imoralitet seksual.» Por a i inkurajon fëmijët informacioni dinjitoz i bazuar në Bibël, që t’i futen kësaj rruge dhe të bëjnë eksperimente? Jo, nuk i inkurajon. Në fakt, mund të ndodhë fare mirë që sa më pak njohuri të kenë të rinjtë, aq më shumë ka të ngjarë të futen në telashe. «Mençuria [e bazuar në njohurinë e saktë] është për mbrojtje»,—pohon Bibla.—Predikuesi 7:12, BR.

Në ilustrimin e Jezuit, një burrë i matur, duke parashikuar mundësinë e stuhive në të ardhmen, e ndërtoi shtëpinë e tij mbi shkëmb, ndërsa një burrë i pamend e ndërtoi mbi rërë dhe pësoi një katastrofë. (Mateu 7:24-27) Ngjashëm, prindërit e matur të krishterë, duke e ditur se fëmijët e tyre do të hasin presione ngjashëm stuhive, për t’u përputhur me standardet e sjelljes së shthurur seksuale të botës, i forcojnë fëmijët e tyre me një njohuri dhe kuptueshmëri të saktë, të cilat do t’i ndihmojnë të qëndrojnë të palëkundur.

Një arsye tjetër se përse shumë prindër nuk flasin me fëmijët e tyre për seksin, u pohua nga një grua afrikane: «Kur isha e re, prindërit e mi Dëshmitarë nuk flitnin me mua për çështjet seksuale, kështu që mua s’më ka shkuar në mend të flas për këto gjëra me fëmijët e mi.» Megjithatë, presionet mbi të rinjtë e sotëm janë më të mëdha nga ato që ishin mbi të rinjtë 10 apo 20 vjet më parë. Kjo nuk na habit. Fjala e Perëndisë paratha se «në ditët e fundit . . . , njerëzit e këqij dhe mashtrues do të shkojnë keq e më keq, duke gënjyer dhe duke u gënjyer vetë».—2. Timoteut 3:1, 13.

Këtij problemi i shtohet edhe fakti që shumë fëmijë nuk kanë dëshirë apo nuk janë në gjendje të hapen me prindërit e tyre. Komunikimi i dyanshëm shpesh është i varfër edhe për gjëra të një rëndësie të vogël. Një i ri 19-vjeçar, u ankua: «Për çfarëdolloj gjëje, unë nuk bisedoj me prindërit. Mes meje dhe babait tim nuk ekziston një komunikim i mirë. Ai nuk më kushton vëmendje.»

Të rinjtë mund të kenë, gjithashtu, frikë se mos pyetjet mbi çështjet seksuale sjellin pasoja të këqija. Një vajzë 16-vjeçare tha: «Unë nuk flas për problemet mbi seksin me prindërit e mi, për shkak të mënyrës së tyre të reagimit ndaj gjërave të tilla. Ca kohë më parë, motra ime më e madhe i bëri mamit disa pyetje në lidhje me seksin. Në vend që mami ta ndihmonte për problemin që kishte, filloi të dyshonte rreth qëllimeve të saj. Mamaja më thërriste shpesh dhe më pyeste për motrën, ndonjëherë duke e hedhur fjalën te morali i saj. Nuk dua të rrezikoj ta humbas dashurinë e mamit, kështu që nuk ia them fare problemet e mia.»

Pse t’i mësojmë?

Të mësojmë fëmijët deri në një masë të përshtatshme mbi çështjet seksuale, nuk është thjesht gjëja e drejtë që duhet bërë, por gjëja dashamirëse që duhet bërë. Nëse prindërit nuk i mësojnë fëmijët e tyre në lidhje me seksin, do t’i mësojnë të tjerët, zakonisht më përpara se ç’e presin prindërit dhe pothuajse asnjëherë në përputhje me parimet hyjnore. Një vajzë 13-vjeçare kreu kurvëri, pasi një shoqe shkolle i tha se nëse nuk e humbiste virgjërinë, do të kishte dhimbje të tmerrshme në të ardhmen. «Do të ta çajnë cipën e virgjërisë me gërshërë»,—i thanë asaj. Kur u pyet më vonë se përse nuk ia kishte treguar mamasë së saj të krishterë atë që kishte dëgjuar, vajza u përgjigj se për gjëra të tilla nuk flitej kurrë me të rriturit.

Një vajzë nigeriane tha: «Shoqet e shkollës u përpoqën të më bindnin se marrëdhënia seksuale ishte diçka, të cilën duhej ta bënin të gjitha qeniet normale njerëzore. Më thanë se nëse nuk kryej tani marrëdhënie seksuale, kur të bëhesha 21 vjeçe, do të filloja të kisha një sëmundje, e cila do të kishte një ndikim të thellë shkatërrimtar në të qenët grua. Prandaj, që të shmangia një rrezik të tillë të tmerrshëm,—thoshin ato,— ishte mirë të kisha marrëdhënie seksuale para martesës.»

Meqenëse kishte një komunikim të mirë me prindërit e saj, menjëherë ajo dalloi një konflikt me atë që kishte mësuar në shtëpi. «Si zakonisht, u ktheva në shtëpi dhe i tregova mamit atë që më kishin thënë në shkollë.» Mamaja e saj qe në gjendje ta kundërshtonte informacionin e rremë.—Krahaso Fjalët e urta 14:15.

Duke dhënë njohurinë e nevojshme, për t’i ndihmuar fëmijët të fitojnë mençuri hyjnore në lidhje me çështjet seksuale, prindërit i pajisin ata që të shquajnë situatat e rrezikshme dhe të dallojnë njerëzit që duan t’i shfrytëzojnë. Kjo ndihmon për t’i mbrojtur nga hidhërimi që shkaktojnë sëmundjet e transmetuara në rrugë seksuale dhe shtatzënitë e padëshiruara. Kjo i kontribuon respektit të tyre për veten dhe respektit që fitojnë nga të tjerët. Kjo i çliron nga konceptet e gabuara dhe nga ankthi. Ajo ushqen një qëndrim të shëndetshëm dhe pozitiv ndaj marrëdhënieve të përshtatshme seksuale, të cilat i kontribuojnë lumturisë, nëse më vonë fëmijët martohen. Ajo mund t’i ndihmojë të mbajnë një qëndrim të miratuar para Perëndisë. Ndërsa fëmijët shohin merakun e dashur që u tregohet, mund të nxiten për të respektuar e dashur edhe më shumë prindërit e tyre.

Komunikimi i mirë

Që prindërit t’ua përshtatin këshillat nevojave të fëmijëve të tyre, duhet të ekzistojë një komunikim i dyanshëm. Nëse prindërit nuk dinë se çfarë ka në mendjen dhe në zemrën e fëmijëve të tyre, edhe këshillat e shëndetshme mund të kenë pak dobi, tamam sikur një mjek të përpiqej të jepte ilaçe, pa ditur natyrën e sëmundjes së pacientit. Që të jenë këshillues të efektshëm, prindërit duhet të dinë se çfarë mendojnë dhe ndiejnë me të vërtetë fëmijët e tyre. Ata duhet të kuptojnë presionet dhe problemet që ndeshin fëmijët e tyre, si dhe pyetjet që i shqetësojnë ata. Është e rëndësishme që t’i dëgjojnë me vëmendje fëmijët, të jenë ‘të shpejtë në të dëgjuar, të ngadaltë në të folur’.—Jakovit 1:19; Fjalët e urta 12:18; Predikuesi 7:8.

Që prindërit të kultivojnë dhe të mbajnë një marrëdhënie të ngushtë me fëmijët e tyre, një marrëdhënie në të cilën fëmijët ndihen të lirshëm për të shfaqur hapur ndjenjat e tyre më të brendshme, duhet kohë, durim dhe përpjekje. Por, sa bukur është kur arrihet një marrëdhënie e tillë! Një baba me pesë fëmijë nga Afrika Perëndimore, thotë: «Unë jam si baba, ashtu dhe shok i besuar. Fëmijët bisedojnë lirshëm me mua për të gjitha gjërat, përfshirë edhe seksin. Madje edhe vajzat më hapen. Ne marrim kohë për të biseduar për problemet e tyre. Ata, gjithashtu, ndajnë me mua edhe gëzimet e tyre.»

Bola, një nga vajzat e tij, thotë: «Nuk i mbaj asnjë sekret babait. Babai i merr në konsideratë ndjenjat tona dhe tregon empati. Ai nuk na imponohet apo nuk na trajton ashpër, madje edhe kur kemi bërë gabime. Në vend që të marrë zjarr, ai analizon çështjen dhe na tregon se ç’duhet të bëjmë ose çfarë nuk duhet të kishim bërë. Shpesh ai u referohet librave Rinia dhe Lumturia familjare.»a

Kur është e mundur, e mira është që prindërit të fillojnë t’u flasin fëmijëve të tyre për seksin, kur ata janë shumë të vegjël. Kjo hedh themelin për biseda të mëtejshme gjatë viteve, shpesh të vështira, të adoleshencës. Kur këto biseda nuk janë nisur herët, shpeshherë është e vështirë t’i nisësh vonë, por është një gjë që mund të bëhet. Një nënë e pesë fëmijëve thotë: «E detyrova veten të flisja në lidhje me seksin, derisa më në fund as unë, as fëmija nuk ndiheshim më në siklet.» Meqenëse vihet në rrezik diçka e madhe, sigurisht që përpjekje të tilla ia vlejnë.

Të mbrojtur dhe të lumtur

Fëmijët i vlerësojnë prindërit që me dashuri i pajisin me atë njohuri që do t’i ruajë. Le të shohim komentet e bëra nga disa Dëshmitarë të Jehovait afrikanë:

Mojisola 24-vjeçare tha: «Do t’i mbetem gjithmonë mirënjohëse nënës sime. Ajo më dha edukatën e nevojshme mbi seksin, në kohën e duhur. Megjithëse ndihesha në siklet, kur ajo më fliste për këto gjëra shumë kohë më parë, tani i kuptoj dobitë që më ka sjellë nëna.»

Iniobong shtoi: «Gjithmonë ndihem e lumtur kur shoh në vitet e kaluara dhe mendoj rreth asaj që ka bërë mamaja për mua, duke më dhënë stërvitjen e duhur mbi seksin. Ka qenë një ndihmesë shumë jetësore në udhëheqjen time drejt të qenët grua. Jap fjalën se në të ardhmen do të bëj të njëjtën gjë për fëmijët e mi.»

Kunli nëntëmbëdhjetëvjeçar tha: «Prindërit e mi më kanë ndihmuar t’u bëjë ballë presioneve nga gratë e botës për imoralitet seksual. Nëse s’do të ishte stërvitja që më kanë dhënë ata, do të kisha rënë në mëkat. Do ta vlerësoj gjithmonë atë që kanë bërë.»

Kristiana tha: «Nxora dobi të shumta nga pasja e një komunikimi me mamanë në lidhje me seksin. Kam qenë e mbrojtur nga sëmundje vdekjeprurëse dhe nga shtatzëni të padëshiruara, si dhe kam qenë në gjendje të lë një shembull të mirë, për t’u ndjekur nga motrat dhe vëllezërit e mi më të vegjël. Gjithashtu, kam fituar respektin e njerëzve dhe në të ardhmen, edhe burri që do të marr do të më respektojë. Ç’është më e rëndësishmja, kam një marrëdhënie të mirë me Perëndinë Jehova, sepse kam mbajtur urdhërimin e tij.»

Bola, e përmendur më sipër, tha: «Kisha një shoqe klase që thoshte se seksi duhet gëzuar pa asnjë angazhim martesor. Për të, seksi ishte zbavitje. Megjithatë, ajo e kuptoi se nuk ishte zbavitje, kur mbeti shtatzënë dhe nuk mundi të merrte bashkë me ne dëftesën e pjekurisë. Nëse s’do të kisha pasur një baba të mirë që të më udhëhiqte, ndoshta do të kisha qenë si ajo, duke mësuar pasi ta kisha pësuar.»

Çfarë bekimi kur prindërit e krishterë i ndihmojnë fëmijët e tyre të bëhen «të mençur për shpëtim» në këtë botë të marrosur pas seksit! (2. Timoteut 3:15, BR) Mësimi i tyre i bazuar në Bibël është si një gjerdan i çmuar, që i stolis dhe i zbukuron fëmijët në sytë e Perëndisë. (Fjalët e urta 1:8, 9) Fëmijët ndihen të sigurt, ndërsa prindërit gëzojnë një kënaqësi të thellë. Një baba afrikan, që gjithmonë përpiqet t’i mbajë të hapura linjat e komunikimit me fëmijët e tij të rinj, tha: «Ne kemi paqe mendore. Jemi të sigurt se fëmijët tanë e dinë se çfarë i pëlqen Jehovait; ata nuk mund të mashtrohen nga personat e botës. Jemi të sigurt se nuk do të bëjnë gjëra, që do t’i shkaktonin dhimbje familjes. Falënderoj Jehovain që e kanë justifikuar sigurinë tonë.»

[Shënimi]

a Botuar nga Shoqata Watchtower Bible and Tract of New York, Inc., libri Rinia në anglisht.

[Figura në faqen 10]

Të rinjtë e krishterë, që marrin prej prindërve një informacion të bazuar në Bibël, mund ta hedhin poshtë informacionin e gabuar që u japin të rinjtë e tjerë

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo