Mirënjohëse për një trashëgimi të shtrenjtë të krishterë
TREGUAR NGA GUEN GUÇ
Në shkollë këndoja një himn me fjalët: ‘Jehovai i Madh i hipur në fron në lavdinë e tij.’ Shpesh pyesja veten: ‘Kush është ky Jehovai?’
GJYSHËRIT e mi ishin persona me frikë Perëndie. Në fillimet e këtij shekulli, ata shoqëroheshin me Studentët e Biblës, siç njiheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait. Babai ishte shumë i zoti në biznes, por fillimisht nuk ua kaloi tre fëmijëve të tij trashëgiminë e krishterë që i ishte ofruar.
Vetëm kur babai im i dha vëllait, Dagllas, motrës, Ana dhe mua broshurat e titulluara Veprat e tij dhe Kush është Perëndia?, mësova se Jehova është emri i Perëndisë së vërtetë. (Psalmi 83:18, BR) U drithërova! Po ç’gjë e kishte rindezur interesin e babait?
Në vitin 1938, kur pa kombet të bëheshin gati për luftë, babai e kuptoi se për të ndrequr problemet botërore duhej diçka më shumë sesa përpjekjet njerëzore. Gjyshja i dha atij librin Armiqtë, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait. Nga leximi i tij, ai mësoi se armiku i vërtetë i njerëzimit është Satana Djalli dhe se vetëm Mbretëria e Perëndisë mund të sjellë paqe botërore.a—Danieli 2:44; 2. Korintasve 4:4.
Ndërsa afrohej lufta, familja jonë filloi të ndiqte mbledhjet në Sallën e Mbretërisë të Dëshmitarëve të Jehovait në Ud Grin të Londrës Veriore. Në qershor të vitit 1939, shkuam në Pallatin Aleksandra që ndodhej aty pranë, për të dëgjuar fjalimin publik «Qeveria dhe Paqja», të mbajtur nga Joseph F. Rutherford, atëherë president i Shoqatës Watch Tower. Fjalimi i Rutherford-it në kopshtin e sheshit Medison të qytetit të Nju Jork-ut u transmetua me radio në Londër dhe në qytete të tjera të mëdha. Mundëm ta dëgjonim kaq qartë fjalimin, saqë kur një turmë e zhurmshme në Nju Jurk bëri rrëmujë, pashë përreth se mos po ndodhte në auditorin tonë!
Zelli i babait për të vërtetën biblike
Babai këmbënguli që çdo të shtunë në mbrëmje, e gjithë familja jonë të merrte pjesë në studimin e Biblës. Studimi ynë përqendrohej në temën biblike që ndodhej në Kullën e Rojës, e cila ishte programuar për t’u trajtuar të nesërmen. Sa për të ilustruar ndikimin që patën këto studime, edhe sot e kësaj dite e kam ende të gjallë në mendje tregimin mbi Josiun dhe rrethimin e qytetit të Ait, i cili është trajtuar në Kullën e Rojës, 1 maj 1939, anglisht. Ky tregim më tërhoqi kaq shumë, saqë kërkova në Biblën time të gjitha referimet në lidhje me të. Një kërkim i tillë m’u duk shumë magjepsës, dhe ende më duket i tillë.
Ndarja me të tjerët e asaj që po mësonim, bëri që mësimet biblike të rrënjoseshin thellë në zemrën time. Një ditë babai më dha një gramafon me një fjalim të regjistruar biblik, një broshurë që e përdornim për studime biblike dhe adresën e një zonje të moshuar. Pastaj më kërkoi që të shkoja ta takoja.
«Ç’do të them dhe ç’të bëj?»—pyeta.
«E ke të gjithën aty,—m’u përgjigj babai.—Vetëm ndiz gramafonin, lexo pyetjet, lëre të zonjën e shtëpisë të lexojë pyetjet dhe pastaj lexo shkrimet.»
Bëra siç më tha dhe në këtë mënyrë mësova të drejtoj një studim biblik. Duke i përdorur kështu shkrimet në shërbim, arrita t’i kuptoja më mirë.
Sfida e viteve të luftës
Lufta II Botërore shpërtheu në vitin 1939 dhe vitin tjetër u pagëzova në simbol të dedikimit tim për t’i shërbyer Jehovait. S’isha veçse 13 vjeçe. Më pas, vendosa të bëhesha pioniere, siç quhen shërbëtorët në kohë të plotë. Në vitin 1941 lashë shkollën dhe në kongresin e Leiçesterit u bashkova me Dagllasin në aktivitetin e predikimit në kohë të plotë.
Vitin që pasoi, babai u burgos si kundërshtar i ndërgjegjes në lidhje me pjesëmarrjen në luftë. Ne fëmijët iu gjendëm pranë mamasë, duke e ndihmuar që të kujdesej për shtëpinë gjatë asaj kohe të vështirë lufte. Më pas, sapo babai u lirua nga burgu, Dagllasin e thirrën për shërbimin ushtarak. Një titull gazete thoshte: «Pse djali, ashtu si i ati, zgjodhi burgun?» Si rezultat i kësaj mundësie që u krijua, për të shpjeguar se përse të krishterët e vërtetë nuk marrin pjesë në vrasjen e të tjerëve, u dha një dëshmi e mirë.—Gjoni 13:35; 1. Gjonit 3:10-12.
Gjatë atyre viteve të luftës, shumë Dëshmitarë në shërbimin e plotë kohor ishin vizitorë të rregullt në shtëpinë tonë dhe diskutimet e tyre ndërtuese të bazuara në Bibël, lanë një përshtypje të pashlyeshme. Mes këtyre vëllezërve të krishterë besimplotë qenë edhe John Barr dhe Albert Schroeder, të cilët tani janë anëtarë të Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait. Prindërit e mi ishin vërtet mikpritës dhe na mësuan të ishim edhe ne të tillë.—Hebrenjve 13:2.
Gati për të dhënë përgjigje
Pak kohë pasi kisha filluar si pioniere, në shërbimin nga shtëpia në shtëpi takova Hildën. Gjithë zemërim, ajo deklaroi: «Burri im ka shkuar të luftojë për njerëz si ju! Pse s’po bëni edhe ju diçka për luftën?»
«Sa dini ju për atë që po bëj unë?—e pyeta.—A e dini se përse kam ardhur te ju?»
«Atëherë,—ma ktheu,—do të bënit mirë të hynit brenda dhe të ma thonit.»
Pata mundësinë t’i shpjegoja se ne po u jepnim shpresë të vërtetë njerëzve që po vuanin për shkak të gjërave të tmerrshme që po bëheshin, shpesh në emër të Perëndisë. Hilda dëgjoi duke treguar vlerësim dhe u bë studentja ime e parë e rregullt e Biblës. Tani ajo ka mbi 55 vjet që është një Dëshmitare aktive e Jehovait.
Në mbarim të luftës, mora një caktim të ri si pioniere në Dorçester, një qytet në jugperëndim të Anglisë. Kjo qe hera e parë që jetoja larg shtëpisë. Kongregacioni ynë i vogël mblidhej në një restorant, një ndërtesë e shekullit të 16-të, që quhej «Shtëpia e vjetër e çajit». Sa herë që kishim mbledhje na duhej të risistemonim tavolinat dhe karriget. Ishte shumë e ndryshme nga Salla e Mbretërisë, në të cilën isha mësuar të shkoja. Megjithatë, edhe aty gjendeshin i njëjti ushqim frymor dhe e njëjta shoqëri e dashur e vëllezërve dhe e motrave të krishterë.
Ndërkohë, prindërit e mi u transferuan në Tënbrixh Uells, në jug të Londrës. Unë u ktheva në shtëpi, kështu që babai, Ana dhe unë mundëm të shërbenim së bashku si pionierë. Shpejt kongregacioni u rrit nga 12 në 70 Dëshmitarë, kështu që familjes sonë iu kërkua të transferohej në Britën, në jug të bregdetit, ku nevoja për lajmëtarë të Mbretërisë ishte më e madhe. Shumë veta u bashkuan me zell me familjen tonë pioniere në predikim dhe pamë se Jehovai e bekoi në mënyrë të pasur veprën tonë. Shpejt, kongregacioni i vetëm u bë tre!
Një ftesë e papritur
Në verën e vitit 1950, familja jonë ishte mes 850 delegatëve nga Britania, që morën pjesë në Asamblenë ndërkombëtare «Rritja e Teokracisë», që u mbajt në stadiumin Janki të qytetit të Nju Jorkut. Shumë pionierëve që erdhën në këtë kongres nga shtetet e tjera, iu dha një formular për të ndjekur Shkollën biblike të Galaadit të Watchtower-it, që ndodhej pranë Lansingut Jugor, në Nju Jork. Mes tyre ishte Dagllas, Ana dhe unë! Më kujtohet që kur hodha në kutinë e postës formularin e plotësuar, mendova: ‘Tani, mori fund! Ç’drejtim do të marrë jeta ime?’ Megjithatë, vendosmëria ime ishte: «Ja ku jam! Mua më dërgo.» (Isaia 6:8) U drithërova, kur pas kongresit mora një ftesë për të qëndruar që të ndiqja klasën e 16-të të Galaadit, bashkë me Dagllasin dhe Anën. Ishim më se të vetëdijshëm se mund të dërgoheshim si misionarë në çdo vend të botës.
Pasi e gëzuam kongresin së bashku si familje, për prindërit e mi erdhi koha të kthehen në Angli . . . vetëm. Të tre fëmijët e tyre i përshëndetnin me dorë, ndërsa ata nisën lundrimin me avulloren Mauritania për t’u kthyer në shtëpi. Ç’nisje emocionuese ishte ajo!
Caktimet misionare
Klasa e 16-të e Galaadit përbëhej nga 120 studentë prej të gjitha vendeve të botës, ku përfshiheshin edhe disa që kishin vuajtur në kampet naziste të përqendrimit. Meqenëse klasës sonë iu mësua gjuha spanjolle, pritnim që të caktoheshim në ndonjë vend ku flitej kjo gjuhë, në Amerikën Jugore. Imagjinoni habinë tonë ditën e diplomimit, kur morëm vesh se Dagllas ishte caktuar në Japoni, ndërsa Ana dhe unë në Siri. Kështu që ne vajzave na u desh të mësonim arabishten dhe këtë vazhduam ta bënim edhe kur caktimi ynë u ndryshua për në Liban. Ndërsa pritnim vizën, morëm mësime arabishteje dy herë në javë nga Xhorxh Shakashiri, radhitësi i Shoqatës Watch Tower për Kullën e Rojës në arabisht.
Sa emocionuese ishte të shkoje në një vend biblik, për të cilin kishim studiuar gjatë shkollës! Bashkë me ne qenë Keith dhe Gjois Çu, Edna Stakhaus, Oliv Tërner, Dorin Uorbërtën dhe Doris Ud. Ç’familje e lumtur misionare u bëmë! Një Dëshmitar vendas vinte rregullisht në shtëpinë tonë, për të na ndihmuar më tej për gjuhën. Gjatë periudhës së mësimit të përditshëm të arabishtes, ne praktikonim një prezantim të shkurtër, pas të cilit dilnim dhe e përdornim në veprën e predikimit.
Dy vjetët e parë i kaluan në Tripoli, ku ekzistonte një kongregacion tashmë i formuar. Gjois, Edna, Oliv, Dorin, Doris, Ana dhe unë, ndihmonim gratë dhe vajzat e Dëshmitarëve vendas për të marrë pjesë në mbledhje, si dhe në shërbimin publik. Deri në atë kohë, vëllezërit tanë dhe motrat tona të krishtere, duke ndjekur zakonet lokale, nuk uleshin bashkë në mbledhje dhe këto motra të krishtere merrnin pjesë rrallë në shërbimin nga shtëpia në shtëpi. Në predikimin publik ne kishim nevojë për ndihmën e tyre në lidhje me gjuhën dhe i inkurajonim që në këtë vepër të merrnin pjesë edhe ato vetë.
Më pas, Ana dhe unë u caktuam të ndihmonim një grup të vogël Dëshmitarësh në qytetin e lashtë të Sidonit. Jo shumë kohë më vonë, na u kërkua të ktheheshim në kryeqytet, në Bejrut. Atje ishte mbjellë fara e së vërtetës mes komunitetit që fliste armenisht, kështu që për të ndihmuar ata, mësuam edhe këtë gjuhë.
Ndryshime caktimi
Përpara se të largohesha nga Anglia, kisha takuar Uilfred Guç. Ai ishte një vëlla i zellshëm dhe që kujdesej shumë për të tjerët, i cili kishte shërbyer në Bethelin e Londrës. Uilf kishte qenë pjesëtar i klasës së 15-të të Galaadit, e cila u diplomua gjatë kongresit në stadiumin Janki, në vitin 1950. Caktimi i tij misionar ishte zyra e degës së Shoqatës Watch Tower në Nigeri dhe për njëfarë kohe mbajtëm korrespondencë. Në vitin 1955 morëm pjesë së bashku në kongresin «Mbretëri triumfuese», në Londër dhe pak kohë pas tij u fejuam. Vitin tjetër, u martuam në Gana dhe vazhdova bashkë me Uilf-in në caktimin e tij misionar, në Lagos të Nigerisë.
Pasi e lashë Anën në Liban, ajo u martua me një vëlla të krishterë shumë të mirë, i cili e kishte mësuar të vërtetën biblike në Jerusalem. Prindërit e mi nuk patën mundësi të merrnin pjesë në dasmat tona, sepse Dagllas, Ana dhe unë, u martuam në vende të ndryshme të botës. Megjithatë, ishin të kënaqur tek dinin se të gjithë po i shërbenim të lumtur Perëndisë sonë, Jehovait.
Vepra në Nigeri
Në zyrën e degës në Lagos, u caktova të pastroja dhomat e tetë pjesëtarëve të familjes sonë të degës, si dhe të përgatitja ushqimin për ta dhe t’u laja rrobat. Më dukej sikur kisha fituar jo vetëm një bashkëshort, por edhe një familje!
Uilf dhe unë mësuam prezantime të shkurtra biblike në gjuhën joruba dhe përpjekjet tona na u shpërblyen. Një student i ri që e kontaktuam atëherë, tani ka një djalë dhe një vajzë, që shërbejnë në familjen e madhe prej pothuajse 400 pjesëtarësh të Bethelit në Nigeri.
Në vitin 1963, Uilf mori një ftesë për të ndjekur një kurs dhjetëmujor mësimi të veçantë në Bruklin, Nju Jork. Pas përfundimit të tij, papritur u caktua përsëri në Angli. Unë kisha mbetur në Nigeri dhe vetëm 14 ditë më parë më lajmëruan të shkoja te Uilf në Londër. U largova që andej me ndjenja të përziera, pasi Nigeria kishte qenë një caktim shumë i lumtur. Pas 14 vjet shërbimi jashtë, m’u desh kohë për t’u përshtatur përsëri me jetën në Angli. Megjithatë, ishim të kënaqur që ndodheshim përsëri pranë prindërve tanë të moshuar dhe që kishim mundësi të kujdeseshim për ta.
Të mbështetur nga shpresa jonë
Që prej vitit 1980, pata privilegjin ta shoqëroja Uilf-in, ndërsa udhëtonte në shumë vende si mbikëqyrës zone. Sidomos, mezi prisja vizitat në Nigeri. Më vonë na dërguan edhe në Skandinavi, në Indinë Perëndimore dhe në Lindjen e Mesme, përfshirë Libinë. Ishte një drithërimë e veçantë të rijetoje kujtime të lumtura dhe të shihje ata që i kisha njohur si adoleshentë të shërbenin tani si pleq kongregacioni.
Mjerisht, burri im i dashur vdiq në pranverën e vitit 1992. S’ishte veçse 69 vjeç. Ishte një goditje e fortë, sepse erdhi shumë papritur. Pas 35 vjet martese, m’u desh kohë të mësohesha me këtë gjendje. Por kam marrë shumë ndihmë dhe dashuri nga familja ime e krishterë mbarëbotërore. Kam pasur shumë përvoja të lumtura për të reflektuar.
Të dy prindërit e mi lanë një shembull të shkëlqyer të integritetit të krishterë. Mamaja vdiq në vitin 1981, ndërsa babai në vitin 1986. Dagllas dhe Ana vazhdojnë t’i shërbejnë me besim të plotë Jehovait. Dagllas me gruan e tij, Kam, janë kthyer në Londër, ku qëndruan që prej kohës që u kujdesën për babain. Ana dhe familja e saj ndodhen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të gjithë ne e çmojmë shumë shpresën dhe trashëgiminë që na ka dhënë Perëndia. Ne vazhdojmë të ‘tregojmë një qëndrim pritës’, duke pritur me padurim kohën kur të gjallët, bashkë me njerëzit e tyre të dashur të ringjallur, do të shërbejnë përgjithmonë së bashku, si pjesëtarë të familjes tokësore të Jehovait.—Vajtimet 3:24, BR.
[Shënimi]
a Historia e jetës së babait tim, Ernest Bivër, është botuar në Kullën e Rojës, 15 mars 1980, anglisht.
[Figurat në faqen 23]
Nga e majta në të djathtë:
Gueni 13-vjeçare duke demonstruar një studim model në Sallën e Mbretërisë në Enfilld
Familja misionare në Tripoli, Libi, 1951
Guen bashkë me burrin e saj të ndjerë, Uilf