BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w98 15/4 f. 9-14
  • Besimi dhe e ardhmja jote

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Besimi dhe e ardhmja jote
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Si ishte e shkuara?
  • Jo zgjidhje njerëzore
  • Si e shohin të ardhmen Dëshmitarët e Jehovait?
  • E ardhmja e sundimit njerëzor
  • Vëre besimin te premtimet e Jehovait
  • Kini besim se Jehovai do të plotësojë qëllimin e tij
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
  • Çfarë më ofron e ardhmja?
    Të rinjtë pyesin ... Përgjigje praktike
  • Qëllimi i Perëndisë do të realizohet së shpejti
    Cili është qëllimi i jetës? Si mund ta gjesh?
  • Mbretëria e Perëndisë sundimi i ri i tokës
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2000
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
w98 15/4 f. 9-14

Besimi dhe e ardhmja jote

«Besimi është pritja e sigurt e gjërave të shpresuara.»—HEBRENJVE 11:1, BR.

1. Ç’lloj të ardhmeje dëshirojnë shumica e njerëzve?

ATË intereson e ardhmja? Shumicës së njerëzve, po. Ajo për të cilën shpresojnë ata, është një e ardhme paqeje, lirie nga frika, kushtesh të kënaqshme jetese, pune me prodhimtari dhe e gëzueshme, shëndeti të mirë dhe një jete të gjatë. Pa dyshim, çdo brez në histori i ka dëshiruar këto gjëra. Edhe sot, në këtë botë që është kaq e mbushur me trazira, kushte të tilla janë më të dëshirueshme se kurrë.

2. Si u shpreh nga një burrë shteti pikëpamja mbi të ardhmen?

2 Ndërsa njerëzimi shkon drejt shekullit të 21-të, a ka ndonjë mënyrë për të përcaktuar se si do të jetë e ardhmja? Një mënyrë u tregua mbi 200 vjet më parë, nga burri amerikan i shtetit, Patrik Henri. Ai tha: «Unë nuk di asnjë mënyrë për të gjykuar mbi të ardhmen, veçse nëpërmjet së shkuarës.» Sipas kësaj pikëpamjeje, e ardhmja e familjes njerëzore mund të njihet deri në një masë të konsiderueshme me anë të asaj që njeriu ka bërë në të kaluarën. Shumë veta janë dakord me këtë ide.

Si ishte e shkuara?

3. Çfarë tregon dokumentimi i historisë në lidhje me perspektivat për të ardhmen?

3 Nëse e ardhmja është një pasqyrim i së shkuarës, a të duket diçka inkurajuese? A ka ardhur duke u përmirësuar e ardhmja për brezat e mëparshëm në rrjedhën e epokave? Në të vërtetë, jo. Pavarësisht nga shpresat që njerëzit kanë pasur për mijëra vjet dhe pavarësisht nga progresi material në disa vende, historia ka qenë plot me shtypje, krime, dhunë, luftë dhe varfëri. Kjo botë ka përjetuar katastrofë pas katastrofe, të shkaktuara kryesisht nga sundimi i mangët njerëzor. Bibla thotë në mënyrë të saktë: «Njeriu ka mbizotëruar njeriun në dëm të tij.»—Eklisiastiu [Predikuesi] 8:9, BR.

4, 5. (a) Pse njerëzit ishin plot shpresa në fillimet e shekullit të 20-të? (b) Çfarë u ndodhi shpresave të tyre për të ardhmen?

4 Është fakt se historia e keqe e njerëzimit vazhdon të përsëritë vetveten, vetëm se në një shkallë më të madhe e më dëmtuese. Ky shekull i 20-të është provë e kësaj. A mësoi njerëzimi nga gabimet e së shkuarës dhe a i shmangu ato? E pra, në fillim të këtij shekulli, shumë e vunë besimin në një të ardhme më të mirë, sepse kishte pasur një periudhë relativisht të gjatë paqeje dhe përparime në industri, shkencë dhe arsim. Një profesor universiteti tha se në fillimet e viteve 1900 mendohej se lufta nuk ishte më e mundur, pasi «njerëzit ishin tepër të qytetëruar». Një ish-kryeministër britanik, në lidhje me pikëpamjen që kishin njerëzit në atë kohë, tha: «Gjithçka do të shkonte mirë e më mirë. Kjo ishte bota, në të cilën linda unë.» Por më pas, ai pohoi: «Papritur e papandehur, një mëngjes të vitit 1914, e gjithë kjo mori fund.»

5 Pavarësisht nga bindja e fortë që mbizotëronte në atë kohë për një të ardhme më të mirë, shekulli i ri sapo kishte nisur, kur bota u përpi nga katastrofa më e keqe që njeriu kishte bërë ndonjëherë: Lufta I Botërore. Si shembull i natyrës së saj, merr në shqyrtim se çfarë ndodhi në vitin 1916 gjatë një beteje të vetme, kur trupat britanike sulmuan radhët gjermane pranë Lumit Som në Francë. Vetëm brenda disa orësh, britanikët pësuan një humbje prej 20.000 vetash dhe shumë u vranë edhe nga pala gjermane. Katër vjet kasaphane morën jetën e pothuajse dhjetë milionë ushtarëve dhe të shumë civilëve. Për njëfarë kohe, popullsia e Francës pësoi rënie, për shkak të humbjes së kaq shumë njerëzve. Ekonomitë u rrënuan, duke çuar kështu në Depresionin e Madh të viteve 30. S’është për t’u habitur që disa kanë thënë se dita në të cilën nisi Lufta I Botërore, ishte dita në të cilën bota u çmend!

6. A u bë më e mirë jeta pas Luftës I Botërore?

6 A ishte kjo e ardhmja e shpresuar nga ai brez? Patjetër që jo! Shpresat e tyre u bënë copë-copë; e gjithë kjo nuk çoi në asgjë më të mirë. Vetëm 21 vjet më vonë pas Luftës I Botërore, apo në vitin 1939, filloi e shkaktuar nga njeriu një katastrofë shumë më e keqe: Lufta II Botërore. Ajo u rrëmbeu jetën më shumë se 50 milionë burrave, grave dhe fëmijëve. Bombardimet në masë i bënë pluhur e hi qytetet. E ndërsa në një betejë gjatë Luftës I Botërore, disa mijëra ushtarë u vranë vetëm brenda disa orësh, në Luftën II Botërore, vetëm dy bomba atomike vranë më shumë se 100.000 njerëz brenda disa sekondash. Ajo që shumë persona e konsiderojnë edhe më të keqe, ishte vrasja sistematike e miliona njerëzve në kampet naziste të përqendrimit.

7. Cili është realiteti i gjithë këtij shekulli?

7 Burime të ndryshme pohojnë se, sikur të merrnim luftërat mes kombeve, konfliktet civile dhe vdekjet që qeveritë u kanë shkaktuar qytetarëve të tyre, të vrarët e këtij shekulli do të arrinin një numër prej gati 200 milionë vetash. Madje një burim thotë se kjo shifër është 360 milionë. Përfytyroni tmerrin e gjithë kësaj: dhembjen, lotët, hidhërimin dhe jetët e rrënuara! Përveç kësaj, një mesatare prej pothuajse 40.000 njerëzish, kryesisht fëmijë, vdesin çdo ditë nga shkaqet e lidhura me varfërinë. Trefishi i këtij numri vritet çdo ditë nga aborti. Gjithashtu, rreth një miliardë njerëz janë tepër të varfër që të sigurojnë ushqimin e nevojshëm për kryerjen e një dite normale pune. Të gjitha këto kushte janë dëshmi e asaj që ishte parathënë në profecitë e Biblës, se ne jetojmë në «ditët e fundit» të këtij sistemi të lig gjërash.—2. Timoteut 3:1-5, 13; Mateu 24:3-12; Luka 21:10, 11; Zbulesa 6:3-8.

Jo zgjidhje njerëzore

8. Pse udhëheqësit njerëzorë nuk mund t’i zgjidhin problemet e botës?

8 Ndërsa ky shekull i 20-të i afrohet fundit, përvojën e tij mund t’ia shtojmë asaj të shekujve të kaluar. Çfarë na tregon kjo histori? Na tregon se udhëheqësit njerëzorë nuk i kanë zgjidhur kurrë problemet e mëdha të botës, se nuk po i zgjidhin tani dhe se nuk kanë për t’i zgjidhur as në të ardhmen. Kjo është thjesht përtej aftësive të tyre për të siguruar atë lloj të ardhmeje që dëshirojmë ne, pavarësisht se sa qëllime të mira mund të kenë. Disa njerëz me autoritet nuk kanë qëllime të tilla; ata kërkojnë pozitë dhe pushtet për qëllimet e tyre egoiste e materialiste, jo për të mirën e të tjerëve.

9. Pse ka arsye për të dyshuar se shkenca ka përgjigjet për problemet e njeriut?

9 Mos vallë i ka përgjigjet shkenca? Jo, nëse shqyrtojmë të kaluarën. Shkencëtarët që financohen nga shteti kanë harxhuar sasi të stërmëdha parash, kohe dhe përpjekjesh për të zhvilluar armë tmerrësisht shkatërrimtare kimike, biologjike dhe të llojeve të tjera. Kombet, duke përfshirë edhe ato që mezi mund t’i blejnë, harxhojnë mbi 700 miliardë dollarë në vit për armatimin. Gjithashtu, ‘progresi shkencor’ është pjesërisht përgjegjës për lëndët kimike që i kanë kontribuar ndotjes së ajrit, tokës, ujit dhe ushqimit.

10. Pse edhe arsimimi nuk siguron një të ardhme më të mirë?

10 A mund të shpresojmë se institucionet arsimore të botës do të ndihmojnë në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë, duke mësuar normat e larta të moralit, konsideratën për të tjerët dhe dashurinë për të afërmin? Jo. Përkundrazi, ato përqendrohen te karriera dhe bërja e parave. Ato ngjallin një frymë shumë konkurruese dhe jo një frymë bashkëpunimi; edhe shkollat nuk mësojnë moralin. Përkundrazi, shumë prej tyre mbyllin sytë para lirisë seksuale, e cila ka shkaktuar një rritje të madhe të shtatzënive mes adoleshentëve dhe të sëmundjeve të transmetuara në rrugë seksuale.

11. Në ç’mënyrë dokumentimi mbi sipërmarrjet e biznesit hedh dyshime mbi të ardhmen?

11 Po sipërmarrjet e mëdha të biznesit në botë, a do të motivohen papritur që të kujdesen për planetin tonë e të tregojnë dashuri për të tjerët, duke nxjerrë prodhime që do të jenë me dobi të vërtetë dhe jo thjesht për përfitim? S’ka të ngjarë. A do të ndalen së bëri programe televizive të mbushura me dhunë e imoralitet, të cilat i kontribuojnë korruptimit të mendjes së njerëzve, sidomos të të rinjve? E kaluara e kohëve të fundit nuk është aspak inkurajuese, sepse në pjesën më të madhe, televizori është bërë një pusetë ujërash të zeza imoraliteti dhe dhune.

12. Cila është gjendja njerëzore në lidhje me sëmundjet dhe vdekjen?

12 Për më tepër, sado të sinqertë të jenë mjekët, nuk mund t’a mposhtin sëmundjen dhe vdekjen. Për shembull, në fund të Luftës I Botërore, ata nuk qenë në gjendje të kontrollonin përhapjen e gripit spanjoll; anembanë botës, ai mori rreth 20 milionë jetë. Sot, sëmundjet e zemrës, kanceri dhe sëmundje të tjera vdekjeprurëse, janë të pafrenueshme. Bota mjekësore nuk ka mundur të mposhtë as plagën e sotme të SIDA-s. Përkundrazi, një raport i OKB-së i botuar në nëntor të vitit 1997, nxori përfundimin se shpejtësia me të cilën po përhapet virusi i SIDA-s është dyfishi i asaj që ishte llogaritur paraprakisht. Prej saj, kanë vdekur tashmë me miliona. Në vitin 1996, u infektuan edhe tre milionë njerëz të tjerë.

Si e shohin të ardhmen Dëshmitarët e Jehovait?

13, 14. (a) Si e shohin të ardhmen Dëshmitarët e Jehovait? (b) Pse njerëzit nuk mund të sjellin një të ardhme më të mirë?

13 Megjithatë, Dëshmitarët e Jehovait besojnë se njerëzimin e pret një e ardhme e shkëlqyer, më e mira! Por ata nuk presin që kjo e ardhme më e mirë të vijë me anë të përpjekjeve njerëzore. Përkundrazi, ata i drejtohen Krijuesit, Perëndisë Jehova. Ai e di se si do të jetë e ardhmja dhe ajo ka për të qenë e mrekullueshme! Ai e di, gjithashtu, se njerëzit nuk mund ta sjellin një të ardhme të tillë. Meqenëse ata i krijoi Perëndia, ai i njeh kufizimet e tyre shumë më mirë se kushdo tjetër. Në Fjalën e tij të frymëzuar ai na thotë qartë se nuk i krijoi njerëzit me aftësinë për të qeverisur me sukses, pa udhëheqjen hyjnore. Lejimi për një kohë të gjatë prej Perëndisë i sundimit njerëzor të pavarur prej tij, e ka demonstruar këtë paaftësi përtej çdo dyshimi. Një autor pranoi: «Mendja e njeriut ka provuar të gjitha kombinimet e mundshme të sovranitetit, por më kot.»

14 Në Jereminë 10:23 lexojmë fjalët e profetit të frymëzuar: «Mirë e di unë, o Jehova, se njeriut tokësor nuk i përket udha e tij. Njeriut që ecën nuk i përket as ta drejtojë hapin e tij.» (BR) Gjithashtu, Psalmi 146:3 pohon: «Mos e vër besimin tënd te fisnikët, as te biri i njeriut tokësor, të cilit nuk i përket asnjë shpëtim.» (BR) Në fakt, meqenëse kemi lindur të papërsosur, siç e tregon Romakëve 5:12, Fjala e Perëndisë na paralajmëron që të mos i besojmë as vetvetes. Jeremia 17:9 thotë: «Zemra është tradhtare më shumë se gjithçka tjetër.» (BR) Për këtë arsye, Proverbat [Fjalët e urta] 28:26 deklaron: «Ai që beson në zemrën e vet është budalla, por ai që ecën me mençuri, është ai që do të ikë për të shpëtuar.»—BR.

15. Ku mund ta gjejmë mençurinë për të na udhëhequr?

15 Ku mund ta gjejmë këtë mençuri? «Druajtja e Jehovait është fillimi i mençurisë dhe njohuria e Më të Shenjtit është kuptueshmëria.» (Proverbat 9:10, BR) Vetëm Jehovai ka mençurinë që mund të na drejtojë përmes këtyre kohërave të frikshme. Ai na ka lejuar të hyjmë në mençurinë e tij nëpërmjet Shkrimeve të Shenjta, të cilat i frymëzoi për të na udhëhequr.—Proverbat 2:1-9; 3:1-6; 2. Timoteut 3:16, 17.

E ardhmja e sundimit njerëzor

16. Kush e ka përcaktuar të ardhmen?

16 Ç’na thotë, pra, për të ardhmen Fjala e Perëndisë? Ajo na thotë se e ardhmja me siguri që nuk do të pasqyrojë atë që kanë bërë njerëzit në të kaluarën. Prandaj, pikëpamja e Patrik Henrit ishte e gabuar. E ardhmja e kësaj toke dhe e njerëzve në të do të përcaktohet jo nga njerëzit, por nga Perëndia Jehova. Në tokë ka për t’u bërë vullneti i tij, jo vullneti i ndonjë njeriu apo i kombeve të kësaj bote. «Të shumta janë planet në zemrën e njeriut, por këshilla e Jehovait është ajo që do të qëndrojë.»—Proverbat 19:21, BR.

17, 18. Cili është vullneti i Perëndisë për kohën tonë?

17 Cili është vullneti i Perëndisë për kohën tonë? Ai ka për qëllim t’i japë fund këtij sistemi gjërash të dhunshëm dhe imoral. Mbretërimi i keq shekullor i njerëzve do të zëvendësohet së shpejti me një sundim të bërë nga Perëndia. Profecia që gjendet në Danieli 2:44 thotë: «Në ditët e atyre mbretërve [që ekzistojnë sot] Perëndia i qiellit do të vendosë një mbretëri [në qiell], e cila nuk do të shkojë kurrë në rrënim. Dhe vetë mbretëria nuk do t’i kalojë ndonjë populli tjetër. Ajo do të shtypë dhe do t’u japë fund të gjitha këtyre mbretërive dhe ajo vetë do të qëndrojë në kohë të pacaktuara.» (BR) Mbretëria do të heqë edhe ndikimin e lig të Satana Djallit, diçka që njerëzit nuk mund ta bëjnë kurrë. Sundimi prej tij i kësaj bote do të marrë fund një herë e përgjithmonë.—Romakëve 16:20; 2. Korintasve 4:4; 1. Gjonit 5:19.

18 Vëre se qeveria qiellore do të shfarosë nga faqja e dheut të gjitha format e sundimit njerëzor. Qeverisja e kësaj toke nuk do t’u lihet njerëzve. Në qiell, ata që përbëjnë Mbretërinë e Perëndisë do të kontrollojnë të gjitha çështjet e tokës, për të mirën e njerëzimit. (Zbulesa 5:10; 20:4-6) Mbi tokë, njerëzit besimplotë do të bashkëpunojnë me direktivat e Mbretërisë së Perëndisë. Ky është sundimi, për të cilin Jezui na mësoi të lutemi, kur tha: «Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, ashtu edhe në tokë.»—Mateu 6:10, BR.

19, 20. (a) Si e përshkruan Bibla rregullimin e Mbretërisë? (b) Çfarë do të bëjë për njerëzimin sundimi i saj?

19 Dëshmitarët e Jehovait e vënë besimin e tyre te Mbretëria e Perëndisë. Ajo është «qiejt e rinj», për të cilët apostulli Pjetër shkroi: «Sipas premtimit të tij, ne jemi duke pritur qiej të rinj e një tokë të re dhe në to do të banojë drejtësia.» (2. Pjetrit 3:13, BR) «Toka e re» është shoqëria e re njerëzore, e cila do të qeveriset nga qiejt e rinj, Mbretëria e Perëndisë. Ky është rregullimi që Perëndia i zbuloi në një vizion apostullit Gjon, i cili shkroi: «Unë pashë një qiell të ri dhe një tokë të re, sepse qielli i mëparshëm dhe toka e mëparshme kishin kaluar . . . Dhe [Perëndia] do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre dhe vdekja nuk do të jetë më, as mbajtja zi, as klithma dhe as dhimbje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme kanë kaluar.»—Zbulesa 21:1, 4, BR.

20 Vëre që toka e re do të jetë e drejtë. Të gjithë elementët e padrejtë do të jenë hequr me anë të një akti të Perëndisë, betejës së Harmagedonit. (Zbulesa 16:14, 16) Profecia në Proverbat 2:21, 22 e shpreh kështu këtë: «Të drejtët janë ata që do të banojnë në tokë dhe të paqortueshmit janë ata që do të lihen në të. Sa për të ligjtë, ata do të zhduken nga toka.» (BR) Ndërsa Psalmi 37:9 premton: «Vetë keqbërësit do të shfarosen, por ata që shpresojnë në Jehovain, janë ata që do të zotërojnë tokën.» (BR) A nuk do të të pëlqente të jetoje në një botë të tillë të re?

Vëre besimin te premtimet e Jehovait

21. Pse mund ta vëmë besimin te premtimet e Jehovait?

21 A mund ta vëmë besimin te premtimet e Jehovait? Dëgjoni çfarë thotë ai, nëpërmjet profetit të tij Isaia: «Kujtoni gjërat e para të shumë kohëve më parë, që unë jam Hyjnori dhe nuk ka asnjë Perëndi tjetër, as edhe një si unë; Ai që thotë përfundimin që në fillim dhe që prej shumë kohësh gjërat që ende nuk janë bërë; Ai që thotë: ‘Këshilla ime do të qëndrojë dhe do të bëj çdo gjë që është kënaqësia ime.’» Pjesa e fundit e Is 46 vargut 11 thotë: «Unë e kam thënë atë; unë edhe do ta sjell. Unë e kam formuar dhe po unë do ta bëj.» (Isaia 46:9-11, BR) Po, ne mund të kemi besim te Jehovai dhe te premtimet e tij, me po aq siguri sikur këto premtime të kishin dalë tashmë të vërteta. Bibla e shpreh këtë gjë kështu: «Besimi është pritja e sigurt e gjërave të shpresuara, demonstrimi i dukshëm i realiteteve, edhe pse të të papara.»—Hebrenjve 11:1, BR.

22. Pse mund të jemi të sigurt se Jehovai do t’i përmbushë premtimet e tij?

22 Njerëzit e përulur shfaqin një besim të tillë, sepse e dinë që Perëndia do t’i përmbushë premtimet e tij. Për shembull, në Psalmin 37:29 lexojmë: «Vetë të drejtët do të zotërojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë në të.» (BR) A mund ta besojmë këtë? Po, sepse Hebrenjve 6:18 thotë: «Për Perëndinë, është e pamundur të gënjejë.» (BR) A e ka të vetën tokën Perëndia, që mund t’ua japë të përulurve? Zbulesa 4:11 deklaron: «Ti i krijove të gjitha gjërat dhe për shkak të vullnetit tënd ekzistojnë dhe u krijuan.» Kështu, Psalmi 24:1 thotë: «Jehovait i përket toka dhe ajo që e mbush atë.» Jehovai e krijoi tokën, e zotëron atë dhe ua jep atyre që kanë besim në të. Për të na ndihmuar të ndërtojmë sigurinë tonë në këtë gjë, artikulli vijues do të tregojë se si Jehovai i ka mbajtur premtimet që i ka bërë popullit të tij në të kaluarën si dhe në ditët tona dhe përse mund të kemi siguri absolute se do të veprojë kështu edhe në të ardhmen.

Pika për rishikim

◻ Çfarë u ka ndodhur shpresave të njerëzve përgjatë historisë?

◻ Pse nuk duhet t’u drejtohemi njerëzve për një të ardhme më të mirë?

◻ Cili është vullneti i Perëndisë në lidhje me të ardhmen?

◻ Pse jemi të sigurt se Perëndia do t’i përmbushë premtimet e tij?

[Figura në faqen 10]

Bibla thotë në mënyrë të saktë: «Nuk i përket njeriut . . . ta drejtojë hapin e vet.»​—Jeremia 10:23, BR.

[Burimi]

Bombë: Foto të Arkivit Kombëtar të SHBA-së; fëmijë të uritur: OBSH/​OXFAM; refugjatë: NJË FOTO 186763/​J. Isak; Musolini dhe Hitleri: Foto e Arkivit Kombëtar të SHBA-së

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo