Lajmëtarët e Mbretërisë raportojnë
Të përfitojmë nga çdo rast
DËSHMITARËT E JEHOVAIT janë të njohur në mbarë botën për veprën e tyre arsimuese biblike. Por ata drejtojnë edhe programe, që i sjellin dobi të tjera shoqërisë. Ky shërbim publik është pritur mirë, gjë që e tregojnë edhe përvojat e mëposhtme nga Ekuadori.
◻ Drejtoria e një fabrike të madhe qelqi dëshironte të organizonte për punonjësit e saj një kurs mbi vlerat familjare. Shefi i kuadrit ftoi për të marrë pjesë disa priftërinj katolikë, por ftesës së tij nuk iu përgjigj askush. Një prift i tha se për të folur mbi këtë subjekt kishte kaq pak priftërinj të kualifikuar, sa kishte të ngjarë të mos gjendej asnjë. Kur dëgjoi këtë, një punonjëse Dëshmitare mori masat që një vëlla, i cili predikon shpesh në territorin tregtar, të vizitonte fabrikën.
Pikërisht të nesërmen, Dëshmitari iu afrua shefit të kuadrit, duke i propozuar një kurs studimi. Nga botime të ndryshme të Shoqatës Watch Tower ishte formuar një listë temash. Shefit i bëri shumë përshtypje. Ai zgjodhi tri argumente për bisedë: mirëkuptimi mes njerëzve, etika në punë dhe etika në familje. Pastaj u morën masa që informacioni të shqyrtohej me të gjithë punonjësit e fabrikës.
Punonjësit u ndanë në shtatë grupe me nga 30 veta secili dhe pas kësaj tre vëllezër të kualifikuar u paraqitën informacionin. Cilat ishin rezultatet? Një numër i madh punonjësish kërkuan që t’u bëhej një vizitë në shtëpi dhe u lanë 216 botime ndihmëse për studimin e Biblës. Drejtorisë i la kaq shumë mbresa, saqë u kërkoi Dëshmitarëve nëse mund të përgatitnin një seri tjetër bisedash.
◻ Kohët e fundit, në Ekuador u miratua një ligj, i cili lejon mësimin e fesë në shkollë. Një motër misionare shkoi te drejtoresha e një shkolle gjashtëvjeçare dhe e pyeti se si po shkonte puna me ligjin e ri. Drejtoresha i shpjegoi se ishin bërë përpjekje që të fillohej një program për adhurimin e Marisë, por kurrë nuk ishte realizuar një gjë e tillë. Kur motra i vuri në dukje se një adhurim i tillë mund të paraqiste probleme për fëmijët jo-katolikë, drejtoresha qe dakord. «Nga ana tjetër,—tha misionarja,—ne kemi një program për të mësuar parimet morale nga Bibla, i cili nuk e detyron personin të pranojë një fe të veçantë.» Drejtoresha u përgjigj: «Kur mund të vini? Pasnesër?» Pasi misionarja i tregoi librin Të dëgjojmë Mësuesin e Madh, u vendos që të shqyrtonin kapitullin «Të lumtur janë paqedashësit».
Kur u kthye, misionarja kaloi tri orë nëpër shtatë klasa të ndryshme, bashkë me drejtoreshën që dëgjonte. Pas një ore mësimi me një klasë të pestë, një prej nxënësve tha: «Zonjë, ju lutemi të shkoni edhe tek ata të klasës së gjashtë. Gjithmonë duan të na rrahin dhe të zihen me ne!» Një mësuese vërejti: «Dhuna është një argument shumë i rëndësishëm. Na duhet më shumë kohë për ta trajtuar këtë çështje.»
U morën masa që të rikthehej edhe herë të tjera në shkollë, për të trajtuar tema të tilla, si bindja dhe gënjeshtra. Deri tani, rezultatet kanë qenë shumë pozitive. Tani, kur motra misionare kalon në rrugë, fëmijët shkojnë me vrap për ta përshëndetur dhe për t’i drejtuar pyetje biblike. Të tjerë, me krenari ia prezantojnë atë prindërve të tyre. Veç kësaj, me dy nxënës të kësaj shkolle është nisur një studim biblik.