BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w98 1/6 f. 28-31
  • E përkrahur përmes sprovash të tmerrshme

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • E përkrahur përmes sprovash të tmerrshme
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Origjinë hebreje
  • Fillimi i sprovave
  • Sprova ime më e rëndë
  • Një periudhë lehtësimi
  • Duke mbijetuar në Aushvic
  • Duke mbijetuar në kampe të tjera
  • Lirim dhe jetë më pas
  • Me ndihmën e Jehovait u mbijetuam regjimeve totalitare
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2007
  • «Të burgosur për shkak të besimit»
    Zgjohuni!—2006
  • I dënuar dy herë me 25 vjet punë të detyruar
    Zgjohuni!—2005
  • Meraku im kryesor: Të qëndroja besnik
    Zgjohuni!—2000
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
w98 1/6 f. 28-31

E përkrahur përmes sprovash të tmerrshme

TREGUAR NGA ÉVA JUSEFSON

Një grup i vogël i yni ishte mbledhur në rajonin Uepesht të Budapestit, Hungari, për një mbledhje të shkurtër, përpara se të shkonim në shërbimin e krishterë. Ishte viti 1939, pak para fillimit të Luftës II Botërore dhe vepra e predikimit e Dëshmitarëve të Jehovait në Hungari ishte e ndaluar. Në atë kohë, ata që u mësonin publikisht Biblën të tjerëve, shpesh arrestoheshin.

MEQENËSE për mua ishte hera e parë që merrja pjesë në këtë aktivitet, duhet të jem dukur pak me ankth dhe e zbehtë. Një vëlla i moshuar i krishterë, m’u drejtua dhe më tha: «Éva, kurrë nuk duhet të kesh frikë. T’i shërbesh Jehovait është nderi më i madh që mund të ketë një njeri.» Ato fjalë tërë përkujdesje dhe forcuese, ndihmuan për të më përkrahur përmes shumë sprovash të tmerrshme.

Origjinë hebreje

Isha fëmija më e madhe në një familje hebreje prej pesë fëmijësh. Mamaja nuk ishte e kënaqur nga judaizmi dhe filloi të merrte në shqyrtim fetë e tjera. Kështu ndodhi që u takua me Erzhabet Slezinger, një grua tjetër hebreje, e cila ishte, gjithashtu, në kërkim të së vërtetës biblike. Erzhabeta e vuri mamanë në kontakt me Dëshmitarët e Jehovait dhe si rezultat edhe unë fillova të kisha shumë interes për mësimet e Biblës. Shpejt, nisa të ndaja me të tjerët atë që kisha mësuar.

Kur mbusha 18 vjeçe, në verën e vitit 1941, e simbolizova dedikimin tim ndaj Perëndisë Jehova me anë të pagëzimit në lumin Danub. Mamaja u pagëzua në të njëjtën kohë, por babai nuk e pranoi besimin tonë të krishterë të sapogjetur. Pak pas pagëzimit bëra plane për të shërbyer si pioniere, pra që të merrja pjesë në shërbimin e plotë kohor. Kisha nevojë të blija një biçikletë, kështu që fillova të punoja në laboratorin e një fabrike të madhe tekstilesh.

Fillimi i sprovave

Nazistët kishin shtënë në dorë Hungarinë dhe fabrika ku punoja unë ishte vënë nën drejtimin e gjermanëve. Një ditë, të gjithë punëtorët u thirrën që të paraqiteshin përpara mbikëqyrësve të punës, për të bërë një betim besnikërie ndaj nazistëve. Na thanë se nëse nuk vepronim kështu, do të kishim pasoja të rënda. Gjatë ceremonisë, ku na u kërkua të thoshim ‘Hail Hitler’, qëndrova në këmbë me respekt, por nuk e kreva aktin e kërkuar. Po atë ditë më thirrën në zyrë, më dhanë rrogën dhe më pushuan nga puna. Meqenëse të gjeje punë ishte e vështirë, pyesja veten se ç’do të bëhej me planet e mia për të shërbyer si pioniere. Megjithatë, të nesërmen hyra në një punë tjetër, madje me një rrogë më të mirë.

Tani, dëshira ime për të shërbyer si pioniere u realizua. Kisha disa shoqe pioniere dhe e fundit ishte Julishka Ostëlosh. Në shërbim përdornim vetëm Biblën, pasi nuk kishim fare literaturë për të ofruar. Kur gjenim njerëz të interesuar, bënim rivizita dhe u jepnim borxh literaturë.

Herë pas here, mua dhe Julishkës na duhej të ndryshonim territorin ku ishim duke predikuar. Ndodhte kështu sepse një prift, sapo mësonte se ne shkonim te ‘delet e tij’, njoftonte në kishë që nëse u shkonin në shtëpi Dëshmitarët e Jehovait, duhej t’i raportonin atij ose policisë. Kur njerëz miqësorë na lajmëronin për një njoftim të tillë, kalonim në një territor tjetër.

Një ditë, unë dhe Julishka shkuam në shtëpinë e një djaloshi që tregoi interes. Lamë një takim për rivizitë, që t’i jepnim borxh ndonjë gjë për të lexuar. Por kur u kthyem tek ai, atje ndodhej policia, që na arrestoi dhe na çoi në rajonin e policisë të Dunaveches. Djaloshi ishte përdorur si karrem për të na kapur ne. Kur mbërritëm në rajonin e policisë, pamë atje një prift dhe e kuptuam se në këtë ngjarje përfshihej edhe ai.

Sprova ime më e rëndë

Atje, në rajonin e policisë, më rruan kokën dhe m’u desh të qëndroja lakuriq përpara nja dymbëdhjetë burrave. Ata më pyetnin, duke dashur të dinin se kush ishte udhëheqësi ynë në Hungari. U shpjegova se s’kishim udhëheqës tjetër veç Jezu Krishtit. Atëherë, më rrahën pa mëshirë me shkop polici, por unë nuk i tradhtova vëllezërit e mi të krishterë.

Pas kësaj, më lidhën këmbët, m’i ngritën duart mbi kokë dhe m’i lidhën. Pastaj, njëri pas tjetrit më përdhunuan të gjithë, me përjashtim të një polici. Më kishin lidhur kaq fort, saqë tre vjet më vonë i kisha ende shenjat në kyçet e duarve. Më kishin trajtuar kaq brutalisht, saqë për dy javë më mbajtën në bodrum, derisa m’u shëruan disi dëmtimet më të rënda.

Një periudhë lehtësimi

Më vonë, më çuan në një burg në Najkonizho, ku kishte shumë Dëshmitarë të Jehovait. Ndonëse ishim të burgosur, dy vjetët që pasuan ishin relativisht të lumtur. I mbanim në fshehtësi të gjitha mbledhjet dhe funksiononim pak a shumë si një kongregacion. Kishim edhe shumë raste për dëshmi joformale. Në këtë burg ndodhi që u takova me Olga Slezinger, motër e Erzhabet Slezinger, që na kishte prezantuar të vërtetën biblike mua dhe mamasë sime.

Nga viti 1944, nazistët në Hungari kishin vendosur t’i likuidonin hebrenjtë hungarezë, siç i kishin vrarë sistematikisht në zonat e tjera të pushtuara. Një ditë erdhën për mua dhe Olgën. Na futën në një vagon gjedhësh dhe pas një udhëtimi shumë të vështirë përmes Çekosllovakisë, mbërritëm në destinacionin tonë në Poloninë jugore: kampi i vdekjes Aushvic.

Duke mbijetuar në Aushvic

Kur isha me Olgën, ndihesha e sigurt. Ajo mund të ishte me humor edhe në situata të mundimshme. Kur mbërritëm në Aushvic, u paraqitëm te doktori famëkeq Mengele, detyra e të cilit ishte të ndante më vete të sapombërriturit që nuk ishin të përshtatshëm për punë, nga ata të shëndetshmit. Të parët dërgoheshin në dhomat me gaz. Kur erdhi radha jonë, Mengele pyeti Olgën: «Sa vjeç je?»

Me guxim dhe me një vezullim çapkën në sytë e saj, u përgjigj: «20». Në fakt ishte sa dyfishi i asaj moshe. Por Mengele qeshi dhe e la të kalonte në anën e djathtë, pra e la të jetonte.

Të gjithë të burgosurve të Aushvicit u ishin vënë simbole në rrobat e tyre të burgut; hebrenjtë kishin Yllin e Davidit, ndërsa Dëshmitarët e Jehovait kishin trekëndëshin ngjyrë vjollcë. Kur deshën të qepnin në rrobat tona Yllin e Davidit, u shpjeguam se ishim Dëshmitare të Jehovait dhe donim të na qepej trekëndëshi ngjyrë vjollcë. Kjo, jo sepse na vinte turp për origjinën tonë hebreje, por tani ne ishim Dëshmitare të Jehovait. Ata u orvatën të na detyronin të pranonim emblemën hebraike, duke na goditur me shkelma e duke na rrahur. Por ne qëndruam të pathyeshme, derisa na pranuan si Dëshmitare të Jehovait.

Pas disa kohësh, u takova me motrën time Elvira, e cila ishte tre vjet më e vogël se mua. Të gjithë familjen tonë prej shtatë pjesëtarësh e kishin sjellë në Aushvic. Vetëm unë dhe Elvira ishim miratuar si të përshtatshme për punë. Babai, mamaja dhe tre fëmijët e tjerë vdiqën në dhomat me gaz. Në atë kohë, Elvira nuk ishte një Dëshmitare dhe nuk qëndronim në të njëjtën pjesë të kampit. Ajo mbijetoi, imigroi në Shtetet e Bashkuara, u bë Dëshmitare në Pitsburg të Pensilvanisë dhe vdiq atje në vitin 1973.

Duke mbijetuar në kampe të tjera

Në dimrin e vitit 1944-45 gjermanët vendosën ta evakuonin Aushvicin, sepse po afroheshin rusët. Kështu që na transferuan në Bergen-Belsen, në pjesën veriore të Gjermanisë. Sapo mbërritëm atje, mua dhe Olgën na dërguan në Braunshvaik. Këtu, nga ne pritej që të ndihmonim për pastrimin e gërmadhave pas bombardimeve intensive nga forcat aleate. Unë dhe Olga e diskutuam këtë gjë. Meqenëse nuk ishim të sigurta nëse bërja e kësaj pune do ta dhunonte apo jo asnjanësinë tonë, që të dyja vendosëm të mos merrnim pjesë në të.

Vendimi ynë bëri shumë bujë. Na rrahën me rripa lëkure dhe pastaj na çuan para një skudre pushkatimi. Na dhanë një minutë kohë për të menduar edhe një herë në lidhje me atë çështje dhe na thanë se nëse nuk do të ndryshonim mendje, do të na qëllonin. U thamë se nuk kishim fare nevojë për kohë që të mendonim, pasi e kishim ndarë mendjen. Por, meqenëse komandanti i kampit nuk ishte i pranishëm dhe ai ishte i vetmi që kishte autoritetin për të dhënë një urdhër ekzekutimi, na e shtynë ekzekutimin.

Ndërkohë, na detyruan të qëndronim në këmbë në oborrin e kampit gjatë gjithë ditës. Dy ushtarë të armatosur, që zëvendësoheshin çdo dy orë, na ruanin. Nuk na dhanë fare për të ngrënë dhe po vuanim tmerrësisht nga të ftohtit, pasi ishte shkurt. Me këtë trajtim kaloi një javë, por komandanti nuk erdhi. Kështu që na hipën prapa një kamioni dhe për habinë tonë e pamë veten përsëri në Bergen-Belsen.

Tashmë, unë dhe Olga ishim katandisur në një gjendje të tmerrshme. Kisha humbur shumicën e flokëve dhe kisha një temperaturë të lartë. Mund të punoja pak, vetëm duke bërë përpjekjen më të madhe. Supa e hollë me lakër dhe copa e vogël e bukës përditë, nuk mjaftonin. Por ishte e domosdoshme të punonim, sepse ata që nuk mundeshin, ekzekutoheshin. Motrat gjermane që punonin bashkë me mua në kuzhinë, më ndihmonin të pushoja pak. Kur ishin duke ardhur për kontroll rojet, motrat më lajmëronin, kështu që unë mund të qëndroja në këmbë në tavolinën e punës, ku dukej sikur po punoja me gjithë forcën.

Një ditë, Olga nuk kishte më fuqi të shkonte në vendin e punës dhe pas kësaj nuk e pamë më. Humba një mike dhe shoqe trime, e cila kishte qenë për mua një ndihmë e madhe, gjatë atyre muajve të vështirë nëpër kampe. Si ithtare e mirosur e Zotërisë sonë Jezu Krisht, ajo duhet ta ketë marrë menjëherë shpërblimin e saj qiellor.—Zbulesa 14:13.

Lirim dhe jetë më pas

Kur në maj të vitit 1945 mori fund lufta dhe erdhi lirimi, isha kaq e pafuqishme, sa nuk mundesha as të gëzoja që së fundi zgjedha e shtypësve ishte thyer; nuk mundesha as të shkoja me kolonat që i merrnin të liruarit dhe i çonin në vendet e gatshme për t’i pritur. Për tre muaj qëndrova në një spital, që të merrja veten. Më pas më çuan në Suedi, e cila u bë shtëpia ime e re. Menjëherë u vura në kontakt me vëllezërit e krishterë dhe me motrat e krishtere dhe me kalimin e kohës rifillova shërbimin në fushë, një thesar i vyer.

Në vitin 1949 u martova me Lenart Jusefson, i cili për vite kishte shërbyer si mbikëqyrës udhëtues i Dëshmitarëve të Jehovait. Edhe ai ishte burgosur gjatë Luftës II Botërore, si rezultat i mbajtjes së besimit të tij. E filluam jetën tonë së bashku si pionierë më 1 shtator 1949 dhe u caktuam për të shërbyer në fshatin Boras. Gjatë viteve të para atje, me personat e interesuar drejtonim rregullisht dhjetë studime biblike në javë. Patëm gëzimin që brenda nëntë vjetësh ta shihnim kongregacionin në Boras të bëhej nga një në tre, ndërsa tani atje janë pesë.

Nuk pata mundësi të qëndroja si pioniere për shumë kohë, sepse në vitin 1950 na lindi një vajzë dhe dy vjet më vonë, një djalë. Kështu, pata privilegjin e këndshëm t’u mësoja fëmijëve të vërtetën e çmuar që ai vëlla i dashur në Hungari më mësoi, kur isha 16 vjeçe, domethënë: «T’i shërbesh Jehovait është nderi më i madh që mund të ketë një njeri.»

Duke parë në vitet e shkuara të jetës sime, e kuptoj se kam përjetuar të vërtetën për të cilën shkroi dishepulli Jakov, kur na kujtoi qëndrueshmërinë e Jobit: «Jehovai është shumë i dhembshur në përzemërsi dhe i mëshirshëm.» (Jakovit 5:11, BR) Megjithëse edhe unë vuajta sprova të tmerrshme, jam bekuar në mënyrë të pasur me dy fëmijë, bashkëshortët e tyre dhe gjashtë nipër: të gjithë adhurues të Jehovait. Veç kësaj, kam shumë, shumë fëmijë dhe nipër frymorë, disa prej të cilëve shërbejnë si pionierë dhe misionarë. Tani, shpresa ime e madhe është të takoj njerëzit e dashur që po flenë në vdekje dhe t’i përqafoj, kur të ngrihen nga varret e tyre përkujtimore.—Gjoni 5:28, 29, BR.

[Figura në faqen 31]

Gjatë shërbimit në Suedi, pas Luftës II Botërore

[Figura në faqen 31]

Me burrin tim

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo