Planeti Tokë: I dënuar?
FUNDI i shekullit të 20-të po afron dhe shekulli i 21-të është në prag të agimit. Në këtë kuadër, një numër gjithnjë e më i madh njerëzish, që normalisht do t’u kushtonin pak ose aspak vëmendje profecive të dënimit, po pyesin veten nëse duket apo jo në horizont ndonjë ngjarje me domethënie tronditëse për botën.
Ndoshta ke vënë re artikuj gazetash dhe revistash në lidhje me këtë gjë, madje edhe libra të tërë për këtë subjekt. Se me cilat zhvillime do të fillojë shekulli i 21-të, na duhet të presim që të shohim. Disa njerëz vënë në dukje se ardhja e fundit të vitit 2000 s’është veçse një ndryshim prej një viti (ose një minute, nga 2000-a në 2001-shin) dhe ka të ngjarë të mos ketë ndonjë pasojë të madhe. Një merak më i madh për shumë njerëz, është e ardhmja afatgjatë e planetit tonë.
Një profeci që shfaqet më shpesh sot e kësaj dite është se në një moment, qoftë në të ardhmen e afërme ose të largët, vetë planeti Tokë është i dënuar të shkatërrohet plotësisht. Shqyrto vetëm nja dy parashikime të tilla të zymta.
Në librin e tij Fundi i botës: Shkenca dhe etika e shuarjes njerëzore, botuar për herë të parë në vitin 1996, autori dhe filozofi Xhon Lesli ofron tri mundësi se si mund të marrë fund jeta e njeriut në tokë. Së pari, ai pyet: «A do të thotë lufta nukleare e bërë me të gjitha forcat, fund për racën njerëzore?» Pastaj shton: «Një skenar që ka më shumë të ngjarë të ndodhë . . . do të ishte shuarja nëpërmjet efekteve të rrezatimit: kanceret, dobësimet e sistemit imun, kështu që sëmundjet infektive bëjnë kërdinë ose defektet e shumta të lindjeve. Mund të ketë edhe ngordhje të mikroorganizmave, të cilët janë të rëndësishëm për shëndetin e mjedisit.» Një mundësi e tretë që jep më tej Zoti Lesli është që toka mund të goditet nga një kometë ose asteroid: «Kometat dhe asteroidët, orbitat e të cilëve janë të tilla që një ditë mund ta godasin Tokën, duket se janë rreth dy mijë, me diametër një deri në dhjetë kilometra. Ka edhe një numër shumë më të vogël (ta llogaritësh do të ishte krejtësisht hamendje) kometash dhe asteroidësh edhe më të mëdha, si dhe një numër shumë më të madh të voglash.»
Një përshkrim i gjallë i «ditës së dënimit»
Ose shqyrto një shkencëtar tjetër, Pol Deivis, profesor në Universitetin e Adelaides, Australi. Nga Washington Times është përshkruar si «shkrimtari më i mirë shkencor në të dyja anët e Atlantikut». Në vitin 1994, ai shkroi librin Tri minutat e fundit, që është cilësuar si «mëma e të gjithë librave të tjerë mbi ditën e dënimit». Kapitulli i parë i këtij libri titullohet «Dita e dënimit» dhe përshkruan një skenar imagjinar të asaj që mund të ndodhte, nëse një kometë do të godiste planetin Tokë. Lexo një pjesë të përshkrimit të tij, që të ngrin gjakun:
«Planeti dridhet si nga forca e dhjetë mijë tërmeteve. Një valë goditëse e ajrit të zhvendosur fshin sipërfaqen e globit, duke sheshuar çdo strukturë dhe duke e bërë pluhur çdo gjë që i del përpara. Terreni i sheshtë përreth zonës së goditur nga kometa ngrihet si një unazë malesh të lëngshme disa kilometra të larta, duke i ekspozuar të përbrendshmet e Tokës në një krater prej 150 kilometrash të gjerë. . . . Një kolonë shumë e madhe grimcash pluhuri përhapet në atmosferë, duke e errësuar krejtësisht diellin në mbarë planetin. Tani, drita e diellit zëvendësohet nga shkëlqimi verbues katastrofik dhe vezullues i miliarda meteorëve, që përvëlojnë dheun poshtë me nxehtësinë e tyre zhuritëse, ndërsa materiali i zhvendosur kridhet nga hapërsira në atmosferë.»
Profesori Deivis vazhdon ta lidhë këtë skenar imagjinar me parashikimin që kometa Suift-Tatëll do të godiste tokën. Ai shton paralajmërimin se ndonëse një ndodhi e tillë ka të ngjarë të mos ndodhë në të ardhmen e afërt, sipas mendimit të tij «herët a vonë Suift-Tatëll ose një objekt si ai, do ta godasë Tokën». Përfundimi i tij bazohet në përllogaritje që sugjerojnë se 10.000 objekte me një diametër 0,5 kilometra ose më shumë, lëvizin në orbita që priten me atë të Tokës.
A e beson se një perspektivë e tillë e frikshme është e vërtetë? Një numër i habitshëm njerëzish e besojnë. Por nuk e çajnë kokën për të, duke e siguruar veten se kjo nuk do të ndodhë sa të jenë gjallë ata. Po pse vallë, duhet të shkatërrohet planeti Tokë, qoftë së shpejti ose qoftë mijëra vjet më vonë? Sigurisht, nuk është vetë toka burimi kryesor i halleve të banorëve të saj, njerëz ose kafshë qofshin ata. Përkundrazi, a nuk është vetë njeriu përgjegjës për shumicën e problemeve të këtij shekulli të 20-të, përfshirë edhe mundësinë e ‘shkatërrimit të plotë të dheut’?—Zbulesa 11:18.
Keqpërdorimi prej njeriut i kthyer mbrapsht
Ç’të themi për mundësinë, e cila ka më shumë të ngjarë, që vetë njeriu mund ta shkatërrojë ose ta prishë krejtësisht tokën me anë të keqpërdorimit ose lakmisë së vet? S’ka dyshim që tashmë ka ndodhur një shkatërrim i madh i pjesëve të tokës me anë të shpyllëzimit të tepërt, ndotjes së pakontrolluar të atmosferës dhe prishjes së ujërave të lundrueshme. Kjo gjë u përmblodh mirë rreth 25 vjet më parë nga autorët Barbara Uard dhe Rëné Dybo në librin e tyre Vetëm një tokë, ku thuhet: «Tri fushat e mëdha të ndotjes që duhet të shqyrtojmë, ajri, uji dhe dheu, përbëjnë, sigurisht, tri elementet përbërëse kryesore të jetës sonë planetare.» Që atëherë, në thelb situata nuk ka ndryshuar për mirë, apo jo?
Kur marrim në shqyrtim mundësinë e rrënimit apo të shkatërrimit të tokës nga njeriu me marrëzinë e tij, mund të marrim zemër duke marrë në konsideratë aftësinë e mrekullueshme ripërtëritëse dhe rigjeneruese të planetit Tokë. Duke përshkruar këtë aftësi shërimi të habitshëm, Rëné Dybo bën këto vërejtje inkurajuese në një libër tjetër, Elasticiteti përtëritës i ekosistemeve:
«Shumë persona kanë frikë se vetëdija mbi degradimin e ambientit ka lindur tepër vonë, sepse një pjesë e madhe e dëmit që u është bërë tashmë ekosistemeve, është e pakthyeshme. Për mendimin tim, ky pesimizëm është i pajustifikuar, sepse ekosistemet kanë aftësi të stërmëdha për t’u shëruar prej përvojave traumatike.
Ekosistemet zotërojnë disa mekanizma për vetëshërim. . . . Ato u bëjnë të mundur ekosistemeve të kapërcejnë efektin e çrregullimeve, thjesht duke rivendosur në mënyrë progresive gjendjen fillestare të ekuilibrit ekologjik.»
Mund të bëhet
Një shembull i spikatur i kësaj në vitet e fundit, është pastrimi gradual i lumit me famë të Londrës, Tamiz. Libri Tamizi i transformuar, nga Xhefri Herrison dhe Piter Grent, dokumenton këtë arritje të rrallë, e cila demonstron se çfarë mund të bëhet kur njerëzit punojnë së bashku për të mirën e përbashkët. Duka i Edinburgut të Britanisë, në parathënien e tij për këtë libër shkroi: «Më në fund, ja tek kemi një tregim mbi suksesin në një shkallë kaq të madhe, saqë ia vlen ta botosh, ndonëse ka rrezik që t’i inkurajojë disa njerëz të pretendojnë se problemet e ruajtjes së ambientit, në të vërtetë nuk janë aq të vështira sa i kishin bërë të besonin. . . . Të gjithë ata mund të marrin zemër nga ajo që u arrit në Tamiz. Lajmi i mirë është se shërimi i ekosistemeve mund të bëhet e se edhe projektet e tyre mund të kenë sukses.»
Në kapitullin «Pastrimi i madh», Herrison dhe Grent shkruajnë me entuziazëm për atë që është arritur gjatë 50 vjetëve të fundit: «Për herë të parë në botë, një lumë i ndotur dhe i industrializuar rëndë është përtërirë në një shkallë të tillë, që shpendët ujorë dhe peshqit janë përsëri me bollëk. Fakti që një transformim i tillë ka ndodhur kaq shpejt, në një situatë që fillimisht dukej krejt e pashpresë, inkurajon edhe ruajtësin më pesimist të florës dhe faunës.»
Pastaj, përshkruajnë transformimin: «Gjatë viteve, gjendja e lumit u keqësua në mënyrë të pandërprerë nga ajo që ishte ndoshta goditja përfundimtare, e cila ndodhi gjatë Luftës II Botërore, kur puseta dhe kanale të mëdha të ujërave të zeza u dëmtuan ose u shkatërruan. Gjatë viteve 40 dhe 50, shëndeti i Tamizit ishte në pikën e tij më të ulët. Lumi ishte pak më mirë se një pusetë e hapur; uji ishte me ngjyrë të zezë, nuk përmbante oksigjen dhe gjatë muajve të verës era e qelbur nga Tamizi ndihej në një zonë të gjerë. . . . Peshqit që dikur gëlonin ishin shfarosur përfundimisht, përveç disa ngjalave që kishin mundur të mbijetonin për shkak të aftësisë së tyre për ta thithur ajrin drejtpërdrejt nga sipërfaqja. Zogjtë në rrjedhën e brendshme me ndërtime anash, ndërmjet Londrës dhe Uluiçit, ishin reduktuar në një dorë rosakësh të egër dhe mjellmash, të cilët ia detyronin ekzistencën atyre që kishin rënë nga skela e drithrave, në vend se një burimi natyror ushqimi. . . . E pra, kush do ta kishte besuar kthimin dramatik që do të ndodhte së shpejti? Brenda dhjetë vjetësh, po ato rrjedha të lumit do të transformoheshin nga një zbrazëti e vërtetë zogjsh në një strehë për shumë specie të zogjve ujorë, përfshirë edhe një popullatë dimërore me deri 10.000 shpendë të egër dhe 12.000 gjelëza.»
Sigurisht, kjo nuk përshkruan veçse një transformim të vetëm në një cep të vogël të globit. Megjithatë, nga ky shembull mund të nxjerrim mësime. Ai tregon se planeti Tokë nuk duhet konsideruar i dënuar, nga shkaku i keqpërdorimit, lakmisë dhe shkujdesjes së njeriut. Arsimimi i duhur dhe përpjekjet e bashkuara për të mirën e përbashkët të njerëzimit, mund ta ndihmojnë tokën që të kthejë mbrapsht madje edhe dëmtimin e përhapur të ekologjisë, mjedisit dhe sipërfaqes së dheut të saj. Po ç’të themi për një shkatërrim të mundshëm nga forcat e jashtme, të tilla si një kometë ose asteroid që endet?
Artikulli vijues përmban çelësin e një përgjigjeje të kënaqshme për një pyetje të tillë pështjelluese.
[Diçitura në faqen 5]
Arsimimi dhe përpjekjet e bashkuara mund ta ndihmojnë tokën të kthejë mbrapsht edhe dëmtimin e përhapur të saj