A është e pashmangshme padrejtësia?
«Pavarësisht nga të gjitha, unë ende besoj se njerëzit janë në të vërtetë të mirë në zemër. Unë thjesht nuk mund t’i ndërtoj shpresat e mia mbi një themel që konsiston në rrëmujë, mjerim dhe vdekje.»—Ana Franku.
ANA FRANKU, një vajzë hebreje 15-vjeçare, i shkroi këto fjalë therrëse në ditarin e saj jo shumë kohë para se të vdiste. Për më shumë se dy vjet, familja e saj kishte qëndruar e fshehur në një papafingo në Amsterdam. Shpresat e saj për një botë më të mirë u shuan, kur një spiun ua tregoi vendndodhjen e tyre nazistëve. Vitin që pasoi, pra në vitin 1945, Ana vdiq nga tifoja në kampin e përqendrimit Bergen-Belsen. Gjashtë milionë hebrenj të tjerë patën të njëjtin fund.
Strategjia djallëzore e Hitlerit për të shfarosur një popull të tërë mund të jetë rasti më i keq i padrejtësisë raciale që ka parë shekulli ynë, por nuk është i vetmi. Në vitin 1994, mbi gjysmë milion tutsi u masakruan në Ruandë, vetëm sepse i përkitnin fisit «të gabuar». Edhe gjatë Luftës I Botërore, rreth një milion armenë vdiqën gjatë një spastrimi etnik.
Aspektet mizore të padrejtësisë
Gjenocidi nuk është aspekti i vetëm i padrejtësisë. Padrejtësia shoqërore e dënon rreth një të pestën e shoqërisë njerëzore me një jetë varfërie që të bren pak e nga pak. Më keq akoma, grupi për të drejtat njerëzore Antiskllavëri Ndërkombëtare, përllogarit se mbi 200.000.000 njerëz janë në skllavëri. Ka mundësi që sot në botë të ketë më shumë skllevër sesa në çdo periudhë tjetër të historisë. Ndoshta nuk janë shitur në ankand, por kushtet e tyre të punës janë shpesh më të këqija sesa ato të shumicës së skllevërve në të kaluarën.
Padrejtësia ligjore u rrëmben miliona vetave të drejtat e tyre themelore. «Mizori me të drejtat njerëzore kryhen pothuajse çdo ditë diku në botë,—pohon Amnesty International në raportin e saj të vitit 1996.—Më të prekshmit prej saj janë të varfërit dhe të pafavorizuarit, sidomos gratë, fëmijët, të moshuarit dhe refugjatët.» Raporti vërente: «Në disa vende, strukturat e kombit shtet praktikisht janë shkatërruar, duke mos lënë asnjë autoritet ligjor që ta mbrojë të dobëtin nga i forti.»
Gjatë vitit 1996 u ndaluan dhe u torturuan dhjetëra mijë veta. Gjithashtu, vitet e fundit, qindra mijë njerëz janë zhdukur fare, me sa duket të rrëmbyer nga forcat e sigurimit ose nga grupet terroriste. Shumë prej tyre mendohen të vdekur.
Në mënyrë të pashmangshme, luftërat janë sigurisht të padrejta, por ato po bëhen edhe më shumë të tilla. Luftërat moderne kanë në shënjestër popullata civile, përfshirë gratë dhe fëmijët. Dhe kjo nuk ndodh vetëm për shkak të bombardimit pa dallim të qyteteve. Rutina e përdhunimit të grave dhe vajzave është pjesë e operacioneve ushtarake dhe shumë grupe kryengritëse i grabitin me forcë fëmijët, që t’i stërvitin për t’u bërë vrasës. Duke komentuar mbi prirje të tilla, raporti i Kombeve të Bashkuara, «Ndikimi i konflikteve të armatosura te fëmijët», pohon: «Një pjesë gjithnjë e më e madhe e botës po zhytet në një vakum të shkretë moral.»
Nuk ka dyshim që ky vakum moral ka çuar në një botë të ngopur me padrejtësi: qofshin ato raciale, shoqërore, ligjore ose ushtarake. Sigurisht, kjo s’është gjë e re. Mbi dymijë e pesëqind vjet më parë, një profet hebre u ankua: «Ligji është i dobët dhe i padobishëm dhe drejtësi nuk bëhet kurrë. Njerëzit e ligj nxjerrin më të mirën prej të drejtëve dhe kështu drejtësia është e shtrembëruar.» (Habakuku 1:4, Today’s English Version) Megjithëse padrejtësia ka qenë gjithmonë e pafrenueshme, shekulli i 20-të duhet radhitur si epoka kur niveli i padrejtësisë arriti maja të reja.
A ka rëndësi padrejtësia?
Ka rëndësi kur ti personalisht vuan si rezultat i padrejtësisë. Ka rëndësi sepse i rrëmben pjesës më të madhe të racës njerëzore të drejtën për të qenë të lumtur. Ka rëndësi edhe sepse shpesh padrejtësia ndez konflikte të përgjakshme, të cilat, nga ana e tyre, i mbajnë të ndezura flakët e padrejtësisë.
Paqja dhe lumturia janë të lidhura pazgjidhshmërisht me drejtësinë, por padrejtësia copëton shpresën dhe shtyp optimizmin. Siç zbuloi tragjikisht Ana Franku, njerëzit nuk mund t’i ndërtojnë shpresat e tyre mbi një themel që konsiston në rrëmujë, mjerim dhe vdekje. Ashtu si ajo, të gjithë ne dëshirojmë fort diçka më të mirë.
Kjo dëshirë i ka bërë njerëzit e sinqertë të përpiqen për t’i sjellë njëfarë drejtësie shoqërisë njerëzore. Për këtë qëllim, Deklarata Universale e të Drejtave Njerëzore, e adoptuar në vitin 1948 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, pohon: «Të gjitha qeniet njerëzore kanë lindur të lira e të barabarta në dinjitet dhe të drejta. Ato janë të pajisura me arsyen, ndërgjegjen dhe duhet të veprojnë ndaj njëra-tjetrës me një frymë vëllazërie.»
Këto janë sigurisht fjalë fisnike, por njerëzimi është ende shumë larg realizimit të synimit që ka për zemër: një shoqëri e drejtë, ku çdokush gëzon të drejta të barabarta dhe ku secili e trajton tjetrin si vëllain e tij. Realizimi i këtij objektivi, siç vë në dukje parathënia e Deklaratës së OKB-së, do të shërbente si «themeli i lirisë, drejtësisë dhe paqes në botë».
A është padrejtësia kaq e rrënjosur në strukturën e shoqërisë njerëzore, saqë nuk do të çrrënjoset kurrë? Apo, në një mënyrë a në një tjetër, do të hidhet një themel i fortë për lirinë, drejtësinë dhe paqen? Nëse po, kush mund ta hedhë atë dhe të japë sigurinë se do të nxjerrin dobi të gjithë?
[Burimi i figurës në faqen 3]
UPI/Corbis-Bettmann