BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w98 1/10 f. 24-27
  • Gjeta diçka më të mirë se ari

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Gjeta diçka më të mirë se ari
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Hutimi në Amerikë
  • I bashkuar me motrën
  • Një familje dhe një funeral
  • Mësimi i së vërtetës
  • Gjetja e vendlindjes
  • Vënia e së vërtetës në vend të parë
  • E kemi kujtuar Krijuesin tonë që nga rinia
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2000
  • Të rritja tetë fëmijë në rrugët e Jehovait ishte sfidë, por edhe gëzim
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2006
  • Si t’ia kthej Jehovait gjithë të mirat?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2009
  • Duke i mbajtur sytë dhe zemrën të fiksuar tek çmimi
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1996
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
w98 1/10 f. 24-27

Gjeta diçka më të mirë se ari

TREGUAR NGA ÇARLZ MILTËN

Një ditë babai tha: «Përse të mos e dërgojmë Çarlin në Amerikë ku paratë gjenden sheshit? Ai mund të fitojë dhe të na dërgojë edhe neve ca!»

NË FAKT, njerëzit mendonin se rrugët në Amerikë ishin të shtruara me ar. Në ato ditë, në Evropën Lindore, jeta për ta ishte jashtëzakonisht e vështirë. Prindërit e mi kishin një fermë të vogël dhe rritnin disa lopë e ca pula. Nuk kishim elektricitet dhe sistem hidraulik në shtëpi. Por, në atë kohë, as ndonjë tjetër aty afër nuk kishte.

Linda në Hosoçek më 1 janar 1893, rreth 106 vjet më parë. Fshati ynë ishte në Galicia, provincë, që në atë kohë ishte pjesë e perandorisë austro-hungareze. Tani, Hosoçek gjendet në Poloninë lindore, jo larg nga Sllovakia dhe Ukraina. Dimrat atje ishin të ashpër dhe binte dëborë e dendur. Kur isha rreth shtatë vjeç, më duhej të ecja rreth një gjysmë kilometri për te përroi dhe me një sëpatë bëja një gropë në akull për të marrë ujë. E çoja ujin në shtëpi dhe nëna e përdorte për të gatuar dhe për të pastruar. Rrobat i lante te përroi, duke i përdorur copat më të mëdha të akullit si një rrasë për të fërkuar.

Në Hosoçek nuk kishte shkolla, por unë mësova të flas polonisht, rusisht, sllovakisht dhe gjuhën ukrainase. Ne u rritëm si ortodoksë grekë dhe kur isha fëmijë unë shërbeja si ndihmës në kremtimin e shërbimit liturgjik. Por, edhe pse në një moshë të re, u zemërova me priftërinjtë që thoshin se nuk duhet të hamë mish të premten, por që vetë hanin.

Disa nga shokët tanë ishin kthyer nga Shtetet e Bashkuara me para, për të ripërtërirë shtëpitë e tyre dhe për të blerë pajisje për fermën. Kjo gjë e nxiti babain që të bisedonte lidhur me dërgimin tim në Amerikë, me disa fqinjë që po planifikonin një tjetër udhëtim për atje. Kjo ndodhi në vitin 1907, kur unë isha 14 vjeç.

Hutimi në Amerikë

Shpejt isha në një anije dhe për dy javë kaluam Atlantikun. Në atë kohë duhej të kishe me vete 20$, ndryshe të kthenin në vendin tënd. Unë kisha një copë ari 20-dollarëshe dhe kështu u bëra një prej milionave që kaluan përmes Ishullit Elës, Nju Jork, hyrja për në Amerikë. Sigurisht, paratë nuk gjendeshin sheshit dhe rrugët nuk ishin të shtruara me ar. Në fakt, shumë prej tyre as nuk ishin të shtruara! Ne hipëm në trenin për në Xhonstaun, Pensilvani. Burrat që ishin me mua kishin qenë këtu më përpara dhe dinin një pension ku mund të qëndroja. Qëllimi im ishte që të gjeja motrën time më të madhe që jetonte në Xherom, Pensilvani, për të cilin mësova më vonë se ishte vetëm 25 km larg. Por unë i thoja Jarom, sepse «xh» në gjuhën time kombëtare shqiptohet si «j». Askush nuk kishte dëgjuar për Jarom, kështu, ndodhesha në një vend të huaj, duke folur me vështirësi pak anglisht dhe jo me shumë para.

Çdo mëngjes e kaloja duke kërkuar punë. Në zyrën e punës vetëm dy ose tre vetë nga moria e madhe e atyre që pritnin jashtë në radhë, do të pajtoheshin në punë. Kështu, çdo ditë kthehesha në pension për të studiuar anglishten në mënyrë autodidakte. Disa herë gjeja punë të rastit, por muajt kalonin dhe paratë pothuaj më kishin mbaruar.

I bashkuar me motrën

Një ditë kalova pranë një hoteli që kishte një bufe afër stacionit të trenit. Ushqimi me të vërtetë vinte erë të mirë! Senduiçët, suxhukët dhe artikujt e tjerë në bufe ishin të lirë nëse dikush blinte birrë, e cila kushtonte pesë cent për një krikëll të madhe. Megjithëse isha nën moshë, bufetjerit i erdhi keq për mua dhe ma shiti birrën.

Ndërsa po haja, disa burra erdhën duke thënë: «Pije shpejt! Po vjen treni për në Xheromë.»

«Do të thuash Jaromë?»—e pyeta.

«Jo, Xheromë»,—tha burri. Vetëm atëherë e mësova se ku jetonte ime motër. Në fakt, në bufe, takova një burrë që jetonte vetëm tri dyer më poshtë saj! Kështu bleva një biletë treni dhe së fundi gjeta motrën time.

Motra dhe burri i saj drejtonin një pension për minatorët e qymyrit dhe unë jetoja me ta. Ata më gjetën një punë, që të ruaja një pompë që nxirrte ujin jashtë minierës. Ndonjëherë ajo ndalonte së punuari dhe unë duhej të thërrisja një mekanik. Paga ishte 15 cent në ditë. Pastaj, punova në hekurudhë, në një vend ku bëheshin tulla dhe madje edhe si përfaqësues i një shoqërie sigurimi. Më vonë u transferova në Pitsburg, ku jetonte vëllai im Stiv. Atje punonim në uzinat e çelikut. Kurrë nuk fitova aq para sa për të dërguar ndonjë sasi në shtëpi.

Një familje dhe një funeral

Ndërsa një ditë po shkoja në punë, vura re një shërbëtore të re që qëndronte përballë shtëpisë në të cilën punonte. Mendova me vete, ‘Oh, është me të vërtetë e bukur’. Tre javë më vonë, në vitin 1917, unë dhe Helena u martuam. Gjatë dhjetë vjetëve që pasuan, patëm gjashtë fëmijë, njëri prej të cilëve vdiq kur ishte ende foshnjë.

Në vitin 1918, hekurudha e Pitsburgut më caktoi si shofer tramvaji. Pranë parkut të tramvajit ishte një kafene ku mund të merrje ndonjë filxhan kafeje. Brenda, dy burra grekë, që ishin pronarët e lokalit dukej se nuk merakoseshin nëse porositje diçka, derisa të mund të të predikonin nga Bibla. Unë u thoja: «Mos doni të më thoni se e gjithë bota është e padrejtë dhe se vetëm ju të dy jeni të drejtë?»

«Ja, gjeje në Bibël!»—më thoshin. Por në atë kohë, nuk arrinin të më bindnin.

Mjerisht, në vitin 1928, Helena ime e dashur u sëmur. Fëmijët, që të ishin nën një kujdes më të mirë, i dërgova që të jetonin me motrën time dhe burrin e saj. Në atë kohë ata kishin blerë një fermë. Fëmijët i vizitoja shpesh dhe çdo muaj sillja para për të paguar ushqimin e tyre. Gjithashtu, u dërgoja edhe rroba. Mjerisht, gjendja e Helenës u keqësua dhe më 27 gusht 1930, ajo vdiq.

Ndihesha i vetëm dhe përtokë. Kur shkova te prifti për të bërë rregullimet e funeralit, ai tha: «Ti nuk i takon më kësaj kishe. Nuk i ke paguar kuotizacionet për më shumë se një vit.» I shpjegova se gruaja ime kishte qenë e sëmurë për një kohë të gjatë dhe se u kisha dhënë ndonjë para më tepër fëmijëve që të mund të kontribuonin në kishën në Xherom. Por, përpara se prifti të pranonte të merrej me funeralin, më duhej të merrja 50 dollarë borxh për të paguar paratë që i detyrohesha kishës. Gjithashtu, prifti donte edhe 15 dollarë të tjerë për të thënë meshën në shtëpinë e motrës më të madhe të Helenës, ku miqtë dhe familja kishin planifikuar të mblidheshin për t’i dhënë Helenës nderimet e fundit. Unë nuk arrita t’i gjeja 15 dollarët, por prifti pranoi ta mbante meshën nëse ia jepja paratë kur të merrja rrogën.

Kur erdhi dita e rrogës, më duhej t’i përdorja paratë për t’u blerë fëmijëve këpucë dhe rroba për në shkollë. Atëherë, rreth dy javë më vonë, prifti hipi në tramvajin tim. «Më detyrohesh 15 dollarë akoma»,—tha ai. Pastaj, kur zbriti në stacionin e tij, kërcënoi, «Po shkoj te përgjegjësi yt që t’i mbajë paratë nga rroga jote.»

Në fund të ditës së punës, shkova te përgjegjësi dhe i thashë se ç’kishte ndodhur. Edhe pse ishte një katolik, ai tha: «Nëse prifti vjen këtu, do t’ia tregoj mirë vendin!» Kjo gjë më bëri të mendoja se ‘priftërinjtë duan vetëm paratë tona, por kurrë nuk na mësojnë ndonjë gjë rreth Biblës’.

Mësimi i së vërtetës

Kur shkova një herë tjetër në kafenenë e dy burrave grekë, diskutuam përvojën që pata me priftin. Si rezultat, fillova të studioja me Studentët e Biblës, siç quheshin në atë kohë Dëshmitarët e Jehovait. Rrija gjithë natën duke lexuar Biblën dhe literaturën biblike. Mësova se Helena nuk ishte duke vuajtur në purgator, siç kishte thënë prifti, por po flinte në vdekje. (Jobi 14:13, 14; Gjoni 11:11-14) Në të vërtetë kisha gjetur diçka shumë më të mirë se ari, të vërtetën!

Dy javë më vonë, në mbledhjen time të parë me Studentët e Biblës, në parkun e Teatrit të Pitsburgut, ngrita dorën dhe thashë: «Sonte kam mësuar rreth Biblës më shumë se në të gjitha vitet e mia në kishë.» Më vonë, kur pyetën se kush donte të merrte pjesë të nesërmen në veprën e predikimit, dora ime u ngrit përsëri.

Kështu, më 4 tetor 1931, simbolizova dedikimin tim ndaj Jehovait duke u pagëzuar. Ndërkohë, arrita të merrja një shtëpi me qira dhe t’i sillja përsëri fëmijët që të jetonin me mua, duke pajtuar një grua shërbimi që të kujdesej për ta. Me gjithë përgjegjësitë e mia familjare, nga janari i vitit 1932 deri në qershor të vitit 1933, mora pjesë në një lloj shërbimi special, i quajtur ndihmës, në të cilin harxhoja 50 deri 60 orë çdo muaj, duke u folur të tjerëve rreth Biblës.

Në këtë periudhë, fillova të vija re një grua të këndshme që dukej se gjithmonë hipte në tramvajin tim për të shkuar dhe për t’u kthyer nga puna. Në pasqyrën që kisha për të parë prapa, sytë tanë u ndeshën. Në këtë mënyrë u takuam unë dhe Meri. Filluam të shoqëroheshim dhe në gusht të vitit 1936 u martuam.

Rreth vitit 1949, vjetërsia ime në punë, më dha mundësi që të zgjidhja një program pune që më lejonte të shërbeja si pionier, siç quhen shërbëtorët në kohë të plotë. Vajza ime më e vogël, Xhen kishte filluar si pioniere në vitin 1945 dhe shërbenim si pionierë së bashku. Më vonë, Xhen takoi Sam Frend që shërbente në Bethel, Qendrën Botërore të Dëshmitarëve të Jehovait në Bruklin, Nju Jork.a Ata u martuan në vitin 1952. Unë vazhdova të shërbeja si pionier në Pitsburg dhe drejtoja shumë studime biblike, në një periudhë edhe me 14 familje të ndryshme çdo javë. Në vitin 1958, dola në pension. Pas kësaj, shërbimi si pionier ishte i lehtë, pasi nuk më duhej më që të punoja tetë orë në ditë.

Në vitin 1983, Meri u sëmur. U përpoqa të kujdesem për të, ashtu si ajo ishte kujdesur kaq mirë për mua për gati 50 vjet. Së fundi, më 14 shtator 1986, vdiq.

Gjetja e vendlindjes

Në vitin 1989, Xhen dhe Sam më morën me vete në kongresin në Poloni. Vizituam edhe zonën ku isha rritur. Kur rusët e pushtuan këtë pjesë të botës, i ndryshuan emrat e qyteteve dhe i çuan njerëzit në vende të tjera. Njërin prej vëllezërve të mi e çuan në Stamboll, ndërsa një motër në Rusi. Kështu, emri i fshatit tim ishte i panjohur për ata që pyetnim.

Sidoqoftë, disa male të largët dukeshin të njohur për mua. Ndërsa afroheshim, të tjera pika referimi m’u bënë të njohura; një kodër, një degëzim në rrugë, një kishë, një urë mbi lum. Papritur, për habinë tonë pamë një tabelë që thoshte, «Hosoçek»! Kohët e fundit, ndikimi i komunistëve kishte rënë dhe emrat fillestarë të fshatrave ishin rivendosur.

Shtëpia jonë nuk ekzistonte më, por gjendej furra që përdorej për të gatuar jashtë, pjesërisht e varrosur në tokë. Pastaj, tregova me dorë nga një pemë e madhe dhe thashë: «Shikojeni këtë pemë. E mbolla përpara se të shkoja në Amerikë. Shikoni sa e madhe që është bërë!» Më pas vizituam varrezat, duke kërkuar emrat e anëtarëve të familjes, por më kot.

Vënia e së vërtetës në vend të parë

Kur burri i Xhenit vdiq në vitin 1993, ajo më pyeti nëse doja që ta linte Bethelin e të kujdesej për mua. I thashë se do të ishte nga gjërat më të gabuara që mund të bënte dhe kam akoma të njëjtat ndjenja. Deri në moshën 102 vjeç, jetova vetëm, por pastaj u bë e nevojshme që të më transferonin në një azil pleqsh. Unë jam akoma një plak në kongregacionin Bellevue në Pitsburg dhe vëllezërit vijnë e më çojnë në mbledhje në Sallën e Mbretërisë të dielave. Megjithëse aktiviteti im i predikimit tani është pothuaj i kufizuar, unë qëndroj në listën e pionierëve që kanë një kërkesë të zvogëluar orësh për shkak të moshës.

Gjatë viteve, gëzova shkollat e veçanta për stërvitjen e mbikëqyrësve, të organizuara nga Shoqata Watch Tower. Dhjetorin e kaluar, ndoqa disa sesione të Shkollës së Shërbimit të Mbretërisë, për pleqtë e kongregacionit. Dhe në 11 prillin që kaloi, Xhen më mori në përkujtimin e vdekjes së Krishtit, një kremtim që e kam çmuar duke marrë pjesë çdo vit, që nga viti 1931.

Disa nga ata me të cilët kam studiuar Biblën, tani shërbejnë si pleq, të tjerë janë misionarë në Amerikën e Jugut dhe disa janë gjyshër, duke i shërbyer Perëndisë me fëmijët e tyre. Tre nga fëmijët e mi, Mari Xhan, Xhon dhe Xhen, si edhe shumë prej fëmijëve dhe nipërve të tyre, po i shërbejnë me besnikëri Perëndisë Jehova. Lutja ime është që një ditë, vajza tjetër që kam dhe pjesa tjetër e nipërve dhe e stërnipëve të mi, të mund të bëjnë po ashtu.

Tani, në moshën 105-vjeçare, akoma i inkurajoj të gjithë, që të studiojnë Biblën dhe të flasin me të tjerët mbi atë që kanë mësuar. Po, unë jam i bindur se po të qëndrosh afër Jehovait, nuk do të zhgënjehesh kurrë. Atëherë edhe ti vetë mund të gëzosh diçka më të mirë se ari që prishet, të vërtetën që na lejon të kemi një marrëdhënie të çmuar me Dhuruesin e Jetës sonë, Perëndinë Jehova.

[Shënimi]

a Historia e jetës së Sam Frend, gjendet në Kullën e Rojës të 1 gushtit 1986, faqet 22-26.

[Figura në faqen 25]

Kur ngisja tramvajin

[Figura në faqen 26]

Azili i pleqve ku jetoj tani

[Figura në faqen 27]

Tabela rrugore që gjetëm në vitin 1989

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo