Nga adhurimi i perandorit tek adhurimi i vërtetë
TREGUAR NGA ISAMU SUGIURA
Edhe pse në vitin 1945 ishte e qartë se Japonia po e humbte Luftën II Botërore, ne ishim të sigurt se kamikaze («era e shenjtë») do të frynte dhe do ta mundte armikun. Kamikaze u referohet stuhive në vitin 1274 dhe 1281 që shkatërruan dy herë pjesën më të madhe të flotave luftarake pushtuese mongole nga brigjet e Japonisë, duke i detyruar të tërhiqen.
PRANDAJ, kur Perandori Hirohito më 15 gusht 1945, i njoftoi kombit se Japonia i ishte dorëzuar Forcave Aleate, shpresat e njëqind milionë njerëzve që i ishin kushtuar atij u shkatërruan. Në atë kohë unë isha një djalosh shkolle dhe shpresat e mia u shkatërruan, gjithashtu. ‘Nëse perandori nuk është Perëndia i gjallë, atëherë kush është?—pyeta veten.—Kujt duhet t’i besoj?’
Por, faktikisht disfata e Japonisë në Luftën II Botërore më hapi rrugën mua dhe mijëra japonezëve të tjerë për të mësuar rreth Perëndisë së vërtetë, Jehovait. Para se të tregoj ndryshimet që m’u desh të bëja, më lejoni t’ju njoh me edukimin tim fetar.
Ndikimet e hershme fetare
Linda në qytetin e Nagojës më 16 qershor 1932, më i vogli nga katër djemtë. Babai punonte si gjeometër për qytetin. Mamaja ishte një besimtare e devotshme në tenrikjo, një sekt shintoist dhe vëllai im më i madh kishte marrë stërvitje fetare për t’u bërë mësues i tenrikjos. Unë dhe mamaja ishim veçanërisht të lidhur ngushtë dhe ajo më merrte me vete në vendin e mbledhjes për adhurim.
Më mësuan të ulja kokën dhe të lutesha. Feja tenrikjo mësonte besimin në një krijues të quajtur Tenri O no Mikoto, si edhe në dhjetë perëndi të tjera më të vogla. Pjesëtarët e saj praktikonin shërimin me anë të besimit dhe theksonin shërbimin ndaj të tjerëve dhe përhapjen e bindjeve të tyre.
Kur isha i vogël, isha shumë kureshtar. Mrekullohesha kur shihja hënën dhe yjet e panumërt në qiellin e natës dhe pyesja veten se sa hapësirë kishte përtej qiellit. Më dukej e mahnitshme të shihja rritjen e patëllxhanëve dhe të trangujve që kisha mbjellë në një copë të vogël toke në oborrin e pasëm. Vëzhgimi i natyrës e forcoi besimin tim te Perëndia.
Vitet e luftës
Vitet e shkollës fillore, nga viti 1939 deri në vitin 1945, përkuan me periudhën e Luftës II Botërore. Adhurimi i perandorit, një pjesë e rëndësishme e shintoizmit, theksohej në arsimimin shkollor. Na mësuan në shushin, që përfshinte stërvitjen morale me ngjyrime nacionaliste dhe ushtarake. Ceremonitë e ngritjes së flamurit, këndimi i himnit kombëtar, studimi i dekreteve të arsimimit perandorak dhe bërja e homazheve para fotografisë së perandorit ishin që të gjitha pjesë e rutinës sonë shkollore.
Shkonim edhe në altarin lokal të shintoizmit për t’iu lutur Perëndisë për fitoren e ushtrisë perandorake. Dy nga vëllezërit e mi mishorë po shërbenin në ushtri. Për shkak të mësimit tim nacionalist-fetar, kënaqesha kur dëgjoja për suksesin e ushtrisë japoneze.
Nagoja ishte një qendër për industrinë japoneze të ndërtimit të avionëve, kështu që ishte shënjestra kryesore për sulmet masive të Forcave Ajrore të SHBA-së. Gjatë ditës, bombardues B-29 Superfortress fluturonin mbi qytet në formacione në një lartësi rreth 9.000 metra dhe hidhnin qindra tonelata bomba mbi zonat industriale. Natën prozhektorët diktonin bombardues në një lartësi prej vetëm 1.300 metrash. Bombardimet e përsëritura nga ajri e bombat zjarrvënëse të hedhura mbi zonat e banuara shkaktuan zjarre që nuk shuheshin. Vetëm në Nagoja u bënë 54 bombardime nga ajri, gjatë nëntë muajve të fundit të luftës, duke sjellë si pasojë shumë vuajtje dhe më shumë se 7.700 vdekje.
Në këtë kohë, kishte filluar bombardimi nga anijet e luftës kundër dhjetë qyteteve bregdetare dhe njerëzit po flitnin për një zbarkim të mundshëm të forcave të Shteteve të Bashkuara afër Tokios. Gratë dhe djemtë e rinj i stërvitnin për të luftuar me shkopinj bambuje për të mbrojtur vendin. Slogani ynë ishte: “Ichioku Sougyokusai,” që do të thotë «Më mirë vdekjen e 100 milionë njerëzve sesa dorëzimin».
Më 7 gusht 1945, një titull gazete thoshte: «Një lloj i ri bombe hidhet mbi Hiroshimën.» Dy ditë më vonë, një tjetër u hodh mbi Nagasaki. Këto ishin bomba atomike dhe më vonë na thanë se bashkërisht kishin marrë mbi 300.000 jetë. Pastaj, më 15 gusht, në përfundim të një marshimi stërvitës me armë druri, dëgjuam fjalimin e perandorit në të cilin ai njoftoi dorëzimin e Japonisë. Kishim qenë të bindur se do të fitonim, por tani kishim mbetur të shkretuar!
Lind një shpresë e re
Me fillimin e pushtimit nga trupat amerikane, gradualisht e pranuam faktin se Shtetet e Bashkuara e kishin fituar luftën. Në Japoni u fut demokracia, si edhe një kushtetutë e re që garantonte lirinë e adhurimit. Kushtet e jetesës ishin të ashpra, ushqimi ishte i pakët dhe në vitin 1946 babai im vdiq nga të ushqyerit e keq.
Ndërkohë, në shkollën që po ndiqja filloi të mësohej gjuha angleze dhe stacioni radiofonik NHK filloi një program bisedash në anglisht. Për pesë vjet e dëgjoja çdo ditë këtë program të përhapur, me një tekst mësimor në dorë. Kjo më bëri të ëndërroja për të shkuar një ditë në Shtetet e Bashkuara. Për shkak të zhgënjimit me fetë shintoiste dhe budiste, fillova të mendoja se ndoshta e vërteta rreth Perëndisë mund të gjendej në fetë e Perëndimit.
Në fillim të prillit të vitit 1951 takova Grejs Gregorin, një misionare e Shoqatës Watch Tower. Ajo po rrinte përpara stacionit të trenit në Nagoja, duke ofruar një kopje në anglisht të Kullës së Rojës dhe një broshurë në japonisht mbi një temë biblike. Përulësia e saj në bërjen e kësaj vepre më la mbresa. I mora që të dyja botimet dhe pranova menjëherë ofertën e saj për një studim biblik. I premtova se do t’i shkoja në shtëpi për studimin biblik disa ditë më vonë.
Kur zura vend në tren dhe fillova të lexoja Kullën e Rojës, syri më kapi menjëherë fjalën e parë në artikullin hyrës, «Jehova». Nuk e kisha parë kurrë më parë këtë emër. Nuk prisja ta gjeja në fjalorin e vogël anglisht-japonisht që mbaja me vete, por ja që ishte! «Jehova . . . , Perëndia i Biblës.» Tani po filloja të zbuloja diçka për Perëndinë e krishterimit!
Kur vizitova për herë të parë shtëpinë misionare, mësova se pas disa javësh do të mbahej një fjalim biblik nga Nathan H. Knorr, në atë kohë president i Watch Tower Bible and Tract Society. Ai po vizitonte Japoninë me sekretarin e tij Milton Henschel dhe po vinte në Nagoja. Edhe pse njohuria ime për Biblën ishte e kufizuar, fjalimi më pëlqeu shumë, si edhe shoqëria me misionarët e të pranishmit e tjerë.
Afërsisht për dy muaj, nga studimet me Greis mësova të vërtetat kryesore për Jehovain, Jezu Krishtin, shpërblesën, Satana Djallin, Harmagedonin dhe tokën parajsore. Lajmi i mirë i Mbretërisë ishte saktësisht ai lloj mesazhi që unë isha duke kërkuar. Në të njëjtën kohë që fillova të studioja, fillova edhe të merrja pjesë në mbledhjet e kongregacionit. Më pëlqente atmosfera miqësore në këto mbledhje, ku misionarët shqëroheshin lirshëm me japonezët dhe uleshin me ne mbi tatami (rrogoz i thurrur kashte).
Në tetor të vitit 1951, në Sallën Publike të Nakanoshimës në qytetin e Osakës, u mbajt asambleja e parë qarkore në Japoni. Në të gjithë Japoninë kishte më pak se 300 Dëshmitarë, por në asamble ishin të pranishëm rreth 300 njerëz, duke përfshirë edhe gati 50 misionarë. Unë kisha madje një pjesë të vogël në program. Ajo që pashë dhe dëgjova më bëri aq përshtypje sa vendosa në zemrën time që t’i shërbeja Jehovait gjithë jetën. Të nesërmen u pagëzova në ujërat e vakta të një godine larjeje publike aty afër.
Gëzim prej shërbimit si pionier
Desha të bëhesha një pionier, siç quhen shërbëtorët në kohë të plotë të Dëshmitarëve të Jehovait, por ndjeja edhe detyrimin për të ndihmuar familjen time. Kur mora guxim për t’i thënë shefit tim për dëshirën time, u habita kur ai tha: «Jam gati të bashkëpunoj me ty, nëse kjo do të të bënte të lumtur.» Kisha mundësi të punoja vetëm dy ditë në javë dhe prapëseprapë isha në gjendje të ndihmoja nënën për shpenzimet shtëpiake. Ndihesha me të vërtetë si një zog i lëshuar nga kafazi.
Ndërsa kushtet vazhdonin të përmirësoheshin, fillova veprën e pionierit më 1 gusht 1954, në një territor prapa stacionit të Nagojës, vetëm pak minuta në këmbë nga vendi ku kisha takuar për herë të parë Greisin. Pas ca muajsh, mora një caktim për të shërbyer si një pionier special në Bepu, një qytet në ishullin perëndimor të Kiushut. Si partneri im ishte caktuar Tsutomu Miura.a Në atë kohë, në tërë ishullin, nuk kishte asnjë kongregacion të Dëshmitarëve të Jehovait, kurse tani ka me qindra, të ndarë në 22 qarqe!
Një shijim paraprak i botës së re
Kur në prill të vitit 1956, vëllai Knorr e vizitoi përsëri Japoninë, ai kërkoi që të lexoja me zë të lartë disa paragrafë nga një revistë Kulla e Rojës në anglisht. Nuk më tha pse, por pak muaj më vonë, mora një letër që më ftonte të merrja pjesë në klasën e 29-të të Shkollës Misionare të Galaadit. Kështu, në nëntorin e atij viti, nisa një udhëtim ngazëllyes për në Shtetet e Bashkuara që përmbushi një ëndërr të vjetër. Duke jetuar dhe punuar për dy muaj me familjen e madhe të Bethelit në Bruklin, besimi im në organizatën e dukshme të Jehovait u forcua.
Në shkurt të vitit 1957, vëllai Knorr më çoi me makinë mua dhe dy studentë të tjerë në kompleksin e Shkollës së Galaadit në Lansingun Jugor, pjesën veriore të shtetit të Nju Jorkut. Në pesë muajt pasues të Shkollës së Galaadit, ndërsa merrja instruksione nga Fjala e Jehovait dhe jetoja me studentët e tjerë në mjedise të bukura, shijova paraprakisht tokën parajsore. Dhjetë nga 103 studentët, ku përfshihesha dhe unë, u caktuan në Japoni.
Çmoj caktimet e mia
Kur u ktheva në tetor të vitit 1957, në Japoni kishte rreth 860 Dëshmitarë. U caktova në veprën udhëtuese si një mbikëqyrës qarkor, por në fillim u stërvita disa ditë për këtë vepër me Adrian Tomson, në Nagoja. Qarku im mbulonte zonën nga Shimizu, afër malit Fuxhi, deri në ishullin Sikoku dhe përfshinte qytete të tilla të mëdha si Kioto, Osaka, Kobe dhe Hiroshima.
Në vitin 1961, u caktova të isha një mbikëqyrës krahinor. Kjo do të thoshte të udhëtoje nga ishulli verior me dëborë i Hokaidos për në ishullin subtropikal të Okinavës dhe madje përtej, në ishujt Ishigaki afër Taivanit, në një distancë prej rreth 3.000 km.
Pastaj, në vitin 1963, më ftuan të merrja pjesë në një kurs dhjetë mujor të Shkollës së Galaadit në Bethelin e Bruklinit. Gjatë kursit, vëllai Knorr theksoi rëndësinë e pasjes së një qëndrimi të duhur ndaj caktimeve të punës. Ai tha se pastrimi i banjove ishte një caktim po aq i rëndësishëm sa dhe puna në zyrë. Nëse banjot nuk do të ishin të pastra, tha ai, do të ndikohej e gjithë familja Bethel dhe puna e tyre. Më vonë, pjesë e punës sime në Bethelin e Japonisë ishte pastrimi i banjove dhe unë e solla ndër mend atë këshillë.
Pasi u ktheva në Japoni, u caktova përsëri në veprën udhëtuese. Dy vjet më vonë, në vitin 1966, u martova me Junko Ivasaki, një pioniere speciale, e cila shërbente në qytetin e Matsues. Lloyd Barry, në atë kohë mbikëqyrësi i degës në Japoni, bëri për martesën një fjalim që të ngrohte zemrën. Pastaj Junko u bashkua me mua në veprën udhëtuese.
Caktimi ynë ndryshoi në vitin 1968, kur unë u thirra në Zyrën e Degës në Tokio për të punuar në përkthim. Për shkak të mungesës së dhomave, bëja vajtje-ardhje rregullisht nga lagjja Sumida, Tokio. Junko shërbente si pioniere speciale në kongregacionin lokal. Në atë kohë kishte nevojë për ndërtesa më të mëdha për degën. Kështu, në vitin 1970, u ble një pronë në qytetin e Numazus, jo shumë larg nga mali Fuxhi. Atje u ndërtua një fabrikë trekatëshe edhe një godinë banimi. Para se të fillonte ndërtimi, shtëpi të ndryshme në këtë pronë u përdorën për Shkollën e Shërbimit të Mbretërisë që siguron stërvitje për mbikëqyrësit e kongregacionit. Isha i privilegjuar të jepja mësim në këtë shkollë dhe Junko përgatiste ushqimin për studentët. Ishte rrëqethëse të shihje qindra burra të krishterë që merrnin një stërvitje speciale për shërbimin.
Një pasdite mora një telegram urgjent. Mamaja ishte shtruar në spital dhe nuk kishte shpresa. Mora trenin me shpejtësi të madhe për në Nagoja dhe nxitova për në spital. Ajo ishte e pavetëdijshme, por unë e kalova natën buzë krevatit të saj. Mamaja vdiq herët në mëngjes. Ndërsa kthehesha në Numazu, nuk mund t’i mbaja lotët kur kujtoja kohët e vështira që ajo kishte kaluar në jetën e saj dhe dashurinë që kishte për mua. Nëse është dëshira e Jehovait, do ta shoh atë përsëri në ringjallje.
Shpejt ndërtesat në Numazu nuk na nxinin më. Kështu që u blenë 7 hektarë tokë në qytetin Ebina dhe në vitin 1978 filloi ndërtimi i një kompleksi të ri të degës. Tani, e gjithë sipërfaqja në dispozicion në këtë pronë është zënë nga fabrika dhe godina banimi, si edhe një Sallë Asamblesh me mbi 2.800 vende. Shtesa e fundit, e cila përbëhet nga dy godina banimi 13-katëshe dhe një ndërtesë 5-katëshe për parking dhe servis, u përfundua në fillim të këtij viti. Familja jonë Bethel ka tani rreth 530 veta, por ndërtesat e zgjeruara do të na lejojnë që të strehojmë gati 900 veta.
Shumë arsye për gëzim
Ishte rrëqethëse të shihje profecinë biblike të plotësohet, po, të shihje ‘më të voglin të bëhet një komb i fuqishëm’. (Isaia 60:22) Më vjen ndër mend një nga vëllezërit e mi që në vitin 1951 më kishte pyetur: «Sa Dëshmitarë të Jehovait ka në Japoni?»
«Afërsisht 260»,—iu përgjigja.
«Vetëm kaq?»—më pyeti ai me një ton zëri nënvleftësues.
Më kujtohet se mendova me veten ‘Koha do ta tregojë se sa njerëz do të tërheqë Jehovai në adhurimin e tij, në këtë vend shinto-budist.’ Me të vërtetë, Jehovai e ka dhënë përgjigjen! Sot, në Japoni nuk ka më territore që nuk u janë caktuar kongregacioneve dhe numri i adhuruesve të vërtetë është rritur në rreth 222.000 veta, në 3.800 kongregacione!
Të 44 vjetët e jetës sime që i kam kaluar në shërbim të plotkohor, nga të cilat 32 me gruan time të dashur, kanë qenë vite veçanërisht të lumtura. Për 25 vjet kam shërbyer në Repartin e Përkthimit në Bethel. Në shtator të vitit 1979, më ftuan, gjithashtu, të bëhesha anëtar i komitetit të degës të Dëshmitarëve të Jehovait në Japoni.
Ka qenë një privilegj dhe një bekim që kam pasur një pjesë të vogël në ndihmën që iu është dhënë njerëzve të sinqertë e paqedashës që të vijnë në adhurimin e Jehovait. Shumë kanë bërë atë që bëra edhe unë, duke mos ia dhënë devocionin perandorit, por Perëndisë së vetëm të vërtetë Jehova. Dëshira ime e sinqertë është të ndihmoj shumë më tepër njerëz që të vijnë në anën triumfuese të Jehovait dhe të fitojnë jetën e pafundme në një botë të re paqësore.—Zbulesa 22:17.
[Shënimi]
a Babai i tij ishte një Dëshmitar besimplotë, i cili, kur qe në burgun japonez, mbijetoi gjatë shpërthimit të bombës atomike që u hodh mbi Hiroshimë në vitin 1945. Shiko Zgjohuni!, 8 tetor 1994, faqe 11-15, anglisht.
[Figura në faqen 29]
Arsimimi shkollor përqendrohej në adhurimin e perandorit
[Burimi]
Gazeta Mainichi
[Figura në faqen 29]
Në Nju Jork me vëllain Franz
[Figura në faqen 29]
Me gruan time, Junko
[Figura në faqen 31]
Duke punuar në Repartin e Përkthimit