Ndihmë e vërtetë për familjen
«Është e drejtë të thuhet se në Amerikë ekziston një krizë e familjes. Është e pamundur të nxjerrësh një përfundim tjetër kur sheh ritmin e divorceve, statistikat e lindjeve jashtë lidhjes martesore [dhe] rastet e abuzimeve me të rinjtë dhe me bashkëshortët.»
KËTO fjalë të thëna nga komentuesi televiziv Tom Brokau mund të zbatohen për pjesën më të madhe të vendeve. Çfarë nënkupton kjo krizë?
Në shumë aspekte familja është elementi themelor i shoqërisë. Nëse familja është në telashe, edhe shoqëria është në telashe. Më tej, familja është burimi i mbështetjes emocionale dhe financiare për fëmijët. Aty ata marrin mësimet e para dhe më të rëndësishme të jetës. Nëse familja është në telashe, çfarë mësojnë fëmijët? Ku është siguria e tyre? Ç’lloj personash do të bëhen ata kur të rriten?
A ka ndonjë ndihmë për familjen në këtë kohë krize? Po. Familja është një institucion që vetë Perëndia e ka vendosur. (Zanafilla 1:27, 28) Ai ka dhënë edhe udhëheqjen e domosdoshme për familjen në Fjalën e tij, Biblën. (Kolosianëve 3:18-21) Vërtet, ne nuk mund ta ndryshojmë shoqërinë si një të tërë, por mund t’i zbatojmë këshillat e Biblës në familjen tonë. Do të donim t’ju flitnim për disa njerëz që kanë vepruar kështu dhe për rezultatet e mira që kanë marrë.
Parandalimi i divorcit
Në një numër vendesh, rreth 50 për qind e të gjitha martesave përfundojnë me divorc. Ky është një dështim në shkallë të gjerë në marrëdhëniet njerëzore! Kuptohet se shumë nga ata që për këtë arsye përfundojnë në prindër të vetëm, bëjnë një punë heroike në rritjen e fëmijëve të tyre. Por shumica patjetër që do të ishte dakord se është më mirë kur një çift mund t’i zgjidhë problemet që ka dhe të qëndrojë së bashku.
Martesa e një çifti në Ishujt Solomon ishte drejt shkatërrimit. Burri, i biri i një prijësi, ishte i dhunshëm dhe kishte shumë vese të këqija. Jeta ishte kaq e vështirë për gruan e tij, saqë ajo tentoi edhe vetëvrasjen. Pastaj, burri i saj pranoi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Ai mësoi se kushdo që dëshiron të kënaqë Perëndinë, jo vetëm që duhet të dijë se çfarë është e gabuar, por duhet edhe ta ‘urrejë të keqen’. (Psalmi 97:10) Kjo përfshin edhe të urresh gjëra, të tilla, si: gënjeshtrën, vjedhjen, dhunën dhe dehjen. Ai i mori për zemër këto këshilla dhe shumë shpejt fitoi mbi veset e tij të këqija dhe mbi temperamentin e tij të dhunshëm. Gruaja e tij u mahnit nga ndryshimi dhe martesa e tyre u përmirësua shumë, falë ndikimit të Fjalës së Perëndisë.
Në Afrikën e Jugut një grua që është Dëshmitare e Jehovait mori vesh se punëdhënësja e saj dhe burri i punëdhënëses po mendonin të bënin divorc. Dëshmitarja i foli punëdhënëses për pikëpamjen e Perëndisë mbi martesën dhe i tregoi një libër me titull Sekreti i lumturisë familjare. Ky libër, i botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, nxjerr në pah parimet biblike në lidhje me martesën, duke i vënë theks të veçantë mënyrës se si i ndihmon Bibla çiftet për të zgjidhur problemet. Punëdhënësja dhe burri i saj e lexuan që të dy librin dhe u përpoqën sinqerisht për të zbatuar këshillat biblike që paraqiteshin aty. Si rezultat, ata vendosën të mos bënin divorc, e kështu edhe një martesë tjetër u shpëtua duke zbatuar parimet biblike.
Fe të ndryshme
Ç’të themi për martesat ku bashkëshortët kanë fe të ndryshme? Në mënyrë realiste Bibla i këshillon të krishterët që të martohen «vetëm në Zotërinë». (1. Korintasve 7:39, BR) Por, disa herë ndodh që një nga bashkëshortët të ndryshojë fenë e tij apo të saj. Mos duhet vallë që ky të jetë fundi i martesës? Aspak!
Në Botsvanë, një grua që kohët e fundit ishte bërë Dëshmitare e Jehovait u pyet se si e ndryshoi atë besimi i saj i ri. Ajo i kërkoi burrit të saj që të përgjigjej për të dhe ja çfarë tha ai: «Që kur gruaja ime u bë Dëshmitare e Jehovait, kam parë shumë ndryshime pozitive tek ajo. Tani ajo ka një forcë të brendshme të qetë e të mençur që nuk e kishte më parë. Ajo pati forcën dhe vendosmërinë për të lënë duhanin, një e metë që unë ende nuk mund ta kapërcej. Gruaja ime është bërë më e dashur dhe e përzemërt me mua, me fëmijët tanë, si edhe me njerëzit e tjerë. Ajo është më toleruese, veçanërisht ndaj fëmijëve. E shoh tek kalon kohë në shërbimin e saj, duke u përpjekur për t’i ndihmuar të tjerët që të përmirësojnë jetën e tyre. Kam parë ndryshime pozitive edhe në veten time. Besoj se e gjithë kjo është meritë e shembullit të saj.» Çfarë efekti të shkëlqyer ka pasur Bibla mbi këtë martesë! Shumë jo-Dëshmitarë kanë bërë komente të ngjashme për bashkëshortët e tyre Dëshmitarë.
Kur një atë lë pas dore përgjegjësitë e tij
Marrëdhënia mes një ati dhe fëmijëve të tij është një çelës për ndërtimin e familjeve të forta. Apostulli Pavël këshilloi: «Ju, etër, mos i pezmatoni fëmijët tuaj, por vazhdoni t’i rritni në disiplinën dhe në normën mendore të Jehovait.» (Efesianëve 6:4, BR) Nuk habitemi, pra, që një artikull i The Wilson Quarterly për shumë probleme shoqërore ua hidhte fajin etërve që nuk përmbushin rolin e tyre. Në artikull thuhej: «Mes viteve 1960 dhe 1990, përqindja e fëmijëve që jetojnë të ndarë nga etërit e tyre natyrorë është dyfishuar . . . Rënia e kujdesit atëror është një forcë kryesore vepruese, e cila qëndron pas shumë problemeve shqetësuese që pllakosin shoqërinë amerikane.»
A do të thotë kjo se fëmijët, të cilët nuk janë udhëhequr nga etërit e tyre, s’mund të ecin në jetë? Jo. Psalmisti i lashtë tha: «Në rast se vetë ati im dhe vetë nëna ime do të më linin, madje Jehovai vetë do të më merrte.» (Psalmi 27:10, BR) Një djalë nëntëvjeçar në Tailandë e përjetoi vetë vërtetësinë e kësaj. Nëna i vdiq kur ai ishte foshnjë dhe i ati, duke mos e dashur, e la me gjyshen e tij. Ngaqë ndihej i padëshiruar e që nuk e donin, djali u bë rebel dhe bëri një reputacion si një prepotent. Ai madje kërcënoi edhe gjyshen e tij. Dy ungjillëzuese në kohë të plotë, Dëshmitare të Jehovait, duke vënë re se ai shpesh rrinte jashtë Sallës së Mbretërisë në atë vend, një ditë e ftuan në shtëpinë e tyre.
Ato i folën për Perëndinë, duke thënë se Ai, si një atë, i do fëmijët e tij. Gjithashtu, i folën për një parajsë tokësore që Perëndia ua ka premtuar njerëzve besimplotë. (Zbulesa 21:3, 4) Të gjitha këto e tërhoqën djalin dhe ai u kthye aty ditë për ditë për të mësuar më shumë. Dëshmitaret i thanë se, po të donte vërtet që Perëndia të ishte Ati i tij, ai nuk duhej të sillej më si prepotent. Kjo ishte në harmoni me fjalët që Pavli u drejtoi romakëve: «Aq sa varet prej jush, jetoni në paqe me të gjithë njerëzit.» (Romakëve 12:18) Ai duhej, gjithashtu, ta trajtonte me dashamirësi gjyshen e tij. (1. Timoteut 5:1, 2) Nuk kaloi shumë kohë dhe ai i vuri në praktikë parimet biblike, e pa dyshim kjo gjë përmirësoi jetën e tij familjare me gjyshen e tij. (Galatasve 5:22, 23) Fqinjëve u bënë kaq shumë përshtypje ndryshimet që vunë re tek ai, saqë donin që edhe fëmijët e tyre të studionin Biblën me Dëshmitarët e Jehovait.
Një frymë paqësore
Apostulli Pavël u shkroi kolosianëve: «Vishuni me dashuri, sepse ajo është një lidhje e përsosur bashkimi. Gjithashtu, paqja e Krishtit le të kontrollojë zemrat tuaja.» (Kolosianëve 3:14, 15, BR) Një frymë paqësore dhe një dashuri me gjithë zemër patjetër që do ta mbajnë të lidhur bashkë një familje. Ato mund të ndreqin edhe ndarjet e vjetra familjare. Rukia, e cila jeton në Shqipëri, kishte më shumë se 17 vjet që nuk fliste me vëllanë e saj, për shkak të një mosmarrëveshjeje familjare. Kur studioi Biblën me Dëshmitarët e Jehovait, ajo mësoi se çdo shërbëtor i Perëndisë është i nxitur që të kultivojë paqen me të tjerët. «Le ta kërkojë paqen dhe ta ndjekë atë.»—1. Pjetrit 3:11, BR.
Rukia e kuptoi se duhej të kërkonte paqen me vëllanë e saj. U lut gjithë natën dhe në mëngjes, me zemrën që i rrihte fort, shkoi në shtëpinë e të vëllait. Derën e hapi mbesa e Rukies dhe e habitur pyeti: «Po ti këtu?» Me qetësi Rukia kërkoi të takonte të vëllanë, duke shpjeguar se donte të pajtohej me të. Pse? Sepse tani e kishte kuptuar që ky ishte vullneti i Perëndisë. Vëllai i saj reagoi në mënyrë pozitive dhe ribashkimi i tyre u bë me përqafime e lot gëzimi, një familje e ribashkuar ngaqë u ndoqën parimet biblike.
Shoqëritë e këqija
«Sot, një fëmijë i zakonshëm sheh shtatë orë televizor në ditë. Nga fundi i shkollës fillore ai ka parë mbi tetë mijë vrasje dhe njëqind mijë akte dhune.» Kështu thotë libri Të 7 zakonet e familjeve shumë të sukseshme (The 7 Habits of Highly Effective Families). Çfarë ndikimi ka një ekspozim i tillë mbi fëmijën? «Ekspertët» nuk janë dakord mes tyre për këtë, por Bibla paralajmëron fuqishëm kundër shoqërive të këqija. Për shembull, ajo thotë: «Ai që ka të bëjë me të pamendët do të shkojë keq.» (Fjalët e urta 13:20, BR) Thotë, gjithashtu: «Shoqëritë e këqija prishin zakonet e dobishme.» (1. Korintasve 15:33, BR) Jeta familjare mund të përmirësohet nëse ne me kujdes e konsiderojmë të vërtetë këtë parim, si në rastin kur shoqëritë e këqija janë njerëz, ashtu edhe kur janë programe televizive.
Një nënë në Luksemburg po studionte Biblën me një Dëshmitare të Jehovait. Një ditë ajo i tha Dëshmitares se në mbrëmje dy vajzat e saj shtatë dhe tetë vjeçe bëheshin shumë grindavece dhe agresive. Dëshmitarja e pyeti se çfarë bënin vajzat gjatë mbrëmjeve. Nëna tha se shihnin televizor, ndërkohë që ajo pastronte kuzhinën. Çfarë programesh? «Oh, ca filma vizatimorë»,—iu përgjigj nëna. Kur vizitorja përmendi se këto programe shpesh janë të dhunshme, nëna e vajzave premtoi se do t’i kontrollonte programet.
Pikërisht ditën tjetër, nëna tha se ishte tronditur nga filmat vizatimorë që shihnin vajzat e saj. Ato tregonin përbindësha imagjinarë nga hapësirat jashtëtokësore që me egërsi shkatërronin çdo gjë që u dilte përpara. Ajo u shpjegoi vajzave të saj se Jehovai e urren dhunën dhe nuk është i lumtur kur ne shohim mizori të tilla. (Psalmi 11:5) Vajzat, duke dashur të kënaqnin Jehovain, pranuan të bënin vizatime dhe piktura në vend se të shihnin televizor. Menjëherë, sjellja e tyre agresive ndryshoi dhe atmosfera familjare u përmirësua.
Këto janë vetëm pak shembuj për të treguar se zbatimi i parimeve të Biblës përmirëson jetën familjare. Këshillat e Biblës zbatohen për çdo lloj situate. Ato janë autentike dhe kanë një ndikim të fuqishëm për mirë. (Hebrenjve 4:12) Kur njerëzit studiojnë Biblën dhe përpiqen sinqerisht për të zbatuar atë që thotë ajo, forcohen familjet, përmirësohen personalitetet dhe shmangen gabimet. Edhe nëse vetëm një pjesëtar i familjes ndjek këshillat e Perëndisë, gjërat shkojnë më mirë. Vërtet, në të gjitha fushat e jetës, ne duhet ta konsiderojmë Fjalën e Perëndisë siç bëri psalmisti, i cili shkroi: «Fjala jote është një llambë në këmbën time dhe një dritë në shtegun tim.»—Psalmi 119:105.
[Figura në faqen 5]
Problemet familjare janë zgjidhur kur janë zbatuar parimet e Biblës