BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w99 15/2 f. 13-18
  • Shpërblesa e Krishtit: Udha hyjnore e shpëtimit

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Shpërblesa e Krishtit: Udha hyjnore e shpëtimit
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Eliminimi i mëkatit dhe i vdekjes
  • Mbulohet çmimi i mëkatit
  • «Një shpërblesë përkatëse»
  • Vlera e jetës së përsosur njerëzore
  • Të nxjerrim dobi nga shpërblesa e Krishtit
  • Shpërblesa: Një shprehje e dashurisë
  • Shpërblesa—Dhurata më e madhe e Perëndisë
    Çfarë na mëson Bibla?
  • Shpërblesa​—Dhurata më e madhe e Perëndisë
    Çfarë mëson vërtet Bibla?
  • Jehovai siguron një «shpërblesë në këmbim të shumë vetave»
    T’i afrohemi Jehovait
  • Si është «shpërblesë për shumë njerëz» flijimi i Jezuit?
    Përgjigje për pyetje rreth Biblës
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
w99 15/2 f. 13-18

Shpërblesa e Krishtit: Udha hyjnore e shpëtimit

«Perëndia e deshi botën aq shumë, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, me qëllim që gjithkush që ushtron besim në të, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.»—GJONI 3:16, BR.

1, 2. Përshkruaj gjendjen e papëlqyer që është zhvilluar lidhur me racën njerëzore.

IMAGJINO sikur vuan nga një sëmundje që me siguri do të të kushtojë jetën, nëse nuk bën një ndërhyrje kirurgjike. Si do të ndiheshe nëse çmimi i operacionit do të ishte shumë më i lartë se mundësitë e tua financiare? Po sikur edhe të ardhurat e familjes dhe miqve të tu, të marra së bashku, të mos arrinin atë shumë parash? Ballafaqimi me një dilemë të tillë që të kërcënon jetën do të ishte zhgënjyes!

2 Kjo ilustron një situatë që u zhvillua lidhur me racën njerëzore. Prindërit tanë të parë, Adami dhe Eva, u krijuan të përsosur. (Ligji i përtërirë 32:4) Kishin perspektivën të jetonin përgjithmonë dhe të përmbushnin qëllimin e Perëndisë: «Jini të frytshëm dhe bëhuni shumë, mbusheni tokën dhe nënshtrojeni.» (Zanafilla 1:28, BR) Megjithatë, Adami dhe Eva u rebeluan kundër Krijuesit të tyre. (Zanafilla 3:1-6) Mosbindja e tyre solli mëkatin, jo vetëm mbi vetë Adamin dhe Evën, por edhe mbi pasardhjen e tyre që ende s’kishte lindur. Njeriu besimplotë, Jobi, më vonë tha: «Kush mund të prodhojë dikë të pastër nga dikush i papastër? Nuk ka asnjë.»—Jobi 14:4, BR.

3. Si u përhap vdekja te të gjithë njerëzit?

3 Pra, mëkati është si një sëmundje që ka infektuar secilin prej nesh, pasi Bibla thotë se «të gjithë kanë mëkatuar». Kjo gjendje ka pasoja kërcënuese për jetën. Në fakt, «paga që paguan mëkati është vdekja». (Romakëve 3:23; 6:23, BR) Asnjëri prej nesh nuk mund t’i shpëtojë atij. Të gjithë njerëzit mëkatojnë, e për pasojë, të gjithë njerëzit vdesin. Si pasardhës të Adamit, ne lindëm në këtë gjendje të papëlqyer. (Psalmi 51:5) «Nëpërmjet një njeriu të vetëm,—shkroi Pavli,—mëkati hyri në botë dhe vdekja nëpërmjet mëkatit dhe kështu vdekja u përhap te të gjithë njerëzit, sepse të gjithë ata kishin mëkatuar.» (Romakëve 5:12, BR) Por, kjo nuk do të thotë se jemi pa asnjë shpresë për shpëtim.

Eliminimi i mëkatit dhe i vdekjes

4. Pse njerëzit nuk mund t’i eliminojnë sëmundjet dhe vdekjen me forcat e tyre?

4 Çfarë do të duhej për të eliminuar mëkatin dhe pasojën që sjell ai, vdekjen? Qartë, do të duhej diçka më shumë se ajo që mund të sigurojë njeriu. Psalmisti u ankua: «Pagesa për një jetë njerëzore është tepër e madhe. Ajo që mund të paguajë ai nuk do të mjaftonte kurrë për ta ruajtur nga varri, për ta lënë që të jetojë përgjithmonë.» (Psalmi 49:8, 9, Today’s English Version) Kuptohet, ne mund ta zgjatim jetën tonë për disa vjet më shumë, me anë të një diete të shëndetshme dhe me anë të kujdesit mjekësor, por asnjëri prej nesh nuk mund ta kurojë gjendjen e trashëguar mëkatare. Asnjëri prej nesh nuk mund t’i prapësojë efektet dëmtuese të procesit të plakjes dhe ta kthejë trupin tonë në përsosmërinë që kishte pasur ndër mend Perëndia fillimisht. Pavli sigurisht që nuk po e tepronte kur shkroi se për shkak të mëkatit të Adamit, krijimi njerëzor «i ishte nënshtruar kotësisë» (BR) ose, siç e përkthen The Jerusalem Bible, «u bë i paaftë për të arritur qëllimin e tij». (Romakëve 8:20) Por, lumturisht, Krijuesi nuk na ka braktisur. Ai ka marrë masa për t’i hequr njëherë e përgjithmonë mëkatin dhe vdekjen. Si?

5. Në ç’mënyrë Ligji i dhënë Izraelit pasqyroi një konsideratë të thellë për drejtësinë?

5 Jehovai është «një dashurues i drejtësisë dhe i së drejtës». (Psalmi 33:5, BR) Kodi ligjor që i dha ai Izraelit pasqyron një konsideratë të thellë për drejtpeshimin dhe për drejtësinë e paanshme. Për shembull, brenda këtij trupi ligjesh, lexojmë se ‘duhej të jepej jetë për jetë’. Me fjalë të tjera, nëse një izraelit vriste dikë, ai vetë do të humbte jetën në vend të asaj që kishte marrë. (Dalja [Eksodi] 21:23, BR; Numrat 35:21) Në këtë mënyrë, peshorja e drejtësisë hyjnore do të ekuilibrohej.—Krahaso Daljen 21:30.

6. (a) Në cilin kuptim Adami mund të quhet vrasës? (b) Çfarë lloj jete humbi Adami dhe çfarë lloj flijimi do të duhej për të ekuilibruar peshoren e drejtësisë?

6 Kur mëkatoi, Adami u bë vrasës. Në cilin kuptim? Në kuptimin që do t’ia kalonte gjendjen e tij mëkatare, e për pasojë vdekjen, të gjithë pasardhësve të tij. Për shkak të mosbindjes së Adamit, në këtë moment trupat tanë po prishen, duke u zhvendosur vazhdimisht drejt vdekjes. (Psalmi 90:10) Mëkati i Adamit ka edhe një pasojë më serioze. Mos harro, ajo që Adami humbi për vetveten dhe për pasardhjen e tij nuk ishte një jetë e zakonshme prej 70 ose 80 vjetësh. Ai humbi jetën e përsosur, po, jetën e përhershme. Prandaj, nëse ‘duhej të jepej jetë për jetë’, çfarë lloj jete do të jepej për të plotësuar drejtësinë në këtë rast? Logjikisht, duhej të ishte një jetë e përsosur njerëzore, një jetë që, ashtu si ajo e Adamit, kishte potencialin për të prodhuar pasardhës njerëzorë të përsosur. Po të ofrohej si flijim, një jetë e përsosur njerëzore jo vetëm që do të ekuilibronte peshoren e drejtësisë, por edhe do të bënte të mundur eliminimin e plotë të mëkatit dhe të pasojës së tij, vdekjes.

Mbulohet çmimi i mëkatit

7. Përshkruaj domethënien e fjalës «shpërblesë».

7 Çmimit që kërkohej për të na shpenguar nga mëkati, Bibla i referohet si «shpërblesë». (Psalmi 49:7, BR) Në gjuhën shqipe ky term mund t’i referohet pagesës që kërkon një rrëmbyes në shkëmbim të dikujt që e ka marrë peng. Sigurisht, shpërblesa që ka siguruar Jehovai nuk përfshin ndonjë rrëmbim personash. Gjithsesi, koncepti i pagesës së një çmimi mbetet i njëjti. Në fakt, forma foljore e fjalës hebraike të përkthyer «shpërblesë» fjalë për fjalë do të thotë «të mbulosh». Për të shlyer mëkatin, shpërblesa duhet të puthitet saktësisht me atë që duhet të mbulojë: jetën e përsosur njerëzore të Adamit.

8. (a) Përshkruaj parimin e riblerjes. (b) Si lidhet parimi i riblerjes me ne si mëkatarë?

8 Kjo është në harmoni me një parim që gjendet në Ligjin e Moisiut, me parimin e riblerjes. Nëse një izraelit varfërohej dhe i shitej në skllavëri një joizraeliti, një i afërm i tij mund ta riblente (ose ta shpërblente) atë, duke paguar një çmim që konsiderohej me vlerë të njëjtë me skllavin. (Levitiku 25:47-49) Bibla thotë që, si njerëz të papërsosur, ne jemi ‘skllevër të mëkatit’. (Romakëve 6:6; 7:14, 25, BR) Çfarë do të kërkohej për të na riblerë? Siç e kemi parë, humbja e një jete të përsosur njerëzore do të kërkonte pagesën e një jete të përsosur njerëzore, as më shumë e as më pak.

9. Çfarë mase ka marrë Jehovai për të mbuluar mëkatin?

9 Sigurisht, ne njerëzit lindim të papërsosur. Asnjëri prej nesh nuk është i barabartë me Adamin, prandaj asnjëri prej nesh nuk mund ta paguajë çmimin e shpërblesës që kërkon drejtësia. Siç është përmendur edhe në fillim të artikullit, është sikur të kemi një sëmundje që na kërcënon jetën e të mos kemi mundësi të paguajmë për ndërhyrjen kirurgjike që mund ta kurojë atë. Në një situatë të tillë, a nuk do të ishim mirënjohës sikur dikush të ndërhynte për ne dhe të mbulonte shpenzimet? Kjo është saktësisht ajo që ka bërë Jehovai! Ai ka marrë masa për të na shpenguar njëherë e përgjithmonë nga mëkati. Po, ai është gati të na japë atë që nuk do të ishte kurrë brenda mundësive tona. Si? «Dhurata që jep Perëndia,—shkroi Pavli,—është jeta e përhershme me anë të Krishtit Jezu, Zotërisë sonë.» (Romakëve 6:23, BR) Gjoni e përshkroi Jezuin si «Qengji i Perëndisë, që heq mëkatin e botës». (Gjoni 1:29) Le të shohim se si e përdori Jehovai Birin e tij shumë të dashur për të paguar çmimin e shpërblesës.

«Një shpërblesë përkatëse»

10. Si doli që profecitë në lidhje me një «farë» u përqendruan te Jozefi e Maria?

10 Menjëherë pas rebelimit në Eden, Jehovai njoftoi qëllimin e tij për të prodhuar një «farë» ose pasardhje, që do ta shpërblente njerëzimin nga mëkati. (Zanafilla 3:15) Me anë të një serie zbulimesh hyjnore, Jehovai identifikoi linjën familjare që do të prodhonte këtë farë. Me kalimin e kohës, këto zbulime u përqendruan te Jozefi dhe Maria, një çift të fejuarish që jetonin në Palestinë. Në një ëndërr, Jozefit iu tha se Maria ishte shtatzënë nga fryma e shenjtë. Engjëlli tha: «Ajo do të lindë një bir dhe ti duhet t’ia vësh emrin Jezu, sepse ai do ta shpëtojë popullin e tij nga mëkatet e tyre.»—Mateu 1:20, 21, BR.

11. (a) Si i rregulloi punët Jehovai që Biri i tij të lindte si njeri i përsosur? (b) Pse Jezui mund të siguronte «një shpërblesë përkatëse»?

11 Kjo nuk ishte aspak një shtatzëni e zakonshme, pasi Jezui kishte pasur një ekzistencë paranjerëzore në qiell. (Proverbat [Fjalët e urta] 8:22-31; Kolosianëve 1:15) Jeta e tij ishte transferuar me anë të fuqisë së mrekullueshme të Jehovait në mitrën e Marisë, duke bërë të mundur që ky Bir shumë i dashur i Perëndisë të lindte si njeri. (Gjoni 1:1-3, 14; Filipianëve 2:6, 7) Jehovai i udhëhoqi gjërat në mënyrë që Jezui të mos njollosej me mëkatin e Adamit. Përkundrazi, Jezui lindi i përsosur. Në këtë mënyrë, ai kishte atë që humbi Adami: jetën e përsosur njerëzore. Më në fund, një njeri që mund ta mbulonte çmimin e mëkatit! E kjo është pikërisht ajo që bëri Jezui më 14 nisan të vitit 33 të e.s. Në atë ditë historike, Jezui lejoi që kundërshtarët e tij ta vritnin, duke siguruar kështu «një shpërblesë përkatëse».—1. Timoteut 2:6, BR.

Vlera e jetës së përsosur njerëzore

12. (a) Përshkruaj ndryshimin thelbësor mes vdekjes së Jezuit dhe asaj të Adamit. (b) Si është bërë Jezui «Atë i Përjetshëm» për njerëzit e bindur?

12 Ekziston një ndryshim mes vdekjes së Jezuit dhe asaj të Adamit, një ndryshim që nxjerr në pah vlerën e shpërblesës. Vdekja e Adamit ishte e merituar, sepse ai zgjodhi me vullnet të mos i bindej Krijuesit të tij. (Zanafilla 2:16, 17) Në kontrast, vdekja e Jezuit ishte plotësisht e pamerituar, sepse «ai nuk kreu asnjë mëkat». (1. Pjetrit 2:22, BR) Prandaj, kur vdiq, Jezui kishte diçka me një vlerë kolosale, të cilën Adami mëkatar nuk e zotëronte kur vdiq: të drejtën e jetës së përsosur njerëzore. Kështu, vdekja e Jezuit kishte vlerë sakrifikuese. Kur u ngrit në qiell si një person frymor, ai ia paraqiti vlerën e flijimit të tij Jehovait. (Hebrenjve 9:24) Duke vepruar kështu, Jezui bleu njerëzimin mëkatar dhe u bë Ati i tyre i ri, një zëvendësim i Adamit. (1. Korintasve 15:45) Me arsye të vlefshme, Jezui quhet «Atë i Përjetshëm». (Isaia 9:6, BR) Mendo se çfarë do të thotë kjo! Adami, një atë mëkatar, e përhapi vdekjen te të gjithë pasardhësit e tij. Jezui, një Atë i përsosur, e përdor vlerën e flijimit të tij për t’u dhënë jetën e përjetshme njerëzve të bindur.

13. (a) Ilustro se si e shleu Jezui borxhin ku kishte hyrë Adami. (b) Pse flijimi i Jezuit nuk e mbulon edhe mëkatin e prindërve tanë të parë?

13 Por, si ishte e mundur që vdekja e një njeriu të vetëm të mbulonte mëkatet e shumë njerëzve? (Mateu 20:28) Në një artikull të disa viteve më parë, ne e ilustruam kështu shpërblesën: «Imagjino një fabrikë të madhe me qindra punonjës. Një administrator jo i ndershëm i fabrikës bën që biznesi të falimentojë dhe fabrika i mbyll dyert. Qindra njerëz tani janë pa punë dhe nuk kanë mundësi të paguajnë faturat. Bashkëshortët, fëmijët e madje edhe kreditorët e tyre vuajnë të gjithë për shkak të korruptimit të atij njeriu të vetëm! Pastaj, vjen një mirëbërës i pasur, i cili paguan borxhet e kompanisë dhe e hap përsëri fabrikën. Si rrjedhojë, fshirja e atij borxhi u sjell lehtësim të plotë punonjësve të shumtë, familjeve të tyre dhe kreditorëve. Por, a merr pjesë administratori i parë në këtë begati të re? Jo, ai është në burg e në këtë mënyrë përgjithmonë pa punë! Në mënyrë të ngjashme, fshirja e borxhit të Adamit u sjell dobi miliona pasardhësve të tij, por jo Adamit.»

14, 15. Pse Adami dhe Eva mund të quhen mëkatarë të vullnetshëm dhe si është e ndryshme situata jonë nga ajo e atyre?

14 Kjo është e drejtë. Mos harro që Adami dhe Eva ishin mëkatarë të vullnetshëm. Ata zgjodhën të mos i bindeshin Perëndisë. Në kontrast, ne kemi lindur në mëkat. Nuk kemi rrugë tjetër. Sado shumë të përpiqemi, ne nuk mund të shmangim plotësisht mëkatimin. (1. Gjonit 1:8) Disa herë mund të ndihemi si Pavli, i cili shkroi: «Kur dëshiroj të bëj atë që është e drejtë, ajo që është e keqe është e pranishme te unë. Unë kënaqem vërtet në ligjin e Perëndisë sipas njeriut që jam brenda, por shoh në gjymtyrët e mia një ligj tjetër që lufton kundër ligjit të mendjes sime dhe që më çon rob drejt ligjit të mëkatit që është në gjymtyrët e mia. Sa njeri i mjerë që jam!»—Romakëve 7:21-24, BR.

15 Megjithatë, për shkak të shpërblesës ne kemi shpresë! Jezui është fara me anë të së cilës, siç premtoi Perëndia, «të gjitha kombet e tokës do të bekohen me siguri». (Zanafilla 22:18, BR; Romakëve 8:20) Flijimi i Jezuit u hap derën mundësive të mrekullueshme për ata që ushtrojnë besim në të. Le të shqyrtojmë disa prej tyre.

Të nxjerrim dobi nga shpërblesa e Krishtit

16. Pavarësisht nga gjendja jonë mëkatare, çfarë dobish mund të gëzojmë tani për shkak të shpërblesës së Jezuit?

16 Shkrimtari biblik Jakovi e pranon se «të gjithë ne pengohemi shumë herë». (Jakovit 3:2, BR) Por, për shkak të shpërblesës së Krishtit, gabimet tona mund të falen. Gjoni shkruan: «Nëse ndonjë kryen një mëkat, ne kemi një ndihmës me Atin, Jezu Krishtin, një të drejtë. Dhe ai është një flijim pajtues për mëkatet tona.» (1. Gjonit 2:1, 2, BR) Sigurisht, nuk duhet të kemi një pikëpamje indiferente për mëkatin. (Juda 4; krahaso 1. Korintasve 9:27.) Megjithatë, nëse mëkatojmë mund t’ia hapim zemrën Jehovait, të sigurt se ai është «gati të falë». (Psalmi 86:5, BR; 130:3, 4; Isaia 1:18; 55:7; Veprat 3:19) Kështu, shpërblesa na mundëson t’i shërbejmë Perëndisë me një ndërgjegje të pastër dhe bën të mundur që t’i afrohemi atij në lutje nëpërmjet emrit të Jezu Krishtit.—Gjoni 14:13, 14; Hebrenjve 9:14.

17. Për shkak të shpërblesës, cilat bekime të ardhshme bëhen të mundura?

17 Shpërblesa e Krishtit hap udhën për përmbushjen e qëllimit të Perëndisë, që njerëzit e bindur të jetojnë përgjithmonë në parajsën mbi tokë. (Psalmi 37:29) Pavli shkroi: «Pavarësisht se sa janë premtimet e Perëndisë, ato janë bërë Po me anë të tij [Jezuit].» (2. Korintasve 1:20, BR) Vërtet, vdekja ka «sunduar si mbret». (Romakëve 5:17, BR) Shpërblesa siguron një bazë që Perëndia të zhdukë këtë ‘armik të fundit’. (1. Korintasve 15:26; Zbulesa 21:4) Shpërblesa e Jezuit mund t’u sjellë dobi madje edhe atyre që kanë vdekur. «Po vjen ora,—tha Jezui,—në të cilën të gjithë ata që janë në varret përkujtimore do ta dëgjojnë zërin e tij [të Jezuit] dhe do të dalin jashtë.»—Gjoni 5:28, 29, BR; 1. Korintasve 15:20-22.

18. Çfarë efekti tragjik ka mëkati mbi njerëzit dhe si do të hiqet ky efekt në botën e re të Perëndisë?

18 Mendo sa e kënaqshme do të jetë të provojmë jetën siç ishte menduar në fillim, të lirë nga ankthet që na rëndojnë sot! Mëkati na ka bërë që të mos jemi në harmoni jo vetëm me Perëndinë, por edhe me mendjen, zemrën dhe trupin tonë. Megjithatë, Bibla premton se në botën e re të Perëndisë, «asnjë banor nuk do të thotë: ‘Jam i sëmurë’». Po, sëmundjet fizike dhe emocionale nuk do ta torturojnë më njerëzimin. Pse? Isaia përgjigjet: «Njerëzit që banojnë në vend do të jenë ata që janë falur për gabimet e tyre.»—Isaia 33:24, BR.

Shpërblesa: Një shprehje e dashurisë

19. Si duhet të reagojmë ne personalisht ndaj shpërblesës së Krishtit?

19 Dashuria e shtyu Jehovain të dërgonte Birin e tij shumë të dashur. (Romakëve 5:8; 1. Gjonit 4:9) Nga ana e vet, dashuria e shtyu Jezuin të «provonte vdekjen për çdo njeri». (Hebrenjve 2:9, BR; Gjoni 15:13) Me arsye të vlefshme, Pavli shkroi se «dashuria që ka Krishti na shtyn fuqishëm . . . Ai vdiq për të gjithë, me qëllim që ata që jetojnë të mos jetojnë më për vetveten, por për atë që vdiq për ta dhe u ringjall». (2. Korintasve 5:14, 15, BR) Nëse e çmojmë atë që ka bërë Jezui për ne, do të reagojmë pozitivisht. Në fund të fundit, shpërblesa bën të mundur që të shpëtohemi nga vdekja! Patjetër, nuk do të donim që veprimet tona të linin të kuptohej se e llogaritim flijimin e Jezuit si të ketë një vlerë të zakonshme.—Hebrenjve 10:29.

20. Cilat janë disa mënyra, në të cilat e zbatojmë «fjalën» e Jezuit?

20 Si mund të shfaqim vlerësim të sinqertë për shpërblesën? Pak kohë para arrestimit, Jezui pohoi: «Nëse dikush më do, ai do të zbatojë fjalën time.» (Gjoni 14:23, BR) «Fjala» e Jezuit përfshin urdhrin e tij që të kemi një pjesëmarrje të zellshme në përmbushjen e detyrës: «Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga njerëz të të gjitha kombeve, duke i pagëzuar.» (Mateu 28:19, BR) Bindja ndaj Jezuit kërkon edhe që të tregojmë dashuri për vëllezërit tanë frymorë.—Gjoni 13:34, 35.

21. Pse duhet të jemi të pranishëm në kremtimin e Përkujtimit më 1 prill?

21 Një nga mënyrat më të mira se si mund ta tregojmë vlerësimin tonë për shpërblesën është të jemi të pranishëm në Përkujtimin e vdekjes së Krishtit, që këtë vit do të mbahet më 1 prill.a Edhe kjo është pjesë e «fjalës» së Jezuit, sepse kur themeloi këtë kremtim, Jezui i urdhëroi ithtarët e tij: «Vazhdoni ta bëni këtë në përkujtimin tim.» (Luka 22:19, BR) Duke qenë të pranishëm në këtë ngjarje që është më e rëndësishmja dhe me vëmendjen e mprehtë që tregojmë ndaj gjithë asaj që urdhëroi Krishti, do të shfaqim bindjen tonë të patundur se shpërblesa e Jezuit është udha hyjnore e shpëtimit. Me të vërtetë, «nuk ka asnjë shpëtim në asnjë tjetër».—Veprat 4:12, BR.

[Shënimi]

a Këtë vit, 1 prilli korrespondon me 14 nisanin e vitit 33 të e.s., datën kur vdiq Jezui. Kërkoju Dëshmitarëve të Jehovait në zonën tënde orarin dhe vendin e kremtimit të Përkujtimit.

A mund të kujtosh?

◻ Pse njerëzit nuk mund ta shlyejnë gjendjen e tyre mëkatare?

◻ Në ç’mënyrë Jezui është «një shpërblesë përkatëse»?

◻ Si e përdori Jezui të drejtën e tij të jetës së përsosur njerëzore për dobinë tonë?

◻ Cilat bekime i vijnë njerëzimit për shkak të shpërblesës së Krishtit?

[Figura në faqen 15]

Vetëm një njeri i përsosur, ekuivalenti i Adamit, mund ta ekuilibronte peshoren e drejtësisë

[Figura në faqen 16]

Meqë Jezui kishte të drejtën e jetës së përsosur njerëzore, vdekja e tij kishte vlerë sakrifikuese

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo