BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w99 1/3 f. 24-29
  • Më shumë se 40 vjet nën ndalimin komunist

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Më shumë se 40 vjet nën ndalimin komunist
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • E vërteta biblike arrin te ne
  • Praktikimi i asaj që mësova
  • Sprova ime e parë vjen papritur
  • Burgimi dhe internimi
  • Aktiviteti frymor në burg
  • Përsëri me familjen
  • Kontakti me kampet e burgimit
  • Transferimi dhe tragjeditë
  • Familja shpërndahet
  • Bekime për qëndrueshmërinë
  • U bëra ballë vështirësive për t’i shërbyer Perëndisë
    Zgjohuni!—2005
  • I internuar në Siberi!
    Zgjohuni!—1999
  • Meraku im kryesor: Të qëndroja besnik
    Zgjohuni!—2000
  • Qëndrueshmëria nën sprova sjell bekime
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait (Për studim)—2017
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
w99 1/3 f. 24-29

Më shumë se 40 vjet nën ndalimin komunist

TREGUAR NGA MIKAIL VASILEVIÇ SAVITSKI

Kulla e Rojës, 1 prill 1956 raportonte se në datat 1, 7 dhe 8 prill 1951, ishte bërë «një spastrim i madh» Dëshmitarësh të Jehovait. «Këto janë data të paharrueshme nga Dëshmitarët e Jehovait në Rusi,—shpjegonte Kulla e Rojës.—Në këto tri ditë, të gjithë Dëshmitarët e Jehovait që mund të gjendeshin në Ukrainën Perëndimore, në Rusinë e Bardhë [Bjellorusi], në Besarabi, në Moldavi, në Letoni, në Lituani dhe në Estoni, më shumë se shtatë mijë burra e gra . . . i ngarkuan nëpër qerre, i çuan deri në stacionet hekurudhore, i hipën në vagonë kafshësh dhe i degdisën larg.»

NË DATËN 8 prill 1951, gruan time, djalin tim tetëmuajsh, prindërit e mi, vëllanë tim më të vogël dhe shumë Dëshmitarë të tjerë i dëbuan nga shtëpitë e tyre në dhe përreth Ternopolit në Ukrainë. Pasi i hipën në vagonë kafshësh, ata udhëtuan për afro dy javë. Më në fund, zbritën në tajgën siberiane (pyjet sub-arktike), në perëndim të liqenit Bajkal.

Pse nuk u përfshiva edhe unë në këtë spastrim? Para se të tregoj ku isha në atë kohë dhe çfarë ndodhi me të gjithë ne më pas, dëshiroj të them se si u bëra Dëshmitar i Jehovait.

E vërteta biblike arrin te ne

Në shtator të vitit 1947, kur isha vetëm 15 vjeç, dy Dëshmitare të Jehovait trokitën në derën tonë në fshatin e vogël Slavjatin, rreth 50 kilometra larg Ternopolit. Ndërsa unë dhe mamaja qëndronim ulur duke dëgjuar këto vajza, njëra prej të cilave quhej Maria, e kuptova se kjo nuk ishte thjesht një fe tjetër. Ato shpjeguan besimin e tyre dhe iu përgjigjën në një mënyrë të qartë pyetjeve tona rreth Biblës.

Unë besoja se Bibla ishte Fjala e Perëndisë, por isha zhgënjyer nga kisha. Gjyshi e kishte zakon të thoshte: «Priftërinjtë i frikësojnë njerëzit, duke u folur për mundimin në zjarrin e ferrit, por ata për vete nuk kanë frikë nga asgjë. Vetëm sa grabitin dhe mashtrojnë të varfërit.» Më kujtohen aktet e dhunës dhe të djegieve kundër banorëve polakë të fshatit tonë në fillim të Luftës II Botërore. Është tronditës fakti se këto sulme u organizuan nga prifti i Kishës Katolike Greke. Pas kësaj, pashë të masakruara me dhjetra viktima dhe doja me padurim të dija arsyet e kësaj mizorie.

Duke studiuar Biblën me Dëshmitaret, fillova të kuptoja. Mësova të vërtetat bazë të Biblës, duke përfshirë faktin se nuk ekziston asnjë ferr i zjarrtë dhe se Satana Djalli e përdor fenë e rreme për të nxitur luftërat dhe gjakderdhjen. Me intervale, ndaloja gjatë studimit tim personal dhe i drejtoja Jehovait një lutje të përzemërt falënderimi për atë që po mësoja. Fillova t’ia tregoja këto të vërteta biblike vëllait tim më të vogël, Stakit dhe u lumturova kur ai i pranoi ato.

Praktikimi i asaj që mësova

E kuptova nevojën për të bërë ndryshime personalisht dhe menjëherë e lashë duhanin. E kuptova, gjithashtu, nevojën për t’u mbledhur rregullisht me të tjerët për një studim të organizuar të Biblës. Për të bërë këtë, ecja përmes pyjeve për afro 10 kilometra, që të arrija në vendin e fshehtë ku mbaheshin mbledhjet. Disa herë, vetëm ca gra kishin mundësi të vinin në mbledhje dhe ndonëse nuk isha pagëzuar ende, më kërkohej të drejtoja mbledhjen.

Mbajtja e literaturës biblike ishte gjë me rrezik dhe të kapeshe me të do të sillte si pasojë dënimin deri në 25 vjet burg. Megjithatë, unë doja shumë të kisha bibliotekën time. Një fqinji ynë kishte studiuar me Dëshmitarët e Jehovait, por për shkak të frikës e kishte lënë studimin dhe e kishte groposur literaturën në kopshtin e tij. Sa e falënderova Jehovain kur fqinji i nxori të gjithë librat dhe revistat e tij nga toka dhe pranoi të m’i jepte mua! I fsheha në kosheret e bletëve që kishte babai, një vend ku të tjerët nuk do të kishin shumë qejf të kontrollonin.

Në korrik të vitit 1949 i dedikova jetën Jehovait dhe u pagëzova në simbol të dedikimit tim. Ishte dita më e lumtur e jetës sime. Dëshmitari që drejtoi pagëzimin e fshehtë theksoi se nuk është e lehtë të jesh një i krishterë i vërtetë dhe se përpara gjendeshin shumë sprova. Shumë shpejt, e mësova sa të vërteta ishin këto fjalë! Megjithatë, jeta ime si Dëshmitar i pagëzuar filloi e gëzueshme. Dy muaj pas pagëzimit, u martova me Marian, një nga dy vajzat që na kishin folur për herë të parë mua dhe mamasë sime për të vërtetën.

Sprova ime e parë vjen papritur

Më 16 prill 1950, po kthehesha nga qyteti i vogël i Padgitsit për në shtëpi, kur u ndesha papritur me ushtarët që më gjetën literaturën biblike, të cilën po e çoja në grupin tonë të studimit. Më arrestuan. Gjatë ditëve të para të arrestimit, më rrahën me shkop dhe nuk më lanë të haja ose të flija. Më urdhëruan, gjithashtu, të bëja njëqind ulje-ngritje të plota, duke i mbajtur duart sipër kokës dhe kur i mbarova ato isha i sfilitur. Pas kësaj, më rrasën në një bodrum të ftohtë e të lagësht për 24 orë.

Qëllimi i këtij keqtrajtimi ishte që të më ulnin rezistencën dhe të merrnin më lehtë informacion prej meje. «Ku e more literaturën dhe kujt po ia çoje?»—më pyetën ata. Nuk pranova të nxirrja as edhe një gjë. Pastaj, më lexuan një pjesë të ligjit, sipas të cilit do të më dënonin. Aty thuhej se shpërndarja dhe mbajtja e literaturës antisovjetike dënohej me ekzekutim me vdekje ose me 25 vjet burgim.

«Cilin dënim preferon?»—më pyetën.

«Asnjërin,—iu përgjigja,—por unë kam besim në Jehovain dhe me ndihmën e tij, do të pranoj gjithçka që ai lejon.»

Për habinë time, pas shtatë ditësh më lanë të lirë. Ajo përvojë më ndihmoi të kuptoja vërtetësinë e premtimit të Jehovait: «Në asnjë mënyrë nuk do të të lë dhe në asnjë mënyrë nuk do të të braktis.»—Hebrenjve 13:5, BR.

Kur u ktheva në shtëpi isha në gjendje shumë të rëndë, por babai më çoi te një mjek dhe pas jo shumë kohësh u shërova. Edhe pse im atë nuk kishte të njëjtat bindje fetare me pjesën tjetër të familjes, ai na mbështeti në adhurimin tonë.

Burgimi dhe internimi

Disa muaj më vonë më thirrën për shërbimin ushtarak në ushtrinë sovjetike. U shpjegova kundërshtimin tim për arsye të ndërgjegjes. (Isaia 2:4) Gjithsesi, në shkurt të vitit 1951 më dënuan me katër vjet burgim dhe më dërguan në burgun e Ternopolit. Më vonë, më transferuan në burgun e L’vivit, një qytet më i madh rreth 120 kilometra larg. Ndërsa isha në burg atje, mësova se shumë Dëshmitarë i kishin internuar në Siberi.

Në verën e vitit 1951, një grup prej nesh e dërguan përtej Siberisë, një rrugë e gjatë deri në Lindjen e Largët. Udhëtuam për një muaj të tërë, për afro 11.000 kilometra, duke kapërcyer 11 zona orare. Vetëm një herë, pas më shumë se dy javësh udhëtimi me tren, ndaluam në një vend ku na lejuan të bënim një banjë. Kjo ndodhi në një banjë të madhe publike në Novosibirsk, Siberi.

Atje, mes një turme të madhe të burgosurish, dëgjova një burrë që tha me zë të lartë: «Cili, këtu, është nga familja e Jonadabit?» Termi «Jonadab» në atë kohë përdorej për të identifikuar ata që kishin shpresën e jetës së përjetshme në tokë. (2. Mbretërve 10:15-17; Psalmi 37:11, 29) Disa të burgosur menjëherë u identifikuan si Dëshmitarë. Sa i madh ishte gëzimi kur përshëndetëm njëri-tjetrin!

Aktiviteti frymor në burg

Ndërsa ishim në Novosibirsk, ramë dakord që të përdorim një fjalëkalim për të identifikuar njëri-tjetrin, kur të mbërrinim në destinacionin tonë. Që të gjithë përfunduam në të njëjtin kamp burgimi në Detin e Japonisë, jo shumë larg Vladivostokut. Atje organizuam mbledhje të rregullta për studimin e Biblës. Qëndrimi me ata vëllezër të pjekur, më të mëdhenj se unë, që ishin dënuar me burgim të gjatë më forcoi me të vërtetë frymësisht. Ata e bënin me radhë për të drejtuar mbledhjet tona, duke përdorur shkrime biblike dhe pika që lidheshin me to, të cilat ata i kujtonin nga revistat Kulla e Rojës.

Bëheshin pyetje dhe vëllezërit u jepnin përgjigje. Shumë nga ne pritnin copa letrash nga thasët bosh të çimentos dhe mbanin shënime nga komentet e bëra. I ruanim ato shënime dhe i lidhnim së bashku për t’i përdorur si bibliotekën tonë personale për referime. Pas disa muajsh, ata që kishin dënime të gjata u dërguan në kampet që gjendeshin në veriun e largët të Siberisë. Tre nga ne vëllezërit më të rinj i transferuan në Nakodka, një qytet aty afër, më pak se 650 kilometra larg Japonisë. Në atë burg kalova dy vjet.

Disa herë arrinim të shtinim në dorë një kopje të Kullës së Rojës. Ajo na shërbente si ushqim frymor për muaj të tërë. Me kalimin e kohës morëm edhe letra. E para që mora vinte nga familja ime (që tani ishte në internim) dhe m’i përloti sytë. Aty tregohej se, ashtu si përshkruhej në Kullën e Rojës të cituar në hyrje të artikullit, shtëpitë e Dëshmitarëve ishin pushtuar dhe familjeve u ishin dhënë vetëm dy orë kohë për t’u larguar.

Përsëri me familjen

Më liruan në dhjetor të vitit 1952, pasi bëra dy vjet nga dënimi im prej katër vjetësh. U bashkova me familjen time në fshatin e vogël të Gadalejit afër Tulunës, në Siberi, ku i kishin internuar. Sigurisht, ishte një gjë e mrekullueshme të isha përsëri me ta: djali im, Ivani, ishte rreth tre vjeç dhe vajza, Ana, ishte gati dy vjeçe. Por, liria ime qe relative. Autoritetet vendase më konfiskuan pasaportën dhe më vunë nën vëzhgim të rreptë. Nuk mund të udhëtoja më larg se 3 kilometra nga shtëpia. Më vonë, më lejuan të shkoja me kalë deri në tregun e Tulunës. Duke bërë kujdes, u takova me Dëshmitarët e tjerë atje.

Në atë kohë kishim dy vajza, Anën dhe Nadian dhe dy djem, Ivanin dhe Koljan. Në vitin 1958 patëm edhe një djalë tjetër, Volodjan. Dhe më vonë, në vitin 1961, patëm edhe një vajzë tjetër, Galian.

KGB-ja (ish-komiteti i sigurimit të shtetit) shpesh më mbante në arrest dhe më merrte në pyetje. Synimi i tyre ishte jo vetëm që të më detyronin t’u jepja informacione rreth kongregacionit, por edhe të krijonin dyshimin se po bashkëpunoja me ta. Për këtë qëllim, më çonin në ndonjë restorant të mirë dhe përpiqeshin të më bënin fotografi ku unë buzëqeshja dhe ia kaloja mirë me ta. Por unë i dallova motivet e tyre dhe me përpjekje të ndërgjegjshme, mbaja gjithnjë fytyrë serioze. Çdo herë që më mbanin në arrest, u tregoja vëllezërve pikë për pikë atë që kishte ndodhur. Kështu, ata nuk dyshuan kurrë për besnikërinë time.

Kontakti me kampet e burgimit

Përgjatë viteve, qindra Dëshmitarë u futën nëpër kampe burgimi. Gjatë kësaj kohe, ne mbanim kontakt të rregullt me vëllezërit tanë të burgosur, duke i pajisur me literaturë. Si bëhej kjo? Kur vëllezërit ose motrat liroheshin nga një kamp, mësonim prej tyre mënyra se si mund të futej fshehurazi literatura, me gjithë kontrollet e rrepta. Për afro dhjetë vjet, qemë në gjendje t’i pajisnim vëllezërit tanë në këto kampe me kopje revistash dhe librash, që i merrnim nga Polonia dhe vende të tjera.

Shumë nga motrat tona të krishtere kaluan orë të tëra, duke e kopjuar me vështirësi literaturën me kaligrafi kaq të vogël, saqë një revistë e tërë mund të fshihej në një send aq të vogël sa një kuti shkrepëseje! Në vitin 1991, kur nuk ishim më nën ndalim dhe morëm revista të bukura me ngjyra, një nga motrat tona tha: «Tani do të na harrojnë.» E kishte gabim. Edhe pse njerëzit mund të harrojnë, punën e këtyre grave besnike Jehovai nuk do ta harrojë kurrë.—Hebrenjve 6:10.

Transferimi dhe tragjeditë

Nga fundi i vitit 1967, shtëpia e vëllait tim në Irkutsk u kontrollua. U gjetën filma dhe kopje të literaturës biblike. E akuzuan dhe e dënuan me tre vjet burgim. Megjithatë, kur kontrolluan shtëpinë tonë nuk gjetën asgjë. Gjithsesi, autoritetet ishin të bindura se ne ishim të përfshirë në këtë çështje, prandaj familjes sime iu desh të largohej nga ajo zonë. U transferuam rreth 5.000 kilometra në perëndim, në qytetin Nevinomisk, në Kaukaz. Atje u mbajtëm të zënë me dëshminë joformale.

Tragjedia e goditi familjen time ditën e parë të pushimeve shkollore, në qershor të vitit 1969. Ndërsa përpiqej të kapte një top afër një transformatori elektrik të tensionit të lartë, djali ynë 12-vjeçar, Kolja, mori një goditje elektrike të rëndë. Mbi 70 përqind e trupit të tij u dogj. Në spital, ai u kthye nga unë dhe më pyeti: «A do të shkojmë dot përsëri në ishull?» (Po fliste për një ishull ku na pëlqente të shkonim shpesh bashkë.) «Po, Kolja,—i thashë,—do të shkojmë përsëri. Kur Jezu Krishti të të sjellë përsëri në jetë, patjetër që do të shkojmë në atë ishull.» Gjysmë i vetëdijshëm, ai vazhdoi të këndonte një nga këngët e tij të preferuara të Mbretërisë, të cilën kishte qejf ta luante me trumpetën e tij në orkestrën e kongregacionit. Ai vdiq tri ditë më vonë, i sigurt në shpresën e ringjalljes.

Vitin që pasoi, djalin tonë 20-vjeçar, Ivanin, e thirrën për shërbimin ushtarak. Kur refuzoi të bënte shërbimin ushtarak, e arrestuan dhe kaloi tri vjet në burg. Në vitin 1971 më thirrën edhe mua për shërbimin ushtarak dhe më kërcënuan përsëri me burgim, nëse nuk e kryeja. Çështja ime u zvarrit për muaj të tërë. Ndërkohë, gruaja ime u sëmur me kancer dhe kishte nevojë për shumë kujdes. Për këtë arsye, çështja ime u pezullua. Maria vdiq në vitin 1972. Kishte qenë një shoqe besimplotë, besnike ndaj Jehovait deri në vdekje.

Familja shpërndahet

Në vitin 1973 u martova me Ninën. Babai i saj e kishte dëbuar nga shtëpia në vitin 1960, sepse ajo ishte bërë Dëshmitare. Ishte një shërbëtore e zellshme, e cila kishte qenë mes atyre motrave që kishin punuar shumë për të kopjuar revistat për ata që ishin në kampe burgimi. Edhe fëmijët e mi arritën ta donin atë.

Autoritetet u shqetësuan nga aktiviteti ynë në Nevinomisk dhe na bënë presion që të largoheshim. Kështu, në vitin 1975 bashkë me gruan dhe vajzat u transferuam në rajonin jugor kaukazian, në Gjeorgji. Në të njëjtën kohë, djemtë e mi, Ivani dhe Volodja, u transferuan në Zhambul, në kufirin jugor të Kazakistanit.

Në Gjeorgji aktiviteti i Dëshmitarëve të Jehovait sapo kishte filluar. Dhamë dëshmi joformale në Gagra dhe Sukumi, si edhe përreth tyre, në bregun e Detit të Zi dhe pas një viti, dhjetë Dëshmitarë të rinj u pagëzuan në lumin e një mali. Shpejt, autoritetet këmbëngulën që të largoheshim nga ajo zonë dhe u transferuam në Gjeorgjinë Lindore. Atje i intensifikuam përpjekjet tona për të gjetur njerëz ngjashëm deleve dhe Jehovai na bekoi.

Mblidheshim së bashku në grupe të vogla. Gjuha përbënte një problem, meqë ne nuk dinim gjeorgjisht dhe disa gjeorgjianë nuk flitnin mirë rusisht. Fillimisht, studionim vetëm me rusë. Por shpejt predikimi dhe mësimi në gjuhën gjeorgjiane përparoi dhe tani në Gjeorgji ka mijëra lajmëtarë të Mbretërisë.

Në vitin 1979, nën presionin e KGB-së, punëdhënësi im më tha se nuk isha më i dëshiruar në vendin e tij. Pikërisht në atë kohë, vajza ime Nadia pati një aksident rrugor, ku humbi jetën ajo dhe vajza e saj e vogël. Një vit më parë mamaja ime kishte vdekur në Nevinomisk, besimplotë ndaj Jehovait, duke lënë babanë dhe vëllanë tim më të vogël. Kështu që vendosëm të ktheheshim atje.

Bekime për qëndrueshmërinë

Në Nevinomisk vazhduam të prodhonim fshehurazi literaturë biblike. Një herë, gjatë mesit të viteve 80 kur më thirrën autoritetet, u thashë se kisha parë në ëndërr sikur po fshihja revistat. Qeshën. Kur po largohesha, njëri prej tyre tha: «Shpresoj të mos shohësh më ëndrra, ku fsheh literaturën tënde.» Pastaj tha: «Së shpejti, do ta ekspozosh literaturën nëpër raftet e tua dhe do të shkosh në mbledhje i kapur për krahu me gruan e duke mbajtur Biblën në dorë.»

Në vitin 1989 u hidhëruam kur vajza ime Ana vdiq nga një aneurizëm në tru. Ishte vetëm 38 vjeçe. Po atë vit, në gusht, Dëshmitarët në Nevinomisk morën me qira një tren dhe udhëtuan për në Varshavë, Poloni, për të ndjekur një kongres ndërkombëtar. Në kongres kishte 60.366 të pranishëm, duke përfshirë edhe mijëra vetë nga Bashkimi Sovjetik. Në të vërtetë, mendonim se ishim në ëndërr! Më pak se dy vjet më vonë, më 27 mars 1991 pata privilegjin të isha një nga pesë pleqtë e kongregacionit, të cilët kishin shërbyer prej më shumë kohësh në Bashkimin Sovjetik, që firmosën në Moskë dokumentin historik, ku njihej ligjërisht organizata fetare e Dëshmitarëve të Jehovait.

Jam i kënaqur se fëmijët që më kanë mbetur po i shërbejnë Jehovait plot besim. Mezi pres botën e re të Perëndisë, kur do të mund të shoh përsëri Anën, Nadian me vajzën e saj dhe Koljan. Kur ai të ringjallet, do ta mbaj fjalën për ta çuar në atë ishull ku na pëlqente kaq shumë të shkonim bashkë vite më parë.

Ndërkohë, çfarë gëzimi ka qenë për mua të shoh rritjen e shpejtë të së vërtetës biblike në këtë vend të paanë! Jam vërtet i lumtur për faktin se si ka shkuar jeta ime dhe falënderoj Jehovain që më lejoi të bëhesha një Dëshmitar i tij. Jam i bindur për vërtetësinë e Psalmit 34:8: «Shijoni dhe shihni se Jehovai është i mirë, o ju njerëz; i lumtur është njeriu i shëndetshëm që gjen strehim në të.»—BR.

[Figura në faqen 25]

Viti kur u bashkova me familjen në Tulunë

[Figurat në faqen 26]

Sipër: Babai dhe fëmijët e mi para shtëpisë sonë në Tulunë, Siberi

Sipër djathtas: Vajza ime Nadia me vajzën e saj; të dyja vdiqën në një aksident automobilistik

Djathtas: Një fotografi e familjes në vitin 1968

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo