BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w99 1/4 f. 3-7
  • Një libër mençurie me një mesazh për sot

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Një libër mençurie me një mesazh për sot
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • A po vuan nga depresioni?
  • A po has probleme në shtëpi?
  • A dëshiron të kesh sukses në jetën tënde?
  • A do ta hapësh çantën?
  • «Lum njeriu që ka gjetur mençurinë!»
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2001
  • Mençuria e vërtetë po thërret
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2022 (Për studim)
  • «Të gjitha thesaret e mençurisë»
    «Eja e bëhu dishepulli im»
  • A vepron në jetën tonë «mençuria nga lart»?
    T’i afrohemi Jehovait
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
w99 1/4 f. 3-7

Një libër mençurie me një mesazh për sot

«NJË çantë plot me mençuri vlen më shumë se një [çantë] plot me perla»,—vërejti patriarku i lashtësisë, Jobi, i cili padyshim ishte një nga njerëzit më të pasur të kohës së vet. (Jobi 1:3; 28:18, BR; 42:12) Vërtet, mençuria vlen shumë më tepër se zotërimet materiale, kur bëhet fjalë për ta ndihmuar një person që të ketë sukses në jetën e vet. «Mençuria është për mbrojtje, po ashtu si paraja është për një mbrojtje,—tha mbreti i mençur Solomon,—por përparësia e njohurisë është se mençuria vetë i ruan gjallë pronarët e saj.»—Predikuesi 7:12, BR.

Por, ku mund të gjendet sot kjo mençuri? Njerëzit u drejtohen gazetarëve të rubrikave me këshilla, psikologëve, psikiatërve e madje parukierëve dhe shoferëve të taksive, për t’u folur për problemet e tyre personale. Gjithashtu, specialistë të panumërt janë gati të japin këshilla pothuajse mbi çdo subjekt, kundrejt një pagese të përshtatshme. Por, shpesh, fjalë të tilla «mençurie» i kanë çuar shumë njerëz vetëm në zhgënjim e madje në rrënim. Atëherë, si mund ta gjejmë mençurinë e vërtetë?

Jezu Krishti, i cili kishte shumë mendjehollësi mbi çështjet njerëzore, një herë tha: «Mençuria është provuar e drejtë nga veprat e saj.» (Mateu 11:19, BR) Le të shqyrtojmë disa probleme të zakonshme në jetën e njerëzve dhe të shohim se cilat fjalë mençurie i kanë ndihmuar vërtetë dhe kanë dalë më me vlerë për ta, sesa ‘një çantë plot me perla’. Edhe ti mund ta gjesh këtë «çantë plot me mençuri» dhe të nxjerrësh dobi prej saj.

A po vuan nga depresioni?

«Nëse shekulli i 20-të shënoi fillimin e Epokës së Ankthit, fundi i këtij shekulli po sheh agimin e Epokës së Melankolisë»,—vëren gazeta International Herald Tribune e Londrës. Aty shtohet se «studimi i parë, i bërë në rang ndërkombëtar për depresionin e rëndë zbulon një ngritje të vazhdueshme në çrregullimin mbarëbotëror. Në kombe kaq të ndryshme siç janë Tajvani, Libani dhe Zelanda e Re, çdo brez pasardhës po rritet më i prekshëm ndaj kësaj lëngate». Thuhet se ata që kanë lindur pas vitit 1955 kanë tri herë më shumë mundësi të vuajnë nga depresioni i rëndë sesa gjyshërit e tyre.

Ky ishte rasti i Tomoes, e cila vuante nga depresioni i rëndë dhe i kalonte pothuajse të gjitha ditët e saj në shtrat. Meqenëse nuk mund të kujdesej për djalin e saj dyvjeçar, ajo u transferua në shtëpinë e prindërve. S’kaloi shumë dhe një fqinjë, e cila kishte një vajzë në të njëjtën moshë me djalin e Tomoes, u bë shoqe me të. Kur Tomoe i tha fqinjës së vet se sa pa vlerë ndihej, ajo i tregoi një shkrim nga një libër. Aty thuhej: «Syri nuk mund t’i thotë dorës: ‘Unë nuk kam nevojë për ty’ dhe po ashtu koka nuk mund t’u thotë këmbëve: ‘Unë nuk kam nevojë për ju.’ Madje gjymtyrët e trupit që duken se janë më të dobëta, janë shumë më të nevojshme se të tjerat.»a Sytë e Tomoes u mbushën me lot, kur kuptoi se gjithkush ka një vend në këtë botë dhe është i nevojshëm.

Fqinja i rekomandoi të shqyrtonte librin që përmbante këto fjalë. Tomoe tundi kokën me miratim, edhe pse deri atëherë nuk kishte qenë në gjendje të bënte asnjë gjë, madje as të sforcohej të bënte një premtim të thjeshtë. Fqinja e ndihmoi, gjithashtu, Tomoen për të bërë pazarin dhe për të përgatitur vaktet çdo ditë. Një muaj më vonë, Tomoe zgjohej çdo mëngjes, lante rrobat, pastronte shtëpinë, bënte pazarin dhe përgatiste drekën, pikërisht siç do të bënte çdo amvisë. Iu desh të kapërcente shumë vështirësi, por ajo tha: «Isha e sigurt se nëse do të ndiqja pikë për pikë fjalët e mençurisë që kisha gjetur, do të isha shkëlqyeshëm.»

Duke vënë në praktikë mençurinë që kishte gjetur, Tomoe kapërceu ditët e zymta të depresionit të saj. Tani, Tomoe punon në kohë të plotë për të ndihmuar të tjerët të vënë në praktikë të njëjtat fjalë që i dhanë mundësi asaj të përballonte problemet. Ato fjalë mençurie gjenden në një libër të lashtë që ka një mesazh për të gjithë njerëzit sot.

A po has probleme në shtëpi?

Përreth botës, përqindja e divorcit po rritet me shpejtësi. Problemet në shtëpi po rriten edhe në vendet orientale, ku njëherë e një kohë njerëzit mburreshin me familjet e tyre shumë të bashkuara. Ku mund të gjejmë udhëheqje të mençur e praktike për martesën?

Shqyrto rastin e Shugos dhe Mihokos, një çift që kishte probleme të pafundme martesore. Ata grindeshin për çdo vogëlsi. Shugo merrte zjarr shpejt dhe Mihoko ia kthente flakë për flakë sa herë që ai e kritikonte. Mihoko shkoi deri aty sa mendoi: ‘Është e pamundur që të merremi vesh për ndonjë gjë.’

Një ditë, një grua i bëri vizitë Mihokos dhe i lexoi këto fjalë të marra nga një libër: «Gjithçka, pra, që ju dëshironi t’ju bëjnë njerëzit, ua bëni edhe ju atyre.»b Edhe pse nuk ishte e interesuar për fenë, Mihoko pranoi të studionte librin që përmbante këto fjalë. Ajo interesohej për përmirësimin e jetës së saj familjare. Prandaj, kur iu bë ftesa për të shkuar në një mbledhje, ku studiohej një botim me titull Bëjeni të lumtur jetën familjare, Mihoko, së bashku me bashkëshortin, pranoi menjëherë. c

Në mbledhje, Shugo vuri re se të pranishmit po e zbatonin faktikisht atë që po mësonin dhe se dukeshin që ishin të lumtur. Ai vendosi të shqyrtonte librin që po studionte gruaja e tij. Shumë shpejt i tërhoqi vëmendjen një pohim: «Kush është i ngadalshëm në zemërim është shumë i matur, por ai që rrëmbehet me lehtësi vë në dukje marrëzinë e tij.»d Edhe pse iu desh kohë për ta zbatuar në jetën e tij këtë parim, ndryshimi gradual që bëri, u bë i dukshëm për ata që e rrethonin, duke përfshirë edhe gruan e tij.

Duke parë ndryshimet e burrit të saj, edhe Mihoko filloi të zbatonte atë që po mësonte. Një parim që e ndihmoi në mënyrë të veçantë ishte ky: «Mos gjykoni, që të mos gjykoheni, sepse ju do të gjykoheni sipas gjykimit me të cilin ju gjykoni.»e Prandaj, Mihoko dhe bashkëshorti i saj vendosën që të flitnin me njëri-tjetrin për cilësitë e mira që kishin dhe se si mund të përmirësoheshin, në vend se të bënin kritika. Cili ishte rezultati? Mihoko kujton: «Më ka bërë me të vërtetë të lumtur. Jemi duke e bërë këtë çdo mbrëmje, kur hamë darkë. Edhe djali ynë trevjeçar bashkohet në bisedë. Ka qenë vërtet përtëritëse për ne!»

Kur kjo familje vuri në praktikë këshillat domethënëse që kishte marrë, pjesëtarët e saj qenë në gjendje të kapërcenin problemet që po e tensiononin marrëdhënien e tyre, duke e çuar deri në pikën e ndarjes. A nuk është kjo më me vlerë për ta, sesa një çantë plot me perla?

A dëshiron të kesh sukses në jetën tënde?

Për shumë njerëz sot, synimi që kanë në jetë është grumbullimi i pasurive. Megjithatë, një biznesmen i pasur në Shtetet e Bashkuara, i cili ka dhënë qindra milionë dollarë për bamirësi, një herë tha: «Paraja i tërheq disa njerëz, por askush nuk mund të veshë dy palë këpucë në të njëjtën kohë.» Janë të paktë ata që e pranojnë këtë fakt, e akoma më të paktë ata që ndalojnë rendjen pas pasurive.

Hitoshi u rrit në familje të varfër, kështu që kishte një dëshirë të fortë për t’u bërë i pasur. Pasi pa se si kreditorët i tërhiqnin për hundësh njerëzit, ai vendosi: «Fituesi është ai që merr në zotërim paratë.» Hitoshi besonte kaq shumë në fuqinë e parave, saqë mendonte se me to mund të bliheshin edhe jetë njerëzish. Me qëllim që të grumbullonte pasuri, ai iu përkushtua biznesit të tij me pajisjet hidraulike dhe punoi një vit të tërë, pa marrë asnjë ditë pushim. Por sado që u përpoq shumë, ai kuptoi se duke qenë një nënkontraktues, nuk do të ishte kurrë i fuqishëm sa kontraktuesit që i jepnin atij punë. Çdo ditë e mundonte zhgënjimi dhe frika e falimentimit.

Pastaj, një burrë erdhi në shtëpinë e Hitoshit dhe e pyeti nëse e dinte se Jezu Krishti kishte vdekur për të. Meqë Hitoshi mendonte se asnjë nuk do të vdiste për një person si ai, pati kureshtje dhe ra dakord për të biseduar më tej. Javën që vijoi, ai ndoqi një fjalim dhe u habit kur dëgjoi këshillën për të ‘mbajtur syrin të thjeshtë’. Oratori shpjegoi se një sy «i thjeshtë» është largpamës dhe i përqendruar mbi gjërat frymore, kurse nga ana tjetër një sy «i lig» ose «smirëzi» është i përqendruar vetëm mbi dëshirat momentale të mishit dhe është dritëshkurtër. Një këshillë që i la mbresa të thella ishte: «Atje ku është thesari juaj, atje do të jetë edhe zemra juaj.»f Ekziston diçka më e rëndësishme se fitimi i pasurive! Kurrë më parë nuk kishte dëgjuar diçka të ngjashme.

Me mbresa të thella, ai filloi të zbatonte atë që po mësonte. Në vend se të rropatej për paratë, ai filloi të vinte në vend të parë në jetën e tij vlerat frymore. Kalonte kohë edhe për t’u kujdesur për mirëqenien frymore të familjes së tij. Natyrisht, kjo nënkuptoi më pak kohë për t’ia kushtuar punës, e megjithatë biznesi i tij mori një kthesë të favorshme. Pse?

Personaliteti i tij agresiv ndryshoi në një personalitet të butë e miqësor, ndërsa ai vetë reagonte pozitivisht ndaj këshillave që i ishin dhënë. I bëri përshtypje të veçantë këshilla: «Por, tani hiqni edhe ju të gjitha këto gjëra: zemërim, zemëratë, ligësi e mos të dalë sharje dhe e asnjë e folur e pandershme nga goja juaj. Mos gënjeni njëri-tjetrin, sepse ju e zhveshët njeriun [personalitetin, BR] e vjetër me veprat e tij dhe veshët njeriun [personalitetin, BR] e ri që përtërihet në njohurinë sipas shembullit të atij që e krijoi.»g Ndjekja e kësaj këshille nuk e bëri atë të pasur, por «personaliteti i ri» i tij bëri një përshtypje të mirë te klientët e tij dhe fitoi mirëbesimin e sigurinë e tyre. Po, fjalët e mençurisë që gjeti e ndihmuan për të pasur sukses në jetën e tij. Për të, ato fjalë vlenin, në kuptimin e mirfilltë, shumë më tepër se një çantë plot me perla ose para.

A do ta hapësh çantën?

A mund ta identifikosh çantën plot me mençuri që ka dalë kaq me vlerë për individët në shembujt e mësipërm? Është mençuria që gjendet në Bibël, në librin më gjerësisht të qarkulluar dhe më me lehtësi në dispozicion, që mund të gjendet në tokë. Ka mundësi që edhe ti të kesh një kopje ose mund ta gjesh me lehtësi atë. Megjithatë, ashtu si pasja e një çante plot me perla do të kishte pak vlerë për pronarin e saj nëse nuk do t’i përdorte, thjesht pasja e një Bible do të jetë po ashtu me pak vlerë. Përse të mos e hapësh çantën, si të themi, e të vësh në praktikë këshillat e mençura të Biblës dhe sugjerimet në kohën e duhur, e të shohësh se si mund të të ndihmojë ajo për të zgjidhur me sukses problemet e jetës?

Nëse do të të jepnin ndonjëherë një çantë plot me perla, a nuk do të ishe mirënjohës dhe a nuk do të përpiqeshe për të gjetur se kush është mirëbërësi yt, që të mund ta falënderosh? A e di se cili është Dhuruesi në rastin e Biblës?

Bibla zbulon se kush është Burimi i mençurisë që gjendet brenda saj, kur thotë: «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm.» (2. Timoteut 3:16) Ajo na thotë edhe se «fjala e Perëndisë është e gjallë dhe ushtron fuqi». (Hebrenjve 4:12, BR) Ja përse fjalët e mençura që gjenden në Bibël janë kaq të kohës dhe të efektshme për ne që jetojmë sot. Dëshmitarët e Jehovait do të jenë të kënaqur të të ndihmojnë që të mësosh për këtë Dhurues bujar, Perëndinë Jehova, me qëllim që të kesh edhe ti perspektivën për të qenë përfitues i ‘çantës plot me mençuri’ që gjendet në Bibël, libri i mençurisë me një mesazh për njerëzit sot.

[Shënimet]

a Citimi është marrë nga 1. Korintasve 12:21, 22.

b Mateu 7:12.

c Botuar në anglisht nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.

d Fjalët e urta 14:29.

e Mateu 7:1, 2.

f Mateu 6:21-23, shënimi, BR.

g Kolosianëve 3:8-10.

[Kutia dhe figura në faqen 4]

Fjalë mençurie për të mbajtur ekuilibrin emocional

«Nëse gabimet do të ishin ato që shikon ti, o Jah, o Jehova, kush do të mund të qëndronte në këmbë? Sepse me ty është falja e vërtetë, me qëllim që të të druajnë.»—Psalmi 130:3, 4, BR.

«Një zemër e gëzuar e bën të lumtur fytyrën, por nga pikëllimi i zemrës fryma dërrmohet.»—Fjalët e urta 15:13.

«Mos ji tepër i drejtë, as i urtë jashtë mase. Pse kërkon të shkatërrohesh?»—Predikuesi 7:16.

«Ka më shumë lumturi të japësh sesa të marrësh.»—Veprat 20:35.

«Zemërohuni dhe mos mëkatoni; dielli të mos perëndojë mbi inatin tuaj.»—Efesianëve 4:26.

[Kutia dhe figura në faqen 5]

Fjalë mençurie për një jetë të lumtur familjare

«Planet dështojnë ku nuk ka arsye, por realizohen atje ku ka një mori këshilltarësh.»—Fjalët e urta 15:22.

«Zemra e njeriut të matur fiton dituri, edhe veshi i të urtëve kërkon diturinë.»—Fjalët e urta 18:15.

«Një fjalë e thënë në kohën e duhur është si mollë të arta mbi një enë argjendi.»—Fjalët e urta 25:11.

‘Vazhdoni të duroni njëri-tjetrin dhe të falni lirisht njëri-tjetrin, nëse dikush ka ndonjë shkak për t’u ankuar kundër një tjetri. Ashtu sikurse Jehovai ju fali lirisht, kështu bëni edhe ju.’—Kolosianëve 3:13, 14, BR.

«Vëllezërit e mi shumë të dashur, çdo njeri të jetë i shpejtë në të dëgjuar, i ngadalshëm në të folur dhe i ngadalshëm në zemërim.»—Jakovit 1:19.

[Kutia dhe figura në faqen 6]

Fjalë mençurie për të pasur një jetë të suksesshme

«Peshorja e pasaktë është e neveritshme për Zotin, por peshimi i saktë i pëlqen.»—Fjalët e urta 11:1.

«Përpara shkatërrimit vjen kryelartësia dhe përpara rrëzimit fryma krenare.»—Fjalët e urta 16:18.

«Njeriu që nuk di të frenojë zemërimin e tij është si një qytet i shkrehur pa mure.»—Fjalët e urta 25:28.

«Mos u nxito në frymën tënde të zemërohesh, sepse zemërimi gjen strehë në gji të budallenjve.»—Predikuesi 7:9.

«Hidh bukën tënde mbi ujërat, sepse pas shumë kohe do ta gjesh përsëri.»—Predikuesi 11:1.

«Asnjë fjalë e keqe le të mos dalë nga goja juaj, por ajo që është e mirë për ndërtimin, sipas nevojës, që t’u japë hir atyre që dëgjojnë.»—Efesianëve 4:29.

[Figura në faqen 7]

Hapi i parë për t’u bërë një përfitues i ‘çantës plot me mençuri’ është studimi i Biblës

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo