Sa mund të jetojmë?
Njerëzit në përgjithësi po jetojnë gjatë e më gjatë dhe kjo bën që shumë veta të pyesin: ‘Sa mund të jetojmë?’
SIPAS The New Encyclopædia Britannica (1995), në të kaluarën pranohej përgjithësisht se njeriu që kishte jetuar më gjatë ishte Pjer Zhuber. Ai vdiq në vitin 1814, në moshën 113-vjeçare. Vërtet, ka zëra se njerëz të tjerë kanë jetuar edhe më gjatë se ai, por mosha e tyre nuk qe e dokumentuar në mënyrë të besueshme. Sidoqoftë, dokumentimi i saktë ka vërtetuar se një numër njerëzish kanë jetuar më gjatë se Pjer Zhuber.
Zhan Luiz Kalmo lindi në Arles, në Francën Juglindore, më 21 shkurt 1875. Vdekjes së saj më 4 gusht 1997, mbi 122 vjet më vonë, iu bë shumë publicitet. Në vitin 1986 vdiq Shigekijo Izumi nga Japonia, në moshën 120-vjeçare. Libri i rekordeve Gines 1999 (Guinness Book of Records 1999) regjistron 118-vjeçaren Sara Naus si njeriun më të vjetër në kohën kur u shkrua ky libër. Ajo lindi më 24 shtator 1880 në Pensilvani, SHBA. Kur vdiq Mari-Luiz Febroni Mejër nga Kebeku, Kanada, në vitin 1998, në moshën 118-vjeçare, ishte 26 ditë më e madhe se Sara.
Në fakt, numri i atyre që janë shumë të moshuar është rritur në mënyrë dramatike. Është përllogaritur se gjatë gjysmës së parë të shekullit që po vjen, numri i njëqindvjeçarëve do të rritet në mbi 2,2 milionë. Po ashtu, numri i njerëzve me moshë 80-vjeçare e lart është rritur nga 26,7 milionë në vitin 1970 në 66 milionë në vitin 1998. Kjo është një rritje prej 147 për qind, krahasuar me rritjen 60 për qind të të gjithë popullsisë së botës.
Por nuk është thjesht fakti se njerëzit jetojnë më gjatë. Shumë prej tyre po kryejnë, gjithashtu, gjëra që shumica e 20-vjeçarëve nuk mund t’i bëjnë. Në vitin 1990, 82-vjeçari Xhon Kelli përfundoi një maratonë, një garë 42 kilometra e 195 metra të gjatë, në pesë orë e pesë minuta. Në vitin 1991, një stërgjyshe 84-vjeçare, Mavis Lindgrin, e përshkoi atë distancë në shtatë orë e nëntë minuta. Ndërsa kohët e fundit, një burrë 91-vjeçar përfundoi Maratonën e qytetit të Nju Jorkut!
Kjo nuk do të thotë se në të kaluarën të moshuarit nuk kanë kryer bëma mahnitëse. Në moshën 99-vjeçare, patriarku biblik, Abrahami, «filloi të vraponte për të takuar» mysafirët e tij. Në moshën 85-vjeçare, Kalebi deklaroi: «Po atë fuqi që kisha atëherë [45 vjet më parë], e kam edhe tani qoftë për të luftuar, qoftë për të shkuar dhe për të ardhur.» Bibla thotë edhe për Moisiun se, kur ishte 120 vjeç, «shikimi i tij nuk ishte dobësuar dhe fuqia e tij nuk i qe mpakur».—Zanafilla 18:2; Jozueut 14:10, 11; Ligji i përtërirë 34:7.
Jezu Krishti foli për njeriun e parë, Adamin dhe për ndërtuesin e arkës, Noen, si për individë historikë. (Mateu 19:4-6; 24:37-39) Zanafilla thotë se Adami jetoi 930 vjet dhe Noeja 950 vjet. (Zanafilla 5:5; 9:29) A kanë jetuar njerëzit vërtet aq gjatë? A mund të jetojmë ne edhe më gjatë, ndoshta përgjithmonë? Të lutemi, shqyrto dëshmitë e paraqitura në artikullin vijues.