A kalon kohë me familjen?
«FËMIJËT japonezë i duan etërit e tyre edhe pse këta janë të zënë me punë e nuk luajnë me ta.» Ky titull shfaqej disa vjet më parë në një artikull të gazetës Mainichi Shimbun. Artikulli bënte të ditur se 87,8 për qind e fëmijëve japonezë që morën pjesë në një sondazh qeveritar, shprehën dëshirën për t’u kujdesur për etërit e tyre në të ardhmen. Por në edicionin anglez të gazetës, i njëjti artikull kishte një titull tjetër. Titulli ishte: «Etër dhe bij: Një rast neglizhimi.» Ndryshe nga edicioni japonez, artikulli nxirrte në pah një aspekt tjetër të të njëjtit sondazh: çdo ditë pune, baballarët japonezë kalonin vetëm 36 minuta me fëmijët e tyre. Në krahasim me ta, baballarët në Gjermaninë Perëndimore kalonin 44 minuta në ditë jave me fëmijët e tyre dhe në Shtetet e Bashkuara shifra ishte 56 minuta.
Nuk janë vetëm baballarët që kalojnë pak kohë me fëmijët e tyre. Gjithnjë e më shumë nëna punojnë jashtë shtëpisë. Për shembull, shumë nëna pa burrë duhet të punojnë për të mbajtur familjen. Si rezultat, sasia e kohës që prindërit, si baballarët, ashtu edhe nënat, kalojnë me fëmijët zvogëlohet.
Një studim i vitit 1997 në më shumë se 12.000 adoleshentë amerikanë zbuloi se të rinjtë që kanë një marrëdhënie të afërt me prindërit e tyre ka më pak të ngjarë të vuajnë nga stresi emocional, të mendojnë për vetëvrasjen, të bëhen të dhunshëm ose të përdorin substanca që shkaktojnë varësinë ndaj tyre. Gjithashtu, një nga kërkuesit e përfshirë në këtë studim të zgjeruar, tha: «Nuk mund të krijosh një ndjenjë afrimiteti me fëmijët nëse nuk je aty kur kanë nevojë.» Është shumë e rëndësishme të kalosh kohë me fëmijët dhe të komunikosh me ta.
Hendeku i komunikimit
Veçanërisht të prekshme ndaj rënies së komunikimit janë familjet ku një prind jeton larg shtëpisë, për shkak të një pune në vend të largët. Sigurisht, hendeku i komunikimit nuk kufizohet vetëm në familjet që kanë një prind, i cili jeton larg shtëpisë. Edhe pse jetojnë në shtëpi, disa prindër shkojnë në punë para se fëmijët e tyre të ngrihen nga gjumi dhe kthehen pasi ata i ka zënë gjumi. Për të kompensuar mungesën e kontaktit që vjen si pasojë, disa prindër kalojnë kohë me familjen gjatë fundjavëve ose në ditët e pushimit. Ata thonë se kalojnë kohë «cilësore» me fëmijët e tyre.
Gjithsesi, a e kompenson cilësia mungesën e sasisë së kohës? Kërkuesi Lorens Stinberg përgjigjet: «Në përgjithësi, fëmijët që kalojnë më shumë kohë me prindërit ia dalin mbanë më mirë se ata që kalojnë më pak kohë. Duket një gjë tepër e vështirë të kompensohet mungesa e kohës. I është ekzagjeruar vlera idesë së kohës cilësore.» Pikërisht kështu ndihet një grua birmaneze. Bashkëshorti i saj që është një burrë tipik japonez, vjen çdo ditë nga puna në orën një ose dy të mëngjesit. Edhe pse kalon kohë me familjen gjatë fundjavëve, gruaja e tij thotë: «Fakti që është në shtëpi të shtunave e të dielave nuk mund ta mbushë hendekun e mungesës së tij në familje për pjesën tjetër të javës. . . . A mund t’i kapërcesh vaktet gjatë gjithë ditëve të javës e t’i hash që të gjitha të shtunave e të dielave?»
Duhen përpjekje të ndërgjegjshme
Është më e lehtë ta thuash se ta mbash komunikimin e mirë brenda familjes. Kërkesat për të siguruar jetesën dhe për t’u kujdesur për familjen nuk e favorizojnë një baba ose një nënë që punon, të kalojë kohë me familjen. Shumë veta, rrethanat e të cilëve u kërkojnë të jenë larg shtëpisë, komunikojnë rregullisht me anë të telefonatave ose letrave. Por sido që të jenë familjarët, së bashku në shtëpi ose larg, për të mbajtur një komunikim të mirë në familje duhen përpjekje të ndërgjegjshme.
Prindërve që i shmangen komunikimit me familjen e tyre, do t’u duhet të paguajnë më vonë për neglizhencën që kanë treguar. Një baba, i cili kalonte pak kohë me familjen e madje as nuk hante bashkë me ta, u ballafaqua me pasoja të rënda. Djali i tij u bë i dhunshëm dhe vajzën e kapën duke vjedhur në një dyqan. Një të diel në mëngjes, ndërsa babai po përgatitej të shkonte të luante golf, djali reagoi me një shpërthim zemërimi. «Vetëm mami është prindi në shtëpi?,—bërtiti ai, duke u ankuar.—Mami vendos për çdo gjë në familje. Babi, ti asnjëherë . . . .»
Këto fjalë e futën në mendime babain. Në fund, ai vendosi që të paktën për të filluar, duhet të hante mëngjesin bashkë me familjen. Fillimisht në tavolinë ishin vetëm ai dhe e shoqja. Dalëngadalë u bashkuan edhe fëmijët dhe mëngjesi u bë një rast për të komunikuar. Kjo i la vendin darkave që familja hante së bashku. Në këtë mënyrë, burri kishte filluar të shpëtonte familjen e tij nga shkatërrimi i plotë.
Ndihmë nga Fjala e Perëndisë
Bibla i inkurajon prindërit që të marrin kohë për të komunikuar me fëmijët e tyre. Me anë të profetit Moisi, izraelitët morën udhëzime: «Dëgjo, Izrael, Zoti, Perëndia ynë, është një i vetëm. Ti do ta duash, pra, Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemër, me gjithë shpirt dhe me tërë forcën tënde. Dhe këto fjalë që sot po të urdhëroj do të mbeten në zemrën tënde; do t’ua ngulitësh bijve të tu, do të flasësh për to kur rri ulur në shtëpinë tënde, kur ecën rrugës, kur ke rënë në shtrat dhe kur çohesh.» (Ligji i përtërirë 6:4-7) Po, ne që jemi prindër duhet të marrim iniciativën për të kaluar kohë me familjen, nëse duam t’u ngulitim fëmijëve fjalët e Perëndisë në mendje dhe në zemër.
Është interesant fakti se anketa e përmendur më parë, e vitit 1997, e bërë me më shumë se 12.000 adoleshentë amerikanë, zbuloi se «mes afro 88% . . . e popullsisë që raportoi se ka një fe, feja dhe lutja konsideroheshin një mbrojtje». Të krishterët e vërtetë e kuptojnë se edukimi i duhur fetar në shtëpi i mbron të rinjtë nga gjëra si abuzimi me substancat që shkaktojnë varësinë ndaj tyre, nga vuajtja emocionale, nga vetëvrasja, dhuna e me radhë.
Disa prindër mendojnë se e kanë të vështirë të gjejnë kohë për familjen. Kjo ndodh veçanërisht me nënat pa bashkëshort, të cilat do të kalonin me kënaqësi kohë me fëmijët e tyre, por që duhet të punojnë. Si mund ta nxjerrin ato kohën e çmuar për të ndenjur me familjen? «Ruaj mençurinë praktike dhe aftësinë e të menduarit»,—nxit Bibla. (Proverbat [Fjalët e urta] 3:21, BR) Prindërit mund të përdorin «aftësinë e të menduarit» për të gjetur kohë për familjen. Si?
Nëse je një nënë që punon e që ndihesh e sfilitur pas një dite pune, a mund t’u kërkosh fëmijëve që të të ndihmojnë për të përgatitur ushqimet? Një kohë e tillë e kaluar së bashku do të sigurojë mundësi për t’u afruar më shumë me njëri-tjetrin. Fillimisht, përfshirja e fëmijëve do të të hajë më tepër kohë. Por, shumë shpejt do të të duket e kënaqshme e madje do të të kursejë kohë.
Mund të jesh një baba me një listë plot gjëra për të bërë gjatë fundjavëve. Përse të mos i bësh së bashku me fëmijët disa nga këto punë? Mund të komunikosh me ta ndërsa punoni së bashku e në të njëjtën kohë mund t’u japësh stërvitje të vlefshme. Këshilla e Biblës për t’i ngulitur fjalët e Perëndisë te fëmija yt të inkurajon të flasësh me ta «kur rri ulur në shtëpinë tënde, kur ecën rrugës», e prandaj në çdo rast. Komunikimi me fëmijët ndërsa punoni së bashku është një shfaqje e «mençurisë praktike».
Koha që kalon me familjen sjell rezultate afatgjata. «Me ata që konsultohen së bashku ka mençuri»,—thotë një proverb biblik. (Fjalët e urta 13:10) Duke marrë kohë për të komunikuar me familjen, do të jesh në gjendje t’u japësh atyre udhëzime të mençura ndërsa hasin hallet e jetës së përditshme. Udhëzime të tilla që jepen tani, mund të të kursejnë shumë kohë e lëndime në të ardhmen. Për më tepër, mund t’i kontribuojnë lumturisë sate dhe lumturisë së tyre. Për të dhënë këtë udhëheqje, duhet të shfrytëzosh rezervuarin e pasur të mençurisë që gjendet në Fjalën e Perëndisë, në Bibël. Përdore atë për të mësuar fëmijët e tu dhe për të udhëhequr hapat e familjes sate.—Psalmi 119:105.
[Figura në faqen 4]
Fëmijët që kanë marrëdhënie të afërt me prindërit e tyre, ka më pak të ngjarë të vuajnë nga stresi emocional
[Figura në faqen 5]
Komunikimi i mirë sjell rezultate të pasura në jetën familjare
[Figura në faqen 6]
Ndërsa punon së bashku me fëmijën tënd, mund të komunikosh me të dhe t’i japësh stërvitje të vlefshme