Të lumtur që Jehovai na tregon udhën e tij
«Për sa i përket Perëndisë së vërtetë, e përsosur është udha e tij, thënia e Jehovait është e rafinuar.»—2. SAMUELIT 22:31, BR.
1, 2. (a) Për çfarë kanë një nevojë themelore të gjithë njerëzit? (b) Shembullin e kujt bëjmë mirë të imitojmë?
TË GJITHË njerëzit kanë një nevojë themelore për udhëheqje. Po, ne kemi nevojë për ndihmë që të ecim përpara në jetë. Vërtet, Jehovai na ka pajisur me një masë inteligjence dhe me një ndërgjegje, të cilat na ndihmojnë të dallojmë të drejtën nga e gabuara. Por ndërgjegjja jonë ka nevojë për stërvitje, që të jetë një udhërrëfyese e besueshme. (Hebrenjve 5:14) Edhe mendja jonë ka nevojë për informacion të saktë, si edhe për stërvitje, që ta vlerësojë këtë informacion, nëse duam të marrim vendime të mira. (Proverbat [Fjalët e urta] 2:1-5) Edhe në këto raste, për shkak të pasigurive të jetës, vendimet tona mund të mos dalin ashtu siç dëshirojmë. (Eklisiastiu [Predikuesi] 9:11) Ne në vetvete nuk kemi asnjë mënyrë të besueshme për të ditur se çfarë na rezervon e ardhmja.
2 Për këto arsye dhe për shumë të tjera, profeti Jeremia shkroi: «Mirë e di unë, o Jehova, se njeriut tokësor nuk i përket udha e tij. Nuk i përket njeriut që ecën, as të drejtojë hapin e tij.» (Jeremia 10:23, BR) Jezu Krishti, njeriu më i madh që ka jetuar ndonjëherë, e pranoi udhëheqjen nga Jehovai. Ai tha: «Biri nuk mund të bëjë asgjë prej vetvetes, përveç asaj që sheh se bën Ati; gjërat në fakt që bën Ati, i bën po ashtu dhe Biri.» (Gjoni 5:19) Pra, sa e mençur është të imitojmë Jezuin dhe t’i drejtohemi Jehovait për ndihmë, që të drejtojë hapat tona! Mbreti David këndoi: «Sa për Perëndinë e vërtetë, e përsosur është udha e tij, thënia e Jehovait është e rafinuar. Ai është një mburojë për të gjithë ata që gjejnë strehim në të.» (2. Samuelit 22:31, BR) Nëse përpiqemi të ecim në udhën e Jehovait në vend që të ndjekim mençurinë tonë, do të kemi udhëheqje të përsosur. Hedhja poshtë e udhës së Perëndisë çon në katastrofë.
Jehovai tregon udhën
3. Si i udhëhoqi Jehovai Adamin dhe Evën e cilat perspektiva u ofroi?
3 Shqyrto rastin e Adamit dhe të Evës. Ndonëse ishin të pamëkatë, ata kishin nevojë për udhëheqje. Jehovai nuk e la Adamin që ta planifikonte vetë çdo gjë në kopshtin e bukur të Edenit. Përkundrazi, Perëndia i dha atij punë për të bërë. Së pari, Adami duhej t’u vinte emra kafshëve. Pastaj, Perëndia i dha Adamit dhe Evës synime afatgjata. Ata do të nënshtronin tokën, do ta mbushnin atë me pasardhësit e tyre dhe do të kujdeseshin për kafshët që ishin në tokë. (Zanafilla 1:28) Kjo do të ishte një punë e stërmadhe, por rezultati përfundimtar do të ishte parajsa mbarëbotërore e mbushur me një racë të përsosur njerëzore që jetonte në harmoni me kafshët. Sa perspektivë e mrekullueshme! Më tej, ndërsa Adami dhe Eva ecnin plot besim në udhën e Jehovait, ata mund të komunikonin me të. (Krahaso Zanafillën 3:8.) Sa privilegj i mrekullueshëm të kishe një marrëdhënie të vazhdueshme personale me Krijuesin!
4. Si treguan Adami dhe Eva një mungesë besimi e besnikërie dhe me çfarë pasojash shkatërrimtare?
4 Jehovai ia ndaloi çiftit të parë të hante nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, e cila gjendej në Eden dhe kjo gjë u dha atyre një rast të menjëhershëm për të shfaqur bindjen e tyre, pra, dëshirën për të ecur në udhën e Jehovait. (Zanafilla 2:17) Por shumë shpejt kjo bindje u vu në provë. Kur Satanai ndërhyri me fjalët e tij mashtruese, Adami dhe Eva duhej të tregonin besnikëri ndaj Jehovait dhe të kishin besim në premtimet e Tij, me qëllim që të mbeteshin të bindur. Mjerisht, atyre u mungoi besnikëria dhe besimi. Kur Satanai i ofroi pavarësi Evës dhe kur në mënyrë të rreme e akuzoi Jehovain se gënjente, ajo u mashtrua dhe nuk iu bind Perëndisë. Edhe Adami e ndoqi në mëkat. (Zanafilla 3:1-6; 1. Timoteut 2:14) Humbja që u erdhi si pasojë ishte kolosale. Ecja në udhën e Jehovait do t’u kishte dhënë atyre gjithnjë e më tepër gëzim, ndërsa kryenin në mënyrë progresive vullnetin e tij. Në vend të kësaj, jeta e tyre u mbush me zhgënjim e dhimbje, derisa i mposhti vdekja.—Zanafilla 3:16-19; 5:1-5.
5. Cili është qëllimi afatgjatë i Jehovait dhe si i ndihmon ai njerëzit besimplotë për të parë përmbushjen e këtij qëllimi?
5 Megjithatë, Jehovai nuk e ndryshoi qëllimin e tij që një ditë toka të jetë parajsë për njerëzit e përsosur dhe të pamëkatë. (Psalmi 37:11, 29) Ai kurrë nuk ka dështuar t’u japë udhëheqje të përsosur atyre që ecin në udhën e tij e që shpresojnë të shohin përmbushjen e këtij premtimi. Ne që kemi veshë për të dëgjuar, dëgjojmë pas nesh zërin e Jehovait që na thotë: «Kjo është udha. Ecni në të, ju njerëz.»—Isaia 30:21, BR.
Disa ecën në udhën e Jehovait
6. Cilët ishin ata dy burra të kohëve të lashta që ecën në udhën e Jehovait dhe me çfarë rezultatesh?
6 Sipas tregimit biblik, vetëm një pakicë e pasardhjes së Adamit dhe të Evës eci në udhën e Jehovait. Abeli ishte i pari prej këtyre. Edhe pse pati një vdekje të parakohshme, ai vdiq duke pasur favorin e Jehovait e prandaj ka perspektivën e sigurt se do të ketë pjesë në ‘ringjalljen e . . . të drejtëve’, në kohën e duhur të Perëndisë. (Veprat 24:15) Ai do të shohë përmbushjen përfundimtare të qëllimit të madhërishëm që ka Jehovai për tokën e për njerëzimin. (Hebrenjve 11:4) Një njeri tjetër që eci në udhën e Jehovait ishte Enoku, profecia e të cilit lidhur me fundin e këtij sistemi gjërash ruhet në librin e Judës. (Judës 14, 15) Edhe Enoku nuk arriti t’i jetonte ditët e mundshme të jetës së tij. (Zanafilla 5:21-24) Megjithatë, «ai pati dëshmimin se i kishte pëlqyer Perëndisë». (Hebrenjve 11:5) Kur vdiq, edhe ai pati perspektivën e sigurt të një ringjalljeje ashtu si Abeli dhe do të jetë mes atyre që do të shohin të përmbushura premtimet e Jehovait.
7. Si treguan Noeja dhe familja e tij besnikëri dhe besim në Jehovain?
7 Ndërsa bota para Përmbytjes zhytej thellë e më thellë në ligësi, bindja ndaj Jehovait u bë gjithnjë e më tepër një sprovë besnikërie. Afër fundit të asaj bote, kishte vetëm një grup të vogël që po ecte në udhën e Jehovait. Noeja dhe familja e tij e dëgjuan Perëndinë dhe i besuan asaj që tha ai. Ata i kryen me besim detyrat që iu vunë përpara dhe refuzuan të përpiheshin në praktikat e liga të botës së atyre ditëve. (Zanafilla 6:5-7, 13-16; Hebrenjve 11:7; 2. Pjetrit 2:5) Ne mund të jemi mirënjohës për bindjen e tyre besnike e të besueshme. Për shkak të kësaj bindjeje, ata mbijetuan në Përmbytje dhe u bënë paraardhësit tanë.—Zanafilla 6:22; 1. Pjetrit 3:20.
8. Çfarë përfshinte për kombin e Izraelit ecja në udhën e Perëndisë?
8 Me kalimin e kohës, Jehovai bëri një besëlidhje me pasardhësit e Jakobit besnik dhe ata u bënë kombi i tij i veçantë. (Dalja [Eksodi] 19:5, 6) Jehovai i siguroi drejtim popullit të tij të besëlidhjes me anë të një Ligji të shkruar, me anë të një priftërie dhe me udhëheqjen e vazhdueshme profetike. Por, u përkiste izraelitëve ta ndiqnin atë drejtim. Jehovai e drejtoi profetin e tij që t’u thoshte izraelitëve: «Shikoni, unë vë sot para jush bekimin dhe mallkimin; bekimin në rast se u bindeni urdhërimeve të Zotit, Perëndisë tuaj, që sot ju përcaktoj; mallkimin, në rast se nuk u bindeni urdhërimeve të Zotit, Perëndisë tuaj dhe largoheni nga rruga që ju përcaktoj sot, për të ndjekur perëndi të tjerë që nuk i keni njohur kurrë.»—Ligji i përtërirë 11:26-28.
Përse disa e braktisën udhën e Jehovait?
9, 10. Për shkak të cilës situatë izraelitët duhej t’i besonin Jehovait dhe të kultivonin besnikërinë ndaj tij?
9 Ashtu si në rastin e Adamit dhe të Evës, izraelitët duhej të besonin në Jehovain dhe t’i qëndronin besnikë, nëse donin të mbeteshin të bindur ndaj tij. Izraeli ishte një komb i vogël i rrethuar nga fqinj kundërshtues. Në jugperëndim ishin Egjipti dhe Etiopia. Në verilindje ishin Siria dhe Asiria. Në kufi me të ishin Filisteja, Amoni, Moabi dhe Edomi. Në një rast ose në një tjetër, që të gjitha këto kombe dolën se qenë armiq të Izraelit. Për më tepër, që të gjitha ato praktikonin fenë e rreme që karakterizohej nga adhurimi i perëndive idhuj, nga astrologjia dhe në disa raste nga rite të rënda seksuale e flijime mizore fëmijësh. Fqinjët e Izraelit u drejtoheshin perëndive të tyre për ndihmë, që të kishin familje të mëdha, të korra të bollshme dhe fitore në luftë.
10 Vetëm Izraeli adhuronte një Perëndi, Jehovain. Ai u premtoi atyre bekimet në familje të mëdha, të korra të pasura dhe siguri kundër armiqve, nëse do t’u bindeshin ligjeve të tij. (Ligji i përtërirë 28:1-14) Mjerisht, shumë izraelitë nuk vepruan kështu. Nga ana tjetër, shumë prej atyre që ecën në udhën e Jehovait, vuajtën për besnikërinë e tyre. Disa madje i torturuan, i tallën, i rrahën me kamxhik, i burgosën, i vranë me gurë dhe të gjitha këto nga bashkëkombësit e tyre izraelitë. (Veprat 7:51, 52; Hebrenjve 11:35-38) Çfarë sprove duhet të ketë qenë kjo për njerëzit besnikë! Por, përse kaq shumë veta u larguan nga udha e Jehovait? Dy shembuj nga historia e Izraelit na ndihmojnë për të kuptuar mendimet e tyre të gabuara.
Shembulli i keq i Ahazit
11, 12. (a) Kur u kërcënua nga Siria, çfarë refuzoi të bënte Ahazi? (b) Cilat ishin dy burimet, të cilave iu drejtua Ahazi për siguri?
11 Ahazi sundoi mbi mbretërinë jugore të Judës në shekullin e tetë p.e.s. Mbretërimi i tij nuk ishte paqësor. Në një rast, Siria dhe mbretëria veriore e Izraelit u bashkuan në luftë kundër tij dhe «zemra [e tij] dhe zemra e popullit të tij u drodhën». (Isaia 7:1, 2) Megjithatë, kur Jehovai i ofroi mbështetje Ahazit dhe e ftoi që ky ta vinte në provë, Ahazi refuzoi në mënyrë të prerë! (Isaia 7:10-12) Për pasojë, Juda e humbi luftën dhe pati shumë të vrarë.—2. Kronikave 28:1-8.
12 Megjithëse refuzoi ta vinte në provë Jehovain, Ahazi nuk ngurroi të kërkonte ndihmë nga mbreti i Asirisë. Gjithsesi, Juda vazhdoi të vuante nga fqinjët e saj. Kur edhe Asiria u kthye kundër Ahazit dhe «i shkaktoi vuajtje», mbreti «u ofroi flijime perëndive të Damaskut që e kishin mundur, duke thënë: ‘Meqenëse perënditë e mbretit të Sirisë i ndihmojnë ata, unë do t’u ofroj atyre flijime që të më ndihmojnë edhe mua’».—2. Kronikave 28:20, 23.
13. Çfarë tregoi Ahazi, duke iu drejtuar perëndive të Sirisë?
13 Më vonë, Jehovai i tha Izraelit: «Unë, Jehovai, jam Perëndia yt, Ai që të mëson për t’i sjellë dobi vetes, Ai që të bën të shkelësh në udhën në të cilën duhet të ecësh. Oh, sikur t’u kushtoje vërtet vëmendje urdhërimeve të mia! Atëherë paqja jote do të bëhej si lumë dhe drejtësia jote si valët e detit.» (Isaia 48:17, 18, BR) Duke iu drejtuar perëndive të Sirisë, Ahazi tregoi sa larg ishte nga ‘shkelja në udhën në të cilën duhej të ecte’. Ai ishte mashtruar krejtësisht nga mendimet e kombeve, duke iu drejtuar për ndihmë burimeve të tyre të rreme të sigurisë në vend se Jehovait.
14. Pse Ahazi nuk kishte asnjë justifikim kur iu drejtua perëndive të rreme?
14 Perënditë e kombeve, duke përfshirë edhe ato të Sirisë, e kishin treguar me kohë se ishin «perëndi pa vlerë». (Isaia 2:8, BR) Më parë, gjatë mbretërimit të mbretit David, epërsia e Jehovait mbi perënditë e Sirisë u duk qartë kur sirianët u bënë shërbëtorë të Davidit. (1. Kronikave 18:5, 6) Vetëm Jehovai, «Perëndia i perëndive, Zotëria i zotërive Perëndia i madh, i fortë dhe i tmerrshëm», mund të japë siguri të vërtetë. (Ligji i përtërirë 10:17) Megjithatë, Ahazi i ktheu shpinën Jehovait dhe iu drejtua perëndive të kombeve për të gjetur siguri. Pasojat ishin shkatërrimtare për Judën.—2. Kronikave 28:24, 25.
Judenjtë dhe Jeremia në Egjipt
15. Si mëkatuan judenjtë në Egjipt në ditët e Jeremisë?
15 Për shkak të jobesnikërisë ekstreme të popullit të tij, në vitin 607 p.e.s. Jehovai i lejoi babilonasit që të shkatërronin Jerusalemin dhe tempullin e tij. Pjesa më e madhe e kombit mërgoi në Babiloni. Por disa të tjerë mbetën aty dhe mes tyre ishte edhe profeti Jeremia. Kur u vra guvernatori Gedaliah, ky grup iku në Egjipt dhe e mori Jereminë me vete. (2. Mbretërve 25:22-26; Jeremia 43:5-7) Atje, ata filluan t’u bënin flijime hyjnive të rreme. Jeremia u përpoq t’u kthente mendjen judenjve jobesnikë, por ata ishin kryeneçë. Ata refuzuan të ktheheshin te Jehovai e në vend të kësaj vazhduan t’i digjnin temjan «Mbretëreshës së qiellit». Pse? Sepse ata dhe etërit e tyre e kishin bërë këtë «në qytetet e Judës dhe në rrugët e Jerusalemit, kur ishin të ngopur me bukë, ishin mirë dhe nuk shihnin asnjë katastrofë». (Jeremia 44:16, 17) Gjithashtu, judenjtë argumentonin: «Që kur nuk djegim më temjan për Mbretëreshën e qiellit e nuk derdhim më libacione për të, na mungon çdo gjë dhe jemi konsumuar nga shpata dhe uria.»—Jeremia 44:18.
16. Pse ishte e qartë se arsyetimi i judenjve në Egjipt ishte krejt i gabuar?
16 Sa çudi që nganjëherë njerëzit kujtojnë vetëm atë që duan! Cilat ishin faktet? Judenjtë në fakt u kishin bërë flijime perëndive të rreme në vendin që Jehovai ua kishte dhënë. Disa herë, ashtu si në kohën e Ahazit, ata vuajtën për shkak të asaj apostazie. Megjithatë Jehovai ishte «i ngadalshëm në zemërim» me popullin e tij të besëlidhjes. (Dalja 34:6; Psalmi 86:15) Ai dërgoi profetët e tij që t’u bënin thirrje atyre të pendoheshin. Nganjëherë, kur mbreti ishte besnik, Jehovai e bekonte atë dhe populli nxirrte dobi nga ky bekim, edhe pse pjesa më e madhe ishin jobesnikë. (2. Kronikave 20:29-33; 27:1-6) Sa gabim e kishin ata judenj në Egjipt kur pohonin se çfarëdo begatie që kishin gëzuar në atdheun e tyre kishte ardhur nga perënditë e tyre të rreme!
17. Pse i humbi Juda vendin dhe tempullin e saj?
17 Para vitit 607 p.e.s., Jehovai i kishte bërë thirrje popullit të Judës: «Dëgjoni zërin tim dhe unë do të jem Perëndia juaj dhe ju do të jeni populli im; ecni në të gjitha rrugët që ju kam urdhëruar, që të jeni të lumtur.» (Jeremia 7:23) Judenjtë humbën tempullin dhe vendin e tyre tamam sepse refuzuan të ecnin ‘në të gjitha rrugët që Jehovai i kishte urdhëruar’. Të sigurohemi se po e shmangim këtë gabim fatal.
Jehovai i bekon ata që ecin në udhën e tij
18. Çfarë duhet të bëjnë ata që ecin në udhën e Jehovait?
18 Sot, ashtu si në të kaluarën, ecja në udhën e Jehovait kërkon besnikëri, pra, një vendosmëri për t’i shërbyer vetëm atij. Kërkon, gjithashtu, siguri, domethënë një besim të plotë se premtimet e Jehovait janë të besueshme e se do të plotësohen. Ecja në udhën e Jehovait kërkon bindje, me një fjalë, ndjekjen e ligjeve të tij pa devijuar dhe mbajtjen e standardeve të tij të larta. «Jehovai është i drejtë, ai i do veprimet e drejta.»—Psalmi 11:7, BR.
19. Cilët perëndi adhurojnë shumë njerëz sot dhe me çfarë pasojash?
19 Ahazi iu drejtua perëndive të Sirisë për të gjetur siguri. Izraelitët në Egjipt shpresuan se «Mbretëresha e qiellit», një perëndeshë që adhurohej gjerësisht në Lindjen e Mesme të lashtësisë, do t’u sillte begati materiale. Sot, shumë perëndi nuk janë idhuj të mirëfilltë. Jezui paralajmëroi për ata që do t’u shërbenin «pasurive» në vend se Jehovait. (Mateu 6:24) Apostulli Pavël foli për «lakminë, që është idhujtari». (Kolosianëve 3:5) Ai foli, gjithashtu, për ata, «perëndia [i të cilëve] është barku i tyre». (Filipianëve 3:19) Po, paraja dhe gjërat materiale janë mes perëndive kryesore që adhurohen sot. Në realitet, shumica e njerëzve, duke përfshirë edhe shumë veta me anëtarësi fetare, «i mbajnë shpresat në pasurinë që është e pasigurt». (1. Timoteut 6:17) Shumë njerëz punojnë deri në sfilitje për t’u shërbyer këtyre perëndive dhe disa prej tyre marrin shpërblime, si p.sh, jetojnë në shtëpi më të mira, gëzojnë gjëra të kushtueshme dhe hanë dreka e darka madhështore. Por jo të gjithë e gëzojnë këtë kamje. Madje, edhe ata që i kanë, në fund të fundit, nuk kënaqen me to. Këto gjëra janë të pasigurta, të përkohshme e nuk kënaqin nevojat frymore.—Mateu 5:3.
20. Çfarë ekuilibri duhet të mbajmë?
20 Është e vërtetë se duhet të jemi praktikë, ndërsa jetojmë gjatë ditëve të fundit të këtij sistemi gjërash. Duhet të bëjmë hapa të arsyeshëm për të siguruar familjet tona nga ana materiale. Por nëse i japim më shumë vlerë një standardi më të lartë jetese dhe rendjes pas parave ose gjërave të ngjashme sesa shërbimit të Perëndisë, kemi rënë në një lloj idhujtarie dhe nuk po ecim më në udhën e Jehovait. (1. Timoteut 6:9, 10) Ç’të themi për rastin kur ndeshim probleme shëndetësore, financiare ose probleme të tjera? Le të mos jemi si ata judenj në Egjipt që ia vunë fajin shërbimit të Perëndisë për problemet e tyre. Në vend të kësaj, le ta vëmë Jehovain në provë, gjë që Ahazi dështoi ta bënte. Le t’i drejtohemi me besnikëri Perëndisë Jehova për udhëheqje! Le ta ndjekim me besim udhëheqjen e tij dhe të lutemi për forcë e mençuri që të përballojmë çdo situatë! Pastaj, të presim të sigurt për bekimin e Jehovait.
21. Cilat bekime u vijnë atyre që ecin në udhën e Jehovait?
21 Në rrjedhën e historisë së Izraelit, Jehovai i bekoi në mënyrë të pasur ata që ecën në udhën e tij. Mbreti David këndoi: «O Zot, më udhëhiq në drejtësinë tënde për shkak të armiqve të mi.» (Psalmi 5:8) Jehovai i dha atij fitore ushtarake mbi kombet fqinje, të cilët më vonë i ranë më qafë Ahazit. Nën sundimin e Solomonit, Izraeli u bekua me paqe dhe begati, të cilën judenjtë në Egjipt e dëshiruan me zjarr më vonë. Birit të Ahazit, Hezekias, Jehovai i dha fitoren mbi Asirinë e fuqishme. (Isaia 59:1) Po, dora e Jehovait nuk ishte e shkurtër ndaj besnikëve të tij, të cilët nuk qëndruan «në rrugën e mëkatarëve», por kënaqësia e të cilëve ishte në ligjin e Perëndisë. (Psalmi 1:1, 2) E njëjta gjë ndodh akoma. Por, si mund të jemi të sigurt ne sot se po ecim në udhën e Jehovait? Kjo do të trajtohet në artikullin vijues.
A të kujtohet?
◻ Çfarë cilësish janë jetësore për të ecur në udhën e Jehovait?
◻ Pse ishin të gabuara mendimet e Ahazit?
◻ Çfarë kishte të gabuar arsyetimi i judenjve që ishin në Egjipt?
◻ Si mund ta forcojmë vendosmërinë tonë për të ecur në udhën e Jehovait?
[Figura në faqen 13]
Ahazi iu drejtua për ndihmë perëndive të Sirisë në vend se Jehovait