BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w99 1/7 f. 4-7
  • Si mund ta ndryshojë Jezui jetën tonë?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Si mund ta ndryshojë Jezui jetën tonë?
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Mësimet e tij
  • Veprat e tij
  • Flijimi i tij
  • Jezu Krishti: Kush është ai?
    Jezu Krishti: Kush është ai?
  • Jezu Krishti​—I dërguar nga Perëndia?
    Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi Tokë
  • Kush është Jezu Krishti?
    Çfarë kërkon Perëndia prej nesh?
  • Kush është Jezu Krishti?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2005
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
w99 1/7 f. 4-7

Si mund ta ndryshojë Jezui jetën tonë?

JEZU KRISHTI ishte një Mësues i Madh, i cili jetoi në Palestinë pothuajse 2.000 vjet më parë. Për fëmijërinë e tij dihet shumë pak. Por, është e dokumentuar mirë se kur ishte rreth 30 vjeç, ai filloi shërbimin e tij, për ‘të dëshmuar për të vërtetën’. (Gjoni 18:37; Luka 3:21-23) Katër dishepujt që shkruan historinë e jetës së tij u përqendruan në tre vjetët e gjysmë që pasuan.

Gjatë shërbimit të tij, Jezu Krishti u dha dishepujve një urdhër që mund të ishte një ilaç për shumë nga plagët e botës. Cili qe ky urdhër? Jezui tha: «Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin sikurse unë ju kam dashur, ashtu edhe ju ta doni njëri-tjetrin.» (Gjoni 13:34) Po, zgjidhja e shumë problemeve që ka njerëzimi sot është dashuria. Në një rast tjetër, kur e pyetën se cili ishte urdhërimi më i madh, Jezui u përgjigj: «‘Duaje Zotin, Perëndinë tënd me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde.’ Ky është urdhërimi i parë dhe i madhi. Dhe i dyti, i ngjashëm me këtë, është: ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten.’»—Mateu 22:37-40.

Jezui na e tregoi me fjalë e me vepra se si të duam Perëndinë dhe njerëzit e tjerë. Le të konsiderojmë disa shembuj dhe të shohim se çfarë mund të mësojmë prej tyre.

Mësimet e tij

Në një nga predikimet më të mirënjohura në histori, Jezu Krishti u tha ithtarëve të tij: «Askush nuk mund t’u shërbejë dy zotërinjve, sepse ose do të urrejë njërin dhe do ta dojë tjetrin, ose do t’i qëndrojë besnik njërit dhe do të përçmojë tjetrin. Ju nuk mund t’i shërbeni Perëndisë dhe mamonit [Pasurive, BR].» (Mateu 6:24) A është ende praktik mësimi i Jezuit për të vënë Perëndinë në vend të parë në jetën tonë sot, kur kaq shumë njerëz besojnë se paraja zgjidh të gjitha problemet? Është e vërtetë se paratë na duhen për të jetuar. (Predikuesi 7:12) Por, nëse lejojmë që «Pasuritë» të bëhen zotëria ynë, «dashuria për para» do të ketë kontrollin mbi ne, duke sunduar gjithë jetën tonë. (1. Timoteut 6:9, 10, BR) Shumë njerëz që kanë rënë në këtë grackë, kanë përfunduar duke humbur familjen, shëndetin e madje edhe jetën e tyre.

Nga ana tjetër, t’i drejtohemi Perëndisë si Zotëria ynë i jep domethënie jetës. Duke qenë Krijuesi, ai është Burimi i jetës e prandaj vetëm ai është i denjë për adhurimin tonë. (Psalmi 36:9; Zbulesa 4:11) Ata që mësojnë për cilësitë e tij dhe fillojnë ta duan, nxiten për të mbajtur urdhërimet e tij. (Predikuesi 12:13; 1. Gjonit 5:3) Duke bërë kështu, ne i nxjerrim dobi vetes.—Isaia 48:17.

Në Predikimin në Mal, Jezui i mësoi, gjithashtu, dishepujt e tij se si të tregonin dashuri për njerëzit e tjerë. Ai tha: «Gjithçka, pra, që ju dëshironi t’ju bëjnë njerëzit, ua bëni edhe ju atyre.» (Mateu 7:12) Fjala «njerëzit» që përdori Jezui këtu përfshin edhe armiqtë e një personi. Në të njëjtin predikim, ai tha: «Duani armiqtë tuaj dhe lutuni për ata që ju përndjekin.» (Mateu 5:43, 44) A nuk do t’i zgjidhte kjo dashuri shumë nga problemet që hasim sot? Udhëheqësi hinduist, Mohandas Gandi mendonte se po. Ai ka thënë: «Kur të kuptohemi së bashku në bazë të mësimeve të dhëna nga Krishti në Predikimin e tij në Mal, do të kemi zgjidhur problemet . . . e botës mbarë.» Nëse vihen në praktikë, mësimet e Jezuit mbi dashurinë mund të zgjidhin shumë nga hallet e njerëzimit.

Veprat e tij

Jezui jo vetëm që mësoi të vërteta themelore se si të tregojmë dashuri, por edhe i vuri në praktikë ato që u mësoi të tjerëve. Për shembull, ai vuri interesat e të tjerëve mbi interesin e tij. Një ditë, Jezui dhe dishepujt ishin kaq të zënë duke ndihmuar njerëzit, saqë nuk kishin kohë as për të ngrënë diçka. Jezui e pa se dishepujt kishin nevojë të pushonin pak, kështu që i çoi në një vend të vetmuar. Por, kur mbërritën atje, gjetën një turmë që po i priste. Si do të kishe reaguar po të kishe parë një turmë që priste nga ty të punoje, kur ti ndieje se kishe nevojë për pak pushim? E pra, Jezui «u shty nga mëshira për ta» dhe «filloi t’u mësonte shumë gjëra». (Marku 6:34, BR) Interesimi i tij për të tjerët e shtynte gjithnjë Jezuin që t’i ndihmonte ata.

Jezui nuk u mjaftua vetëm duke e mësuar popullin. Ai u dha edhe ndihmë praktike. Për shembull, në një rast ai ushqeu më shumë se 5.000 njerëz që kishin qëndruar deri vonë për ta dëgjuar. Jo shumë kohë pas kësaj, ai ushqeu një turmë tjetër të madhe, kësaj radhe ishin më shumë se 4.000 veta, të cilët e kishin dëgjuar për tri ditë dhe nuk u kishte mbetur më asgjë për të ngrënë. Në rastin e parë, ai përdori pesë bukë e dy peshq, kurse në të dytin shtatë bukë dhe ca peshq të vegjël. (Mateu 14:14-22; 15:32-38) Mrekulli? Po, ai ishte një mrekullibërës.

Jezui shëroi edhe shumë të sëmurë. Ai shëroi të verbërit, të çalët, të lebrosurit dhe të shurdhërit. Madje, ai ringjalli edhe të vdekurit! (Luka 7:22; Gjoni 11:30-45) Një herë, një njeri me lebër iu lut: «Po të duash ti mund të më pastrosh.» Si reagoi Jezui? «Dhe Jezui duke e mëshiruar [u ndie i shtyrë nga mëshira, BR], shtriu dorën, e preku dhe i tha: ‘Po, dua, qofsh i pastruar!’» (Marku 1:40, 41) Me anë të këtyre mrekullive, Jezui shfaqi dashurinë e tij për të pikëlluarit.

Të duket e vështirë të besosh në mrekullitë e Jezuit? Disave po. Megjithatë, mos harro se Jezui i kreu mrekullitë e tij në publik. Madje edhe kundërshtarët e tij, të cilët në çdo rast përpiqeshin të gjenin ndonjë të metë tek ai, nuk mundën ta mohonin se ai ishte një mrekullibërës. (Gjoni 9:1-34) Për më tepër, mrekullitë e tij bëheshin me një qëllim. Ato i ndihmonin njerëzit që ta identifikonin si Atë që kishte dërguar Perëndia.—Gjoni 6:14.

Kur kryente mrekulli, Jezui nuk kërkonte të tërhiqte vëmendjen drejt vetes së tij. Përkundrazi, ai lavdëroi Perëndinë, Burimin e fuqisë së tij. Në një rast, në Kapernaum, ai ishte në një shtëpi të mbushur plot me njerëz. Një burrë i paralizuar donte që të shërohej, por nuk hynte dot në shtëpi. Prandaj, miqtë e tij e vunë në një barelë dhe e ulën që nga çatia. Duke parë besimin që kishte ky burrë, Jezui e shëroi të paralizuarin. Si rezultat, njerëzit «lëvduan Perëndinë» dhe thanë: «Një gjë të tillë s’e kemi parë kurrë!» (Marku 2:1-4, 11, 12) Mrekullitë e Jezuit i sollën lavdi Jehovait, Perëndisë së tij dhe ndihmuan ata që gjendeshin në hall.

Por, aspekti kryesor i shërbimit të Jezuit nuk ishte shërimi i të sëmurëve me anë të mrekullive. Njëri nga ata që kanë shkruar historinë e jetës së Jezuit shpjegoi: «Këto gjëra janë shkruar që ju të besoni se Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë dhe që, duke besuar, ta keni jetën në emër të tij.» (Gjoni 20:31) Po, Jezui erdhi në tokë që njerëzit besimtarë të kishin jetën.

Flijimi i tij

‘Jezui erdhi në tokë?’—mund të pyesësh. ‘Po nga erdhi?’ Vetë Jezui tha: «Unë kam zbritur nga qielli jo për të bërë vullnetin tim, por vullnetin e atij që më ka dërguar.» (Gjoni 6:38) Ai ka pasur një ekzistencë paranjerëzore si Biri i vetëmlindur i Perëndisë. Po cili ishte vullneti i Atij që e dërgoi në tokë? «Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme»,—thotë Gjoni, një nga shkrimtarët e Ungjillit. (Gjoni 3:16) Si u bë e mundur kjo?

Bibla zbulon se si vdekja u bë fundi i pashmangshëm i njerëzimit. Perëndia i dha çiftit të parë njerëzor jetën me perspektivën për të jetuar përgjithmonë. Por, ata zgjodhën të rebelohen kundër Bërësit të tyre. (Zanafilla 3:1-19) Si pasojë e këtij veprimi, pra, të mëkatit të parë njerëzor, pasardhësit e Adamit dhe Evës morën trashëgiminë e padëshiruar të vdekjes. (Romakëve 5:12) Për t’i dhënë njerëzimit jetën e vërtetë, duheshin eliminuar mëkati dhe vdekja.

Asnjë shkencëtar nuk mund ta eliminojë vdekjen me anë të ndonjë lloj inxhinierie gjenetike. Gjithsesi, Krijuesi i njerëzimit i ka mjetet për t’i sjellë njerëzit e bindur në përsosmëri, që të mund të jetojnë përgjithmonë. Në Bibël, kjo masë që ka marrë Perëndia quhet shpërblesë. Çifti i parë njerëzor e shiti veten dhe pasardhësit e tyre në skllavërinë e mëkatit dhe të vdekjes. Ata e këmbyen jetën si njerëz të përsosur që i bindeshin Perëndisë me një jetë të pavarur nga Perëndia, duke i marrë vetë vendimet lidhur me atë që është e drejtë dhe e gabuar. Për ta riblerë jetën e përsosur njerëzore duhej paguar një çmim që ishte i barabartë me jetën e përsosur njerëzore që humbën prindërit tanë të parë. Duke trashëguar papërsosmërinë, njerëzit nuk ishin të kualifikuar për ta siguruar këtë çmim.—Psalmi 49:7.

Kështu, Perëndia Jehova ndërhyri për të ndihmuar. Ai e transferoi jetën e përsosur të Birit të tij të vetëmlindur në mitrën e një virgjëreshe, e cila e lindi Jezuin. Disa dekada më parë, mund ta kishe hedhur poshtë idenë që një virgjëreshë të lindte fëmijë. Por sot, shkencëtarët kanë klonuar gjitarë dhe kanë transferuar gjene nga një kafshë në një tjetër. Në rast të tillë, kush mund ta vërë në dyshim me të drejtë aftësinë e Krijuesit për të devijuar procesin normal të shtimit njerëzor?

Me ekzistencën e një jete të përsosur njerëzore, çmimi për të riblerë njerëzimin nga mëkati dhe vdekja u bë i arritshëm. Megjithatë, foshnja me emrin Jezu që lindi në tokë duhej të rritej e të bëhej «mjeku» që do të ishte në gjendje të jepte «ilaçin» për të shëruar plagët e njerëzimit. Ai e bëri këtë duke jetuar një jetë të përsosur, pa mëkat. Jezui jo vetëm që pa angështimin e njerëzimit nën mëkat, por edhe përjetoi kufizimet fizike që vinin ngaqë ishte njeri. Kjo e bëri atë një mjek edhe më të dhembshur. (Hebrenjve 4:15) Shërimet e mrekullueshme që kreu gjatë jetës në tokë treguan se Jezui ka dëshirën dhe fuqinë për të shëruar të sëmurët.—Mateu 4:23.

Pas një periudhe shërbimi prej tre vjetësh e gjysmë në tokë, Jezui u vra nga kundërshtarët e tij. Ai tregoi se një njeri i përsosur mund t’i bindet Krijuesit pavarësisht nga sprovat më të mëdha. (1. Pjetrit 2:22) Jeta e tij e përsosur njerëzore e flijuar u bë çmimi i shpërblesës, që ka mundësi ta riblejë njerëzimin nga mëkati dhe vdekja. Jezu Krishti tha: «Askush s’ka dashuri më të madhe nga kjo: të japë jetën e vet për miqtë e tij.» (Gjoni 15:13) Ditën e tretë pasi vdiq, Jezui u ringjall në një jetë frymore dhe disa javë më vonë u ngrit në qiell për t’ia paraqitur çmimin e shpërblesës Perëndisë Jehova. (1. Korintasve 15:3, 4; Hebrenjve 9:11-14) Duke bërë kështu, Jezui pati mundësi ta zbatonte vlerën e flijimit të tij shpërblyes për ata që e ndjekin atë.

A do të dëshiroje të përfitoje nga kjo mënyrë shërimi e sëmundjeve frymore, emocionale dhe fizike? Bërja e kësaj kërkon besim në Jezu Krishtin. Përse të mos vish vetë te Mjeku? Këtë mund ta bësh duke mësuar rreth Jezu Krishtit dhe rreth rolit të tij në shpëtimin e njerëzimit besimplotë. Dëshmitarët e Jehovait do të jenë të lumtur të të ndihmojnë.

[Figura në faqen 5]

Jezui ka dëshirën dhe fuqinë për të shëruar të sëmurët

[Figura në faqen 7]

Si ndikon te ti vdekja e Jezuit?

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo