Lajmëtarët e mbretërisë raportojnë
Në Francë Dëshmitarët i drejtohen publikut
DUKE filluar në orët e para të së premtes, më 29 janar 1999 dhe duke vazhduar gjatë fundjavës, Dëshmitarët e Jehovait në Francë shpërndanë me entuziazëm nëpër rrugë e pastaj nga shtëpia në shtëpi, 12 milionë kopje të një fletushke me titull: Popull i Francës: Po ju mashtrojnë! Pse u bë kjo fushatë?
Në një konferencë për shtypin, të mbajtur në Paris atë të premte në mëngjes, u shpjegua arsyeja për fushatën. Një përfaqësues i Dëshmitarëve shpjegoi: «Ajo që duam të bëjmë sot është të bëhemi të njohur për atë që jemi dhe t’u mbyllim gojën pohimeve shpifëse që janë përhapur për ne. Jemi të gatshëm të pranojmë kritikat, por nuk do të dëgjojmë më gjatë gënjeshtrat dhe komentet që dëmtojnë reputacionin tonë.»
Edhe pse Dëshmitarët e Jehovait janë feja e tretë më e madhe e krishterë në Francë, shumë fëmijë Dëshmitarë janë fyer dhe ngacmuar në shkollë. Një numër të rriturish kanë humbur punën dhe janë kërcënuar për shkak të fesë së tyre. E pabesueshme, por edhe kontributeve fetare që ata marrin, u është vënë një taksë prej 60 për qind. Si u trajtua gjatë fushatës ky diskriminim?
Fletushka deklaron: «Të 250.000 Dëshmitarët e Jehovait dhe të tjerët që shoqërohen me ta, të cilët jetojnë në Francë, PROTESTOJNË kundër mënyrës së pandershme në të cilën feja e tyre e krishterë, e cila ka ekzistuar në Francë që nga viti 1900, është grupuar mes sekteve të rrezikshme që nga viti 1995. . . . PROTESTOJNË kundër ngacmimit të vazhdueshëm që u është dashur të durojnë.» Aty demaskoheshin akuzat shpifëse që u janë drejtuar Dëshmitarëve në Francë dhe mënyrat mashtruese me të cilat shpifësit janë përpjekur të bëjnë publicitet negativ. Fletushka përfundon me fjalët: «Sot në Evropë jetojnë më shumë se dy milionë Dëshmitarë të Jehovait dhe të tjerë që shoqërohen me ta. Ata i respektojnë ligjet e shteteve ku janë nënshtetas, duke iu përmbajtur vlerave të Ungjillit. Popull i Francës, këto janë faktet. E kemi për detyrë që t’i paraqesim ato, ashtu siç janë në të vërtetë!»
Reagim i shpejtë pozitiv
Ditën e parë u shpërndanë miliona fletushka. Aty nga mesdita, vetëm në Paris mbi 7.000 Dëshmitarë u kishin shpërndarë njerëzve më shumë se 1,3 milionë fletushka. Sigurisht, ishte hera e parë që populli shihte kaq shumë Dëshmitarë që jepnin fletushka në rrugë. Mjetet e informacionit, duke përfshirë edhe gazetat kombëtare e lokale dhe televizionin, reaguan në mënyrë të favorshme ndaj fushatës. Gazeta Le Progrès de Lyon tha: «Kjo iniciativë . . . nxjerr në dritë keqkuptimin që lidhet me një fjalë. Në dhjetë vjetët e kaluara, fjala ‘sekt’ . . . ka marrë një ngjyrim të mbrapshtë, të rrezikshëm dhe të dëmshëm. . . . Dëshmitarët e Jehovait nuk janë të një natyre të rrezikshme, që mund të destabilizojnë shoqërinë.»
Ata që i njohin Dëshmitarët e Jehovait, e vlerësojnë natyrën e tyre paqësore dhe respektin e thellë që kanë për rregullin e vendosur shoqëror. Kështu, shumë veta nëpër rrugë shprehën vlerësimin dhe mbështetjen e tyre për dhjetëra mijë Dëshmitarët që morën pjesë në fushatë. Pothuajse menjëherë mbërritën telefonata, fakse dhe letra nga njerëz që shprehnin falënderimet e tyre për fletushkën. Mbi të gjitha, personave të sinqertë iu dha një mundësi për të dëgjuar faktet lidhur me Dëshmitarët, fakte që ishin të ndryshme nga thëniet e trilluara e të pakuptimta, kurse atyre, bindjet e të cilëve ishin përgojuar, iu dha mundësia të demonstronin ndjenjat e tyre për diçka që e kanë të shtrenjtë.