Misteri i shëndetit të dobët
VOGËLUSHJA OMAZH ËSHTË SËMURË ME DIARRE. Hava, nëna e saj, është e shqetësuar, sepse trupi i vajzës po humbet lëngjet. Ajo ka dëgjuar se kushërira e saj në fshat kohët e fundit ka humbur foshnjën e vet në këtë mënyrë. Gjyshja e Omazhit, vjehrra e Havës, dëshiron ta çojë Omazhin te një magjistare e fisit. «Një frymë e ligë po i shkakton sëmundje fëmijës,—thotë ajo.—Ju nuk donit t’i vinit një hajmali për ta mbrojtur dhe ja, tani filluan problemet!»
KJO skenë është e zakonshme në shumë pjesë të botës. Qindra milionë njerëz besojnë se frymërat e liga janë shkaku që fshihet pas sëmundjeve. A është e vërtetë kjo?
Krijohet misteri
Personalisht, ti mund të mos besosh që sëmundjet i shkaktojnë frymërat e padukshme. Në fakt, ndoshta pyet veten se përse një person do të mendonte kështu, kur shkencëtarët kanë treguar se pjesa më e madhe e sëmundjeve shkaktohen nga viruset dhe bakteret. Por mos harro se njerëzimi nuk e ka ditur gjithnjë ekzistencën e këtyre patogjenëve mikroskopikë. Vetëm pas shpikjes së mikroskopit nga Entëni fon Ljuenhok, në shekullin e 17-të, bota mikroskopike u bë e dukshme për sytë njerëzorë. Edhe atëherë, vetëm falë zbulimeve të Lui Pastërit në shekullin e 19-të, shkenca filloi të kuptonte lidhjen mes patogjenëve dhe sëmundjeve.
Duke qenë se shkaqet e sëmundjeve ishin të panjohura gjatë pjesës më të madhe të historisë njerëzore, janë zhvilluar shumë ide besëtytnore, duke përfshirë edhe teorinë se të gjitha sëmundjet shkaktohen nga frymërat e liga. The New Encyclopædia Britannica hedh një ide rreth mënyrës se si mund të jetë zhvilluar kjo teori. Në këtë enciklopedi thuhet se shëruesit e hershëm u përpoqën t’i kuronin të sëmurët me lloje të ndryshme rrënjësh, gjethesh dhe me çdo gjë tjetër që kishin në dispozicion. Disa herë, ndonjëra prej tyre bënte punë. Kur ndodhte kjo, shëruesi i shtonte terapisë së shërimit rite dhe praktika të shumta besëtytnore, të cilat shërbenin për të fshehur kurën e vërtetë. Kështu, shëruesi sigurohej se njerëzve do t’u duhej të vazhdonin të shkonin tek ai për t’u kuruar. Në këtë mënyrë, mjekësia u mbështoll me mister dhe njerëzit inkurajoheshin të kërkonin ndihmë në gjërat e mbinatyrshme.
Këto metoda tradicionale shërimi vazhdojnë të përdoren në shumë vende. Shumë njerëz thonë se sëmundjet shkaktohen nga frymërat e të parëve të vdekur. Të tjerë thonë se sëmundjet na i shkakton Perëndia dhe se ato janë ndëshkime për mëkatet tona. Edhe atëherë kur njerëzit e arsimuar e kuptojnë natyrën biologjike të sëmundjeve, ata mund të vazhdojnë t’u frikësohen ndikimeve të mbinatyrshme.
Magjistarët dhe shëruesit popullorë e përdorin këtë frikë për të zhvatur njerëzit. Atëherë, çfarë duhet të besojmë? A është e dobishme t’u drejtohemi frymërave për t’u kuruar? Çfarë thotë Bibla?